Si Ermal Onuzi emëroi drejtorët pa konkurrim dhe në shkelje të ligjit

Të tjera skandale kanë nxjerrë zbuluar drejtorin e Përgjithshëm të Gardës së Republikës së Shqipërisë, Ermal Onuzin, dhe drejtorët e tij L. H. dhe A. S.
CNA ka zbardhur letrën me të cilën efektivët e Gardës u janë drejtuar Kryeministrit të vendit dhe ministrit Ervin Hoxha, ku u tregojnë se si janë zgjedhur pa meritë dhe pa plotësuar asnjë kriter në pozicione të rëndësishme në Gardën e Republikës drejtorët e Ermal Onuzit, të cilët të dehur vendosnin ?fatin? e punonjësve të Gardës së Republikës.
Në letrën e efektivëve të siguruar nga CNA ngrihen dyshime në lidhje me emërimin e tyre në krye të drejtorive të rëndësishme të këtij institucioni si Drejtoria e Planifikimit dhe Koordinimit dhe Drejtoria për Sigurinë e Personaliteteve të Larta Shtetërore në Gardën e Republikës së Shqipërisë.
Pikëpyetjet e drejtuara nga punonjësit e Gardës në letrën e zbardhur nga CNA janë si më poshtë:
?1. Me çfarë konkursi u zgjodh një ish-punonjës i FA, në funksionin më të rëndësishëm të menaxhimit operacional të Gardës (A.S), i cili meritën e vetme që i njeh vetes është (siç shprehet ai), 'kam shok Vinin' (ministrin Ervin Hoxha)?
Në këtë funksion gjithnjë ka qenë një oficer me përvojë disavjeçare në gardë. Në rastin e këtij punonjësi duhet verifikuar edhe e shkuara (ka qenë i hetuar në ushtri për ngacmim seksual).
Ju sigurojmë se çdo punonjës i Gardës me gradën Kryekomisar do ta bënte shumë më mirë detyrën sesa një Major i pompuar, që deklaron nëpër tavolina ku pihet alkool pa fre, se është miku i ministrit aktual dhe shoku i drejtorit të Përgjithshëm, dhe se ju paska ardhur dita ta bëjnë gardën si duan ata.
2. Si mund të shkelet kaq hapur ligji dhe parimi i hierarkisë dhe të jepet grada madhore ?Drejtues i lartë? një punonjësi me gradë ushtarake ?Major? dhe një tjetri me gradë ?Drejtues? në gardë, duke kapërcyer 3 grada?
3. Si u përzgjodh nga jashtë juristi i Gardës, pa konkurrim dhe ju dha grada Nënkomisar?
Nëse do shpallej vendi i lirë, shumë gardistë mund të konkurronin sepse e kanë arsimin juridik.
4. Si u përzgjodh nga jashtë Gardës, drejtori i Shërbimeve Mbështetëse. Pse nuk kishte konkurrim?
5. Si u pranua pa konkurrim një oficer i liruar nga FA, që ka pasur probleme me ligjin dhe është emëruar te standardet profesionale, kur ligji e përcakton saktë procedurën e rekrutimit?
Në fund të kësaj ankese theksohet se metoda e drejtimit të Gardës nuk ndryshon nga ajo e vitit 1997 dhe e vitit që solli turpin në historinë e Gardës, 21 janar 2011.
Ishte pikërisht arroganca e drejtuesve që e çoi Gardën në atë pikë dhe jo paaftësia e gardistëve të thjeshtë?.

Këto janë faktet dhe arsyet skandaloze që çuan Ermal Onuzin drejt dorëheqjes me urdhrin e kryeministrit Edi Rama.
Nga emërimet e paligjshme, alkooli në zyrat e Gardës, keqpërdorimi i postit dhe institucionit, emërimi i drejtorëve, të gjitha këto duket se kanë bërë që Onuzi të dorëhiqet.
Kujtojmë se Ermal Onuzi drejtoi Gardën për rreth 9 muaj. Më 10 shtator 2024, Ermal Onuzi u vendos në krye të Gardës së Republikës dhe përgjatë kësaj periudhe ka pasur shqetësime dhe ankesa për drejtimin e institucionit nga ai./ CNA





