web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Maskara! Ik, largohu…”/ Përmbaruesi sherr me gazetarin

11 Tetor 2022, 21:38, Denoncim CNA
“Maskara! Ik, largohu…”/ Përmbaruesi sherr me gazetarin
Emisioni "Stop"

Në prill të këtij viti një qytetar denoncoi përmbaruesin privat Besnik Bajraktari, të cilit i ka paguar borxhin, sipas marrëveshjes, por përmbaruesi ia ka tjetërsuar dhe marrë vilën dykatëshe. Historia nisi me dhënien me fajde të 50 mijë eurove, shumë që nuk u shlye në kohë dhe çështja shkoi në përmbarim.

Për 50 mijë eurot u nënshkrua një marrëveshje, që të shlyhej për 10 muaj nga 5 mijë euro në muaj. Por përmbaruesi privat e prishi tre muaj para marrëveshjen, duke mos njoftuar debitorin dhe në këtë mënyrë i mori dhe vilën dykatëshe, në një kohë, që 50 mijë eurot u shlyen në 10 muaj sipas dakordësisë.

“Në vitin 2018, me anë të një lidhje miqësore mora 50 mijë euro me përqindje prej 5%. Në deklaratën që kemi bërë para noteres kemi shënuar që çdo muaj do bëhet likuidimi i përqindjes prej 2500 eurosh. Në rast se kjo përqindje nuk jepet për 4 muaj rresht, atëherë i lind e drejta kreditorit që të marrë pengun që kisha lënë për 50 mijë euroshin, lamë katin e parë të vilës sime, 145 metra katrorë, vila është 300 metra. Nuk e shleva përqindjen për 4 muaj dhe ai pa më sinjalizuar i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, pa më sinjalizuar ka bërë procesin në Gjykatën e Tiranës dhe më datën 9 Janar 2020 më ka lajmëruar përmbaruesi privat Besnik Bajraktari që kemi një urdhër-ekzekutimi për një sipërfaqe prej 145 metra katrorë. E kam takuar po atë ditë që më ka lajmëruar me anë të telefonit dhe arritëm në konkluzionin që të bëjmë një marrëveshje që shlyerja e kësaj shume për 50 mijë euro të bëhet për një periudhë 10 mujore, nga 5 mijë Euro në muaj për kreditorin dhe 500 euro në muaj për tarifën përmbarimore. Ne ramë dakord, firmosëm, bëmë një akt-marrëveshje të cilën e posedoj nga dy palët. Në datën 30 dhjetor të vitit 2020 mua më ka ardhur letra, hera e dytë që më vjen nga ky përmbarues, që të kam nxjerrë shtëpinë në ankand dhe nuk jep asnjë shpjegim për 50 mijë euroshin që ka në numër të llogarisë së tij”, denoncoi qytetari më 6 prill 2022.

Kleçka që përdori përmbaruesi ishte se njoftimin për prishje të marrëveshjes, e kishte bërë në vendlindjen e debitorit, në Milot dhe jo në Tiranë, ku ka vilën e banimit. Me këtë manovër dhe në fshehtësi përmbaruesi bëri procedurën për marrjen e vilës 2-katëshe, duke e shitur me ankand abuziv për 33 mijë euro. Në “Stop” u publikuan të gjitha faturat që tregohet se denoncuesi e ka paguar debinë.

Denoncuesi: Unë që kam paguar çdo lloj detyrimi, apo ky që ka vjedhur të gjitha detyrimet që kam paguar dhe ka nxjerrë shtëpinë në shitje, dhe do shtëpinë për 33 mijë euro. Ju ja ku e keni shtëpinë, filmojeni. Në rast se kjo shtëpi nuk bën tek 500 mijë euroshi…

Gazetari: Por ju ndërkohë e keni shlyer atë borxh. Borxhi është në llogarinë e përmbaruesit.

Denoncuesi: E kam shlyer atë borxh. I gjithë detyrimi që kam pasur është në llogarinë e përmbaruesit përpara se shtëpia të dalë në ankand. Përmbaruesi në asnjë ankand nuk ka përmendur që është shlyer borxhi. Vetëm ka deklaruar s’ka pjesëmarrje.

Gazetari: Si ka mundësi që zoti Bajraktari ka gjithë këtë mbrojtje? Veprimet e tij duket qartë që janë arbitrare dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

Denoncuesi: Veprimet e këtij personi kanë dy gjëra ose ka luajtur mendsh dhe i ka humb logjika ose ky ka një mbështetje të fuqishme që është mbi ligjin dhe do me prit pasurinë e tjetrit.

Historia vazhdon pasi këto ditë Bajraktari ka kërkuar mbështetjen e Komisariatit nr.4, për t’i marrë shtëpinë Besnik Allamanit. Policët nuk japin shpjegime se ku e kanë bazuar procedurën kur borxhi është shlyer.

Gazetari: Mbi çfarë dokumentacioni keni sjellë sot forcat e policisë së Shtetit që paguhen nga taksat e qytetarëve për të mbështetur disa veprime përmbarimore që pretendohet se janë të paligjshme? Mbi çfarë dokumentacioni?

Shefi i policisë: Nuk jam i autorizuar për të dhënë shpjegim!

Përmbaruesi përballet me gazetarin e “Stop”. Ai e ofendon dhe e shtyn gazetarin.

Besnik Bajraktari: Meqenëse jemi parë dhe herë të tjera të lutem ka mundësi, largohu?

Gazetari: Pse?

Besnik Bajraktari: Unë jam në krye të detyrës.

Gazetari: Ne kemi konstatuar që jeni akoma në shkelje.

Besnik Bajraktari: Nuk përgjigjem asgjë.

Gazetari: Është kërkesë e medias.

Besnik Bajraktari: Ti je në prokurori me mua sepse ke bërë vepër penale!

Gazetari: Edhe ti je në prokurori me zotin Allamani dhe jeni në gjykatë akoma…

Besnik Bajraktari: Po gënjen, po gënjen publikun, o maskara! (Bërtet) Ik! Jam në krye të detyrës!

Gazetari: Edhe unë zotëri në krye të detyrës jam!

Besnik Bajraktari: Largohu! (E shtyn)

Gazetari: Mos më prek me dorë ore se s’po të prek. Jam dhe unë në krye të detyrës!

Besnik Bajraktari: Jam në krye të detyrës!

Gazetari: Edhe unë jam në krye të detyrës!

Besnik Bajraktari: Ky është një maskara që mashtron, ju popullin. Unë jam sipas ligjit.

Nga informacione në rrugë operative emisioni “Stop” ka mësuar se komisariati 4 u detyrua të mbështesë përmbaruesin privat Bajraktari me një ndërhyrje nga një nëndrejtor në Policinë e Shtetit.

“Pse vajtën policët e komisariatit 4 atje? Sipas të dhënave të mia të sakta, por që kjo do jetë një fazë e dytë, se ky përmbaruesi ka një mik në polici që i di pozicionin, i di emrin dhe mbiemrin. Kjo do jetë me dije atje ku duhet të them. Nuk mundet sot ai se edhe ky është bërë për ai, drejtori, a nëndrejtori, zv/drejtori, policia, komisariati e ça dreqin është atje, që të mbushi dy furgona me policë dhe t’i çojë atje. Për çfarë arsye? Nuk zutë mend ju? Para ca kohësh me të drejtë kryeministri i këtij vendi ju bëri për një lek. Por vesi ju dilka me shpirtin”, tha drejtuesi i emisionit Saimir Kodra.

Përmbaruesi shkeli sërish ligjin duke tentuar të ndërrojë bravat e vilës dykatëshe. Situata ishte kaotike sa për pak desh doli jashtë kontrollit, por ky detaj që konstatoi “Stop” ktheu të gjithë rrjedhën e situatës. Punonjësit që do të ndërronin bravat e shtëpisë nën urdhrat e përmbaruesit Bajraktari ishin të pasiguruar.

Besnik Bajraktari: Sot këta do nxjerrin mashtrime të panumërta në televizor!

Avokati: Do bëj një kallëzim penal për atë dhe për ju! Prandaj e dua unë! Nuk ka kështu këtu, kuturu!

Besnik Bajraktari: Prit edhe një çikë se të kthej unë përgjigje!

“Bajraktari e shtyu për një ditë tjetër ekzekutimin e vendimit me motivacionin që nuk po vinin kreditorët. Por e vërteta është që zoti Bajraktari nuk kishte marrë punonjësit e duhur, të licencuar, të siguruar në shtet për të ndryshuar bravën. Sot ishte plani, ashtu siç na u komunikua nga komisariati numër 4 që të ndryshohej vetëm brava e kësaj shtëpie dhe do të lihej një procesverbal. Tentoi që të merrte këtë shtëpi në mënyrë të paligjshme, por për shkak të bravës ai e shtyu për një herë tjetër”, tha gazetari i “Stop”./tvklan





Lajmet e fundit nga