LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fati tragjik i një kenianeje 22-vjeçare në Tiranë

14 Shkurt 2023, 14:03, Opinione Jak Simoni

Fati tragjik i një kenianeje 22-vjeçare në Tiranë

Ashtu si qindra mijëra shqiptarë, të cilëve u është bërë i neveritshëm vendi i tyre dhe vazhdojnë të kërkojnë një jetë më të mirë në vende të tjera, ndodh që ndonjë i ri apo e re nga vende të tjera të  shpresojë të ndërtojë një jetë më të mirë se në vendin e tyre në vendin tonë.

Ndodhi kështu dhe me një vajzë keniane 22-vjeçare që provoi për një jetë më të mirë në një vend “evropian” si i yni, por që gjeti vdekjen në mënyrën më barbare të mundshme. Ndonëse ngjarja ndodhi në kryeqytet, ku mundësitë e zbardhjes ishin të mëdha, për arsye të monitorimit të rrugëve, lokaleve, shtëpive etj., dhe dhunuesit me barbarizmin e tyre kanë lënë gjurmë, ajo akoma nuk është zbardhur.

Me gjithë dramaticitetin e saj, mediat, kryesisht ato audiovizive, gradualisht po e lënë në heshtje dhe vijojnë me programet banale që i përshtatën banalitetit të jetës në Shqipëri dhe anasjelltas. Natyrisht misioni i tyre, evidentuar nga filozofët e Shkollë së Frankfurtit, është që të mbajnë në një stad dëfrimi dhe injorance jo spektatorët, por konsumatorët.

Jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë indiferent për krime monstruoze që po ndodhin e në rastin konkret të një të huaje me ngjyre që nuk kishte kush ta mbronte. Kjo indiferencë ose është një shenjë racizmi ose tregon se shkalla e ndjesisë empatike është e kufizuar në një rreth të ngushtë rrezja e të cilit nuk arrin as atë të kombit.

Shtrohet pyetja: Si do na vinte ne, që  kemi miliona emigrantë në botë, po të neglizhoheshin krime të  tilla ndaj shqiptarëve? Krime si ky, po të ngjallin ndjeshmëri të lartë publike dhe impenjimi i organeve hetimore do ishte më i lartë. Vetëm para ca vitesh në Itali për një krim monstruoz ndaj një vajzë 15 vjeçare u ekzaminuan plot 18 mijë kode gjenetike, përfshi dhe të varrosurve.

Po për këtë rast sa kode gjenetike u ekzaminuan? Apo përgjigja është se nuk ka para! A nuk është më  mirë që të paktën paratë që harxhojmë për të promovuar turizmin me fragmente të filtruara imazhesh të harxhoheshin në mos për parandalimin, të paktën për zbardhjen e këtyre krimeve monstruoze. Ka pasur dhe raste të  tjera krimesh ndaj të huajve herë të zbardhura, herë të pazbardhura. Vite më parë, kur në Shëngjin pati ndodhur një krim monstruoz ndaj një djali anglez, familjarët e tij u izoluan tërësisht dhe nuk donin të takonin asnjë vendas.

A nuk është koha të  jemi, në  mos më humanë, të paktën më të përgjegjshëm, sepse në një vend që  boshatiset dita ditës ka nevojë për të huajt; apo nuk ka problem se nuk dinë shqip dhe ndoshta nuk  marrin vesh se çfarë ndodh!

Lajmet e fundit nga