web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse keqkuptohet Ballkani?

16 Maj 2023, 08:42, Kosova & Bota CNA
Pse keqkuptohet Ballkani?
Foto ilustruese

Nuk mjafton të njohësh politikat dhe institucionet lokale. Duhet të njohësh kulturën dhe shoqërinë. Kështu u shpreh në Podgoricë ambasadorja çeke në Malin e Zi, Janina Hrebickova, në prezantimin e librit të ri “Historia e Malit të Zi”, shkruar nga bashkatdhetari i saj dhe kolegu i saj, eksperti mbi çështjet ballkanike, Frantisek Sistek.

Diplomacia e butë është thelbësore për dekodimin e Ballkanit. Prandaj është edhe më e habitshme kur diplomatët e kuptojnë gabim këtë rajon. Marrim rastin e ambasadorit francez në Malin e Zi, Kristian Timonie. Gjatë një takimi elektoral në Cetinje, Jakov Milatoviç, u prit nga protestuesit vendas.

Ata ishin zemëruar nga zërat (të mohuar nga kandidati) se ai e kishte minimizuar rrezikun për jetën e malazezëve, kur policia kishte ndërhyrë për të mbrojtur kurorëzimin e Mitropolitit Ortodoks Serb në Cetinje. Milatoviç u përball me protestuesit dhe u shoqërua nga truprojat.

Ngjarja u raportua në media si një “sulm”. Timonie e përshkroi atë si një akt “agresioni fashist” për një gazetë kombëtare, ndaj e gjeti veten në qendër të një stuhie mediatike. Ai duket se kishte harruar se Cetinja është një bastion i njohur i rezistencës antifashiste.

Ambasadori u detyrua të sqarojë, se komentin e tij nuk ia atribuonte popullit të Cetinjës, dhe se e njeh antifashizmin e tyre historik. Ndërkohë në mars Përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku drejtoi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja midis presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Borell e shpalli atë si një përparim të shumëpritur në normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Por Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen, duke e lënë Borrell-in ta shpallë suksesin në parim, por jo në letër.

Presidenti serb u tërhoq prej saj vetëm disa ditë më vonë. Por jo përpara se Serbia të kishte marrë financimin e saj më të madh ndonjëherë nga BE prej 600 milionë eurosh. Duket se Vuçiç po kopjon strategjinë e Viktor Orban, e cila ka funksionuar shumë mirë për Hungarinë, por më pak për Bashkimin Evropian.

Analistët vazhdojnë të habiten se sa keq po luan BE-ja në Ballkan. Dhe nuk janë vetëm diplomatët dhe politikanët e lartë, ata që gabojnë me Ballkanin. Gabime bëjnë edhe mediat. Ndërsa luftërat jugosllave të viteve 1990, prodhuan një grup korrespondentësh të huaj që jetuan shumë kohë në Ballkan, shumica prej tyre janë larguar prej kohësh.

"Associated Press" në pronësinë e SHBA-së dhe ikona e Luftës së Ftohtë e mbështetur nga qeveria e SHBA-së, Radio "Evropa e Lirë", ofrojnë ende raportime të sakta, edhe pse më të shkurtra. Televizioni i Katarit, "Al Jazeera" ka ndërmarrë iniciativën më domethënëse, duke krijuar markën e vet rajonale, "Al Jazeera Balkans", një kanal serbo-kroat me seli në Sarajevë dhe me studio lokale në Beograd, Shkup dhe Zagreb. Por "Al-Jazeera Balkans", është një përjashtim nga rregulli. Shumica e mediave ndërkombëtare të lajmeve, nuk kanë luksin të mbajnë korrespondentë në këtë zonë, dhe nuk e konsiderojnë më prioritar Ballkanin Perëndimor. Kështu ka humbur ekspertiza mbi këtë rajon.

Pjesa më e madhe e mbulimit nga media e huaj është e mjegullt, e ofruar nga specialistë me kohë të pjesshme dhe nga gazetarë vendas që kanë agjendat e tyre. Gazetari i rastësishëm hidhet “me parashutë” nga jashtë kur ngjarjet diktojnë këtë ose kur një platformë e huaj lajmesh vendos të investojë mbi raportimin e një ngjarjeje më rëndësi.

Problemi është se gazetaria e pavarur dhe e thelluar, është e vështirë të mbahet në rrethana të tilla. Gabimet ndodhin herë pas here. Shembulli më i spikatur i kohëve të fundit ishte harta e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese ("BIRN") e organizatave të ekstremit të djathtë dhe ekstremist në Ballkanin Perëndimor, e publikuar në nëntor të vitit të kaluar.

Ajo përfshinte edhe protestues paqësorë, gazetarë dhe aktivistë. Grupi i avokatëve të të drejtave të grave që kishin protestuar në heshtje kundër patriarkatit të Kishës Ortodokse në Mal të Zi, u habitën kur panë emrin e tyre në listë. Si e gaboi kaq rëndë "BIRN"?

"BIRN" ka njoftuar një rishikim të pavarur të raportit të tyre, dhe po punon me një ekip të ri për të mbuluar Malin e Zi. Unë kam përvojën time me mediat, që kanë rënë pre e narrativave të rreme për Ballkanin, kur punoja në Bruksel për një rrjet mediatik të BE-së që u bë objektivi i operacioneve të ndikimit rus.

Natyrisht jo drejtpërdrejt, por kur u porosit një raport nga një përfaqësues për “krizën politike në Mal të Zi”, unë i njoha menjëherë shenjat e para. Në atë kohë, zgjedhjet kishin kaluar në mënyrë paqësore, pavarësisht nga një tentativë për grusht shteti në prapaskenë, e cila më vonë u tregua se kishte lidhje me agjentët sekretë rusë.

Ishte shmangur një krizë e mundshme e demokracisë. Raporti synonte të ndryshonte opinionin politik dhe publik në një përpjekje të fundit për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO. Ngrita alarmin te drejtuesit e rrjetit, duke i shpjeguar medias motivimin e mundshëm dhe rrezikun për reputacionin e saj.

Nuk mund të them se i morën seriozisht shqetësimet e mia, por kryeredaktori punoi shumë për ta bërë raportin më të balancuar dhe objektiv sesa do të ishte po të mos kisha folur. Megjithatë, duhet thënë se ka shembuj të shquar të gazetarisë dhe komenteve të mprehta politike për Ballkanin. "New York Times" sapo ka publikuar një ekspoze rrëqethëse mbi botën e krimit që vërtitet rreth presidentit të Serbisë, Vuçiç. Pjesa më e madhe e raportit, edhe pse tronditëse në brutalitetin e saj, nuk është befasi për ata që ndjekin politikën ballkanike.

Megjithatë, kjo duhet të jetë një zile zgjimi për administratën Bajden dhe Komisionin Evropian, të cilët kanë mbajtur qëndrime të buta ndaj Serbisë. Ata duhet ta njihnin më mirë situatën. Dhe falë gazetarisë së mirë, e bëjnë këtë.

Sa herë që flitet për Ballkanin Perëndimor, ka disa rregulla të arta: Kontrolloni paragjykimet tuaja, si dhe ato të burimeve tuaja; gjykojini liderët e rajonit nga veprimet dhe jo nga fjalët e tyre; mbajini përgjegjëse qeveritë dhe politikanët lokalë sipas standardeve ndërkombëtare të demokracisë; dhe kini parasysh se mediat e pavarura ballkanike janë një specie e rrezikuar dhe rajoni është i përmbytur nga fushatat e dezinformacionit./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga