LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Saljanji mbyll përrallën e gjysmagjelit në PD: S’ka bashkim, por dy parti!

16 Qershor 2022, 20:56, Opinione Ylli Pata
Saljanji mbyll përrallën e gjysmagjelit në PD: S’ka
Deputeti Ervin Saljanji

Ervin Saljanji, deklaroi në një intervistë me Mirela Milorin në Klan News, se tashmë është krejt e pashmjangshme se PD-ja do të ndahet edhe zyrtarisht me dy parti.

Të cilat do të jenë jo vetëm sy subjekte të ndryshme, po ka gjasa kundërshare të egra me njëra-tjetrën, sidomos për një kohë të gjatë. Ndërkaq, Saljanji shtoi se në shtator, në krye të Partisë Demokratike zyrtare do të rikthehet Lulzim Basha, që sipas deputetit të PD-së “nuk do marrë vota dhe nuk do të ketë sukses”.

Qëndrim, që tregoi se Saljanji nuk do të jetë me grupin e Bashës, por me anën tjetër të “gardhit” të cilëve më 8 janar doli para selisë me një hu të gjatë për t'ja futur kokës. Nejse kjo punë e tij, por ky pranim kaq i ftohtë, kaq “anglezçe” i një kauze që për një vit kanë bombarduar opinionin me të famshmen parullë: “bashkim”, mund të ngjajë me çdo gjë, por jo me një seriozitet apo kthjelltësi politike.

Që kur Lulzim Basha, si kryetar i Partisë Demokratike, përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar, e kur ky i fundit i shpalli betejë kryetarit, u pa e qartë që po shkojmë drejt një skizme.

Një ndarje që nuk është as fundi i botës, dhe as nuk ka ndodhur për herë të parë si në Partinë Demorkatike, dhe në të gjithë politikën shqiptare. Këtej dhe matanë kufirit.

Sali Berisha, natyrshëm që për herë të parë do të gjindej jashtë një partie që ka drejtuar prej 30 vitesh, kur ka përjetuar largimet e një morie grupesh që nga viti 1990, të cilët kanë ikur pikërisht prej tij.

Madje ka ndikuar në ndarjen edhe të partive shqiptare jashtë vendit siç është Partia për Prosperitet Demokratik në Maqedoninë e Veriut, apo kur ka tentuar të fusë spicat në LDK në vitin 2009.

Nuk kishte asnjë logjikë, apo mundësi që të bashkëjetojnë në një grup politik të paktën dy frymë krejt të kundërta që janë lineuar në gjirin e Partisë Demokratike, që nga shtatori i vitit të kaluar.

Grupime, që jo vetëm janë përplasur keqas me njëri-tjetrin, por si po tregojnë ngjarjet ditë pas dite, nuk kanë më pika takimi për të ardhmen e formacionit politik, apo edhe më gjerë.

Grupi “legal” i PD-së që përfaqësohet nga Alibeaj dhe grupi parlamentar, duket pak si i vagullt, i mefshët apo edhe kaotik, por që nga qendra, edhe në çdo qelisë që ky grup kontrollon në degët në çdo bashki, të përbashkët kanë një synim: një PD e çliruar nga Sali Berisha. Kjo tashmë e formësuar, jo vetëm në deklarata por në një koncept stabël të disa emrave që edhe në publik atashohen si pjesë e këtij grupi, përveç krerëve realë si Alibeaj, Bardhi, Tabaku etj. Agron Gjekmarkaj, edhe pse është distancuar nga ofiqet politike organizative në parti, qartësisht e shikon opozitën pa Sali Berishën.

Ndërkaq, pjesa tjetër, e cila doli me përgjërimet për respektim statuti, rithemelimin e rikthimin e dinjitetit të PD-së, sot është kthyer thjesht në një formacion ku s'bën gjë tjetër veçse ço Berisha e ul Berisha. Nuk ka asnjë asortiment tjetër në tryezën politike e mediatike, e gjithashtu në idenë e një opozite te re të gjeneratës tjetër.

Madje aq i fortë është magnetizmi i Berishës, sa është harruar fare Ilir Meta, që sa ishte President e ngrinin në qiell, e para pak ditësh e sulmuan, e sipas gjasave nuk kanë konak për “liderin e popullit të 2 marsit”.

Pasi e gjitha kjo, së bashku me broçkullat e konservatorizmit e teori të tilla që rrëzoheshin pak orë pasi shtroheshin si pasojë e sherreve banale personale, nuk ka të bëjë fare me një betejë politike. Pasi është e qartë se një rrugë kishte Sali Berisha nëse nuk largohej nga politika. Të bënte partinë e tij, që ta ketë si instrument në telashin e madh që e ka zënë pas shpalljes non grata.

Ishte një gjë kaq e thjeshtë sa çdo njeri që ndjek sadopak politikë e kishte kuptuar, por megjithatë, ata që janë më të zhurmshmit thërrisnin për “bashkim e pajtim".

Madje edhe pas tmerrit fraticid të 8 janarit, ku u pa e qartë se njëra palë është gati edhe ta heqë qafe tjetrën, vetëm për të futur Sali Berishën në zyrën e kryetarit të PD-së.

Por megjithatë vula politike dhe legale që e nxori në dritë faktin se kemi të bëjmë me dy parti janë zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Ishte pikërisht atëherë kur opozita garoi me dy formacione krejt të ndara, madje armike me njëra-tjetrën.

Nuk ka më fakt apo rast më të qartë, për të dhënë të kuptosh një ndarje, sesa garimi në zgjedhje me logo të ndryshme. Një parti lind për të hyrë në zgjedhje, për të garuar për poste pushteti, e si e tillë, njerëzit që përbëjnë një formacion duhet të bëhen bashkë që të mos humbin asnjë votë. Nëse garojnë përballë, nuk janë më një parti, por dy të tilla.

Por jo tha Grida, jo tha Ervini, të cilët si në përrallën e Gjysmagjelit ngritën zërin e thirrën për “bashkim mes demokratëve”, e i dërguan ultimatum Lulzim Bashës të “bëhet mënjanë”.

Dhe Basha u “bë mënjanë” siç tha “për të kontribuar në bashkimin e demokratëve”. Por siç e pamë, nuk ishte fjala te bashkimi por te zaptimi. Berisha me të tijtë, sapo vuri këmbën në selinë e PD-së bëri thirrje që të ikin të gjithë dhe t’i lirojnë zyrat “Komisionit të Rithemelimit” që edhe formalisht është shkrirë totalisht, pasi aq e kishte misionin. Komisioni dhe rithemelimi është doktori, i cili, realisht ka rënë në një grackë së bashku me Gridën e Saljanjin. 

Synimin e kishin të hiqnin Bashën, natyrisht secili me ambicjet e veta, duke folur për bashkimin, e tani po pranojnë një fakt politik që ndodhi më 6 mars. Ku demokratët votuan kundër demokratëve. Kështu ka ndodhur me të gjithë formacionet e ndara, ashtu i ndodhi edhe LSI-së me PS-në; janë gjëra të ndryshme. Po përralla e gjysmagjelit në panelet e darkës me bashkim? Në shtator, po mendojnë për një fabul të re!

Lajmet e fundit nga