web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Berisha premton legalizim të plotë në Laprakë: Paqja fiskale e Ramës është parajsë për botën e krimit!

26 Prill 2025, 14:03, Politikë CNA

Berisha premton legalizim të plotë në Laprakë: Paqja fiskale

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një takim elektoral në njësinë numër 10 në Tiranë ka deklaruar se paqja fiskale që prezanton Rama është parajsë për botën e krimit.

Ndër të tjera ka premtuar legalizim të plotë dhe urbanizimin e zonës.

“Miqtë e mi, unë firmos këtu para jush një kontratë me ju. E tha shumë bukur zoti Marku se unë fjalën time e mbaj.

Nuk thotë njeri që unë nuk kam mbajtur ndonjëherë fjalën, por jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do të preket dhe se do ketë legalizim të plotë total dhe pastaj urbanizim.

Legalizim dhe pastaj urbanizim. Ky është parimi që ndjekim ne. Ndaj dhe atyre që ua kanë prishur... nuk harroj unë betejat tuaja për shtëpitë tuaja, edhe ata do dëmshpërblehen sipas këtij parimi. E dëgjuat dje, paqja fiskale, çfarë është paqja e tij fiskale?

Paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur. Ua shpjegoj unë si është puna. Ky, dy vite më parë filloi reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës, të klaneve mafioze, të vinin në Shqipëri dhe të ndërtoheshin kulla siç po ndërtohen.

Natyrisht BE e diktoi këtë. Ky ishte një inkurajim i tmerrshëm i krimit. Në sallën e gjyqit në Belgjikë, trafikanti deklaroi sipas televizionit belg, se vetë kryeministri më kishte premtuar se do mund të investoja paratë në Shqipëri.

Tani thotë paqja fiskale. Ai vetë është në paqe dhe bashkëpunim të ngushtë me ta. Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro nuk do mund të sjellin në Shqipëri.

Jo. Sepse çfarë ndodhi këtu me këtë? Nuk ka vend në Europë, në të cilin monedha e vendit të ketë rrëzuar përdhe euron. Euro për shkak të narkoeurove ka humbur 35 për qind të vlerës.

Po. Kjo do të thotë qindra mijëra shqiptarë humbën vendet e punës në ndërmarrjet e eksportit. Falimentuan. Se ato çdo transaksion e kanë në euro. Dhe rënia 35 për qind e euros faktikisht ua asgjësoi fitimin dhe i detyroi të kyçin sipërmarrjet. Të dalin nga puna dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë dhe të ikin në emigracion.

Merr fund kjo. Asnjë paqe me ta nuk ka.

Me bandat kriminale ka vetëm ligj, ligj dhe vetëm ligj.

Po, gjobat do t'jua falim ju, ju o qytetarë të ndershëm, ju që keni përjetuar brutalitetin, arrogancën e inspektorateve, e zyrtarëve, e ministrave të tij.

Çdo gjobë që është vendosur mbi ju, me datën 12 maj bëhet zero.

Këta ju marrin ju kamatëvonesat e 25 viteve më parë. Këta nuk kanë ligj, as moral. Po ato u falën në momentin kur KESH kaloi te CEZ. Dhe këta vazhdojnë i mbledhin dhe ua mbajnë ju si lak në fyt. Që të gjitha falen.

Bizneset do kenë çmimin e energjisë nga 18 lekë në 6 lekë.

Familjarët nga 9.5 në 7 lekë. Tarifat e ujit do përgjysmohen. Taksa antikushtetuese e arsimit e bashkisë do hiqet menjëherë.

Bashkitë nuk do mund të vendosin kurrë tarifa dhe taksa më shumë se 1 për qind të xhirosë së biznesit dhe një seri lehtësimesh do bëhen për biznesin e vogël”, tha Berisha./ CNA





Lajmet e fundit nga