web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rreziqet e fshehta që bartin shumë produkte që rekomandohen për detoksifikimin e trupit

16 Nëntor 2022, 08:34, Shëndeti CNA

Rreziqet e fshehta që bartin shumë produkte që rekomandohen

Në mjekësi, fjala “detoks” do të thotë një trajtim për të zhdukur të gjitha gjurmët e një lënde narkotike nga trupi i një personi të ndërvarur nga ajo. Por në mjekësinë alternative, me të kuptohet çdo lloj procesi që supozohet të çlirojë trupin nga helmet ose toksinat.

Në fakt ky proces jo vetëm që është shpesh i paefektshëm, por mund të jetë edhe i rrezikshëm për shëndetin. Përkufizimi mbi detoksin ngre natyrshëm pyetjen: çfarë helmesh synon të zhduke ai? Përgjigja është: të gjitha llojet e helmeve që prodhohen nga metabolizmi ynë, apo që vijnë nga mjedisi, nga ilaçet e marra me recetën e mjekut apo dietat tona ushqimore.

Dhe cilat lloje trajtimesh shpallen si detoks? Sërish lista është shumë e gjerë. Homeopatia dhe akupunktura, por edhe dieta të ndryshme, homotoksikologjia, pastrimi i zorrës së trashë, qirinjtë për pastrimin e veshit, fitoterapia, terapria me kupa, shiatsu, praktika ‘gua sha’ dhe ‘tui na’.

Sot është e vështirë të gjesh ndonjë terapi alternative, përkrahësit e së cilës nuk e besojnë se ajo e çliron trupin nga toksinat. Miti i detoksifikimit është kaq i rrënjosur sot tek jo pak njerëz, saqë edhe kompanitë kryesore, që shpesh nuk kanë fare lidhje me mjekësinë alternative, po ofrojnë produkte të tilla siç janë çajrat detoks.

Për më tepër, adhuruesit e detoksifikimit pretendojnë se këto trajtime e shtojnë energjinë dhe mirëqenien e trupit tonë, ngadalësojnë procesin e plakjes, forcojnë sistemin imunitar, e lejojnë atë të djegë më shpejt yndyrën, të reduktojnë alergjitë dhe sëmundjet e tjera, si dhe i bën më të shëndetshëm lëkurën, flokët dhe thonjtë.

Edhe frika më e vogël nga një gjendje e caktuara shëndetësore do të nxisë shumë njerëz t’i drejtohen procedurave të tilla. Por kush ka saktësisht nevojë për një trajtim detoksi? Përgjigja për këtë pyetje sipas atyre që i ofrojnë këto procedura është e thjeshtë: qëtë gjithë.

Simptomat e përcaktuara në mënyrë të paqartë si lodhja, letargjia, problemet me gjumin, mungesa e përqendrimit dhe ankthi, nga të cilat ne të gjithë vuajmë në një moment të jetës sonë, paraqiten si një provë se detoksi është urgjentisht i nevojshëm.

Dhe këtë industri e ndihmon përdorimi në masë i ushqimeve të gatshme, ushqimit të shpejtë dhe i konservantëve, që ka futur shumë kimikate në dietat tona ushqimore dekadate fundit. Sipas të dhënave nga Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë në SHBA, nivelet e ksenobiotikëve, si metalet apo kimikatet sintetike, janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë shekullit të kaluar.

Cili ishte produkti detoks i Mbretit Çarls?

Edhe mbreti aktual i Britanisë së Madhe Çarlsi III, ishte dikur pjesë e biznesit të detoksit. Në vitin 2009, kompania e tij “Duchy Originals” hodhi në treg një produkt detoksifikus, që përmbante një përzierje të çuditshme të luleradhiqeve dhe angjinareve, dhe që tregtohej si “suplement dietik për të ndihmuar në eliminimin e toksinave dhe ndihmon tretjen”.

Kur shtypi britanik më kërkoi një koment, unë e quajta Çarlsin një “shitës të vajit të gjarprit”. Siç pritej, kjo shkaktoi njëfarë shqetësimi dhe produkti u hoq menjëherë nga tregu.

Në Gjermani, trajtimet detoksifikuese kanë qenë prej kohësh një domein i praktikantëve jo-mjekësorë dhe naturopatëve, të cilët flasin gjithashtu për “pastrim”.

Me një gamë kaq të gjerë trajtimesh të ndryshme, ju mund të supozoni se tani ka pasur një numër të madh studimesh që i kanë vërtetuar efektet e tyre pozitive. Por kjo është larg së vërtetës. Rreth 10 vjet më parë, unë botova një përmbledhje sistematike të provave që ishin në dispozicion mbi këto produkte.

Arrita në përfundimin se përfitimet nga këto produkte detoksifikuese nuk janë vetëm të pabesueshme, por ato nuk mbështeten nga ndonjë provë klinike e fuqishme. Që atëherë, nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Por si ka mundësi? Sigurisht që do të ishte e thjeshtë krijimi i një provë.

Ju zgjidhni një toksinë të rëndësishme, për shembull një metal të rëndë, zgjidhni një trajtim detoksifikues, siç është përzierja detoks e Çarlsit, dhe bini dakord për një mënyrë të përshtatshme për të matur rezultatet, siç është cilësia e jetës.

Më pas rekrutoni një numër mjaft të madh pacientësh, gjysmës së të cilëve u jepet “trajtimi”, ndërsa gjysmës tjetër placebo. Pastaj krahasohen rezultatet. E kam të vështirë ta besoj se nuk janë kryer ndonjëherë studime të tilla. Nëse po, pse nuk është publikuar asnjë rezultat? Një shpjegim i besueshëm do të ishte se rezultatet janë mashtruese, dhe kompanitë që prodhojnë trajtime detoksifikimi penguan publikimin e tyre, sepse produktet detoks janë sot një industri shumë fitimprurëse.

Efekte anësore serioze

Por parimi i detoksifikimit duket se ka shumë kuptim për shumë konsumatorë. Është e vërtetë se të gjitha llojet e substancave potencialisht të dëmshme grumbullohen në trupin tonë. Ndaj kush nuk do të dëshironte të shpëtonte prej tyre? Por fatmirësisht, ne tashmë kemi një sistem shumë efektiv për ta bërë këtë: mëlçia, mushkëritë, veshkat dhe lëkura punojnë vazhdimisht për të hequr toksinat nga trupi ynë.

Mënyra më e mirë për të mbështetur punën e këtyre organeve nuk është përmes një trajtimi detoksifikues, por duke ndaluar ose reduktuar marrjen e toksinave. Shumë njerëz mendojnë se të paktën këto trajtime nuk u shkaktojnë ndonjë dëm. Por ky supozim nuk është plotësisht i vërtetë.

Së pari, është e qartë se ato dëmtojnë gjendjen tonë financiare. Së dyti, çdo trajtim i këtij lloji ka efekte anësore në shëndetin tonë, disa prej të cilave janë serioze. Një shembull është programi i detoksifikimit i promovuar nga Scientology, që bazohet në marrjen e dozave të larta të vitaminave dhe mineraleve, dhe që madje është lidhur me jo pak vdekje të parakohshme.

Në SHBA, Qendra Kombëtare për Shëndetin Plotësues dhe Integrues ka bërë shumë paralajmërime në lidhje me terapitë detoksifikuese. Ajo paralajmëron se lëngjet që përdoren në këtë proces mund të jenë të ndotura nga baktere të dëmshme apo që përmbajtja e lartë e oksalatit në disa produkte detoksifikuese mund të dëmtojë veshkat.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga