web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Intervista/ Zelenski: Putini e ka humbur pushtetin që kishte para luftës

17 Qershor 2023, 21:20, Kosova & Bota CNA
Intervista/ Zelenski: Putini e ka humbur pushtetin që kishte para
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski nuk ka asnjë dyshim për atë që ai beson se po

ndodh me qeverinë në Rusi. “Putin e ka humbur pushtetin që kishte”- thotë Zelenski në një intervistë ekskluzive për të përditshmen gjermane “Die Welt”.

“Unë mendoj se ata janë duke përjetuar një përçarje të madhe të brendshme”- shton kreu i Ukrainës.

Zelenski thekson se përveç luftës në fushën e betejës, në Rusi po zhvillohet një betejë “shumë serioze politike midis ushtrive të ndryshme, shtetërore dhe private”, duke iu referuar marrëdhënieve midis ushtrisë së rregullt ruse dhe ushtrive mercenare, përfshirë Grupin Vagner.

“Unë mendoj se Putin e kupton se kjo gjë është duke ndodhur tashmë. Besoj se ai e kupton se ka një problem serioz, dhe unë nuk e fsheh se jam i lumtur për këtë gjë. Kur ndodh diçka e tillë? Kur njerëzit ndjejnë diçka. Pra që situata po ndryshon. Mendoj se partnerët e tij në biznes e kanë humbur besimin tek ai. Kjo ndikon tek ushtria por edhe në shumë aspekte të tjera. Fakti është se Putin e ka humbur fuqinë që kishte para luftës”- thotë ai.

Gjatë intervistës në Kiev, Zelenski e akuzon Rusinë për pengim të operacioneve të shpëtimit pas shkatërrimit të digës Nova Kakhovka.

“E kemi shumë të vështirë të largojmë njerëzit nga zona e pushtuar. Kur forcat tona përpiqen t’i nxjerrin prej andej, qëllohen nga distanca nga pushtuesit”- shprehet presidenti ukrainas.

Më pas ndalet edhe tek vuajtjet e popullatës vendase.

“Shumë njerëz dhe kafshë kanë vdekur. Nga çatitë e shtëpive të përmbytura, banorët shohin njerëz të mbytur, trupat e të cilëve pluskojnë mbi ujë”- thotë Zelenski.

Pasojat e plota të shkatërrimit të qëllimshëm të digës nga rusët ka të ngjarë të mos dihen me saktësi deri sa të kalojnë disa ditë kur të bjerë niveli i ujit.

Nga ana tjetër presidenti i Ukrainës kritikoi ashpër Kombet e Bashkuara dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

“Ata nuk janë atje. OKB dhe Kryqi i Kuq duhet të ishin aty për të shpëtuar jetët e njerëzve”- theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, Zelenski tha se nuk ishte i befasuar nga sulmi ndaj digës:

“Asgjë që bën Rusia nuk na befason më. Tortura, përdhunime. Gjithçka ka ndodhur. Kjo është mënyra e tyre për të bërë luftë”.

Presidenti ukrainas, iu referua kundërsulmit të Ukrainës, duke thënë se rusët e kuptojnë shumë mirë se do ta humbin këtë betejë, prandaj po zvarritin sa të mundin çlirimin e territoreve ukrainase. Zelenski e pranoi se shkatërrimi i digës do të ndikojë në kundërsulmin e Ukrainës.

“Ajo që po ndodh tani është një tragjedi. Një fatkeqësi mjedisore dhe humane. Nuk na ndihmon me kundërsulmin dhe nuk e bën më të lehtë”- shtoi ai.

Presidenti tha se është ende e vështirë të kuptohet ndikimi i plotë i kësaj ngjarje, teksa nuk u fut në detaje në lidhje me kundërsulmin që ka nisur tashmë.

Nga ana tjetër Zelenski tha se ai nuk ndante pikëpamjen e kancelarit gjerman Olaf Sholc se shkatërrimi i digës përfaqësonte një “dimension të ri të luftës”. Në të njëjtën kohë, ai përshëndeti qëndrimin aktual të liderit gjerman ndaj Ukrainës.

Intervista/ Zelenski: Putini e ka humbur pushtetin që kishte para

Ai është i kënaqur që Sholc “e sheh situatën me sytë tanë”, duke shtuar: “Unë e ndjej mbështetjen e Gjermanisë. Mendoj se ai ka gjetur rrugën e tij. Sholc ka gjetur përgjigje për disa pyetje. Rusia po na ndihmon të gjithëve që t’i gjejmë këto përgjigje”- shtoi Zelenski.

Ndërkohë, ai i bëri thirrje Sholcit të ofrojë ndihmë të mëtejshme.

“Ne kemi nevojë për mbështetjen e tij në koalicionin e avionëve luftarakë dhe sistemeve Patriot”- tha presidenti ukrainas. "Përsa kohë që nuk ka avionë", tha ai, "Ukraina është e detyruar të mbrojë qiejt e saj me sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot".

Në rast se Ukraina do të marrë nga Perëndimi jo vetëm avionët luftarakë F-16, por edhe modele të tjera, përfshirë Eurofighter, situata do të ishte më e vështirë për shkak të numrit të madh të sistemeve. Por sipas tij edhe “nëse gjërat lëvizin më shpejt”, do të jetë gjithashtu e nevojshme që të punohet me modele të ndryshme “për të shpëtuar jetë njerëzish”.

Deri më sot, Gjermania, e cila nuk zotëron vetë avionët F-16, nuk i është bashkuar ende koalicionit që parashikohet ta furnizojë Ukrainën me dhjetëra avionët luftarakë. Në intervistë, Zelenski hodhi poshtë raportet e fundit nga mediat amerikane, sipas të cilave Ukraina ka pasur plane për të shkatërruar tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream”.

“Unë jam presidenti dhe jap urdhrat e duhura. Ukraina nuk ka ndërmarrë asnjë akt të tillë. Unë kurrë nuk do të veproja në këtë mënyrë. Unë nuk kam asnjë ide se kush e hodhi në erë gazsjellësin”- tha Zelenski teksa mohoi gjithashtu pretendimet e Moskës së Ukraina ishte e përfshirë në sulmet e javëve të fundit në territorin rus./ “Die Welt” - Përshtatur dhe përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga