LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Diskutimi për rankimin e universiteteve, duhet bërë kur miratohet buxheti

3 Shkurt 2023, 13:06, Opinione Nga Myqerem Tafaj

Diskutimi për rankimin e universiteteve, duhet bërë kur miratohet

Ditët e fundit po diskutohet në mjedisin politik dhe në media mbi rezultatet e një prej rankimeve internacionale të universiteteve, atij Webometrics. Ka rankime akoma më prestigjioze, sidomos ai “Times Higher Education Ranking” Rankimi Webometrics ka filluar në vitin 2004 dhe realizohet nga Këshilli Kombëtar i Shkencës i Spanjës, përkatësisht një njësi e tij kërkimore (Cybermetrics Lab).

Ai ka fituar njëfarë qytetarie në vitet e fundit dhe konsiderohet në shumë në vende që nuk kanë struktura a institucione të tyre të vlerësimit. Ky rankim mbështetet kryesisht në “produktet” ose “prodhimtarinë” e universiteteve që botohen edhe në internet dhe aksesohen në të gjithë botën në rrugë elektronike.

Këto produkte janë kryesisht botimet shkencore me reputacion internacional të profesoratit dhe kërkuesve të universiteteve, si dhe botime të tjera me karakter akademik, opinione publike të universitetit që synojnë të ndikojnë në politikat e zhvillimit apo në aspektet e tjera të jetës shoqërore të vendeve etj. Por këto produkte duhet të jenë të dukshme dhe të lexueshme edhe në rrugë elektronike. Prandaj thuhet se ky rankim nuk rankon Websitet e universiteteve, por produktet ose prodhimtarinë e veprimtarisë së tyre akademike shkencore dhe atë të transferimit të njohurive dhe teknologjisë, të botuara e të bëra publike dhe të disponueshme në internet.

Është shumë pozitiv fakti që opinioni publik u kushton vëmendje rezultateve të rankimit të universiteteve, madje edhe politika duket sikur dëshiron ta diskutojë atë. Por, i gjithë diskutimi, më duket mua, shumë emocional dhe shumë larg racionales së këtij rankimi. Madje, diskutimi mbi rezultatet e rankimit bëhet aq emocional, saqë shkon deri në anatemizimin e pedagogëve dhe trupave mësimore shkencore të universiteteve.

Dy fjalë për racionalen e këtij rankimi. Vetë indikatorët e këtij rankimi tregojnë se ai përcaktohet nga prodhimtaria shkencore e universitetit, që do të thotë, projektet shkencore, botimet në formën e artikujve, disertacionet e doktoratave, konferencat shkencore dhe kontributet në konferencat shkencore, pjesëmarrjen e profesorëve dhe kërkuesve të universitetit në komitetet shkencore ndërkombëtare, në bordet e revistave shkencore me reputacion internacional apo edhe si oponentë (peer review) në revista të tilla. Sigurisht, në vëllimin e këtyre produkteve të veprimtarisë së universiteteve ndikon numri i profesorëve dhe kërkuesve, përfshi edhe doktorantët, si dhe vëllimi dhe cilësia e produkteve shkencore të tyre.

Zakonisht në këtë klasifikim hyjnë vetëm “World-class” universities, pra, ato që duhet të bëjnë kërkim shkencor, ndërsa shkollat e tjera të larta dhe kolegjet me mision thjesht mësimdhënie, nuk përfshihen fare në këtë rankim. Që këtu duhet të fillojmë analizën dhe gjithë diskutimin e rankimit edhe të universiteteve tona publike. U trajtua si shumë alarmant fakti që universitetet tona janë rankuar pas vendit 3700 ndër rreth 31000 universitete të botës të përfshira në rankim. Me të drejtë u konstatua se universitetet tona janë më poshtë në rankim sesa ato të rajonit të Ballkanit, madje edhe sesa Universiteti i Prishtinës. Por askush nuk po diskuton se cilët janë shkaqet e vërteta të këtij rankimi, së paku të universiteteve tona publike, ndër të cilët kryesorët prej tyre kanë rreth 70 vjet histori.

Indikatorët e mësipërm tregojnë qartë se shkaku kryesor i prodhimtarisë së ulët shkencore është financimi i tyre tërësisht i pamjaftueshëm, ose më saktë vetëm për mbijetesë. Po të shohësh buxhetin e shtetit për universitetet, ai nuk është as 1000 euro/student në vit, ose 13-15 herë më i ulët sesa financimi mesatar për student i vendeve të OECD (rreth 15 euro/student/vit). Ndërsa buxheti për kërkimin shkencor nuk është as 800 euro/pedagog apo kërkues dhe zë më pak se 0,1 % të GDP! Meqenëse dëgjoj se po merret si referencë rankimi i Universitetit të Beogradit, dëshiroj të përmend këtu se Serbia investon për kërkimin shkencor mbi 7 herë më shumë se sa vendi ynë, në shifra rreth 0,7 % të GDP.

Le të lëmë emocionet mënjanë dhe të bëjmë një analizë elementare: A mund të bëhet kërkim shkencor me më pak se 800 euro në vit për pedagog apo kërkues, ndërkohë që vetëm për një referim në një konferencë ndërkombëtare është të paktën 200 euro dhe për të botuar në artikull shkencor në revista ndërkombëtare është mbi 400 euro? Pa folur këtu për shpenzimet e tjera për realizimin e kërkimit shkencor që janë të mëdha. Sigurisht që me këtë buxhet qesharak për kërkimin shkencor nuk mund të bëhet asnjë kërkim shkencor i mirëfilltë.

Edhe aq kërkim sa bëhet sot në universitetet tona, arrihet kryesisht përmes bashkëpunimit të pedagogëve me kolegë të tyre në universitetet e huaja si dhe me shpenzimet e tyre personale. Dhe këtë e bëjnë akoma doktorantët dhe pedagogët më të rinj për të përmbushur kriteret e kualifikimit shkencor për grada dhe tituj akademikë. Nisur nga kjo, nëse ky rankimi Webometrics do të konsideronte edhe treguesin e buxhetit për kërkim për çdo kërkues, universitetet tona publike do të dilnin tërësisht jashtë listës, sepse as në vendet më të pazhvilluara të botës nuk akordohet një buxhet kaq qesharak për kërkimin shkencor. Ose, e thënë ndryshe: nëse produkti shkencor i universiteteve tona publike do të llogaritej në raport me buxhetin e marrë nga shteti, ka të ngjarë që ne të ishim shumë, shumë lart në rankim.

Po sjell një shembull ilustrues. Universiteti Bujqësor i Tiranës, që është një universitet mesatar për nga madhësia, ka aktualisht rreth 5500 studentë dhe rreth 300 pedagogë, dhe buxheti total vjetor i tij (pra, nga buxheti i shtetit, tarifat e studentëve dhe të ardhurat e tjera nga projektet e huaja) nuk kalon 10 milionë euro, ndërkohë që një universitet homolog i një vendit të zhvilluar, siç është Universiteti Bujqësor i Vjenës (BOKU), ka dy herë më shumë studentë (rreth 10500 studentë), por 7 herë më shumë ose rreth 2160 pedagogë dhe kërkues, me një buxhet total vjetor prej rreth 210 milionë euro, i cili është 21 herë më i madh se sa ai UBT! Si mund të krahasojmë UBT me BOKU për produktin shkencor dhe për rankimin në Webometrics?

Prandaj e kam thënë që në titull, se, nëse dëshirojmë të diskutojmë pa emocione për të ardhmen e cilësisë dhe prodhimtarinë shkencore të universiteteve tona publike, duhet ta bëjmë këtë në tetor – nëntor të çdo viti kur diskutohet buxheti i shtetit dhe për kërkimin shkencor akordohet një buxhet qesharak, i cili është sa fondi që akordohet për më pak se 1 km autostradë!

Një buxhet kaq i vogël shpërndahet në një numër projektesh që i takon maksimumi një për çdo universitet publik dhe në të mund të marrin pjesë jo më shumë se 1 % e pedagogëve dhe kërkuesve të universiteteve. Pra, e thënë ndryshe, universitetet tona publike konsiderohen, de facto, vetëm si institucione mësimore dhe jo si institucione kërkimore shkencore. Madje, edhe financimi që akordohet për mësimdhënie është në nivelet më të ulëta sesa në të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit.

Ky financim për mbijetesë i universiteteve tona publike duket edhe te pagat qesharake të pedagogëve, ndërkohë që kostoja e jetesës në vitet e fundit është rritur me shpejtësi, pa përmendur këtë vit, në të cilin nuk mund të parashikohet se deri ku do të arrijë inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës. Prandaj nuk duhet të habitemi pse pedagogët e rinj po largohen nga universitetet publike dhe nga Shqipëria. Dhe kjo prirje do të thellohet akoma më shumë.

Ka ardhur koha që qeveria dhe gjithë politika shqiptare të japë një përgjigje të qartë publike: a ka interes real të investojë për universitetet tona dhe për shkencën? Për këtë nuk mjafton propaganda, por investim real për të ardhmen.

Investim real do të thotë: (i) të paktën 2-fishim i buxhetit aktual për arsimin e lartë për të arritur të paktën në nivelin 0,8-0,9 % të GDP si në disa vende të Rajonit; (ii) të paktën 5-fishim i buxhetit të kërkimit shkencor për të arritur, më së paku, nivelin që ka sot Mali i Zi (rreth 0,35% të GDP); (iii) rritja e pagave të pedagogëve dhe kërkuesve në universitete të paktën në nivelin e atyre në universitetet e Kosovës; (iv) rritje të numrit të kërkuesve të rinj – doktorantë në universitete; si dhe (v) respektimi i lirisë së vërtetë në kërkimin shkencor, si një e drejtë që e garanton Kushtetuta jonë. Liri e kërkimit shkencor do të thotë krijimi i mundësisë që çdo kërkues shkencor të aplikojë, pa asnjë pengesë burokratike diskriminuese, për mbështetje financiare për projekte kërkimore–zhvillimore, që i shërbejnë vendit, pranë një autoriteti publik të pavarur të financimit të kërkimit shkencor, ku projektet vlerësohen dhe financohen vetëm e vetëm mbi bazën e nivelit shkencor dhe dobisë së tyre për zhvillimi e vendit tonë.

Nëse do të ndërmerrej një investim i tillë real për arsimin e lartë dhe shkencën, jam i sigurt se brenda jo më shumë se një dekade, gjendja dhe cilësia e universiteteve tona publike dhe e kërkimit shkencor të vendit tonë do të ndryshonte tërësisht dhe ajo do të përafrohej me vendet e Europës. Një komunitet akademik prej rreth 6000 pedagogësh dhe kërkuesish në sistemin tonë të arsimit të lartë do të kishin mundësi të shumëfishonin veprimtarinë e tyre kërkimore shkencore në shërbim të zhvillimit të vendit tonë, sepse sot Shqipëria nuk shfrytëzon as 30 % të kapacitetit akademik shkencor të tyre.

Cilësia e studimeve universitare do të përafrohej realisht me atë të universiteteve të vendeve të zhvilluara dhe të rinjtë e vendit tonë nuk do të largoheshin nga vendi për studime universitete e vendeve të tjera, çka do të frenonte largimin e të mirëshkolluarve nga vendi. Mijëra kërkues të rinj të talentuar shqiptarë, që punojnë sot në universitetet dhe qendrat kërkimore të vendeve të tjera, do të rimendonin të ktheheshin dhe të zhvillonin karrierën e tyre akademike shkencore në vendin e tyre. Kështu ka ndodhur në shumë vende të Europës Lindore dhe Qendrore, sidomos në vendet e reja të BE (p.sh. Sllovenia, Kroacia janë modele konkrete që mund të ndiqen). Sigurisht ky “revolucion” në investimin për dijen dhe shkencën duhet të shoqërohet edhe me një përmirësim rrënjësor të vetëqeverisjes së universiteteve tona publike.

Të gjitha efektet pozitive të sipër përmendura të rritjes së investimit real në cilësinë dhe veprimtarinë shkencore të universiteteve tona, do t’i jepnin një shtysë të madhe rritjes ekonomike dhe një qëndrueshmëri të madhe zhvillimit ekonomik të vendit, sepse çdo euro e investuar për kërkimin shkencor në vende si Shqipëria ka një impakt shumë të madh me një faktor rreth 1 me 150 në rritjen ekonomike të vendit. Pra, roli parësor për të ardhmen e universiteteve tona publike i takon vizionit dhe gatishmërisë së qeverisë dhe politikës për rritjen substanciale të investimit për dijen dhe shkencën.

15:24 Opinione Agim Xhafka

Për Korçë me motor

Kur punoja te gazeta “Koha Jonë” kisha një motor as të madh,...

Lajmet e fundit nga