LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tregimi i së dielës/ Greta dhe Mandi

18 Shkurt 2024, 09:12, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Greta dhe Mandi
Gazetari Agim Xhafka

Na ra si bombë ndarja e Gretës nga Mandi. I kishim të dy miq, rrinim shpesh me ta dhe thuajse e dinim shumë të fortë lidhjen e tyre. Unë punoja me Gretën, në bankë. Mandi kishte një biznes të vetin. Por në fundjavë bashkë me Lolën, të dashurën time, mblidheshim herë te “Mondial” e herë te “Padam”. Kalonim këndshëm, me humor e me gaz të shfrenuar.

Derisa një ditë Mandi erdhi vetëm atë të shtunë. I tretur, i trishtuar dhe kuptuam pa folur se Greta nuk ishte më me të. Nuk e pyetëm, i shtrëngonim shpatullat herë pas here e deri të hënën mezi po prisja të merrja një përgjigje nga Greta.

-Ashtu erdhën punët, -ma mbylli ajo shtegun për pyetje të mëtejshme.

Në bankë jemi shumë punonjës në sallën e hapur të shërbimeve. Ndaj u mësua shpejt se Greta e Mandi janë ndarë. Kaq u desh e nisën vizitat kureshtare te tavolina e saj. Ngarkuar me pyetjet; si ndodhi, pse ndodhi, kush e pati fajin, mos ai ka ndonjë të dashur të re... Por Greta si ajo. Nuk e hapte kasafortën e shpjegimeve.

Rrodhën ditë e javë. Mua më pikonte në zemër melankolia e saj. Më dukej sikur përhumbej me vështrim te telefoni. Mbase priste një sinjal nga Mandi, mbase shkaku nuk ka qenë aq dramatik sa të mos rilidheshin. Te tavolina nuk i shkonin aq shumë shoqe të punës, por disa që i aviteshin e përcëllonin me lajme.

-Te “Ambasadori” mbrëmë ishte Mandi me një gocë të re, - i thoshte njëra. -Dhe unë e pashë te Liceu duke u puthur me një bionde, -shtonte tjetra.

E ditë pas dite njoftimet e atyre rrotull saj e bënë me dhimbje koke. U tha me mirësjellje se informatat për Mandin nuk i lipseshin më dhe sikur ra qetë.

Unë ndieja një pikëllim. E kisha shoqe të mirë, doja ta shihja të qeshur. Një të hënë, te dera dëgjojmë Astritin, rojën e bankës:

-Greta, ka ardhur një tufë lule për ty.

Ndërsa u çua drejt luleve, pamë se ishte një tufë e madhe me tulipanë blu. Kur i mori Greta në dorë u krijua një kompozim emocionues me qeshjen e saj e sytë bojë qielli. I vuri te një gotë e madhe me ujë dhe nxori shënimin. E lexoi ajo, por edhe unë ngjitur, ”Me dashuri, Henri.”

Henri, shqiptova pa dashur dhe u gëzova. Doja të pyesja më shumë, por ajo vuri gishtin te buzët. Me detyroi të hesht. Qysh atë ditë çdo e hënë shoqërohej me lulet e Gretës. Te tavolina nuk i avitej kush, për Mandin nuk i flisnin më. Jetonim me gëzimin e saj. Dhe ajo ishte më e qeshur, por ende i lexohej një trishtim i lehtë.

Rastisi që një të hënë i ra ditëlindja dhe Lolës sime. Pa mbërritur te puna u ktheva te dyqani i luleve dhe hyra mes tyre për të zgjedhur më të bukurat. T’ia nisja zemrës sime te puna e saj. Ndërsa thuajse kisha rënë përmbys mbi petale, ngjyra e gonxhe, dëgjoj nga pas zërin e Gretës që i foli shitëses:

-Blerta, mos më harro tulipanët!

-Pa merak. Me dashuri Henri, ta shkruaj?

-Po, po. Nuk po e ndryshoj të dashurin, ta mbaj dhe pak. Hahaha.

Ngela me një trëndafil në dorë. E shkula pa dashje nga vazo. U trondita, u çudita. Greta ia porosit vetes lulet. Po pse?

Sa hyra te salla vajta tek ajo, u ula në karrigen ngjitur dhe e pyeta:

-Pse? Të pashë që lulet i porosit vetë. Fol!

Më vështroi gjatë në sy, pastaj uli kokën, po fërkonte duart dhe ia nisi:

-Ndarja për këdo është dramë. Përjetohet keq. Me vuajtje dhe dhimbje. Duket sikur bota të ka rënë sipër. Jeta humbet ngjyrat, errësira të pushton shikimin dhe mendimet. Ne u ndamë për gjëra koti, kokëfortësi nga dy anët. Por askush nuk rendi më te tjetri për të kërkuar falje. Siç duket zoti e kishte ndarë mendjen që nuk ishim për njëri-tjetrin. E ndërsa vendosa të mjekohesha vetë duke lëpirë plagët çdo ditë më qëllonin me plumba. E pamë Mandin këtu, ishte me atë, u puth, u nduk, po qeshte... Këto më rrënuan, më bënë që depresioni të më hynte në qelizë. Atëherë nisa të mendoj të ruaj mendjen dhe zemrën, të ruaj arsyen dhe të zbus lëndimin. E si melhem me lindi ideja e luleve. Më pëlqejnë shumë, edhe kur ia dhuroj vetes, se më duket sikur ende lodroj mes dashurisë e nuk ndihem vetëm. Për një çast, por ky çast ushqen optimizmin tim një javë plot. Tulipanët për femrat janë droga më elegante se brenda mbajnë sharmin, delikatesën dhe shpresën. Ky lloj mjekimi më solli në realitet, më hapi sytë e më tha që jeta vazhdon, ka plot e plot njerëz që do të të duan e do t’i duash. Se pasioni është parfum hyjnor, zoti e hedh mbi gjithë globin e aroma që të ndjell ty nuk ishte veç te Mandi. Eshte dhe te Henri imagjinar, apo p.sh. te Klodiani real.

Na përfshiu heshtja të dyja. Greta ia kishte nisur shtegtimit drejt princit të ri. Pakëz ngadalë, por pa u ndalur. Paç fat, mikesha ime e mençur dhe e bukur! Dhe sa më shumë lule...

Lajmet e fundit nga