LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Erdogan, islamiku pragmatik i Turqisë

4 Qershor 2023, 19:00, Kosova & Bota CNA

Erdogan, islamiku pragmatik i Turqisë

Çfarë domethënie ka për politikën e jashtme turke zgjedhja e presidentit Rechep Taip Erdogan për një mandat të tretë të paprecedentë? Jo dhe aq. Në fakt, edhe sikur të kishte fituar opozita, politika e jashtme e vendit do të kishte ndryshuar vetëm në formë, por jo në përmbajtje.

Për Turqinë, arritja e një ekuilibri pragmatik midis detyrimeve të saj si anëtare e NATO-s dhe marrëdhënieve të saj me Rusinë dhe Kinën, është një mision i pashmangshëm kulturore dhe strategjik. Erdogan mund të jetë vërtetë një autokrat islamik që e lëshojnë shpejt nervat, por kur flitet për rolin e Turqisë në botë, ai është shumë praktik.

Ai ka joshur prej kohësh votuesit e frustruar përmes sulmeve periodike ndaj Perëndimit, duke promovuar “euroazianizmin”, që tradicionalisht ka qenë një thirrje e së majtës ekstreme në Turqi. Për më tepër, në kohën e një riorganizimi të rendit global, Erdogan ka deklaruar se është në interesin e Turqisë që të mbrojë interesat e saj duke pasur marrëdhënie të ngushta edhe më kundërshtarët e Perëndimit.

Por Erdogan, që në fillim të presidencës së tij ndërmori hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ai e di se në interesin e vendit të tij është gjithashtu që të mos distancohet shumë nga Shtetet e Bashkuara apo Evropa.

Largimi nga NATO, shkëputja nga Evropa dhe bashkimi me fraksionin “antiimperialist” të udhëhequr nga Rusia dhe Kina nuk ka qenë kurrë një opsion për Turqinë postosmane. Sigurisht, Erdogan ka flirtuar me një formë të “neootomanizmit”.

Ish-mentori i tij i politikës së jashtme, Ahmet Davutoglu, besonte se pozicioni i vendit në udhëkryqin e kontinenteve dhe qytetërimeve duhet ta bënte atë një “shtet qendror” global dhe një udhëheqës të botës islame. Ishte Davutoglu ai që artikuloi për herë të parë në vitin 2004 politikën e “zero problemeve me fqinjët”, e cila u bë një shtyllë e politikës së jashtme të Turqisë. Ndërsa marrëdhëniet me BE-në u përkeqësuan - procesi i anëtarësimit ishte shumë i ngadaltë për Erdoganin, dhe disa anëtarë të BE-së nuk ishin aspak të prirur ta mirëprisnin Turqinë në klubin e tyre - idetë e Davutoglu fituan terren.

I shpërfillur nga Evropa, Erdogan nisi të angazhohej fuqishëm në kërkim të një roli të ri. Kështu, pas një gjysmë shekulli distancimi, Turqia filloi të ri-angazhohej me Lindjen e Mesme, duke zgjeruar lidhjet tregtare, hequr kufizimet e vizave, dhe madje duke ndihmuar në ndërmjetësimin e bisedimeve midis Izraelit dhe Sirisë, Afganistanit dhe Pakistanit, dhe dy partive kryesore politike palestineze Fatah dhe Hamasi.

Vëmendja u zhvendos në jug pasi shpërtheu Pranvera Arabe në vitin 2010, kur Erdogan filloi të përdorte gjithnjë e më shumë islamizmin si një mjet të politikës së jashtme. Në luftën civile siriane, Erdogan mbështeti Ushtrinë e Lirë Siriane kryesisht islamike.

Madje ai mbështeti për pak kohë edhe Shtetin Islamik, që ndante vizionin e tij për rishikimin e hartës politike të Lindjes së Mesme. Por shumë shpejti Erdogan do të detyrohej të rivlerësonte politikën e tij të jashtme islamike. Në vitin 2013, kreu i ushtrisë egjiptiane, gjenerali Abdel Fatah Al-Sisi udhëhoqi një grusht shteti kundër presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, një përfaqësues i Vëllazërisë Myslimane Islamike.

Ndërkohë diktatori sirian Bashar Al-Asad gjithashtu do të tregohej shumë më elastik nga sa pritej. U pa se forcat laike do të luftonin me dhëmbë e me thonj për të mposhtur islamizmin dhe për të penguar ambiciet hegjemoniste të një fuqie joarabe si Turqia në Lindjen e Mesme Arabe.

Davutoglu dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2016, në mesin e zërave për një përkeqësim të marrëdhënieve të tij me Erdoganin, që më pas vazhdoi ta konsolidonte kontrollin e tij në pushtet.

Politika e jashtme e Turqisë nisi të ndryshojë. Në vitin 2019, Erdogan pushtoi Sirinë Veriore dhe krijoi një “zonë tampon”, zyrtarisht me synimin për të mbajtur Shtetin Islamik larg kufirit turk, por de fakto për të penguar suksesin e përpjekjeve të kurdëve për autonomi.

Duke qenë se kurdët ishin aleatët më efektivë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik, kjo lëvizje e Erdoganit e distancoi akoma më shumë nga Amerika. Megjithatë, më në përgjithësi Erdogan promovoi një politikë të jashtme shumë më pak ideologjike, më pragmatike, e cila mbetet në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Për t’i dhënë fund izolimit rajonal të Turqisë, ai u angazhua për pajtimin me armiqtë arabë të Vëllazërisë Myslimane, por edhe me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Tani Erdogan po punon edhe drejt një afrimi (me ndërmjetësimin e Rusisë) me Asadin, edhe pse ky proces nuk mund të përfundojë për sa kohë që Turqia vazhdon të mbajë të pushtuar Sirinë Veriore.

Njëkohësisht, Erdogan ka nisur që ta minimizojë mbështetjen e tij për kauzën palestineze dhe për Hamasin - degën palestineze të Vëllazërisë Myslimane, e cila është lejuar të organizojë sulme ndaj izraelitëve nga territori turk - për të mbështetur një shkrirje të marrëdhënieve me Izraelin.

Tek e fundit, Izraeli është një fuqi e re energjetike në Mesdheun Lindor. Prandaj Turqia, që sapo është përjashtuar nga Forumi i Gazit në Mesdheun Lindor, shpreson të shërbejë si një rrugë tranziti për eksportet izraelite të gazit drejt Evropës. Po kështu, politika e jashtme e Erdoganit ndaj Ukrainës nuk ka qenë aspak e shkëlqyer.

Ai i ka përmbushur detyrimet e Turqisë në NATO, duke i ofruar Ukrainës ndihmë thelbësore ushtarake, përveç asaj retorike, ashtu si çdo aleat tjetër perëndimor. Por nga ana tjetër ka lejuar kompanitë dhe qytetarët rusë që ta përdorin Turqinë për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Dhe kjo gjë i ka dhënë mundësi të luajë një rol diplomatik në këtë luftë. Korrikun e vitit të kaluar, ai ndërmjetësoi një marrëveshje për të krijuar një “korridor të grurit”, e cila lejoi eksportimin e prodhimit ukrainas, duke ndihmuar kësisoj në rritjen e sigurisë ushqimore në Jugun Global.

Perëndimi duhet të mësohet me manovrat e shpeshta diplomatike të Erdoganit. Sepse aktualisht po ndodh një riorganizim politik global, dhe Turqia nuk është e vetmja aleate e SHBA-së që po zgjedh të sillet si një shtet i lëkundur, duke u luhatur midis besnikërisë dhe interesave të kundërta. Ngjashëm me të po sillen edhe Arabia Saudite dhe India.

Shënim:Shlomo Ben-Ami, ish-Ministër i Jashtëm i Izraelit, aktualisht zëvendës/president i Qendrës Ndërkombëtare të Toledos për Paqe./ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga