web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës së viteve ‘70-të, pleqëron në azil...

18 Dhjetor 2024, 21:15, Sport CNA

Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës së viteve ‘70-të,

Mes 65 të moshuarve në azilin e Shkodrës spikat Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës së viteve ‘70-të, i cili ka dhënë një kontribut të madh në sport, por tashmë po përballet me një jetë të vështirë.

Marashi tregon se është banori më i ri në shtëpinë e të moshuarve Shkodër.

“Jam banori më i ri, 2-3 muaj ka që kam ardhur. Ishin kushtet e atilla dhe erdha këtu. Por këtu kam gjetur një ambient të mirë, njerëzit që na drejtojnë janë shumë njerëzorë”, u shpreh ai.

Nëse e pyet për jetën e tij, Marashi menjëherë fokusohet te sporti.

“Unë jam nga fshati dhe gjithmonë kisha dëshirë të luaja me top, por nga të gjitha lojërat qejf kisha shpejtësinë, atletikën. Një ditë bëhet spartakiada e rrethit të Shkodrës dhe merrnin pjesë. Aty më thirrën edhe mua. Aty u mbush stadiumi plot, ishte hera e parë që merrja pjesë në aktivitet kombëtar dhe zura vend të parë. Pasi mora vendin e parë, më mori ekipi i Vllaznisë dhe më federoi. Në këtë kohë unë mora patentën si shofer dhe rashë në dilemë të bëhem sportist apo shofer...

Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës së viteve ‘70-të,

Ngaqë jetoja në fshat nuk i kisha as kushtet për stërvitje. Unë shkoja nga Malësia e Madhe në Shkodër në këmbë, e bëja si stërvitje vajtje-ardhje... Më nisën në aksion. Aty më erdhën të federatës e më thanë që të ka ardhur letra nga Komiteti i Partisë që duhet të shkosh me Vllazninë të grumbullohesh në garë. Kërkova provë kontrolli dhe dola në rregull. Aty kam shkuar në disa qytete dhe zura vend të parë në Shqipëri në nivelin 800 metër në vitin 1970-1992. Si shpërblim kisha vetëm një diplomë me shkrim që zura vendin e parë. Pas lirimit nga ushtria më thirrën të punoja në kinemanë ‘Republika’, aty nisa e vijova për 5 vite”, tha ish-kampioni.

Teksa e pyet nëse kishte menduar ndonjëherë që pleqërinë do ta kalonte në azil, Marashi u përgjigj: “Jo, nuk e mendoja, por asnjëherë nuk duhet të thuash jo për asgjë. Vlerësimin më të madh e mora nga populli, pasi emrin e kisha vrapues..”

Ai rrëfen se sportin e ndjek edhe sot nga ambientet e shtëpisë së të moshuarve, ndërsa disa herë ekipin e zemrës e ka ndjekur edhe nga shkallët e stadiumit.

Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës së viteve ‘70-të,

“E ndjek, edhe sikur të bien gurë unë do ta ndjek. Edhe drejtoria më ka marrë në stadium. Unë nuk pyes, edhe pse jam i sëmurë shkoj sepse kur shoh sport i harroj të gjitha. Nëse do ta kisha vazhduar sportin do të isha bërë sportist edhe më i madh. Më pengoi patenta, kisha dëshirë të isha shofer dhe ndjeka këtë profesion. Për këto zgjedhje nuk duhet dënuar vetja, edhe pse sot jam i penduar që nuk vazhdova rrugën e sportit. Kam bërë 4 orë rrugë disa herë nga Malësia e Madhe në Shkodër. Ne kishim 1 biçikletë dhe ishim 4 vëllezër, kush ta merrte më parë atë biçikletë. Ndaj shkonim në këmbë dhe kur fitonte Vllaznia ecnim duke kërcyer”, thekson Lulaj.

Marashi jep edhe një mesazh për sportistët e rinj.

“Vetëm të kenë shpirt, shpirtin e sportit. Çdo fitore është e mundur nëse e kanë me shpirt e zemër. Mbase kam qenë pa ushqyer, por kisha vullnetin ose të dal i pari ose të vdes në fushë. Kam bërë një garë në Koplik, aty u sëmura, më plasi apendiciti, e unë nuk e lashë garën derisa dola në vend të parë. E nga fusha shkova në sallën e operimit... ama garën nuk e lashë asnjëherë...”, deklaroi ai.

Marashi është një nga të shumtët sportistë, që pavarësisht sakrificave për të shkruar emrin në historinë e sportit, sot pleqëron i pavlerësuar, i pambështetur, i vetëm./ CNA





Lajmet e fundit nga