web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbi 12.000 bomba bërthamore, kush ka më shumë dhe çfarë rrezikon bota

18 Qershor 2023, 20:00, Kosova & Bota CNA

Mbi 12.000 bomba bërthamore, kush ka më shumë dhe

9576 bomba bërthamore të gatshme për përdorim të menjëhershme, ose me një fuqi 135.000 herë më të madhe sesa bomba që u hodh mbi Hiroshimë në vitin 1945. Ndërsa lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po shkon drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm, gara e armatimeve ka rinisur tashmë dhe po shtohet sërish arsenali i armëve bërthamore.

Në krye të renditjes për shtimin e arsenalit janë Kina dhe Rusia, kjo e fundit me arsenalin më të madh në botë (5889 bomba aktive). Por në listë përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të premten e javës së kaluar edhe kohën e saktë të vendosjes së re të armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, një sinjal i saktë i kursit të ri të konfliktit që po vijon. “Gjithçka po shkon sipas planit”- deklaroi Cari nga resorti i Soçit përkrah homologut të tij bjellorus Lukashenko.

“Në datat 7-8 korrik do të përfundojë përgatitja e objekteve, dhe më pas do të fillojmë menjëherë procesin e zhvendosjes së armëve”- theksoi ai. Sipas gazetës britanike “The Guardian”, e cila citon raportin e një think-tanku të rëndësishëm, Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), numri i armëve bërthamore operacionale në arsenalet e fuqive të mëdha ushtarake është sërish në rritje.

“Bota po kalon një nga periudhat më të rrezikshme në historinë e njerëzimit. Ndaj është urgjente që qeveritë botërore të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar me synim uljen e tensioneve gjeopolitike dhe për të ngadalësuar garën e armatimit”- deklaroi drejtori i SIPRI Den Smith. Sipas tij kjo i shërben edhe trajtimit të pasojave gjithnjë e më serioze të degradimit mjedisor dhe urisë në rritje në botë.

Kush zotëron armë bërthamore

Sipas grupit të ekspertëve, aktualisht nëpër botë ekzistojnë 12.512 bomba bërthamore, nga të cilat 9.576 janë të gatshme të përdoren në çdo moment, ose 86 më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 3.844 janë vendosur me raketa operacionale dhe avionë, ose janë “parkuar” në bazat ku strehohen bombarduesit bërthamorë.

Sipas Institutit Ndërkombëtar Suedez, 60 bomba të tjera mbahen në gatishmëri nga Kina. Armët e tjera të reja janë nga Rusia (12), Pakistani (5), Koreja e Veriut (5) dhe India (4). Shtimi i arsenalit bërthamor po ndodh pavarësisht një deklarate të vitit 2021 nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca) se lufta bërthamore nuk mund të fitohet asnjëherë. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara së bashku zotërojnë thuajse 90 për qind e të gjitha armëve bërthamore në mbarë botën.

Rritja e profilit të Kinës

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm, është e vështirë të kihet  një panoramë e qartë dhe e plotë të situatës, sepse që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainën, një numër i caktuar vendesh - vetë Rusia por edhe Shtetet e Bashkuara - e kanë ulur nivelin e informacionit që japin.

Megjithatë, besohet se Kina, fuqia e tretë bërthamore në botë, e ka rritur numrin e bombave  në një vit, nga 350 në janar 2022, në 410 në janar të këtij viti. Dhe parashikimi është se ky arsenal është i destinuar që të rritet, por jo për të kaluar atë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Në vitin 2021 - shkruan “The Guardian” - imazhet satelitore komerciale zbuluan se Kina kishte filluar ndërtimin e qindra bazave të reja raketore në veri të territorit të saj”. “Kina ka filluar një zgjerim të konsiderueshëm të arsenalit të saj bërthamor. Është gjithnjë e më e vështirë të krahasohet kjo prirje me qëllimin e deklaruar të Kinës për të pasur vetëm forcat minimale bërthamore të nevojshme për të ruajtur sigurinë e saj kombëtare”- tha një ekspert i SIPRI për gazetën britanike.

Vendet e tjera

Franca (290) dhe Britania e Madhe (225), janë fuqitë e dyta më të mëdha bërthamore në botë. Arsenali operacional i Mbretërisë së Bashkuar pritet të shtohet më tej me deri në 260 bomba atomike. Nga 225 bomba, thuhet se 120 janë të disponueshme për t’u lëshuar në çdo moment nëpërmjet raketave balistike të lëshuara nga nëndetëset Trident II D5 (SLBM). Secila prej tyre mund të mbartë rreth 40 bomba të tilla. Në çdo rast, qeveria britanike ka njoftuar se nuk do të zbulojë më publikisht numrin e armëve bërthamore, kokave apo raketave të vendosura për shkak të përshkallëzimit të vazhdueshëm të situatës.

Në realitet, politika e re e Londrës, e cila po shkëputet nga bashkëpunimi, ndjek tashmë rrugën e rrezikshme të ndjekur nga Rusia pas pezullimit të traktatit New Start, Traktati i Ri i Reduktimit të Armëve Strategjike që parashikonte reduktimin e armëve bërthamore, të cilin Federata Ruse dhe Shtetet e Bashkuara e nënshkruan në Pragë të Çekisë më 8 prill 2010.

Rreziku i një konfliktit bërthamor global

Konflikti midis Moskës dhe Kievit po vazhdon prej më shumë se 14 muajsh, dhe në këtë periudhë, nuk ka munguar asnjëherë frika se lufta mund të zgjerohet për të përfshirë vende të tjera, duke u shndërruar në një konflikt global.

Që në ditën e parë të pushtimit, presidenti rus Putin deklaroi: “Cilido që përpiqet të na krijojë pengesa dhe të ndërhyjë në Ukrainë, duhet ta dijë se Rusia do të përgjigjet me pasoja të papara. Ne jemi të përgatitur për gjithçka. Ndaj shpresoj që të dëgjohem”.

Një kërcënim, të cilin Kremlini ka vazhduar ta përsërisë në çdo fazë të konfliktit në Ukrainë, duke përfshirë edhe shumë figura pranë udhëheqësit rus. Përballë skenarit që Moska mund të vendosë të përdorë vërtet armët atomike, deri më tani Shtetet e Bashkuara janë fiksuar pas të ashtuquajturës “paqartësi strategjike”, e cila po përdoret edhe ndaj Kinës në lidhje me Tajvanin: pra Uashingtoni premton një kundërpërgjigje, por pa e specifikuar asnjëherë se cila do të jetë ajo. Por fakti është se sot numri i armëve bërthamore në dispozicion të fuqive të mëdha po rritet dhe se mundësia e një konflikti të frikshëm bërthamor duket gjithnjë e më afërt./Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga