web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bushi: Kualifikimi në Europian nuk ishte domosdoshmëri, rritja e U-21 u reflektua te Kombëtarja A

21 Tetor 2024, 13:27, Sport CNA
Bushi: Kualifikimi në Europian nuk ishte domosdoshmëri, rritja e U-21
Alban Bushi

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi doli këtë të hënë në konferencë për mediet, nga ku foli për rrugëtimin e “Shpresave” në kualifikueset e Europianit për këtë grupmoshë.

Bushi deklaroi se për ta nuk ishte domosdoshmëri kualifikimi, por loja e bukur dhe rritja e performancës së skuadrës, gjë që sipas tij e konfirmon fakti që trajneri Sylvinho mori disa lojtarë nga U-21 te Kombëtarja A.

Kualifikueset? “Pritshmëritë të mëdha, bëmë mirë këtë edicion, ishte një edicion emocionues dhe me surpriza. Kishim rivalë shumë të fortë. E dinim që kualifikimi ishte i vështirë, por jam i kënaqur me skuadrën. Dua të them që në mesin e edicionit na penalizoi pak largimi i disa lojtarëve te Kombëtarja A, plus dëmtimteve”.

Çfarë nuk shkoi? “Rumania, Zvicra dhe Finlanda morën lojtarë nga kombëtaret A, ndërsa ekipi kombëtar A i Shqipërisë ka prioritet për të marrë lojtarë nga ekipi U21, ndryshe nga ne Zvicra dhe vendet e tjera marrin lojtarë nga ekipi A dhe i çojnë te U-21 për të bërë mirë. Shqipëria ka bërë një rrugëtim pozitiv, por duhet ta dimë që ne i çojmë lojtarët nga Shpresat te Kombëtarja”.

Cili ishte qëllimi i Shqipërisë? “Ne e kemi nisur këtë edicion jo domosdoshmërisht për t’u kualifikuar, por kemi pasur si objektiv për të bërë një prezantim të mirë. Ne e dimë shumë mirë kush jemi dhe nga vijmë, ndaj ne jemi të fokusuar të punojmë me ekipin që të rritet sepse 3 pikët nuk janë gjithçka. Unë nuk e dua një 3-pikësh pa lojë të bukur. Gjithmonë kam dashur që të luajmë bukur, të kënaqim me lojën tonë sepse nëse se bëjmë këtë Shpresat nuk rriten. Pra kalimi i lojtarëve të Kombëtarja A tregon punën tonë".

Ideja dhe objektivi i së ardhmes? “Kemi kaluar një tranzicion shumë të madh dhe futbolli i rrugës ka munguar te ne. FSHF ka punuar shumë, por në Shqipëri fokusin e kemi te kampionatet e huaja, ndaj kemi pasur pak vështirësi.  Fati ynë është që kemi shumë lojtarë që luajnë jashtë, në liga të rëndësishme, por dua të them se klubet shqiptare  lënë për të dëshiruar sa u përket akademive. Nuk e kuptoj  sepse baza nuk mungon, lojtarë ka, trajnerë po, por mungon puna dhe akademitë kjo na penalizon.”

Rekordi 16 pikë? “Ndjehemi mirë, pikët janë detyrim, por jo domosdoshmëri, më parë kemi marrë 14 pikë, këtë herë 16 dhe kjo tregon një rritje, por ne jemi të fokusuar te loja, te puna, te filozofia. Duhet ta pranojmë se në këtë edicion na mungoi pak fati. Për shembull ndaj Malit të Zi dominuam, por në fund humbëm.”

A duhet të ëndërrojmë kualifikimin në të ardhmen? “Unë di të them që çdo sezon do të jemi të gatshëm për të luftuar pavarësisht se ne nisemi gjithmonë si jo favoritë. Ne punojmë dhe çdo edicion nisemi me fokusin për të fituar, për të mundur çdo kundërshtar, por gjithmonë me këmbë në tokë.”

Cili lojtar i Shpresave mund të bëjë karrierë me Kombëtaren A? “Mendoj se Fetai është një lojtar që i duhet çdo trajneri është shumë inteligjent dhe ka energji shuëm pozitive. Pajaziti ëhstë një lojtar i jashtëzakonshëm, ka vizion, driblon shumë mirë, ka të gjitha kartat e duhura. Pastaj Medon Berisha është lojtar me një të ardhme të ndritur, një mesfushor fantastik. Bajrami gjithashtu, por i duhet një skuadër ku të luajë më shumë.”

E ardhmja e Bushit te U-21? “Unë kam kontratë deri në dhjetor. Akoma nuk kam folur për të ardhmen. Kemi dy ndeshje në nëntor, ku dua të shoh lojtarët që mund të vijnë te ne dhe të ndërtojmë të ardhmen e duhur. Mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë me të gjitha moshat. Kemi më shumë lojtarë, sot ne kemi edhe U-12, pra kemi bazat e duhura.”

Polemikat Shqipëri-Serbi për Europianin? “Mendoj se është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë Shqipërisë. Shqipëria do të ishte shumë e fituar. Do të ishte diçka e madhe që Europiani të luhej këtu. Mua më kënaq kjo ide, por se me kë bashkëpunojmë s’më intereson. Unë shoh anën futbollistike, jo me kë do të organizohet apo bashkëpunohet”./CNA





Lajmet e fundit nga