web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare në Ukrainë

23 Tetor 2022, 08:47, Kosova & Bota Gustav Gressel

Pse Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare në Ukrainë

Mobilizimi i pjesshëm ushtarak i shpallur nga Kremlini muajin e kaluar dhe “aneksimi” i paligjshëm i rajoneve Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kerson të Ukrainë, e rritën dramatikisht angazhimin politik të Rusisë ndaj luftës së saj në vendin fqinj.

Vendimi i presidentit Vladimir Putin për ta përfshirë të gjithë shoqërinë ruse në kasaphanën e nisur prej tij, ka tensionuar ndjeshëm situatën e brendshme. Dhe meqë kushtetuta ruse i ndalon lëshimet territoriale, tani Putini nuk mund t’i “rikthejë” rajonet që pretendon se i ka aneksuar.

Ai ka refuzuar në thelb çdo përpjekje për një zgjidhje të negociuar të konfliktit. Tani, Rusia ose Ukraina duhet që ta fitojnë këtë luftë. Por Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare. Ushtria e saj e ka shpërdoruar pjesën më të madhe të forcave të saj gjatë 7 muajve të fundit.

Pse Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare në Ukrainë

Ndërkohë, forcat e armatosura të Ukrainës kanë treguar në mënyrë të përsëritur epërsinë e tyre cilësore. Shembulli më i fundit është kundërsulmi i tyre i shpejtë për të çliruar rajonin e Harkiv. Ukraina e ka forcuar ndjeshëm ushtrinë e saj duke e zgjeruar atë në mbi 700.000 burra dhe gra, që kanë fituar përvojë luftarake dhe që nga fillimi i luftës e kanë rritur besimin te forca e tyre.

Mobilizimi i Putinit ka të ngjarë të mos e ndryshojë shumë situatën në një periudhë afatshkurtër. Edhe nëse zërat se Rusia synon të mobilizojë 1.2 milionë burra (dhe jo 300.000 rezervistë, siç pretendoi Ministria e saj e Mbrojtjes) do të rezultojnë të vërteta, ushtria e saj ka në dispozicion kazerma, oficerët dhe pajisje për të trajnuar vetëm rreth 250.000 ushtarë në të njëjtën kohë.

Putini ka deklaruar së fundmi se mobilizimi mund të përfundojë shumë shpejt, por kjo duhet të merret me shumë rezerva, pasi qëllimi i deklaratave të tilla është të qetësojë audiencën ruse. Ka shumë më tepër gjasa që mobilizimi të ketë arritur kapacitetin e tij për valën e parë, dhe Rusia do ta përsërisë këtë proces derisa të arrijë në 1.2 milionë rekrutë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Pse Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare në Ukrainë

Por mobilizimi i më shumë se 1 milion ushtarëve të rinj do të jetë më i lehtë të thuhet sesa të realizohet në praktikë. Pasi për t’i dërguar njerëzit në luftë, duhet të krijohen struktura në kohë paqeje, në të cilat mund të futen trupat e saporekrutuar. Dhe këto struktura në Rusi mungojnë.

Prandaj çfarëdolloj forcash shtesë që do të sjellë mobilizimi, vlera e tyre fillestare luftarake do të jetë shumë e kufizuar. Ata do të kenë marrë maksimumi 1 muaj trajnim në njësi të çorganizuara të udhëhequra shpesh nga oficerë joefektivë. Kjo mund t’i përgatisë ata për mbrojtje statike nga linjat e përgatitura.

Por nëse ushtria ukrainase i shkel këto linja, atyre do t'u mungojë aftësia për të kryer një tërheqje të organizuar. Kremlini emëroi së fundmi gjeneralin Sergei Surovikin si komandant të forcave të tij në Ukrainë. Surovikin është mbështetës i luftës me në qendër zjarrin e artilerisë, e ngjashme me taktikat e Luftës së Parë Botërore.

Ajo mbështetet tek sulme me breshëri të artilerisë në fushën e betejës, për të dobësuar pozicionet e forcave kundërshtare; dhe bombardimet e objektivave civile, për të dobësuar mbështetjen më të gjerë të popullatës për rezistencë. Kjo lloj lufte nuk kërkon manovra të ndërlikuara, prandaj mund të kryhet me trupa të trajnuar dobët dhe papërvojë.

Dhe forcat ukrainase janë më me përvojë dhe më të trajnuara se sa në fillim të luftës, dhe kanë mësuar të merren me taktikat ruse. Sulmet me raketat amerikane HIMARS në prapavijën e linjave ruse, rrezikojnë çdo shpërqendrim të artilerisë dhe municionit për të mbështetur bombardimet e rënda.

Ndërkohë Ukraina po merr ndihmë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore të prodhimit perëndimor. Por duke pasur parasysh madhësinë e Ukrainës, ato nuk do të jenë të mjaftueshme për të krijuar një “mburojë raketore” të mjaftueshme për të gjithë vendin.

Pse Rusia nuk ka gjasa të dalë fitimtare në Ukrainë

Hapësirat e mbetura duhet të mbulohen nga forcat ajrore ukrainase, me shpejtësinë e avionëve të saj luftarakë që përbëjnë një kërcënim për avionët rusë në zonat që nuk mbulohen nga raketat e mbrojtjes ajrore. Nga ana tjetër Rusia, ka përdorur tashmë më shumë se 2.000 raketa të saj me rreze të gjatë, që mund të lëshohen nga një distancë e sigurt.

Aktualisht, një fushatë e qëndrueshme bombardimesh në prapavijën e Ukrainës do të varet tani nga Irani, që do të dorëzojë porositë e premtuara me dronë dhe raketa. Përndryshe, Rusia duhet të përdorë sulme me avionë me krahë fiks. Një përpjekje kjo e rrezikshme, pasi forcat ukrainase do t’i rrëzonin lehtë këta avionë.

Llogaritja cinike e Kremlinit mund të jetë se Ukrainës do t’i mbarojë municioni para se Rusisë t’i mbarojë “mishi për top”. Kjo luftë pritet të zgjasë disa vjet dhe vullneti perëndimor për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës nuk është i garantuar.

Kievi është gjithnjë e më i varur nga ndihma ushtarake perëndimore dhe furnizimet ushtarake perëndimore, për shkak të pakësimit të rezervave të tij të epokës sovjetike.

Mbështetja nga Uashingtoni është një rrugë shpëtimi, dhe jo vetëm sepse Shtetet e Bashkuara ofrojnë sistemet më të nevojshme urgjentisht në sasi më të mëdha. Por Uashingtoni siguron gjithashtu udhëheqjen politike për të gjithë këtë mbështetje.

Por zgjedhjet e mesit të mandatit, mund ta ndërlikojnë politikën e brendshme të SHBA-së. Ndërsa vetëm disa republikanë radikalë janë haptazi pro-rusë, zbehja e mbështetjes për Ukrainën për arsye fiskale është një mundësi konkrete.

Ndërkohë Europa po përballet me një dimër të vështirë, me çmimet e larta të energjisë që po kontribuojnë në shtimin e pasigurisë politike. Pasojat e kësaj krize nuk janë ende të qarta. Por presioni nga partitë populiste, dhe frika nga përshkallëzimi bërthamor mund të nxisin hezitimin për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe për të plotësuar përpjekjet e SHBA-së.

Por nëse Uashingtoni dhe Brukseli mbeten të palëkundur në qasjet e tyre, atëherë Moska ka shumë pak gjasa që ta fitojë këtë luftë. Sulmet e fundit me raketa dhe drone ndaj objektivave civile dhe kulturore në të gjithë Ukrainën, dhe frekuenca në rritje e kërcënimeve bërthamore të Putinit, janë shenja dobësie.

Rusia nuk mund t’i imponohet më ushtrisë ukrainase. Prandaj ka katandisur në përdorimin e terrorit dhe kërcënimeve kundër popullatës. Për Europën, kërcënimet bërthamore të Moskës dhe kërcënimet boshe të përshkallëzimit të konfliktit, do të bëhen normaliteti i ri: Putin e sheh këtë si instrumentin e vetëm që ka në dorë për t’i imponuar Perëndimit të shmangë një angazhim akoma më të madh në luftën përkrah Ukrainës.

Mungesa e përgatitjes dhe supozimet e pasakta që nga fillimi i luftës, i kanë kushtuar shtrenjtë Kremlinit. Dhe mobilizimi nuk është “formula magjike” që mund t’i korrigjojë befas të gjitha këto. Perëndimi, dhe sidomos Europa Perëndimore, duhet të shtojnë ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën.

Kjo do t’i jepte mundësi asaj të çojë më tej sukseset e saj të fundit, dhe të çlirojë akoma më shumë territore, përpara se një numër i madh forcash ruse të angazhohen në fushën e betejës. Në terma afatgjatë, kjo ndihmë e shtuar do ta lejojë Kievin të kalojë tek sistemet mbrojtëse të dizenjuara nga Perëndimi me të gjitha armët më moderne, për të rritur rezistencën dhe për t’i dërguar Moskës mesazhin se nuk do ta fitojë dot luftën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga