web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për turizmin, transportin dhe tregtinë

1 Mars 2026, 13:49, Sociale CNA

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Rruga Librazhd-Pogradec u bllokua totalisht më 21 shkurt, duke ndërprerë një nga arteriet kryesore që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit dhe veçanërisht me kryeqytetin. Sot, një javë pas bllokimit të saj, pasojat janë të prekshme në çdo sektor të jetës ekonomike dhe sociale të qarkut.

Ky aks ishte një ndër lidhjet më të shkurtra dhe më funksionale për lëvizjen e qytetarëve, mallrave dhe turistëve, ndërsa ndërprerja e menjëhershme ka krijuar një situatë zinxhir që po thellohet dita-ditës.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Devijimi i qarkullimit nëpërmjet rrugës Gramsh-Strelcë-Lozhan-Maliq ka nxjerrë në pah problematika serioze infrastrukturore që prej kohësh ishin anashkaluar. Ky segmenti alternativ që lidh Korçën me Tiranën (apo edhe anasjelltas) është i amortizuar, me dëmtime në trupin e rrugës, gropa të thella, segmente të ngushta dhe kthesa të shumta që e bëjnë më të vështirë qarkullimin e mjeteve.

Koha e udhëtimit është zgjatur ndjeshëm, duke shtuar disa orë mbi itinerarin e zakonshëm, ndërsa drejtuesit e mjeteve raportojnë për konsum të shtuar karburanti dhe dëmtime të shpeshta mekanike.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Nëse për të shkuar drejt Tiranës nga rruga e Librazhdit do të merrte rreth 3 orë kohë, tashmë nga rruga alternative që kalon në Lozhan e më pas në Gramsh, do të duhet minimalisht 4 orë, në një kohë kur nuk ka fluks mjetesh. Në rastin më të keq, kur fluksi i lëvizjes është i lartë, kjo rrugë mund të bëhet edhe nga 6 deri në 8 orë. Në kushte të motit të paqëndrueshëm, rreziku në qarkullim shtohet edhe më shumë, duke e bërë këtë aks të pasigurt për fluksin e lartë që po përballon aktualisht.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Situata është edhe më e ndjeshme për shërbimin shëndetësor. Ambulancat që transportojnë pacientë drejt spitaleve në kryeqytet, përballen me vonesa që në raste emergjente mund të jenë kritike. Çdo minutë e humbur në një rrugë të amortizuar dhe me qarkullim të rënduar përkthehet në rrezik real për pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Banorët e zonës kanë ngritur shqetësimin se izolimi i përkohshëm po kthehet në një barrë të rëndë për sigurinë shëndetësore të komunitetit.

Që në ditët e para pas bllokimit, CNA paralajmëroi “goditjen” që do të merrte juglindja si pasojë e ndërprerjes së këtij aksi strategjik. Një javë më pas, paralajmërimi po materializohet në shifra konkrete.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Sektori i turizmit, i cili përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale, është ndër më të prekurit. Në fshatrat turistikë të Dardhës  dhe Voskopojës, operatorët raportojnë mungesë të ndjeshme vizitorësh krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Qindra hotele dhe bujtina në të gjithë juglindjen kanë pësuar anulime të rezervimeve që prej 21 shkurtit, momenti kur u bë i qartë se rruga alternative do të ishte e vetmja mundësi lidhjeje me pjesën tjetër të vendit.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Sipas të dhënave nga ky sektor, mësohet se pati anulime masive brenda pak ditësh, sidomos për fundjavat, ku mijëra turistë vendosën ta “braktisin” juglindjen. Në një fundjavë normale, qyteti i Korçës do të gumëzhinte nga turistët, por sot, edhe lokalet më të frekuentuara në zonën e pedonales janë bosh.

Humbjet financiare përllogariten në miliona euro, duke prekur jo vetëm strukturat akomoduese, por edhe restorantet, baret, agjencitë turistike, transportin lokal dhe furnitorët e produkteve bujqësore e blegtorale.

Për qytete si Korça, Pogradeci dhe zona e Kolonjës, dëmi ekonomik rrezikon të jetë i parikuperueshëm nëse situata do të zgjasë. Shumë biznese sezonale operojnë me marzhe të ngushta fitimi dhe mbështeten kryesisht në fluksin e fundjavave, por një periudhë e gjatë izolimi mund t’i çojë drejt falimentimit.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Ndërkohë, efekti domino po ndihet drejtpërdrejt edhe nga qytetarët. Çmimi i biletave të transportit ndërqytetas drejt Tiranës është rritur nga 700 lekë në 1000 lekë për një udhëtim, një rritje e konsiderueshme për familjet që udhëtojnë shpesh për arsye pune, studimi apo shërbime shëndetësore.

Operatorët e transportit argumentojnë se devijimi i gjatë, konsumi i shtuar i karburantit dhe amortizimi i mjeteve e bëjnë të pamundur mbajtjen e tarifave të mëparshme. Kjo rritje përkthehet në një barrë të drejtpërdrejtë për buxhetin familjar, në një moment kur kostot e jetesës janë tashmë të larta.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Problematika prek edhe sektorin e tregtisë. Tregtarët paralajmërojnë se produktet që furnizohen nga qytete të tjera do të kenë kosto më të lartë për shkak të transportit më të shtrenjtë dhe kohës së zgjatur të rrugës. Rritja e kostove pritet të reflektohet edhe në çmimet përfundimtare për konsumatorin, duke sjellë një valë të re shtrenjtimesh në tregun lokal.

Në këtë mënyrë, ndikimi i bllokimit të rrugës nuk mbetet vetëm në sektorin e transportit apo turizmit, por përhapet në të gjithë ekonominë e përditshme të qytetarëve.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Humbje të mëdha për

Një javë pas bllokimit total të rrugës Librazhd-Pogradec, juglindja po përballet me një situatë të ndërlikuar që prek çdo hallkë të jetës ekonomike dhe sociale. Nëse rruga do të vijojë të mbetet e bllokuar dhe alternativa aktuale do të mbetet e vetmja zgjidhje, dëmi për bizneset në Korçë, Pogradec dhe Kolonjë rrezikon të jetë i pakthyeshëm. Për shumë sipërmarrje, kjo periudhë mund të shënojë humbje që nuk rikuperohen dot as në sezonet e ardhshme, duke lënë pasoja afatgjata në zhvillimin ekonomik të gjithë qarkut./CNA





Lajmet e fundit nga