web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund të ndërmerren për uljen artificiale të temperaturave

26 Gusht 2023, 08:59, Blog Anne Quito

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Kjo që po kalojmë është një tjetër verë djallëzore. Një goditje e dyfishtë e krizës së klimës së shkaktuar nga vetë njerëzit dhe e rishfaqjes së fenomenit El Niño,që ka rritur ndjeshëm temperaturat duke e bërë këtë vit shumë vdekjeprurës. Korriku i vitit 2023, është shpallur zyrtarisht si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Në një fjalim të kohëve të fundit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres e përshkroi në mënyrë ogurzezë këtë vit si fillimin e “epokës së vlimit global”. Vetëm në Evropë, mbi 60.000 njerëz vdiqën verën e vitit të kaluar nga sëmundjet e lidhura me vapën ekstreme.

Disa vende përdorën një model emërtimi të valëve të të nxehtit, të ngjashëm me ato që përdoren për uraganet dhe tajfunet. Për shembull Shoqata Meteorologjike Italiane, e quajti “Cerberus” një valë të të nxehtit ekstrem në korrik, sipas emrit të qenit me 3 koka që ruante portat e ferrit në “Ferrin” e Dantes.

Dhe problemet janë veçanërisht më të mëdha në qytetet me popullsi të dendur, ku “efekti i ishullit të nxehtësisë urbane” mund të prodhojë mikroklima që janë rreth 10 gradë Celsius më të nxehta sesa zonat përreth.

Kjo dukuri e dokumentuar për herë të parë në vitet 1800 nga një meteorolog amator në Londër, ndodh në zona me përqendrime të larta të ndërtesave prej betoni që e thithin nxehtësinë, me sipërfaqe të mëdha asfalti, si dhe nga mungesa e hapësirave të gjelbra.

Pavarësisht se i njohin prej dekadash rreziqet e ngrohjes globale, shumë qytete rezultojnë për fat të keq që të jenë të papërgatitura.

Por tani zyrtarët lokalë po emërojnë “zyrtarët kryesorë të ngrohjes” për të përshpejtuar “planet e veprimit kundër ngrohjes globale”, ndërsa kompani të reja janë në garë midis tyre për të shpikur kondicionerë më të mirë dhe pajisje ftohëse personale. Ja cilat janë 5 masat që po marrin tani qytetet për të përballuar temperaturat gjithnjë në rritje:

1. Mbjellja e pemëve dhe krijimi i sa më shumë hapësirave të gjelbra

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, qëndrimi nën një pemë bën që temperatura të ndihet 11 deri në 25 gradë Celsius më e ulët në krahasim me qëndrimin direkt tek rrezet e Diellit.

Përveç lehtësimit të menjëhershëm, një proces i quajtur “evapotranspirim”, ku uji transferohet nga bimët dhe toka në atmosferë, ndihmon në freskimin deri në 5 gradë Celsius të zonave përreth.

Barcelona, një qytet i kthyer aktualisht në një laborator për ndërhyrjet urbane progresive, mund të ofrojë shumë shpejt një rast studimor jetik mbi efikasitetin e pemëve. Deri në vitin 2037, qyteti spanjoll synon të mbulojë 30 për qind të sipërfaqes së tij me një sërë speciesh rezistente ndaj klimës.

2. Spërkatje me ujë në formën e avullit

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Në qytetet kineze Vuhan dhe Çongqing, ku temperaturat i kaluan 45 gradë vitin e kaluar, pajisjet ftohëse në formë spraji mund të gjenden në qendrat tregtare, parqe dhe stacionet e autobusëve. Ato plotësohen ndonjëherë nga kamionë të pajisur me spërkatës uji me presion të lartë.

Ato qarkullojnë në qytetet e mëdha në Kinë që nga viti 2014. Ndonëse në fillim u përdorën për të reduktuar ndotjen e ajrit, një studim i fundit nga Universiteti Kombëtar i Seulit sugjeron se spërkatja e ajrit me grimca të imta të ujit, mund të ulë deri në 7 për qind temperaturën e ambientit.

Kryeqyteti i Austrisë, Vjena, ka përcaktuar 22 zona si “rrugë të ftohta”, të pajisura me shatërvanë, stacione freskimi për kalimtarët, dhe sisteme inteligjente spërkatëse që aktivizohen automatikisht kur temperaturat rriten mbi 35 gradë Celsius.

3. Tendat

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Një tendë është një mburojë e thjeshtë e lirë ndaj Diellit, që ka dalë jashtë modës për shkak të prirjes së arkitekturës bashkëkohore për fasadat e hijshme.

Por për shkak se qytetet janë të dëshpëruara për përgjigje të shpejta ndaj nxehtësisë së pandërprerë, aktualisht ka një rikthim të tyre.

Qyteti spanjoll i Seviljes (i njohur edhe si “furra iberike”), e ka zgjeruar së fundmi rrjetin e tij të tendave të mëdha për të mbrojtur më shumë stacione tranziti, kënde lojërash, shkolla dhe spitale. Në Tel Aviv, Izrael, një seri tendash të prodhuara me një material të veçantë janë vendosur në qendën kryesore të biznesit.

Të krijuara nga projektuesi izraelit Anai Green, tendat e ruajnë energjinë diellore gjatë ditës, e cila më pas përdoret për të fuqizuar dritat LED të endura në material.

4. Lyerja e çatisë dhe e trotuareve me ngjyrë të bardhë

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Siç mund ta dëshmojnë banorët e ishujve grekë, lyerja e çatisë dhe ndërtesave me ngjyrë të bardhë është një mbrojtje e lehtë dhe relativisht e lirë kundër vapës së madhe të verës. Duke përfituar nga “efekti albedo”, një strukturë me një çati të bardhë e reflekton rreth 85 për qind   të dritës së drejtpërdrejtë të Diellit në krahasim me një çati të errët, e cila reflekton vetëm rreth 20 për qind.

Tani, një ekip ekspertësh në Universitetin Pardju në SHBA, pretendon se ka zhvilluar një lloj boje “ultra të bardhë” që mund të reflektojë 98 për qind të dritës së diellit, dhe të ulë temperaturën e sipërfaqes së një ndërtese në krahasim me rrethinën e saj me gati 7 gradë Celcius gjatë natës (ose me 8 gradë gjatë ditës).

Lyerja e një sipërfaqe çatie prej rreth 1000 metra katrorë me këtë bojë, do të prodhonte ekuivalentin e 10 kilovatëve “fuqi ftohëse”, thotë Xiulin Ruan, profesor i inxhinierisë mekanike në Universitetin Pardju, që shtoi se “kjo normë është më e madhe se kondicionerët të përdorur nga shumica e shtëpive”.

5. Rikthimi tek materialet lokale dhe teknikat tradicionale të ndërtimit

Qytetet po sfiliten nga vapa ekstreme e verës/ Pesë hapat që mund

Shumë arkitektë dhe urbanistë po u shmangen traditave arkitekturore perëndimore duke e përqafuar me ajrimin natyror, teknikat tradicionale të ndërtimit dhe materialet si tullat izoluese prej balte, të cilat janë përdorur për mijëvjeçarë nga ata që ka në jetuar në vende me klimë shumë të nxehtë.

Për shembull arkitekti Frensis Kere krijon ndjesinë e ajrosjes përmes përdorimit të argjilës, gurëve laterit dhe pemëve të eukaliptit. Godinat shkollore të projektuara nga Kere në vendlindjen e tij Burkina Faso, tregojnë se si të ndërtohen hapësira të rehatshme dhe të këndshme në vendet me mot shumë të nxehtë, pa pasur nevojën e kondicionerëve./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga