web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Helmim, puç apo një sulm nga Prigozhin?/ Në “kutinë e nepërkave” të Moskës, është në rrezik mbijetesa e më të fortëve

19 Maj 2023, 08:13, Kosova & Bota CNA
Helmim, puç apo një sulm nga Prigozhin?/ Në “kutinë
Foto ilustruese

Flamujt e ushtrisë së Putinit, ushtarë që dezertojnë, aleatët që janë në dilemë, dhe narrativa e re e Kremlinit që sinjalizon dobësi. Shpresojmë që fundi i këtij regjimi të jetë i afërt, por pyetja është se si do të ndodhë kjo? Helmim, një puç në pallat, apo një sulm nga Prigozhin?

Putin është shumë popullor për t’u sulmuar direkt, por Jevvgeni Prigozhin, që drejton ushtrinë mercenare Grupi Vagner, ka shpërthyer çdo ditë në akuza të rënda kundër ushtrisë së Putinit dhe strategjive të saj të dështuara. Ai po e minon regjimin, duke e riemërtuar veten si një luftëtar patriot në kamuflazh ushtarak që flet të vërtetën mbi pushtetin.

Deri tani i ka shpëtuar “taksës së dritares”, humbjes së jetës duke u flakur nga ndonjë godinë e lartë në një vetëvrasje të inskenuar, siç edhe ka ndodhur me kritikët e tjerë. Kjo sepse ai ka një ushtri, ose ndoshta sepse ai po punon me Putinin për t’ia hedhur të gjithë fajin gjeneralëve në lidhje me dështimet e mëdha ushtarake.

Cilado qoftë arsyeja, Prigozhin e ka shprehur qartazi ambicien e tij nëse do të ketë një ndryshim në radhët e regjimit. Të tjerët presin në krahë, ndërsa Prigozhin lëshon sulme direkte: |"Krahët po dështojnë. Fronti po shembet. Moska duhet të ndalojë së gënjyeri për situatën në Bakhmut. Kjo do të sjellë një tragjedi të madhe për Rusinë!”

Putini është më i izoluar se kurrë më parë, për arsye të sigurisë personale. Më 9 maj, ai u shfaq para një turme të vogël njerëzish në Sheshin e Kuq për të festuar Ditën e Fitores dhe Luftën e Madhe Patriotike kundër Hitlerit që përfundoi në vitin 1945.

Ndërsa po zhvillohej parada modeste, Prigozhin publikoi në internet videon e tij më emocionale: “Urime për Ditën e Fitores të arritur nga gjyshërit tanë. Por çfarë po festojmë? Ne vetëm duhet t’i kujtojmë gjyshërit tanë dhe kaq. Dhe jo të sillemi rrotull në Sheshin e Kuq”.

Ajo deklaratë pasoi një kërcënim publik nga Prigozhin, se do të tërhiqte mercenarët e tij nga pika më e vështirë e frontit, Bakhmut. Ai pretendoi se ushtria ruse kishte refuzuar të furnizonte trupat e tij me municion të mjaftueshëm, dhe më pas e bindi liderin çeçen Ramzan Kadirov, një tjetër kryekomandant i keq dhe i egër me ushtarë mercenarë, që të mbështeste trupat e tij.

Një solidaritet dhe kundërshtim i tillë u etiketua nga Instituti Studimin e Luftës (ISW) si një rast i qartë i “shantazhit” që është qartazi kundërproduktiv për luftën e Rusisë. “Vendimi për të shantazhuar dhe më pas për të poshtëruar komandën ushtarake ruse, mund të ketë harxhuar një sasi të mjaftueshme të kapitalit politik të Prigozhin dhe Kadyrov për të ndikuar në vendimmarrjen ushtarake në nivel operacional dhe strategjik”- spekuloi ISW këtë javë. “Prigozhin e ka humbur tashmë mbështetjen e Putinit muajt e fundit, dhe bashkimi i forcave tregon se ai kishte nevojë për kapitalin e vetë Kadirov për të shantazhuar me sukses komandën që t’i dërgonte municione shtesë.

Putini po e shmang shkarkimin e gjeneralëve, por nuk ka ngurruar të përplaset me disa prej tyre. Jo pak ushtarakë të lartë janë vrarë muajt e fundit, siç ka ndodhur edhe me shumë oligarkë dhe politikanë. ISW thotë se kjo përplasje e brendshme, ngre “pikëpyetje në lidhje me aftësinë e Rusisë për të koordinuar një fushatë koherente mbrojtëse në të gjithë frontin”.

Por Prigozhin nuk heq dorë. Disa ditë pasi dha ultimatumin e tij për t’u tërhequr, ai u tërhoq sepse i ishte premtuar dërgimi i municioneve. Më pas, disa orë më vonë, shkroi në "Twitter" se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kishte refuzuar dhe e kishte “gënjyer”, duke i dërguar një letër duke e kërcënuar se do ta akuzonte atë dhe ushtrinë e tij për tradhti nëse tërhiqeshin.

Prandaj nuk e bëri. Gjithsesi sjellja e tij është e rrezikshme, dhe ekzistenca e tij e vazhdueshme, është një shenjë e mirë se kupola është tronditur dhe se ditët e Putinit në krye të vendit mund të jenë të numëruara. Raportet thonë se janë shtuar rebelimet në radhët e ushtrisë ruse.

Javën e kaluar trupat ruse u kapën në kamera duke u tërhequr, ose duke braktisur postet e tyre në rajonet e pushtuara rishtazi, shpesh duke u larguar me objektet e vjedhura. Ben Hoxhs, një oficer i pensionuar i ushtrisë amerikane, që ka shërbyer si komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, parashikon se forcat ruse mund të “pësojnë kolaps” para fundit të vitit për shkak të udhëheqjes së dobët, tërheqjeve dhe viktimave të mëdha në numër.

Nëse fronti nisi të shkërmoqet, apo nëse Krimea pushtohet ose bllokohet, shumë analistë mendojnë se në Moskë do të ndodhë një puç nga ana e Siloviki (pjesëtarët e organeve të sigurisë) dhe oligarkët. Më pas do të zhvillohen negociata me dyer të mbyllura për të marrë dorëheqjen e tij, dhe për të zgjedhur një pasardhës që përfshin anëtarë të Silovikit (forcat e sigurisë dhe FSB); ushtarakët dhe oligarkët.

Me sa duket, Prigozhin, Kadirov dhe të tjerë që kanë ushtri mercenare, do të kenë një vend në atë tryezë, dhe madje mund të paraqiten si pretendentë. Një disfatë e perceptuar, do të eliminojë mundësinë e një ushtaraku si president, gjë që lë si kandidatin kryesor Nikolai Patrushev, ish-kreun e FSB dhe aktualisht Sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

Ai është një operativ në prapavijë (siç djali i tij Dimitri, Ministër i Bujqësisë) dhe një njeri me përvojë të vijës së ashpër që e nisi karrierën e tij si spiun me Putinin. Në vitin 2014, organizoi pushtimin e Ukrainës dhe pushtimin e Donbasit dhe Krimesë, dhe është shumë antiamerikan dhe antiperëndimor.

Por po ashtu është mashtrues. Në fillim të nëntorit 2021, u takua me drejtorin e CIA-s, Uilliam Bërns në Moskë. Ky i dinte planet e Rusisë, por Patrushev i mohoi me vendosmëri plane të tilla, edhe pse më vonë u zbulua se ai i mbështeti fuqishëm ato. Ai është gjithashtu një aleat i gjeneralit Sergei Shoigu - i cili është diskredituar tërësisht nga Prigozhin së bashku me udhëheqës të tjerë ushtarakë.

Por sapo të përfundojë lufta, ushtria do të njolloset nga disfata, gjë që do të thotë se një “civil” si Patrushev, do të jetë i pari në listën e pretendentëve. Nga ana tjetër, ai është një nga këshilltarët më të afërt të Putinit, dhe është “njeriu më i rrezikshëm në Rusi” për shkak të “mendjes së tij paranojake të orientuar nga konspiracionet” thotë Mark Galeoti, ekspert në fushën e politikës dhe sigurisë ruse.

Por Patrushev nuk është Mikail Gorbaçov. I tillë nuk është as ndihmësi politik i Putinit, ish-presidenti dhe kryeministri Dimitri Medvedev. Ashtu si Prigozhin, edhe ai ka krijuar një imazh të ri publik si një nacionalist i vijës së ashpër, duke postuar deklarata kërcënuese, nacionaliste dhe gati histerike ndaj Perëndimit.

Një tjetër kandidat i suksesshëm teknokratik, është kryeministri aktual Mikhail Mishustin, një ekspert me përvojë i financave, taksave dhe teknologjisë. Por asnjë nga këta nuk do të plotësojë kriteret nëse Rusia e humbet luftën, dhe kombi bie në kaos ekonomik ose social.

Në atë skenar, elitat ka të ngjarë të grumbullohen rreth një “burri të fortë” për të marrë drejtimin, jo një teknokrati të aftë. Kjo mund të krijojë hapësirë Prigozhinin e çrregullt, me ose pa Kadirov, apo për ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes Mikail Mazinciv, “Kasapi i Mariupolit”, i cili tani shërben në Grupin Vagner të Prigozhin./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga