LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ Policia e brekëve

25 Shkurt 2024, 15:46, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Policia e brekëve
Gazetari Agim Xhafka

Mëngjesin kur jam në Korçë e nis me një shëtitje nëpër rrugicat e lagjes dhe më tej. Ia filloj nga ish-lokali “Valbona” e duke u zhytur në kujtime e nostalgji s’kuptoj kur arrij p.sh. te Çezma e Azmës,  bash në kërthizën e qytetit të atëhershëm. Shkund mendjen e ndërsa i jap urdhër vetes të kthehem, ndërroj marrsh. Shlodhu pak, o njeri! U ula mbi një gur të madh e u çudita që nuk ndjeva ftohtë. Por më çoi brof një e bërtitur:

-Ditkë, Ditkë moj, i lave brekët me?

Qe një zë burri si i gërvishtur me xham.

-I lava, i lava. Ja dhe ca e thahen.

Ue, ue dy pleq që flasin për brekë e për marrina e në mes të sheshit! Kaq qenkan zhvilluar korçarët sa për llafe të tilla ua kalokan dhe të rinjve të Tiranës, po dërdëllisja me vete. Doja të ikja, por edhe qeshë kurioz të mësoja aventurën e pleqve.

-Vasil, po ti i bëre gati qeset e plehrave, mo?

Vasil e quajnë burrin, thashë. Ai heshti pak, pastaj u çua, hyri brenda në shtëpi, doli e hodhi para këmbëve të Ditkës një tufë me qese. Dukeshin si plehra shtëpie.

-Sa qese paske, mo?

-Tetë.

Ngaqë nuk po shihja këmbë njeriu rrotull u çudita që dy veta bëkan kaq mbeturina. Mos i mbledhin për një javë e i nxjerrin me ditë të caktuara t’ua marrë bashkia, mendova. Ngaqë atje në Amerikë ku rri gjysmë viti kështu veprohet.

-Po dje sa qese kishe?

-Edhe dje tetë kisha, -u përgjigj Vasili.

Ue, ue, do e kenë kopsht fëmijësh shtëpinë, ose tavernë nate, bujtina u thonë sot. Nga kurioziteti më kapi temperaturë të lartë. Ndërkohë shkoi në shtëpi Ditka e erdhi që andej me një shportë plot me rroba.

-I solle brekët, me?

-Po.

-Sa copë ke?

-Janë nja 12 palë.

Bravo Ditka, ditka si ta mbajë veten, mendova.

-Pa t’i shohim, -foli Vasili.

E moshuara futi dorën te kanistra, nxori një palë të bardha.

-Po hapi me, hapi të flamosurat. A i ke Calvin Klein?

Pas kësaj pyetje zgurdullova sytë. Këta qenkan kaq përpara moshës së tyre sa më dukej sikur kishin zbritur nga Marsi.

-Calvin, Calvin i kam. Ja shihi o i nxirosur!

Dhe Ditka bash te hunda e Vasilit afroi brekët e bardha. Situata u ndez, mori nota erotike. Do jenë të çmendur këta thashë e sa do ngrihesha shoh që ato qenë brekë burrash.

-Ja, lexo dhe këtë!

Shoh sërish që Ditka i afronte Vasilit brekë burrash. Kështu të 12 palët. U koklavit muhabeti. Nuk po i kuptoja fare dy të moshuar që mbanin ndër këmbë 8 qese me plehra dhe 12 palë brekë!!! Ngrihu ec, më tha mendja. Nuk të hyn ty gjë në qese, ndaj largohu. Po ama kureshtja më kishte kapur këpucët ashtu si zifti kur u futa te fuçia ato mote të vegjëlisë. Vasili me Ditkën sikur e kuptuan që po i survejoja, ndaj ulën zërat. Më tepër merreshin vesh me shikime. Prita pak e s’durova. Iu afrova.

-Më ka ngelur merak kjo puna e brekëve dhe e qeseve me plehra. Më jepni një shpjegim se po më duket si problem aritmetike që nuk ia gjej dot zgjidhjen. Vasili, si hetues Njaziu, më hodhi vështrim sikur po më bënte ekografi,. Pa nga Ditka e më pyeti:

-Sa kohë ke që rri ulur te ky sofati?

-Po mbush një orë, -i thashë.

-Të ka zënë syri të kalojë ndonjë njeri këndej?

-Jo.

-Ditën dhe s’ka këmbë njeriu. Mendo natën. Tani e kupton, -tha.

Në fakt s’kuptova gjë prej gjëje. Por sa ngrita supet foli Ditka.

-Në këtë rrugicë kemi ngelur veç unë dhe Vasili. Ky e ka shtëpinë ngjitur me timen. Pra, veç dy shtëpi marrin frymë. Të tjerët kanë ikur nëpër botë. Ndaj ne bëjmë punën e policisë private.

Atë çast qesha. Polici private dy pleq.

-Mos qesh. Ne s’kemi moshën, por kemi metoda. Të rafinuara vërtet.

Vasili sa dëgjoi fjalën metodë u fut në bisedë. Të kuptohej që komandant i kësaj policie private është ai.

-Sapo hajdutët mësuan që këndej rrotull shtëpitë janë bosh filluan të lëvrijnë. I gjuajtëm ca net me gurë sa t’i trembnim, por ata si hiena bre. Nuk shqiteshin. Atëherë ne në çdo tri shtëpi vumë qese me plehra te dera para që të duket se atje banojnë korçarë. Ndërsa te shtëpitë pa plehra nderëm brekë burrash. D.m.th. që trimat e familjeve kanë qenë jashtë, por kanë ardhur e pasi kanë bërë dush brekët ua kanë larë e i kanë nderur.

Më pa me triumf. Dhe s’e kishte gabim. Metodë që do ketë dhënë rezultat.

-Po pse brekë Calvin Klein? - e pyeta me shpoti.

-Që të besojnë që kanë ardhur djemtë nga Greqia, jo nga fshatrat rrotull. Se për brekë të zakonshme s’kishin pse shkonin ata deri andej.

Po mbusheshin dy orë e veç ne tre korçarë merrnim frymë në atë rrugicë. Po më gatuhej loti. Si u bëmë kështu? U pakësuam si popull e po na shtohen hajdutët? Hyra te një dyqan i shkretë dhe bleva një arkë me birra. Plot 24 kanaçe. Ia dhashë Vasilit.

-Nuk pi alkool unë, -tha ai.

-Në s’i pi, derdhi të gjitha. Ama kanoçet bosh futi te qeset me plehra që hajdutët të kuptojnë që djemtë tanë kanë ardhur nga Greqia, kanë bërë dush mirë e mirë, kanë nderur brekët, janë kënaqur dhe me birra.

Kaq dhe ika se ngashërimi po më mbyste. Lashë pas të qeshur të dy policët privatë të Korçës sime. Policët “Calvin Klein”…

Lajmet e fundit nga