web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A ka strategji politika shqiptare?

4 Gusht 2024, 14:58, Opinione Ardi Stefa

A ka strategji politika shqiptare?

Si fillim dua të sqaroj se për politikën shqiptare, shumicën e figurave të saj dhe enturazhin politik të partive nuk kam as respektin më minimal.

Jam nga njerëzit e paktë, i cili, pavarësisht se preferon stabilitetin dhe kulturën politike, refuzoj debatin dhe gjuhën e ashpër politike. Në fund të fundit në jetë janë më të pranueshëm ata që janë transparentë, spontanë, të ashpër edhe në rast se ndonjëherë dalin nga “binarët” sesa njerëzit e mefshtë dhe skuthët.

Jam edhe nga personat e fundit që do të pretendonin se nuk kemi nevojë për liderë të fortë në partitë tona politike. Liderë me karakter e vendosmëri, të cilët kur lind nevoja me përgjegjësinë e tyre personale përjashtojnë nga partia cilindo, qoftë edhe liderin historik, mjafton që edhe këtu të tregojnë transparencë.

Jam nga personat e fundit që do të pretendonin se nuk kemi nevojë për liderë të fortë në partitë tona politike, jo sepse besoj te partitë me një figurë qendrore, por sepse në politikë duhet të ketë edhe liderë. Personalitete karizmatike me aftësi drejtuese, të cilët mund të dalin në ballë, duke u thënë pasuesve të tyre, ndërmjet ntë tjerash, se dalin garant që partia e tyre edhe mund të qeverisë.

Mjafton që “tonet e larta” si edhe demonstrimi i “vendosmërisë drejtuese” t’i korrespondojnë një alternative me qëndrim të qartë ideologjik, të kenë program politik, i cili të jetë pjesë e një strategjie të mirëmenduar e të qartë politike.

Në të kundërt kemi të bëjmë me një retorikë boshe, me trima pa trimëri, me një teatër të keqskenuar e keqinterpretuar politik, i cili nëpërmjet shfaqjeve të shëmtuara e cilësisht të këqija, thjesht mundohet të mbulojë mungesën e strategjisë, në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq talljen që i bëhet popullit dhe elektoratit.

Dhe kjo ndodh sot, jo vetëm me PS, por edhe me PD1, PD2 dhe gjasme PD, pasi LSI-në nuk e kam quajtur ndonjëherë forcë serioze politike.

Nuk ka debat politik, d.m.th. mungon debati se si mund të ekzistojë një propozim alternativ bindës politik për qeverisjen e vendit. Dhe kështu mbizotëron në jetën tonë teatri politik. Si për “trimërinë opozitare”, ashtu edhe për lidershipin, që bëhet trim veç me llafe, se pas kuintave shtrëngon dorën me atë që kërcënon...

Pa harruar faktin që qytetarët ajo që duan të shohin nuk janë deputetët të shajnë ministrat, ministrat të akuzojnë deputetët; deputetët të mbajnë mjekër që të duken burra, por të telendisen si gra e t’i bien me dorë burrërisht tavolinës së parlamentit. Jo, ngaqë qytetarët kanë me tepri edukatën dhe delikatesën. Por sepse nga deputetët dhe partitë presin të bëjnë debat politik, të kenë argumente e të prodhojnë politikë thelbësore.

Dhe vetëm kur deputetët dhe partitë politike e bëjnë këtë, qytetarët e kuptojnë nevojën e retorikës së ashpër dhe të “toneve të larta”.

Sepse sot, me mijëra burime të shumëllojshme informacioni e në kohë reale, qytetarët nuk janë më të painformuar, as naivë e as budallenj. E kuptojnë shumë mirë kur “tonet e ashpra e të larta” janë një revoltë e sinqertë e tyre, sidomos kur kombinohen me argumente politike dhe e kuptojnë edhe se kur retorika e ashpër nuk është gjë tjetër veçse fjalë boshe, sherr pa thelb, që zëvendëson dialogun politik.

Po ashtu, qytetarët e kuptojnë shumë më mirë nga sa mendojnë politikanët se çfarë do të thotë lidership politik. Dhe ata e dinë se ai bazohet jo aq në “profilin e lidershipit” sesa në përmbajtjen strategjike. Liderët e vërtetë politikë gjykohen para së gjithash nga aftësia e tyre për të prodhuar politikë, për të thënë diçka dhe, mbi të gjitha, për të frymëzuar shoqërinë për të mbajtur një qëndrim politik. Më pas ata gjykohen nga “vendosmëria” e tyre!

Por jeta politike sot në Shqipëri është në një krizë të thellë.

Si të flasim për krizën brenda opozitës, e cila është e destinuar të jetë për një kohë të gjatë në opozitë, apo të gjithë spektrin opozitar, i cili normalisht do të duhej të punonte për krijimin e një kundërshtari të vërtetë ndaj një qeverie, e cila, megjithëse nuk e pranon është në një krizë të thellë skandalesh, në një krizë të thellë ligjshmërie, të cilat nuk e lënë të jetë në lartësinë e duhur, por që edhe kjo, është e destinuar të jetë në qeveri për një kohë të gjatë...

Dhe për këtë të dyja palët i kthehen e i rikthehen teatrit të përditshëm politik, duke “harruar” që politika as teatër është e as spektakël se kush ka pamjen apo zërin më të mirë!

Dhe në këtë mënyrë ata thjesht kontribuojnë në thellimin e krizës së përgjithshme, me viktimë jo vetëm hapësirën e tyre politike, por cilësinë e demokracisë.

Sepse sot në Shqipëri kemi një krizë që ka të bëjë me thelbin e funksionimit të demokracisë, d.m.th. qeverisje dhe opozitë, e cila e kontrollon, e gjykon, por edhe është në gjendje të ofrojë alternativa qeverisëse për nesër...

E thënë thjesht: Në Shqipëri qeveris dhe sundon një pakicë, sepse nuk ka rivalë dhe një opozitë e fragmentarizuar, introverte, në luftë me vetveten, prandaj demokracia nuk funksionon dhe politika diskreditohet dita-ditës.

Kauzat reduktohen në luftë kundër drejtësisë, grumbullimit poshtë ballkoneve apo hipjes majë kornizave metalike të reklamave, lirimit të njërit apo tjetrit dhe popullin e largojnë nga pikësynimi apo kauzat, të cilat duhet të ishin thelbësore.

Rezultati është kombinimi më i keq i mundshëm: apatia politike dhe cinizmi në një pjesë të shoqërisë.

Është e qartë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Sepse pjesë të shoqërisë që tashmë ndihen pa mbështetje të besueshme politike në ankthin e tyre për një propozim tjetër politik, tani do të fillojnë të ndihen politikisht jetimë.

Ata do të humbasin besimin jo në një apo një tjetër version të “së majtës”, apo “të djathtës”, por në vetë mundësinë që politika të jetë një mënyrë për t'ua bërë jetën më të mirë.

Prandaj pasja e një strategjie politike, qeverisëse ose edhe opozitare, është e domosdoshme.

Kush e kupton duhet të veprojë tani, përpara se të jetë shumë vonë; përpara se demokracia të dorëzohet përballë autoritarizmit dhe autokracisë politike shqiptare, tek e cila investohet gjatë gjithë këtyre viteve!/CNA 





18:09 Opinione Ilir Levonja

Kongresi antikorrupsion

A e ka kapur qiellin ironia në Shqipëri? Absolutisht që po...

11:27 Opinione Ardi Stefa

Free Kejvina's Audi...

Pyes veten se çfarë kuptimi ka të shkruash parulla, të...

22:00 Opinione Edison Ypi

Qyteti Pastërma

Roma "Qytet i përjetshëm", Londra "Qytet i lagur", Pra...

Lajmet e fundit nga