web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Legjenda e shqiptarit!

16 Gusht 2024, 16:00, Opinione Arian Galdini
Legjenda e shqiptarit!
Arian Galdini

A e mbani mend studimin prej nga ku doli shifra 1 milion të rinj shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër, 900 mijë nuk dinë asnjë gjuhë të huaj? 

Ndërkohë nuk bëjnë më çudi lajmet se dhjetëra a më shumë aktivistë politikë, civilë, publikë e gazetarë janë kërcënuar nga grupet kriminale apo nga vetë bota okulte e politikës, nuk bën habi më lajmi se ende ka shumë shqiptarë që kërkojnë azil politik nëpër Europë, qindra mijë shqiptarë vazhdojnë si çdo vit aplikojnë për lotarinë amerikanë, e as befasohet kurrkush më se Nexhmije Hoxha jetoi me Enver Hoxhën si kryetar i parë i PKSH e iku nga kjo botë me Edi Ramën si kryetar i katërt i partisë, sikurse nuk pyet më asnjë se si është e mundur që jetojmë ende në një kësilloj demokracie ku në krye të qeverisë është Edi Rama, kryetari i 4-t i partisë së Enver Hoxhës e përballë tij është në krye të Opozitës, Sali Berisha i cili ka qenë 28 vjet Sekretar Partie në Partinë e Enver Hoxhës, e kështu me radhë të tilla tollovi të përditshme për shqiptarët, që me apo pa dashje na shkoqisin çdo arsye pse duam t'i ikim vendit dhe shtetit tonë.

Legjenda e shqiptarit!
Diktatori Enver Hoxha

Interesante është se ne edhe kur ikim diku jashtë, nuk themi po iki jashtë vendit.

Ne të gjithë themi po iki jashtë shtetit.

Pra, raportin me vendin e kemi të paeksploruar, madje të paqenësishëm fare.

Rritemi me ninulla, këngë e urime që të bëhemi trima e disa ndër ne përfundojmë ose kaçakë ose ikanakë.

Shumica mbetet pezull në kërkim të shtetit.

Kaçakët bëhen udhëheqës, ndërsa ikanakët mbathin nga sytë këmbët dhe mësojnë ta duan e përmallen për atdheun nga larg prej jashtë shtetit.

Shumica e mbetur pezull, endet e tirret si pëlhurë Penelope nën fabulën se kaçakët e radhës që kanë ardhur në pushtet, po na bëjnë shtet ose nën alarmin e kaçakëve mëtonjës të pushtetit, të cilët u bien tupanëve të luftës se ata që po qeverisin nuk po bëjnë shtet, por narkoshtet apo bandoshtet.

Shqiptari i mbajtur pezull brenda shtetit shtrydhet e shkundet pa pikën e mëshirës nga pala e kaçakëve që thonë se po bëjnë shtet dhe pala tjetër që thonë se do bëjnë revolucion kundër narkoshtetit.

Shkurt, ne mbetemi ende nën mendësinë komuniste se shteti është edhe Shpëtimi edhe Ndëshkimi, edhe Zoti edhe Djalli.

Alternativa qeverisjeje nuk ka.

Ka vetëm shtetbërës në pushtet dhe opozitarë revolucionarë "kundër narkoshtetit".

]Legjenda e shqiptarit!
Arian Galdini

Të dyja alternativat janë për shtetin shpëtimtar ose kundër shtetit ndëshkimtar.

Kjo sjell vetvetiu ose frikë nga shteti, ose rebelim ndaj shtetit a fshehje ndaj shtetit ose ikje prej shtetit.

Ballafaqohen vetëm modele mbi shtetin e nuk ka asfare konkurrencë për alternativa qeverisjeje.

Thelbi qëndron te kurthi logjik ku regjimi na ka plandosur që ditën e parë që menduam se themeluam demokracinë.

Ngase menduam se sfida jonë ishte të ndërtonim një shtet demokratik e të së drejtës si kundërvënia më e qartë ndaj shtetit diktatorial e totalitarist, ne harruam e nëpërkëmbëm faktin se demokracia e ka fuqinë jo te shteti, por tek alternativat që konkurrojnë me njëra-tjetrën.

E fetishizuam aq shumë shtetin dhe shtetbërjen saqë partitë kryesore i ndajmë në parti që dinë të bëjnë shtet dhe në parti që nuk dinë të bëjnë shtet.

Paradoksi ku ngecëm është fatal, sepse ose jemi me ata që bëjnë shtet, ose me ata antishtet, ose ikim nga ky shtet... 

Kush mbetet pa njërën nga këto 3 alternativa është thjeshtësisht "i shkretë".

Para pak ditësh në Vlorë dëgjova një zotni që ndërsa këndohej kënga "Xhamadani vija - vija", ngjirej teksa zëvendësonte fjalët e saj e thoshte:
"Xhamadani vija - vija, është Kosova është Shqipëria, rreh si zemër çiftelia, oh sa e madhe o është tepsia..."

E pyes zotninë: Pse tepsia e jo Shqipëria?

Ma kthen: Kështu na ka mësuar Edi Rama. 

Legjenda e shqiptarit!
Kryeministri Edi Rama

U mendova një hop dhe e kuptova se vetvetiu ndërlidhja apo deduksioni e kishte bërë përsosmërisht tek ai zotnia, lodrimin e imagjinatës nga Shqipëria te tepsia.

Pra kur për çdo shqiptar Shqipëria është shteti, e kur për Edi Ramën e çdo kaçak udhëheqës shteti është tepsia, me rregull treshi i bie që për atë zotninë e ndoshta për të gjithë ne, Shqipëria është tepsia.

Me pak fjalë, ne bëhemi militantë apo kaçakë partie që të fillojmë punë në shtet sepse kështu jemi në tepsi.

Kush është jashtë tepsie është i/e mjerë, qyqar/e, mjeran/e.

Për çfarë të na duhen librat apo gjuhët e huaja kur në vendin tonë ku ne nuk kemi vend, shtigjet janë kaq të pakta e kaq të ngushta.

Ç'na duhet truni, kur te ne fuksionon veç huni, më tha dje një miku im nga Lezha.

Ne ose jemi në tepsi, ose jashtë tepsie, ose jashtë shtetit fare.

Legjenda e shqiptarit!
Arian Galdini

Kush është në tepsi, nuk ka pse lexon libra a studion, a mëson gjuhë të huaja, sepse mjafton të jetë plaçkëbërës me nam, e gjithçka i shkon fjollë, madje konsiderohet pari, elitar, mondan, model.

Kush ështe jashtë tepsie, pi kënetën, me shpresën se kështu do t'i mbarojë uji.

Të gjithë jashtëtepsinorët janë ose opozitarë radikalë antishtet, ose aplikantë lotarie amerikane apo kërkues mundësie për të ikur nga Shqipëria një orë e më parë.

Këtu fillon edhe problemi më serioz që ka opozita, sepse mes shtigjeve ku ka mbetur shoqëria shqiptare, opozita ose do të mobilizojë e thërrasë në revolucion jashtëtepsinorët e saj duke u premtuar se në fund të betejës ose do marrin gjithë tepsinë, ose do arrijnë të imponohen për bashkadministrim të tepsisë.

Alternativën e kthesës së madhe kulturore, zgjimit të madh, ngjizjes, lindjes e ushqimit të shpresës, opozita as që e sheh si mundësi.

Po të zgjedhë alternativën e kthesës dhe përmbysjes kulturore, opozitës do t'i duhet të ndajë pushtet me më të mirët e kësaj shoqërie.

Por jo, këta nuk e duan këtë.

Legjenda e shqiptarit!
Selia e PD-së

Janë mësuar të ndajnë pushtet e tepsi me gjithë kaçakët dhe plaçkëbërësit, e as që u shkon ndërmend ta bëjnë këtë gjë me më të mirët.

Sepse ditën që do ndajnë pushtet me më të mirët, Shqipëria nuk do të jetë më tepsi, por vendi ynë, vendi i të gjithëve, atdheu që duhet e do ta bëjmë më të mirë e më të drejtë për të gjithë.

Mendoj se statistikat që shpërndau INSTAT e mediat tona, Censusin e fundit, nuk janë aspak dramatike.

Janë vetëm fotografia lakuriqe e L'America ku ne jetojmë.

Amelion e mallkuam pse bëri një film ku ne shfaqeshim si ishim.

Nuk kemi pse të shajmë fotografinë kot, kur këto statistika janë vetëm simptoma natyrale të një shoqërie që vendin e ka shtet e shtetin tepsi.

Në të tilla shoqëri qytetari ndihet i pavend e sigurisht i pashpresë.

Detyra jonë, e politikanëve të rinj e të papërlyer, intelektualëve, akademikëve, shpirtrave të lirë dhe guximtarë, e domosdo edhe e opozitës është që këtyre qytetarëve t'u japim vendin që u takon.

Vendi fitohet e ndërtohet me më të mirët, jo me kaçakëri e kaqola revolucionarë.

Vetëm bashkimi i më të mirëve e bën Shqipërinë vendin dhe atdheun e drejtë të të gjithëve.

Përndryshe do të jetojmë e dëshpërohemi me statistika që në fakt do të na shërbejnë veç si (statis t'ika) shtet t'ika...





20:56 Opinione Dr.Arben Ramkaj

Ide për Himarën

Promovimi i bashkëjetesës në koncept afatgjatë në Hima...

Lajmet e fundit nga