web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zgjedhjet turke, si ia doli Erdogan të sfidojë sondazhet duke kaluar në balotazh si favorit?

19 Maj 2023, 07:46, Kosova & Bota CNA

Zgjedhjet turke, si ia doli Erdogan të sfidojë sondazhet duke kaluar

Turqia po shkon drejt balotazhit të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj, pasi asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se gjysmën e votave në raundin e parë të dielën e shkuar.

Presidenti aktual, Rexhep Tajip Erdogan, që e ka drejtuar vendin për dy dekada, sfidoi sondazhet duke iu afruar më shumë fitores. Tani ai do të përballet në raundin e dytë vetëm me liderin e opozitës Kemal K?l?çdaro?lu.

1. Çfarë ndodhi në raundin e parë të votimit?

Më 14 maj, votuesit turq morën pjesë në 2 palë zgjedhje: një për presidencën dhe një tjetër për parlamentin e ri të vendit. Me 49.6 për qind të votave të marra në këtë raund, koalicioni qeverisës i presidentit Erdogan - që përbëhet nga partia e tij konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, nacionalistët e MHP dhe parti më të vogla islamike - fitoi shumicën e vendeve në parlament: 322 nga 600.

Megjithëse autoriteti de jure i parlamentit u kufizua ndjeshëm si rezultat i një referendumi të mbajtur në vitin 2017, kontrolli i tij do t’i jepte mundësi Erdoganit të qeverisë pa u shqetësuar për ndonjë sfidë serioze nga parlamenti. Nëse e fiton presidencën, do të ketë një mbështetje solide legjislative për axhendën e tij.

Në garën presidenciale, Erdogan fitoi 49.5 për qind të votave, gjë që do të thotë se ai do të ketë një balotazh më 28 maj 2023 përballë Kemal Kiliçdaroglu, që mori 44.9 për qind të votave. Kiliçdaroglu është kandidati i përbashkët i koalicionit “Tryeza e të Gjashtëve” - një bllok opozitar që përbëhet nga parti laike dhe nacionaliste si dhe konservatore - dy prej të cilave janë shkëputur nga AKP.

Në raundin e dytë, president do të zgjidhet cilido që arrin të marrë mbi 50 për qind të votave. Por Erdogan po shkon drejt votimit me një avantazh dhe vrull të qartë, veçanërisht duke pasur parasysh se sondazhet para votimit sugjeronin se ai do të dilte i dyti në raundin e parë.

2. Por pse Erdogan u paraqit më mirë sesa ishte parashikuar në sondazhe?

Janë disa arsye, ato që mund të shpjegojnë paraqitjen befasuese të Erdoganit. Megjithëse qytetarët turq kanë vuajtur pasojat e inflacionit të lartë, duket se mesazhi i Erdoganit për vendosjen e interesave të sigurisë kombëtare mbi sfidat ekonomike, bindi një pjesë të konsiderueshme të bazës së tij konservatore dhe nacionaliste.

Kjo përkundër faktit se partia e Erdoganit, AKP, vazhdon të humbasë popullaritet, sidomos në zonat e mëdha urbane. Përqindja e mbështetjes mbarëkombëtare për AKP-në ra nga 42.5 për qind në 2018 në 35.6 për qind këtë vit. Megjithatë, Erdogan arrin të qëndrojë në këmbë duke shtuar në koalicionin e tij parti të vogla islamike dhe nacionaliste.

Me këtë lëvizje, ai i ka dhënë mundësi bazës së tij të votojë për parti të tjera të koalicionit përveç AKP-së, duke e ruajtur mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij brenda garës presidenciale. Nuk është e pazakontë të dëgjosh në Turqi njerëz që ankohen për korrupsion dhe pakënaqësi ndaj ecurisë ekonomike të vendit, dhe që vazhdojnë të votojnë për Erdoganin si udhëheqës kombëtar.

Ndërkohë, rajonet e goditura nga tërmeti i 6 shkurtit nuk e ndëshkuan aq ashpër sa mendohej Erdoganin për përgjigjen e dobët fillestare. Po ashtu duhet të shtoj se angazhimi i Turqisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme është vënë në pikëpyetje.

