web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Universiteti “Fan S. Noli” e nis vitin akademik me më shumë studentë dhe interes në rritje

6 Tetor 2025, 10:54, Aktualitet CNA

Universiteti “Fan S. Noli” e nis vitin akademik me më

Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës ka përfunduar faza e tretë e regjistrimeve për programet “Bachelor” dhe ato profesionale dyvjeçare.

Deri në datën 3 tetor janë regjistruar 482 studentë, ose 15 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rektori i universitetit, Lorenc Ekonomi, tha se regjistrimet këtë vit janë në kuotat e zakonshme, me një tendencë të lehtë rritjeje, ndërsa shpresohet që diferenca pozitive të vijojë edhe në ditët në vijim.

Ai theksoi se me vendim të senatit akademik, dy degë, Gjuha Frënge dhe Gjuha e Pakicave, nuk do të aktivizohen për këtë vit akademik, për shkak të mungesës së aplikimeve.

Rregjistrimet për këtë vit akademik deri në datën 3 tetor, në mes të raundit të dytë të tyre, janë në kuotat e vjetshme, pak më mirë, me 15 studentë më shumë. Shpresoj që kjo diferencë të rritet. Në dyshim janë dy degë që ne me vendim senati të mos i aktivizojmë, bëhet fjalë për gjuhën frënge dhe gjuhën e pakicave”, tha Ekonomi.

 

Degët më të preferuara vijojnë të jenë Infermieria, Sportet, Financat dhe programet e Teknologjisë së Informacionit, ndërsa interes më i madh është vërejtur këtë vit edhe në Fakultetin e Bujqësisë dhe Turizëm. Në të njëjtën kohë, janë mbyllur edhe aplikimet për programet Master Shkencor dhe Profesional, të cilat, sipas rektorit Ekonomi, kanë një ecuri më të mirë se një vit më parë.

Ai tha se për herë të parë po hapet Masteri në Shkencat Bujqësore, për shkak të rritjes së kërkesës, ndërsa Masteri për Arsimin Special ka tejkaluar kuotat e pranimit.

 

Më të preferuarat janë ato që kanë qenë gjithmonë, nuk ka ndryshime në peshat specifike të tyre. Mbetet në pararojë infermieria me sportet, më pas financa dhe lëndët IT. Këtë vit kemi ndryshim edhe në fakultetin bujqësor ku është rritur numri i kërkesave, por ashtu edhe në turizëm. Masterat në përgjithësi janë goxha më mirë sesa vjet. Këtë vit kemi për herë të parë në Fakultetin e Bujqësisë, Shkencat Bujqësore që hapim master pasi ka më shumë kërkesa se vitet e mëparshme. Po ashtu në master për arsimin special 2-vjeçar ka më shumë kërkesa sesa kuota”, u shpreh rektori.

 

Rektori nënvizoi se të gjitha programet master janë drejt hapjes me një numër të mirë studentësh, dhe veçanërisht ato që lidhen me digjitalizimin dhe teknologjinë po ruajnë kuotat e vitit të kaluar.

 

Gjithashtu shpërndarja e masterave është shumë e mirë, të gjithë masterat janë drejt hapjes së tyre me numër të mirë studentësh. Programet që kanë të bëjnë me IT, pra digjitalizimin janë në kuotat e vjetshme me numër studentësh”, tha më tej Ekonomi.

 

Procesi i regjistrimeve dhe aplikimeve pritet të përfundojë brenda javëve në vijim, ndërsa drejtuesit e universitetit shprehen optimistë për një vit të ri akademik me rritje të interesit dhe cilësisë së studimeve./CNA





Lajmet e fundit nga