LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Manifestimi i një mashtrimi eusforik dhe ritual magjik

10 Shkurt 2023, 09:18, Opinione Miron Çako

Manifestimi i një mashtrimi eusforik dhe ritual magjik

Fjala “manifestim” nënkupton lëshimin, dhënien e një mendimi, shfaqjen apo përforcimin e tij në një rreth, ashtu siç e përcakton edhe psikologjia se: “Manifestimi në përgjithësi nënkupton përdorimin e mendimeve, ndjenjave dhe besimeve tona për të sjellë diçka në realitetin tonë fizik”.

Sot, gjithnjë e më shumë, vihet re një trend në rritje i metodës së “manifestimit” sidomos tek të rinjtë të cilët dëshirojnë që në mënyra alternative, pa shpenzime dhe pa lodhje të arrijnë krejt lehtësisht që të bëjnë realitet qëllimet, synimet, kënaqësitë dhe tekat e tyre. Gjithashtu, metodat e manifestimit kanë një numër të madh promovuesish dhe ndjekësish në rrjetet sociale, si psh në "Tik Tok", ku numërohen me miliarda shikime.

Manifestimi i një mashtrimi eusforik dhe ritual magjik

Por çfarë është manifestimi në mënyrë praktike?

Për manifestuesit “manifestimi” është një metodë ose një mënyrë që përdoret kur dikush mendon që ka mungesa dhe nevoja në personin ose në marrëdhëniet e tij shoqërore dhe dëshiron ti ndryshojë ato pa punë, por mjafton që këto ndryshime ti shpreh plotësisht në kontekst pozitiv dhe ti listojë në një bllok, duke i shkruar të gjitha ato që dëshiron në kohën e tashme dhe duke i besuar se të gjitha ato gjëra tashmë i ka në realitet.

Kështu që kjo metodë do ti hapë rrugë mendimeve dhe ndërsa ato përpunohen në mendjen tuaj, krijohen ndjenjat të cilat bashkohen për të formuar një energji shpirtërore, e cila më pas çlirohet përmes dridhjeve në univers. Kjo gjë bën të mundur që nëpërmjet fuqisë së universit të materializimin si me magji në jetën tuaj fizike të të gjitha gjërat që ju keni dëshiruar të ndryshoni.

Më konkretisht sipas kësaj metode veprohet kështu , psh  kur ndjehesh inferior dhe i trishtuar duhet të shkruash: “Unë jam e denjë për dashuri dhe lumturi”. Kur ndjehesh i dobët dhe i sëmurë duhet të shkruash: “Unë jam i fortë dhe i shëndetshëm". Kur ke vështirësi ekonomike dhe jeton në kushte varfërie duhet të shkruash: “Unë jam i pasur, unë jetoj në një shtëpi të bukur dhe në një ambient të qetë". Kur ke frikë përpara një provimi shkruan: "Unë e kam marrë provimin". Kur dikë e do por ai /ajo nuk të pranon, shkruan: “Ai/ajo më do", e kështu me radhë për çdo situatë dhe aspekt të jetës mund të manifestosh dëshirën tënde në listë të gjatë.

Sipas trajnerëve shpirtëror të manifestimit ka disa metoda dhe etapa të “manifestimit”  që mund ti aplikojnë praktikantët e manifestimit, të cilat janë shumë por mendoj se duhen përmendur për të kuptuar përmbajtjen okulte të këtij manifestimit:

1) Ditari. Përdorimi i një ditari vetjak, sepse faktori më i rëndësishëm i manifestimit është vetëvetja, kështu që, kultivimi i vetëdijës personale është primar dhe kjo realizohet duke u ulur çdo ditë në një ambient të qetë për t’u përpjekur që të vizualizosh dëshirat dhe objektivat e tua në një ditar.

2) Tabela e vizionit. Kjo shërben për të përshtatur qëllimet dhe objektivat tuaja me vizione konkrete duke përdorur imazhe të sajuara të ngjarjesh, vendeve dhe personazheve që dëshironi ti arrini.

3) Saktësimi. Detajimi sa më shumë i asaj që kërkoni dhe përsëritja sa më shpesh e pohimeve pozitive për veten tuaj, si psh: "Unë jam i denjë për respekt", "Dashuria është gjithmonë rreth meje" etj.

4) Metoda 369. Metoda 369 përfshin shkrimin e asaj që dëshironi të shfaqni tre herë në mëngjes, gjashtë herë gjatë ditës dhe nëntë herë në mbrëmje, për 21 ditë.

5) Meditimi. Kjo metodë realizohet duke mbyllur sytë dhe duke u përpjekur për të përfytyruar veten si një fantazmë ose shpirt që ecni drejt personave që dëshironi dhe duke pëshpëritur në veshin e tyre tri herë, duke u thënë atyre se duhet t'ju kthejnë mesazhe.

6) Metoda O. Kjo metodë i referohet orgazmës dhe ideja themelore është që të përqendroheni në një qëllim që po përpiqeni të manifestoni ndërsa arrini kulmin në seksualitet. Premisa prapa metodës është se energjia seksuale është shumë e fuqishme dhe mund t'ju ndihmojë të shfrytëzoni energjinë bashkë-krijuese të universit për realizimin e dëshirës.

7) Metoda e jastëkut. Në këtë rast kërkohet të shkruhet një pohim në një copë letër dhe më pas ta vendosni atë letër nën jastëk tuaj për 7 ose 8 ditë, që kur të flini gjumë gjëja e fundit që do mendoni është dëshira juaj e shkruar, duke e lejuar dëshirën që të zhytet në trurin tuaj në nëndërgjegjeshëm dhe kështu të lejoni universin të realizojë manifestimin tuaj në jetën fizike.

8 )Metoda 55 x 5. Sipas kësaj metode shkruani 55 herë çdo ditë për pesë ditë rresht manifestimin tuaj, ku mund të shkruani ankthet, fikërat dhe i vendosni në një kuti ose në një enë të mbyllur dhe pastaj i copëtojmë ose i djegim ato.

9) Letër nga vetja e së ardhmes. Në këtë rast ti i shkruan vetes një letër nga e ardhmja në të tanishmen si dëshironi që jeta juaj të bëhet.

10) Place Mat. Kjo është një teknikë manifestimi ku ndani një copë letre në dy seksione të barabarta me një vijë në mes. Në njërën anë, ju renditni gjërat që dëshironi të arrini gjatë ditës, ndërsa nga ana tjetër, ju renditni gjërat që do të dëshironit që universi të bënte për ju sot. Sipas trajnerëve të manifestimit, kjo metodë përputhet fort me "Ligjin e Tërheqjes" dhe besimin se universi, ose ndonjë fuqi tjetër më e lartë, luan një rol në mënyrën se si shpaloset jeta jonë.

11)  Metoda me dy gota. Kjo metodë është klasifikuar si metodë pak më shpirtërore si një ritual, ku këshillohet të merren dy gota, njërën prej tyre e mbushni dhe e etiketoni me situatën tuaj aktuale (p.sh. beqar, i vetmuar, i sëmur ose sido që ndiheni tani) dhe në gotën tjetër etiketoni për ato që dëshironi të arrini. Pastaj, derdheni ujin nga gota me situatën ku ndodheni tek gota me ato që dëshironi të jeni dhe më tej pini ujin e saj. Ndërsa, listimin e situatës që ndodheni griseni dhe mbani etiketën e gotës së dëshirave që prisni të manifestoni.

12) Rituali i hënës së re në “manifestim”. Trajnerët këshillojnë që gjatë hënës së re të paraqesin manifestimin e tyre, të dëshirave, shoqëruar edhe me ritet e pastrimit me kripë, me bimë dhe vizime, pamje apo objekte që personifikojnë dëshirën e individit. Sipas atyre: “Rituali hënës në manifestim është gjithashtu e vërtetë për kultivimin e ideve tona dhe pastrimin e rrugës për vizionet tona për t'u bërë realiteti ynë i ri dhe ana e errët e hënës, me forcat e saj misterioze të mrekullueshme, ofron një mjedis ushqyes ku dëshirat tona mund të krijojnë rrënjë. Këto manifestime të mrekullueshme fillojnë të dalin dhe arrijnë tek yjet kur hëna vazhdon ciklin e saj”.

13) Trajnerët e manifestimit mësojnë se kristalet ndihmojnë në proçesin e mannifestimit sepse përputhen duke lëshuar të njëjtin lloj energjie që po përpiqeni të tërheqni ju me manifestimin e dëshirës tuaj duke dhënë edhe orientim se si duhet ti bashkëngjitësh manifestimit tënd edhe kristalin përkatës.

Manifestimi i një mashtrimi eusforik dhe ritual magjik

Për shembull, nëse doni të shfaqni dashuri, përdorni Rodonitin i cili ka veti të dashura. Nëse doni të manifestoni ndryshim dhe transformim, kuarci i aurës së engjëjve ka energji transformuese e të tjera kombinime si këto.

Duhet të dini se përdorimi i kristaleve si përçues energjie është një gënjeshtër e madhe dhe aspak shkencore por vetëm një ritual magjik i lashtë.

Pra, këto metoda dhe shumë të tjera që i huazojnë apo i shpikin trajnerët e manifestimitedhe pse paraqiten si moderne janë të huazuara nga fetë lindore budizmi, induizmi, taoizmi, fe që besojnë në një zot inpersonal dhe në një energji universale ku njeriu është grimcë e kësaj energjie, pra ai është një "zot" që mund të ndihmohet nga vetëvetja dhe praktika okulte pavarësisht origjinës.

Sipas këndvështrimit të krishterë që është diametralisht kundra me fetë lindore, “manifestimi” është një vetëadhurim një lojë me veten, një autosugjestion një plaçebo dhe një tallje demoniake se njeriu është zot nga vetja  dhe praktikimi i manifestimit është rituale magjike të mirëfillta.

Pse ?

Dëshira që njeriu të bëhet "perëndi" është brenda të gjithë njerëzve, sepse të gjithë janë të krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe kjo është e shkruar në Bibël. Kur Perëndia krijojë njeriun tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me ne" (Zanafilla 1-26). Kjo tregon se njeriu ka atributet e Perëndisë si një stampim në shpirtin e tij, psh ka mendje, vullnet të lirë, dashuri. Ai nqs do i nështrohej  me vullnet të lirë vullnetit Hyjnor do të rritej shpirtërisht deri sa të bëhej i ngjashëm nga hiri me Zotin, dmth i pavdekshëm, i lavdishëm  dhe  i lumtur përjetësisht.

Por, mënyra e gabuar se si njeriu kërkoi që në zanafillë që të bëhet perëndi pa Perëndinë është injektuar tek njeriu nga djalli, kryengjëlli rebel, i cili u gënjye i pari nga vetja në mënyrë egoiste se mund të bëhej perëndi duke u rebeluar kundër Perëndisë (Jezekeli 28 11-19).

Eusfori ishte i pari që u nda nga Perëndia, nga Burimi i Jetës dhe i çdo të mire që ekziston, pastaj gënjeu engjëjt rebel që u quajtën demonë duke ju thënë ndiqmëni dhe unë do tju çoj në horizonte më të larta. Në vërtetë djalli dhe demonët ranë si rrufe nga qielli (Luka 10-18). Po me këtë gënjeshtër gënjeu njeriun, duke e nxitur që të hante nga pema e dijes, ose e thënë ndryshe “pema e të mirës dhe e të keqes” (Zanafilla 3 1-5).

Ky “baba i gënjeshtës” (Joani 8-44) vazhdon deri më sot të gënjejë njerëzit se ata mund të bëhen perëndi nga vetja, dija natyra, apo një fuqi magjike inpersonale.

Kur njeriu e beson këtë gënjeshtër  ai fatkeqësisht ndahet nga Zoti nga Krijuesi i tij dhe del nga vendi ku e ka caktuar Zoti nga orbita rreth Zotit dhe shndërrohet në një individ që rrotulluhet rreth vetes në drejtim kaotik dhe i destinuar për tu vetëshkatërruar nga vetja edhe demonët, ashtu si i përshkruan edhe apostull Juda: “Ata janë re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat, drurë vjeshte pa fruta, dyfish të vdekur, të shkulur me rrënjë,valë deti të egra që shkumbëzojnë paudhësitë e tyre, yje të këputur për të cilët është ruajtur terri i errësirës për gjithmon. (1,12-13)

Njeriu kur fillon beson tek vetëvetja se është një zot, sikur egziston nga vetvetja dhe që ato që ai dëshiron mund ti realizoj pavarësisht kushteve rrethanave që  në shumicën e rasteve i ka  edhe kundër, ai tall veten, sepse njeriu nuk është i vetëmjaftushëm. Këtë pamundësi e tregojnë përvojat e hidhura të jetës, si dështimet, sëmundjet, fatkeqësitë natyrore edhe vetë vdekja që asgjeson gjithë energjitë dhe vetë jetën natyrore të njeriut.

Për më tepër njeriu nuk mund të krijojë nga hiçi, ashtu si krijon Perëndia, vetëm Zoti Perëndi që egziston nga vetëvetja  mund të thotë: “ bëhu edhe ato bëhen”(Zanafilla:1).

Njeriu duhet ti lutet Zotit dhe të punojë që ti realizoj dëshirat e mira për mirqënjen e tij, ashtu si Zoti e krijoi dhe i përcaktoi detyrat e njeriut: “Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. (Zanafilla 2-15)

Prandaj puna e parë që duhet të bëj njeriu për të përballuar sfidat dhe realizuar dëshirat  është lutja e përulur para Zotit, Krijuesit, që sipas doktrinës së krishter nuk është thjesht një energji inpersonale, por një Qenie personale hyjnore i përjetëshm, i arsyeshmr, i gjithëdijshm, i gjithëfuqishm.

Asgjë nuk arrihet pa lutje tek Zoti.“Nëse nuk jeni të suksesshëm në lutjen tuaj, ju nuk do të jeni të suksesshëm në asgjë, sepse lutja është rrënja për çdo gjë” (Theofani i mbyllur).

Lutja duhet të jetë e përulur, ashtu si mëson psalmisti: "Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë. Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin"(Psalmi 123,1-3).

Lutja është përgjigje e asaj që kërkojmë sepse, Krishti, Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut, na siguroi: “Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket (Mateu 7,7-8).

Lutja që të realizohet duhet të jetë e personalizuar drejt Atit dhe në emër të Jisuit Birit të Zoti: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë. Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë”(Joani 16: 23-24).

Të vendosësh se çfarë duhet të bësh si njeri pa marë parasysh Zotin dhe faktorët e tjerë është sa e gabuar, sepse është mburrje e marrë, por aq edhe e keqe, sepse mohon providencën hyjnore.

Apostull Jakovi thotë: "Dhe tani, ju që thoni: Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet. Në vend që të thoni:Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë. Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe” (Joakovi.4;13-16)

Lutja duhet të shoqërohet me punën mendore dhe fizike të njeriut, sepse atë që njeriu mund ta bëjë vetë duhet ta bëjë ai, atë që smund  ta bëjë njeriu dhe është për të mirën e tij ndërhyn dhe e realizon Zoti.

Njeriu duhet të punojë  gjithë jetën  dhe mund  duhet të siguroj të mirat e natyrës(Zanafilla 3-17). “Del njeriu në punën dhe në mundimin e tij gjer në mbrëmje” (Psalmi 103).  Prandaj edhe apostull Pavli thotë: “po qe se ndonjë nuk do të punoj edhe nuk duhet të hajë” (2 Selanikasve  3-10).

Nqs njeriu nuk do punojë sipas urdhërit të Krijuesit do ta punësojë djalli në punët e tij, duke i mësuar parazitizmin dhe metoda alternative për ti realizuar dëshirat pa punë, mos u çudisni për këtë, djalli është gati tju japë gjithë botën vetëm ju të mohoni provodencën hyjnore, dhe drejt për drejt apo edhe indirekt ta adhuroni djallin ashtu si guxoi dhe i tha edhe Krishtit: “Dhe djalli i tha: ''Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua. Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja''(Luka 4 ;6-7)

Por dikush mund të thotë, ja unë i bëra metodat e manifestimit dhe gjërat mu realizuan. Këtu futet tallja e demonëve. Kur njerëzit pranojnë në marrëzinë e tyre se janë zot të jetës së tyre atëhere demonët marrin kontroll në jetët e tyre. Njerëzit bëhen njësoj si demonët që donin të tejkalonin kufijtë e krijesës e të bëheshin zota në qiell. Djalli i pëshpërit në vesh apo i mëson njerëzit nëpërmjet “mashtruesve të mashtruar” si trajnerëve, guruve, se me forma dhe metoda vetërealizuese ata mund të shpëtohen, siç është edhe metoda e manifestimit.

Kur njeriu naiv apo i marrosur nga egoizmi manifeston një dëshirë dhe thotë se kjo do realizohet se dua unë, atëhere demonët, me lejen e Perëndisë që e lejon djallin të veprojë atje ku njerëzit e pranojnë gënjeshtrën eusforike se janë zot, i realizojnë ato kërkesa të manifestuara duke i mbushur mendjen se ishte njeriu vetë që i përmbushi ato, sepse ai është një zot i shkrirë me enrgjitë universit.

Kështu njerëzit futen në rrethin vicioz të egocentrizmit eusforik dhe mbeten aty si peshqit e pamend në rrjetën e eusforit derisa përfundojnë në zjarrin e ferrit të përjetshëm që u bë për djallin dhe demonët (Mateu 25-41) por që e bashkëvuajnë edhe njerëzit egoistë, të pabesë, dembel, mashtrues dhe mëkatar (Zbulesa.22-8).

Që manifestimi është një rit magjik i mirfillët është e qartë, sepse praktikat  shpirtërore që  mësojnë dhe bëjnë manifestuesit janë një imitim i riteve magjike, që bëhen me fjalë të përsëritura, simbolika të vijëzuara, objekte të personalizuara dhe veprime okulte drejtuar trupave qiellor si psh hënës, ashtu si e përmendëm më sipër.

Këto veprime janë të ndaluara kategorikisht  për  njerëzit, janë paganizëm dhe idhujtari e dënueshme  dhe adhurim demonësh:“Sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t'u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë” (Ligji i Përtërirë 4-19).

Njerëzit primitive nga padija dhe demonët këto trupa qiellor i adhuruan si perëndi por ata në të vërtet adhuronin demonët: “Sepse gjithë perënditë e kombeve janë demon, por Zoti ka bërë qiejtë” (Psalmi 96-5).

Që në lashësi njerëzit i janë falur hënës në katër fazat e saj dhe vetë magjistarët e shprehin këtë ritual magjik.

Reader KelloYello një manifestues thotë : "Faza e hënës së re është një periudhë ku nuk bëj shumë punë specifike magjike. Unë përqendrohem më shumë në ndërgjegjen gjatë kësaj faze dhe bëj kontakt me vetveten time të brendshme dhe riafirmoj udhëzimet e mia personale shpirtërore dhe qëllimet. Përpiqem të jetoj në një mënyrë që lejon të jem autentia ime e vërtetë, dhe kjo është faza e hënës ku kujtohem për këtë ".

Trajnerët e manifestimit spekullojnë edhe me fjalë të Krishtit në Ungjill, si psh: “Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''(Mateu 21,22) "Prandaj po ju them, gjithë sa lypni duke u falur, besoni se do ti merni dhe do t'ju bëhen juve” (Marku 11,24).

Këta mashtrues thonë se ja edhe Krishti mësonte për manifestimet. Interpretimi i këtij mësimi të Krishtit nuk është ashtu si e keqinterpretojnë manifestuesit, se çdo dëshirë e shprehur e njeriut realizohet vetëm të besosh se do të bëhet.

Krishti mëson se kërkesa e lutjes ka si kusht për realizimin besimin në fuqinë e Perëndisë personal, i cili si Atë mund të bëjë gjithçka për të mirën e atyre që i luten (Luka.11,10-,13).

Lutja e besimtarit realizohet kur është sipas vullnetit hyjnor për shpëtimin tonë dhe asnjëher si mësojnë ata që besojnë tek manifestimi se çdo dëshirë egoiste realizohet, materializohet nga energjia e universit, sepse ti e shpreh edhe dëshiron. Zoti Jisu Krishti është i qartë kur thotë: "Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet" (Joani 15-7).

Prandaj o njerëz, krijesa të Perëndisë (Zanafilla.1-27) dhe ju të krishterë bijë të Zotit (1 Joani.3-1) mos e pranoni metodën “manifestimit” si zgjidhje sepse jeni duke tallur veten, duke u tallur nga demonët dhe po bëni magji të mallkuar.

“Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur; çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi, por besoni në Perëndisë si Burim i jetës dhe çdo të mire” (Jakovi 1,17).

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jisu. Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni." (Filipianët 4,6-7)

Lajmet e fundit nga