Erdogan përdori në fushatë burimet shtetërore dhe kontrollin e tij mbi gjyqësorin dhe një pjesë të konsiderueshme të medias. Në disa raste, kandidatët e opozitës u frikësuan nga njerëzit e tij. Po ashtu, pati gabime nga rivali i tij kryesor.

K?l?çdaroglu është kreu i Partisë Popullore Republikane ose CHP, që nga viti 2010. Nën drejtimin e tij, partia ka humbur çdo palë zgjedhje dhe referendume, përveç zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Kiliçdaroglu nuk lejoi asnjë debat publik për kandidaturën e tij dhe e bllokoi që në fillim garimin e dy kryebashkiakëve të njohur, Ekrem Imamoglu dhe Mansur Javash.

Ai ngarkoi udhëheqësit e “Tryezës së të Gjashtëve” me procesin e nominimit, që ishte një mjet për të anashkaluar nevojën për zgjedhje primare brenda opozitës, dhe për të fituar vetë nominimin e tij si kandidat.

Ai u premtoi 4 partive të vogla poste të ndryshme, duke përfshirë ministra, nënkryetarë dhe emërimin e 77 deputetëve në listën e CHP-së, në mënyrë që ata ta propozonin atë. Ndërkohë përdori mbështetjen e këtyre partive për t’'i bërë presion Meral Akshener, kryetares së Partisë IYI, që të pranonte kandidaturën e tij.

Edhe pse Akshener e pranoi me ngurrim, një pjesë e mirë e elektoratit të IYI votoi në zgjedhjet presidenciale për kandidatin e tretë në garë, Sinan Ogan, që mori 5.2 për qind të votave. Gjatë viteve të fundit, Kiliçdaroglu është akuzuar për krijimin e një strukture qeverisjeje dinastike dhe hierarkike, duke shpërblyer besnikët e tij dhe izoluar njerëzit që guxuan ta sfidonin atë.

Mediat që u mbështeten financiarisht nga partia e tij, kanë pushuar nga puna gazetarët kritikë ndaj tij. Si rezultat, media e tij nuk e vlerësoi në mënyrë kritike kandidaturën e tij, dhe mund të jenë fryrë lajmet për popullaritetin e tij. Ndërkohë, orientimi ideologjik i CHP-së - socialdemokracia - besoj se është dobësuar gradualisht, me partinë që po bëhet më shumë një organizatë pa një drejtim të qartë.

Kësaj i duhet shtuar edhe një numër i konsiderueshëm votuesish, që mund të kenë qenë të kujdesshëm ndaj një qeverie koalicioni. Qytetarët turq vuajtën ndjeshëm gjatë qeverive të koalicionit nga vitet 1990-2002, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe recesionit ekonomik.

Së fundi, pjesëmarrja në votime në qytetet me shumicë kurde mbeti shumë e ulët, dhe votuesit nacionalistë të kujdesshëm për të mos pasur asnjë lloj lidhje me HDP-në, partinë nacionaliste kurde, e shmangën votimin për Kiliçdaroglu.

3. Çfarë pritet të ndodhë më tej?

Ecuria më e mirë sesa pritej e Erdoganit në raundin e parë e vendos atë në pozicionin e favoritit në votimin për raundin e dytë. Një fitore e Erdoganit do të konsolidonte stilin e tij autoritar të qeverisjes. Po ashtu, ajo mund të dobësojë më tej opozitën, sepse 2 partitë kryesore opozitare mund të përjetojnë një luftë midis tyre për lidership.

Ndërkohë, qytetarët turq do të dalin edhe një herë në votim më 31 mars 2024, për zgjedhjet lokale. Dy partitë kryesore të opozitës, propozuan më herët kandidatë të përbashkët, të cilët ia dolën të fitonin postet e kryebashkiakut në zonat kryesore metropolitane.

Një ndarje e mundshme brenda opozitës, mund t’i japë mundësi AKP-së së Erdoganit të rikthejë kontrollin e saj mbi këto bashki të mëdha, si Stambolli dhe Ankaraja. Dhe ky do të ishte një lajm shumë i keq për opozitën.

Erdogani është në pushtet që nga viti 2002. Ai e ka drejtuar vendin më gjatë sesa çdo president tjetër turk, dhe madje edhe se shumë sulltanë osmanë. Edhe 5 vjet të tjera do t’i jepnin mundësinë të konsolidonte edhe më tej autoritetin e tij brenda institucioneve shtetërore./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga