web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tërhoqi turistët në fshatin e saj buzë Drinit/ Rrëfehet Marjana, e reja që la Italinë dhe krijoi sipërmarrjen e saj në vendlindje

28 Tetor 2023, 10:46, Aktualitet CNA

Tërhoqi turistët në fshatin e saj buzë Drinit/ Rrëfehet

Marjana Koçeku, sipërmarrësen e re që drejton Agroturizmin “Neomalësorja, ka qenë sot e ftuara e radhës në podcasting Flasim të kryeministrit Edi Rama.

Ajo ka rrëfyer për jetën e saj të vështirë në një fshat të thellë të Dukagjinit si dhe eksperiencat e saj në disa shtete të Evropës, gjë që solli më pas dhe idenë për të krijuar një sipërmarrje të saj.

Marjana arriti që të sillte turistët në një nga zonat më të thella të Shqipërisë, duke iu treguar atyre pak nga mënyra e jetesës në fshat.

Marjana në intervistë rrëfen gjithçka nga fëmijëria, studimet në Tiranë dhe punët në të zezë që i është dashur të bëjë jashtë shtetit derisa krijoi sipërmarrjen e saj. 

Intervista e plotë 

Episodi i shtatë i sezonit të dytë të podkastit “Flasim’’ ka sjellë këtu përpara meje një eksperte të marrdhënieve ndërkombëtare, e cila ka kryer studimet mes Shqipërisë dhe Italisë për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, por me të mbaruar studimet ka vendosur që marrëdhëniet t’i ketë kombëtare dhe jo me gjithë popullin, por me natyrën, me zonën e rrënjëve të saj dhe me ambicien për të krijuar sukses, aty ku gjithkush, gjëja e parë që mendon, është që suksesi është i pamundur.

Marjana mirë se erdhe!

Marjana: Mirë se ju gjeta!

Kryeministri Edi Rama: Atëherë po e filloj duke pyetur pse zgjodhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kur e zgjodhe, a e dije që do përfundoje në një rrugë krejt tjetër apo kishe një tjetër ambicie dhe pastaj të lindi një tjetër ëndërr? 

Marjana: Më kanë pëlqyer gjithmonë marrëdhëniet me njeriun, për të folur, për të shkëmbyer eksperienca  edhe më ka pëlqyer gjithmonë edhe për të udhëtuar. I gjeta marrëdhëniet ndërkombëtare edhe shkencat politike si një mundësi të mirë për të njohur edhe më shumë psikologjinë njerëzore, edhe për të patur më shumë mundësi për të njohur kulturat edhe në të ardhmen nëpërmjet profesionit, për të  më dhënë mundësinë për të udhëtuar më shumë, por mbi të gjitha kisha një ideal brenda meje edhe një ëndërr si studente, për të mundur të bëja diçka për Shqipërinë në arenën diplomatike në atë kohë. Kisha ëndërr të bëhesha diplomate dhe ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Unë i kreva studimet me ekselencë dhe pasi mu dha mundësia për të zbuluar disi atë terrenin e paprekur, atë ëndrrën e madhe shqiptare, Evropën, pasi bëra disa udhëtime backpacking, solo  traveling në disa shtete dhe e pashë brenda atij iluzionit që ne i veshim si shqiptarë asaj Evropë shumë të bukur me  lajle e lule siç themi ne dhe pashë që ka ato anët shumë të bukura, është e jashtëzakonshme, por ka edhe atë anën tejtër që nuk na e tregojnë shumë shpesh kur jemi këtu në Shqipëri. Ka dhe një anë të errët që unë kur kam qenë për shembull studente në Itali, kam punuar pavarësisht se kisha një bursë, më duhej të punoja pak si në të zezë në ato muaj që kam ndenjur për të fituar edhe të ardhura ekstra, për të patur mundësinë edhe për gjëra të tjera që më duheshin t’i kisha, edhe kam punuar punë të thjeshta, edhe pak kamariere, edhe pak pastruese, edhe pse isha 19-20 vjeçe. Dhe ti shikon që nuk është se ke ndonjë prioritet shumë të madh. Ti mund të jesh studente, mund të jesh duke studiuar, por që në fund të fundit ti je një pikë uji në oqean se aty ka edhe qindra, mijëra të tjerë si ti dhe nuk po i intereson fort askujt prezenca jote në atë konkurrencë që ka Evropa. Dhe e “zhvesha” pak Europën prej atij iluzioni, u ula pak me këmbë në tokë, duke e prekur më qartë dhe sa më shumë që udhëtoja, aq më shumë më merrte malli për Shqipërinë. S’e kisha menduar kurrë, se kam ikur me qëllimin për të gjetur një mundësi për të mos u kthyer më kurrë se më kishte kapur edhe mua antipatia për Shqipërinë, që mendoj se është bërë shumë sëmundje sociale përtej pamundësive ekonomike që njerëzit i shfaqin si arsyen kryesore të largimit. 

Unë jetoja në Genova, që është një qytet portual dhe ka ndër atraksionet e famshme botërore të saj, si Portofino, Cinque Terre dhe unë e kisha mundësinë të udhëtoja me tren dhe për t’i parë nga afër. Ishin bukuri të jashtëzakonshme, por që kur ktheja kokën pas, thoja “Portofino nuk ka asgjë më shumë se liqeni i Komanit ku unë jam rritur; nuk ka asgjë  më shumë Cinque Terre se Dukagjini, madje është shumë më i bukur vendi nga unë vij sesa vendi ku unë jam sot si turiste. Por ajo që i ka bërë të bukura edhe tërheqëse për tërë botën, është se njerëzit, vendasit në radhë të parë, i kanë dashur, kanë besuar në këtë vend dhe i kanë vlerësuar dhe i kanë çuar në nivelin që kanë merituar gjërat e tyre.

Dhe kur provoja kuzhinën italiane thoja, “Uau si bëjnë për spagetin këta italianët”. S’është ndonjë shkencë e jashtëzakonshme, por ne kemi ushqime që kanë histori shumë më të madhe nga pas, një traditë, një metamorfozë historike që zbërthen histori brezash edhe stilesh jete dhe ne i kemi harruar, i nënvlerësojmë, madje ndihemi inferiorë prej asaj që është e jona, që na përket.

Kjo më bëri t’i kthej më shumë sytë nga vetja dhe tek rrënjët dhe më bëri ta shoh me një sy krejt tjetër vendin nga unë vija. Vendosa të kthehem..

Kryeministri Edi Rama: Stop! Stop! Tani përpara se të kalojmë tek “vendosa të kthehem’’ dhe çfarë vendose të bësh, le të flasim pak për vendin nga ti vjen, për fëmijërinë, ku u linde ekzaktësisht, çfarë pe si fëmijë i vogël përreth dhe cila është familja jote?

Marjana: Unë kam lindur, se di a mund të quhet fshat se është vetëm një shtëpi, shtëpia jonë, në fshatin Nënplep që merr zona e Mollës së Shoshit, Dukagjinit, buzë Drinit. Sot i thonë liqeni i Komanit, pas ’85. Kam lindur në një familje malësorësh. Babai im Mark Molla ka qenë kapiteni i parë i liqenit të Komanit. Ka marrë pjesë edhe në ndërtimin e hidrocentralit. Nëna është marrë me bujqësi, blegtori  e punë shtëpie. Unë aty kam lindur dhe kam hedhur hapat e parë, madje tani që jam rritur më tregon nëna atë shkëmbin ku e kam marrë sapo kam nis të hedh hapat e parë që i kam ikur fshehtas. Ajo ka qenë duke prerë degë lisi për dhitë e për kecat, edhe ka dëgjuar një bisedë aty pas saj e ka thënë: “Ne s’kemi komshinj, kush është duke ardhur?!” Dhe më ka parë mua si një foshnje 1 vjeçare duke u zvarritur, por s’kisha tokë të sheshtë se aty jemi në shkëmb e jam ngjitur shkëmbit përpjetë. Si duket në atë bisedë kam qenë duke lidhur besën që kam për t’u kthyer një ditë, mu këtu tek rrënjët.

Kryeministri Edi Rama: Po pastaj shkollën ku e ke kryer se aty është fundi i botës?

Mariana: Është fiks fundi i botës. Ishim shumë me fat që të vazhdoja atë që nisa, që babai ishte kapiteni i parë i liqenit te Komanit dhe kemi pasur gjithmonë një varkë në shtëpi. Në 2011-12 filluan të vinin ata zbuluesit e parë po i them, të tokës sonë, turistët e huaj dhe në atë kohë nuk kanë pas punuar tragetet e huaj për në Valbonë e për në Fierzë. Nuk ka pasur absolutisht asnjë lëvizje, ishte vetëm një varkë, e babait në atë kohë. Dhe i pari, babai dhe i dyti vëllai im, Mario Molla e kanë nisur bashkë turizmin në tërë atë zonë të liqenit të Komanit, pionierë. Ka nisur me hapa shumë të vegjël, mimalistë që kur i thoje dikujt “na ka ardhur një turist’’, kujtoje se po gënjëje se ishte e pamundur të vinte një turist. Si mund  të vinte një turist në ato shkrepa? Çfarë kërkonte një turist aty, veç ndonjë i luajtur mendsh. Edhe kur ka folur vëllai për një të ardhme turizmi, e kanë marrë të gjithë për të marrë. Ky vend veç na ka bërë të vuajmë, nuk mund të bëhet vend turistik.

Mendoj që është e natyrës njerëzore, që kur je tërë jetën në atë gjendjen e surviving/mbijetesës, nuk mundesh të shohësh përtej, e sheh veten tek ajo bazikja, jo tek ajo magjia që ka përtej asaj dhe 5 vjet ka marrë turizmi për të patur një nivel njohjeje për të shkruajtur guidat ndëkomëbtare, librat, që aty ekziston një mundësi dhe ju mund të lëvizni.

5 vjet kanë qenë, të vetmit familja jonë që kanë operuar, s’ka qenë askush tjetër dhe lumi i Shalës që u bë aq i famshëm, u bë falë petullave sepse kur vëllai im i çonte turistët në Fierzë dhe i kthente, për të bërë diçka ndryshe dhe për të mos u mërzitur, në vend që t’i kthente në Koman, i kalonte nga kulla jonë. Nëna edhe unë bënim petullat me sheqer, unë hipja në varkë që t’ua shpërndaja 30-40 turistëve që ishin. Iu bëja pak story telling se ku ishim, ishim në shkrepa të një vendi që dikur ka qenë principatë dhe i kalonim në lumin e Shalës që kishte vetëm dhi të egra dhe flutura, asgjë tjetër, laheshin dhe ktheheshin në Koman. Ky ishte turi që kemi pas bërë në atë kohë dhe ashtu u bë i famshëm lumi i Shalës dhe liqeni i Komanit. 

Kryeministri Edi Rama: Shkolla?

Marjana: Në vitin 2000 kam lindur, jam e vogla e shtëpisë. Babai dhe nëna vendosën që për shkak të mungesës së shkollës edhe të një ambulance, një sistemi shëndetësor jo të mirëfilltë po as bazik, nuk ekzistonte fare, të lëviznin në Shkodër. Unë jam me fat që kam lindur në 2000 sepse vëllezërit dhe motrat që janë më të mëdhenj se unë, ata kanë bërë 1 deri në 2 orë ngjitje, veç vajtje në ato shkrepa se territori jonë është as pjerrtë, as jashtë, “thikë përpjetë” themi ne, si në verë, si në dimër nëpër borë për të shkuar tek një shkollë e fshatit të paktën për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë dhe i merrte babai prapë në darkë. Pra, një sfidë e jashtëzakonshme që as unë nuk mund ta imagjinoj edhe pse ata ma thonë vetë. Ata vendosën që të paktën fëmijës së katërt t’i japin një mundësi ndryshe, me qëllim që edhe të tjerët të fillonin shkollimin dhe kemi jetuar mes Shkodrës dhe Dukagjinit.

Kryeministri Edi Rama: Pastaj erdhi momenti që u shkëpute nga shkrepat edhe zbrite..

Marjana: Unë u shkëputa me qëllimin mos të kthehem kurrë më se këta shkrepa ma kanë marrë shpirtin.

Kryeministri Edi Rama: ..Zbrite në bulevardin e Tiranës..

Marjana: Zbrita në Tiranë... Përballja e parë ishte Tirana.

Kryeministri Edi Rama:  Ku fillove studimet?

Marjana: Tek Universiteti Barleti. Për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Nëna më thoshte: “absolutisht që ti nuk do të bëhesh politikane, jo, nuk do t’i hysh ti asaj rruge’’.- Ça ka moj nënë po të bëhem? Dikush duhet të bëhet. Njerëzit do ta bëjnë edhe politikën edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. - S’ka mbetur tek ne kjo të bëhet, le ta bëjë dikush tjetër’’. 

Kishte frikë, frikë se mënyra se si transmetohet në media, promovimi e gjëra të tjera.  Thoshte një gjë tjetër që të mban më afër nesh, më afër rrënjës, më me këmbë në tokë, se aty kam frikë se fluturon, thoshte e nuk kthehesh më’’.

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka pasur edhe shumë faj sepse për fat të keq politika është shpikja, sipas meje, më e bukur që ka bërë njeriu sepse pa politikën njeriu nuk do të kishte bërë asgjë në aspektin e bashkimit të forcave, të organizimit shoqërore edhe të adresimit të problemeve që shqetësojnë njeriun, por që njeriu vetëm s’i zgjidh dot kurrë. Natyrisht, politika ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Pa politikën s’do ekzistonte Europa e sotme, s’do ekzistonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, s’do ekzistonin të drejtat e njeriut, s’do ekzistonte barazia si parim mes burrit dhe gruas, s’do ekzistonin spitalet, s’do ekzistonin shkollat, asgjë, por ka bërë edhe dëme shumë të mëdha sepse politika e ka krijuar dhe “shtratin” e diktaturave, të genocidit, etj

Marjana: E thotë edhe Hobbes “Homo, homini lupus’,  njeriu është ujk për njeriun, kështu që ...

Kryeministri Edi Rama: Politika kur është ajo për të cilën është krijuar, i kthen ujqërit në njerëz, kur përdoret për t’i bërë njerëzit ujq, bën katastrofa. Megjithatë, ti nuk e dëgjove nënën në fazën e parë dhe the “unë do fluturoj, nuk do kthehem më në këto shkrepa” dhe futurove, ike.

Marjana: Ika.

Kryeministri Edi Rama: Me mesimë më kanë thënë që ke qenë shumë e mire. 

Marjana: Kam mbaruar me ekselencë

Kryeministri Edi Rama: Dhe pasi bëre gjithë këtë të themi vëzhgim të kujdesshëm të Europës edhe kuptove që ok, është shumë e bukur, por jo gjithçka është flori dhe jo çdo dritë që shkëlqen është pa hijen që lëshon, atëherë vendose të kthehesh. Mirëpo vendose të kthehesh edhe u ktheve te shkrepat. U ktheve te shkrepat, ku i ke dhënë jetë një bujtine që e ke quajtur Neomalësorja. 

Marjana: Kam qenë duke udhëtuar në Stokholm edhe më atë kuriozitetin tim për të zbuluar gjithçka aty ku shkel, nga ana kulturore, antropologjike. Antropologjinë e kam pasur, e kam akoma shumë adhurim dhe kryesisht ngaqë vij nga një vend me një antropologji shumë të pasur, një etnografi, një folklor të jashtëzakonshëm. Mendoj që Dukagjini është një laborator i jashtëzakonshëm europian për këtë veçori. Folklori antropologjik natyror dhe etnografik. Isha duke udhëtuar në Stokholm dhe në urban po dëgjoja një muzikë që e kam dëgjuar kur kam qenë e vogël në Shkodër dhe u habita. Si ka mundësi që në Stokholm unë po dëgjoj një muzikë të tillë që zakonisht nuk e luajnë. Dhe aty njoha një kosovar me origjinë prej shkrepave tonë që kishte lëvizur për arsye të gjakmarrjes para shumë dekadash në Suedi. Mu duk aq interesante. Thashë: A jam duke i ndjekur unë këto raste apo janë duke më ndjekur këto histori mua, për një arsye, diçka ka këtu që unë duhet të përballem me të. Thashë: Unë do të nis një blog ku të shkruaj të tëra këto short stories, histori të shkurtra që unë kam regjistruar me pleqtë e zonës time here pas here dhe me këto ndodhi kaq të bukura që po më ndodhin gjatë udhëtimeve të mia me qëllimin që të ndez xixa ose tja bëj të ditur sidomos brezit tim ekzistencën e këtyre historive, e këtyre njerëzve dhe këtyre vlerave të vendit prej nga vijmë. Thashë historitë i kam, por pres për emrin e duhur dhe pa marrë emrin e duhur, “eureka” brenda meje, unë skam për ta nisur, blogun e asnjë gjë. Prita dhe më erdhi Neomalësorja rastësisht dhe thashë: kjo është ajo që unë jam. Një vajzë që ka përshkuar një udhëtim dhe ka mësuar, është ribërë, ka fituar, ka lënë mbrapa dhe gëra që s’kanë qene të nevojshme t’i ketë dhe është kthyer edhe një herë andej nga ka dalë. Rikthim tek rrënja është koncept që e fton sidomos rininë, njeriun në përgjithësi po sidomos rininë për t’i forcuar lidhjet me natyrën, për të njohur identitetin prej nga vjen dhe nëpërmjet të tërave ajo çfarë është. 

Kryeministri Edi Rama: Po kur u ktheve dhe i the nënës - meqë e bëmë nënën personazh, - që u ktheva dhe tani dua të hap dyert e një bujtine, çfarë tha? 

Marjana: Babin nuk e kam prej disa vitesh dhe ka qenë më e vështirë jetesa në ato vende. Nëna ishte gati më thoshte, “Po ti tani ccfarë do këtu?” Ne u lodhem për të dhënë një dorë, për të dhënë një mundësi më të mirë në Europë, t’u hapën disa dyer që nuk i hapen gjithkujt, tani do të kthehesh. A e ke menduar mirë? Se nuk ështe për të eksperimentuar kaq shumë. I thashë, unë e ndiej brenda meje këtë thirrje që unë dua të vij dhe të jetoj aty dhe po ia nis, e re jam në fund të fundit. Kam qenë 21 vjeçe. Dua të vij i thashë. Babi na ka lënë një kullë të jashtëzakonshme, edhe gjyshi na ka lënë një shtëpi po ashtu të vjetër. Isha me fat që jam rritur me turizëm. Ka rastisur të shoh kultura nga të gjitha vendet e botës, isha rritur pak me stil hipi, nuk isha krejt malësore, isha dhe pak hipi, midis atyre shkrepave. Edhe e kisha aftësinë brenda vetes për të ëndërruar se në këtë vend mundemi të zhvillojmë një turizëm fantastik, duke i qëndruar besnik identitetit tonë edhe kulturës edhe nuk ka nevojë të jetë me shtesa të jashtëzakonshme. Mundet të bëjmë diçka të bukur dhe të thjeshtë. Na kishte ndihmuar shumë feedback-u i turistëve për të kuptuar këtë gjë. Ka nisur me një restaurim shumë bazik të kullës. Ne kemi dy oda te  kulla e babës që e ofrojmë për turiste familjare dhe e kemi ruajtur siç ka qenë dikur, banjën e kemi mbajtur jashtë dhe për turistët kjo është një eksperiencë më vete. Thonë: Uau kjo është eksperiencë e bukur. Sepse ti çohesh natën, del në banjë, me këtë rrugë sheh dhe yjet që nuk i sheh askund tjetër siç i sheh atje. 

Kryeministri Edi Rama: Më kujtove historinë e një mikut tim shqiptaro-amerikan që ka qenë shumë i vogël kur prindërit e tij kanë emigruar në SHBA edhe atje flet shqip  disi dhe ra në dashuri me një vajzë që nuk kishte idenë se kush ishte Shqipëria dhe i tregoi Shqipëria është këtu e Shqipëria është aty. Dhe kur vjen për ta prezantuar me gjithë fisin, ajo kërkon të shkojë në banjë. Banjo ishte jashtë. Ishte dhe errësirë edhe ajo u pataks dhe mendoi që ky po bënte shaka apo po bënte ndonjë lojë. Mirëpo për fat - tha - atë natë kishte një hënë shumë të ndritshme edhe e çoj te dera dhe i thashë: Sweetheart, shikoje hënën. Është shumë e lezetshme kur e tregon ajo sot historinë sesi u tmerrua dhe thoshte: Ccfarë hëne të shikoja, unë shihja hënën dhe kisha hall se po më hante ujku dhe nga brenda i bërtisja: Are you there? – Po, po këtu jam. Po është e vërtetë që ruajtja e këtyre detajeve të së kaluarës bën diferencën se po të jetë për atë që ata e gjejnë kollaj në anën tjetër të rrugës, s’kanë pse të vijnë deri në fund të botës. Pastaj përveç kullës keni dhe një tjetër pikë. 

Marjana: Shtëpia e gjyshit. 

Kryeministri Edi Rama: Sa distancë kanë nga njëra-tjetra? 

Mariana: 5 metra. 

Kryeministri Edi Rama: Pastaj bëri bujë në Financial Times. 

Marjana: Kemi pasur gazetarët e Financial Times që erdhën në prill. Ne ishim ende duke mbjellë tokën, duke u bërë gati për sezonin. Kemi pasur dy gazetarë, njëra ishte skoceze edhe tha: mua me jepni një lopatë dhe një kazmë se dua të mbjell kopshtin me nënën tha. S’mund e shoh dot nënën duke punuar vetëm, dua të mbjell edhe unë drithin. Ajo punoi dy orë në kazmë. Tani unë dua të lahem tha po dua të lahem si lahen malësorët, si laheni ju tha me govata. Ky është një realitet që ndoshta shqiptarët nuk janë ende gati ta përqafojnë sepse është një realitet që s’kemi shumë kohë që jemi ndarë prej tij. Në përgjithësi për shqiptarët nuk është ndonjë gjë uau se s’kanë shumë që kanë dale nga ky realitet, duke vuajtur dhe unë e mirëkuptoj. Por për të huajt është një perlë. Dhe unë mendoj që për të bërë një turizëm të mirë nuk është nevoja jo të kopjosh, por as për të marrë fort për bazë kushtet që ka Italia apo Austria apo ndonjë vend tjetër. 

Kryeministri Edi Rama: Tani i ke me rezervime dhomat? 

Marjana: Po patjetër.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është kështu tani që “hajde aty dhe futu brenda se ka vend”. 

Marjana:Jo, s’ka qenë kurrë ashtu. E kemi dashur aq shumë sa ia kemi dhënë dinjitetin qysh ditën e parë. 

Kryeministri Edi Rama: Jo, e kam fjalën që ke kërkesa. S’ke më vende të lira? 

Marjana: Ne jemi të kufizuar me kapacitete se tre dhoma familjare kemi, por që ka patur shumë kërkesa. Eshte e para dhe e vetmja kullë e hapur për turistë në atë zonë. 

Kryeministri Edi Rama: Më ka premtuar një miku im jashtë shtetit, por ka shumë vite që më ka premtuar, që kur nuk isha fare në këtë punë që do të çoj në një restorant  që është një ndër restorantet më ekskluziv të botës edhe ishte një restorant me 4 tavolina. Vetëm 4 tavolina dhe po ta shohësh është gjëja më e thjeshtë në botë. Mirëpo asnjëherë s’është bërë e mundur dhe asnjëherë s’kam për të shkuar kam përshtypjen sepse çfarë mund të them unë kur ai merr në telefon dhe thotë: është një tavolinë në javën e tretë të janarit të 2027, si ta vendos unë këtë gjë? Kështu që mund të kesh numër të vogël, por mund të ngresh pjacën ndryshe. Megjithatë unë jam i bindur që ti nuk do rrish te numrat e vegjël.  Çfarë ambicie ke? Si e sheh ti veten pas 10 vitesh, atë “Neomalësoren”, flas për bujtinën. 

 

Marjana: E mendoj shpesh dhe është thikë me dy presa kur e mendon pjesën e zgjerimit. Është pak me spec sepse unë jam nisur prej një historie, me qëllim që çdo turisti që të vijë të mos ikë pa e ditur historikun e familjes tonë, zonës tonë, edhe për t’u kthyer pas në kohë nëpërmjet asaj që sheh, që prek dhe asaj që i them unë, asaj historie që sjellin në tavolina për të konsumuar, por edhe asaj që i them unë më tej. Nëse numrat rriten do jetë e vështirë për të ofruar një eksperiencë kaq “të egër” dhe kaq natyrale që pak kund gjendet në botë. Por, që nga ana tjetër ndien edhe nevojën, jo vetëm ekonomike, por edhe mundësinë për t’u ofruar më shumë njerëz. Unë per veten ndihem në faj kur më duhet të refuzoj  tërë ata njerëz që vijnë për herë të parë dhe nuk vijnë kurrë më në Shqipëri, nga Australia, nga vende të ndryshme dhe shqiptarë emigrantë që kthehen shumë rrallë dhe thonë “dua shumë të vij aty të ha një drekë dhe të shoh yjet natën. Ndihem në faj kur duhet t’i kthej mbrapa pas gjithë kësaj dëshirë që kanë. Mendoj që është diçka që duhet menduar mirë, është më shumë mendim sesa punë fizike për ta ndërtuar. 

Kryeministri Edi Rama: Aty sipërfaqja është pafund. 

Marjana: Malet po, ndërsa te zona që kemi ne si tip gadishulli është pak e kufizuar. 

Kryeministri Edi Rama: Se po mendoja mund të ndërtohet një itinerar me pika të ndryshme, në stacione të ndryshme.

Marjana: Na ka penalizuar pak pjesa e të qenurit kaq të izoluar dhe problemet që kemi here pas herë me energjinë elektrike se tani në korrik erdhën dritat dhe një stuhi, një erë i lëviz. Pak është problematike edhe pjesa e rrugës së Komanit që s’është në kushtet optimale. 

 Kryeministri Edi Rama: Nuk e di, ke qenë në këtë Eko resortin e Nivicës në Tepelenë?

Marjana: E kam dëgjuar nuk kam qenë akoma.

Kryeministri Edi Rama  Është një spektakël, edhe në fakt është edhe një mësim për shumë shqiptarë që kanë pronë, kanë shtëpinë e vjetër të stërgjyshit, a të gjyshit të abandonuara në pika që duket sikur është e kotë që ta mendosh se diçka mund të ndodhi ose mund të investosh, jo lekë, po të investosh qoftë edhe një ditë për t’u munduar për të bërë diçka, sepse të mëson që e kundërta është e vërtetë. Ata kanë marrë një pikë shumë të bukur atje, që ishte që në atë zonë ajo është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë për mua është një Malësia  e Labërisë le të themi dhe nuk shkonte askush. Sot, atje ata janë me rezervime është shumë vështirë, pak fare mos gabohem kanë nja 10 a 12 shtretër maksimumi, kanë përdorur këto tendat e safarit.Është gjithçka ekologjike, ajo mikroqelizë po themi aty mund të çmontohet brenda ditës nuk ngelet asgjë dhe natyra është e paprekshme.

Dritat atje në atë zonë prapë janë me probleme për shkak të rrjetit, ushqimi është çdo gjë aty, domethënë çfarë ka aty, nuk ka fare gjëra të marra andej-këtej dhe ata janë njerëz të pasur që e kanë bërë atë gjë. Dhe aty vijnë njerëz të pasur nga Suedia, nga vende të tjera, pikërisht për eksperiencën që nuk e gjejnë diku tjetër dhe kur më ftuan që do të bënin atë hapjen më erdhi shumë zor - e kam treguar biles diku, - dal nga rruga, është ndërtuar rruga deri lartë, por nga rruga kryesore po të themi deri tek ata nuk e di mund të jetë 2 km apo1 km e gjysëm, por ama është një rrugë, s’është rrugë fare është një shteg, ku nuk e di, mund ta kem bërë për 20 minuta a 25 nuk e di  ishte një tmerr si rrugët e Shqipërisë, shumë kohë më parë.

U ndjeva aq keq, mora në telefon këta njerëzit që merren me këto punë, i thashë ore ça bëhet domethënë duhet ta shikojmë këtë punë se është turp tani këta bëjnë investim. Arrije atje dhe isha me atë zorin që tani e vetmja gjë që mund të bëja për ta ishte rruga, rruga s’ishte bërë dhe ishte siklet i madh. I them shiko më vjen shumë keq nuk e kam ditur situatën e rrugës, ju asnjëherë nuk e keni ngritur. Çfarë rruge tha? Jo, në asnjë mënyrë - tha - të lutem jo, jo se i thashë i telefonova që të vinë ta shohin. Nuk e duam – tha - sepse ç‘kuptim ka, ne ju ofrojmë këtë eksperiencë dhe kush vjen këtu duhet të hyjë në këtë eksperiencë edhe nga rruga pra, del nga civilizimi i të gjitha gjërave të bëra gati dhe i turizmit që është me komplet tjetër profil dhe hyn në një tjetër botë. Është një eksperiencë, nuk e duam rrugën. Me këtë nuk dua të them që s’duhet bërë rruga e Komanit, përkundrazi, por po them që ky turizëm i eksperiencës është një profil krejt tjetër dhe ti e di më mirë se unë.

Marjana: Është i paçmueshëm, por kur bashkëjeton akoma me dhen, aty janë rreth 50 familje aty që e bën edhe më të vështirë pjesën e lëvizjes ditë për ditë, njerëz që duan të vijnë për ture ditore, ka një diskutim më të gjerë si pjesë. Por unë, gjej rastin për t’ju falenderuar për rrugën e Dukagjinit që duhet ta themi që jeni i pari kryeministër që po e merrni seriozisht për t’i dhënë jetë kësaj zone dhe për t’i çelur shtegun drejt të ardhmes që meriton dhe pastaj kur të kryhet kjo rrugë do t’i hapin taman atë diapazonin, ato dritaret për të zhvilluar turizëm të shumanshëm, zonës së Dukagjinit.

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi pësuar një proces invers. Dikur ne i kemi qëndruar shumë larg detit shqiptarët, shumë larg dhe po të shohësh është në të gjithë zonën e Mesdheut është një vend është një copë kjo e jona, ku nuk ka një traditë peshkimi për shembull. Të tjerët qoftë veri, qoftë jug, qoftë përballë kanë patur një traditë peshkimi shumë të vjetër edhe ne kemi qenë gjithmonë të tërhequr nga deti sepse kemi dashur të mbrohemi. Kemi qenë vazhdimisht nën ankthin e sulmit dhe kemi jetuar në male përgjithësisht. Mirëpo kur kemi filluar të hymë në një proces, si të thuash civilizimi dhe përzierje me botën kemi filluar të zbresim pak nga pak dhe praktikisht në këtë periudhë historike jemi mësuar me idenë që Shqipëria është det, turizmi është det dhe pasuria jonë është deti. Ndërkohë që, unë kam patur fatin që përmes kësaj pune ta shoh Shqipërinë kudo, që kurrë nuk do ta kisha parë dhe kurrë, kush, hiç fare nuk e ka parë siç e kam parë unë për shkak të punës dhe unë mendoj që pasuria jonë më e madhe është nëpër male.

Pra është gjithë ajo zona e virgjër, e paprekur që kur t’i vijë mendja, në kuptimin, më shumë sesa këtyre dallëndysheve të para si ti, e të tjerë dhe më shumë sesa pionerëve të kësaj pune dhe kur t’i kthehen maleve për t’i nxjerrë në ato potenciale, për t’i kthyer në në ekonomi, Shqipëria do të jetë një spektakël i kompletuar pastaj sepse deti e ka marrë rrugën e vet. Malet janë shumë më të vizituara, sesa çfarë duket për ata që nuk e dinë. Ka shumë vizitorë në malet tona, por turizmi i klasit të lartë në male nuk është akoma dhe më vjen shumë mirë, jashtëzakonisht shumë mirë që këta pionerë, ky hyn dhe ti e këto dallëndyshe të para, le të themi, janë shumë, sidomos ata që kanë ardhur nga jashtë shtetit, janë shumë të qartë, janë shumë shumë të qartë. P.sh ai Buni i Bajraktarit është një spektakël, domethënë nuk bëjnë si majmuni që pashë atje dhe po e bëj këtu, jo! Po vijnë këtu dhe nxjerrin në pah atë që kanë parë këtu me sy tjetër, duke kuptuar që luksi nuk është mermeri dhe ato kolonat e tmerrshme sikur janë të lashta dhe ato tavanet e varura me gipse, që harxhojnë çmendurira për atë shije brutale, por luksi është diçka krejt tjetër. Luksi është të kesh mundësinë e një eksperience speciale.

Dhe faktikisht në një kuptim, ajo që bën ti ose ajo që ndodh në thelb është rruga drejt një turizmi luksi, por këto kërkojnë edhe disa komponentë të tjerë që të sjelli turistët e gamës lart që konsumojnë shumë, por që nuk janë shumë të gatshëm që të lahen me kovë për shembull, ose janë shumë të gatshëm të lahen me kovë, të lahen një herë me kovë, pastaj ditën tjetër të kenë mundësi të kenë banjon e ngrohtë, me ujë të ngrohtë, etj, etj.  Kështu që, unë kam bindjen këtë që, në momentin  që Shqipëria do arrijë që në këtë territor kaq të vogël, ku Zoti i ka mbledhur bashkë, “Si me i pas bërë për telha kur i thonë”, sikur e ka bërë ditën e diel Shqipërinë, ka qenë pushim, dy dete, gjithë ato lumenj, male, kodra të jashtëzakonshme, pllaja, po janë në një territor shumë të vogël. Unë nuk hy te ata që thonë ky vend... 

Marjana: Kjo është ajo që i impresionon më shumë të huajt. 

Kryeministri Edi Rama:  Ky vend, ska si ky, se të tjerët si kanë. I kanë! Po i kanë larg, kurse ne kemi të gjitha në një vend shumë të vogël. Ti je në plazh në kulmin e vapës dhe për pak kohë ti ngjitesh në mal, në Llogora, ose..

Marjana: Ke Shkodrën që për një orë ke detin, ke alpet, liqenin, kodrën, lumenjtë.

Kryeministri Edi Rama:  Shkodra është shëmbëlltyra më spektakolare e tragjedisë së,  e para e historisë brutale dhe e dyta e tragjedisë së injorancës në vendimmarrje, sepse Shkodra p.sh është, - nëse vazhdojmë i shkojmë asaj që Zoti e ka marrë e bërë ditën e diel Shqipërinë dhe e ka bërë për telha, unë mendoj se Shkodrën pasi ka fjetur pak në zheg, është ccuar dhe ka bërë Shkodrën. Është spektakël! Spektakël i magjisë së krijimit, por gjithësesi kemi dëmtuar, një pjesë aty ku kemi prekur, sidomos në vitet ’90-2000 edhe pak më tutje, por kemi shumë dhe e mira që shoh unë është që njerëzit kanë filluar ta ndjejnë, ta kuptojnë, se isha në Ksamil edhe atje është një potencial mjaft i madh, po ka një vetëditje shumë të madhe të njerëzve “që shiko, duhet të ndryshojmë lojën sepse mund të fitojmë më shumë”. Dhe e kuptojnë që nuk duhet të vazhdojnë të insistojnë në këtë, por duhet të investojnë, të përmirësojnë, të rrisin cilësinë. Edhe të shohësh lokalet nëpër Shqipëri janë spektakolare. Lokalet kanë shije, ka filluar një erë tjetër. Por në momentin kur do hyjnë malet në këtë lojë, kur malet të hyjnë me të gjithë potencialin e tyre në dispozicion të zhvillimit, atëherë Shqipëria do të jetë e pakonkurueshme, sepse brenda një kohe shumë të shkurtër, në distanca shumë të shkurtra do mund të ofrojë gjëra që janë komplet të ndyshme nga njëra – tjetra. 

Marjana: Me turizëm besoj diçka, që kur vjen puna për të ndërtuar ose zhvilluar një projekt ose për t’i dhënë jetë një zone, nuk është e nevojshme të shohësh anash. Neve na mjafton të shohim mbrapa, çfarë kanë bërë të parët tanë, arkitekturën që kanë pasur, ato gatimet modeste në përbërje, dy tre gjëra, pra për t’u fokusuar tek rrënja, për të nxjerrë nga pluhuri atë që ne vetë e kemi mbuluar me pluhur.

Kryeministri Edi Rama:   Nuk do të ngacmoj te pjesa e shpenzimit sepse jemi akoma në një fazë ku një pjesë e gjërave nuk thuhen, por do të ngacmoj për diçka tjetër, sepse kjo është gjëja që më irriton më shumë brenda vetes, jo se nuk i mirëkuptoj ata që ikin, - ose thonë po iki ta provoj njëherë. I mirëkuptoj plotësisht dhe mendoj se kur një njeri është 20, 25, 30 është në të drejtën e vet që të thotë që bota është shumë më e madhe sesa kjo pjesë që mu caktua mua dhe unë dua ta shoh e ta pushtoj botën, i mirëkuptoj, - por nuk duroj dot pjesën që “këtu jo, këtu s’ka”, sepse nuk është e vërtetë dhe pastaj kur mendoj që sa shumë njerëz janë sot e gjithë ditën që punojnë në emigracion, që punojnë shumë fort, se një pjesë, një pjesë e vogël që bën spektaklin, që bën zhurmën, që bën dhe si të thuash lajmin e keq merren me gjëra të zymta dhe me fitimin e lehtë, por një pjesë e madhe punojnë shumë fort dhe unë mendoj që kush është i ri, kush ka energji, kush ka kapacitete fizike e mendore që t’ia vërë në dispozicion punës, kudo qoftë në emigracion, një pune të ndershme, ,por që është një punë me të ardhurat e zakonshme atje, e ka këtu në cilindo mal, në cilëndo luginë, në cilindo cep apo qoshe të humbur të Shqipërisë një copë tokë apo një gërmadhë dhe nuk i kushton vëmendjen dhe punën për të investuar, harron ose nuk kupton ose nuk ka parasysh diçka shumë të thjeshtë: fiton kështu më shumë se sa me atë punën e përditshme, të lodhshme, që është një punë që nuk e bën për kënaqësi por e bën se duhet të marrësh lekët që ti çosh në shtëpi, pa asnjë diskutim. Pra, nëse kursimet vendosen këtu, për këtë gjë, të sjell të ardhura më shumë se sa çdo lloj page e zakonshme në çdo lloj punëtorie apo fermer ku shqiptarët ofrojnë krahun e punës dhe një farë kualifikim. Nuk flas për ata që kanë biznese jashtë apo punë specifike të veçanta. Ata nuk janë shumica, pra është e vetmja gjë që më axhiton, prandaj unë desha shumë që të kisha këtu e jam shumë mirënjohës që erdhe sepse është një privilegj dhe një nga privilegjet më të mëdha të punës që bëj unë është që të sjell puna mundësinë të takosh njerëz për të cilët, si të thuash, duhet të paguash që ti gjesh, e që jeta nuk ti sjell nëse je fushë tjetër e të falënderoj shumë për këtë. Këtu dua kontributin tënd për ta mbyllur këtë bisedë. Thashë, nuk do të ngacmoj sa fiton, por për të thënë ti si dëshmitare që vjen pikërisht nga të dyja eksperiencat se si do ta shohin ata që po të dëgjojnë tani e që hyjnë tek ata që e kanë një mundësi të tillë. Idenë jo që domosdoshmërish të kthehen menjëherë por dhe që të kthejnë sytë e të thonë, ok, vetë nuk po kthehem se dua ta shoh njëherë, por atje do t’i vë disa kursime të miat e atje do të vë disa njerëz në punë, të afërm, komshi apo ku di unë se çfarë.

Marjana: Unë e them me bindje që Shqipëria është një rast i jashtëzakonshëm prej potencialeve që ka. Është një thesar akoma i pazbuluar. Po citoj çfarë ka thënë një gazetar anglez para një shekulli, që thoshte shqiptarët shkelin këmbë zbathur mbi ar, e nuk e kuptojnë çfarë kanë poshtë këmbëve dhe ne akoma nuk e kemi kuptuar. Unë uroj që të jemi brezi jonë edhe pse masivisht në ikje, është bërë psikozë dhe si sëmundje që ngjitet. Mendoj që ka ardhur koha e është koha më e jashtëzakonshme që të rinjtë të shohin një mundësi për të investuar në vend. Gjej rastin t’i kërkoj dhe qeverisë suaj që të ndihmojë rininë me start-up, me financime, me një kredi të butë që sado pak t’i japë atë iniciativën që në fund të mos thonë është faji i shtetit, por një mundësi po ma japin dhe mua që ta hedh hapin e parë pastaj me forcat e veta të gjithë. Është një ftesë që unë e bëj përmes rrjeteve të mia sociale dhe përfitoj ta bëj edhe këtu. Duhet të kthehemi sa nuk është vonë se me të vërtetë nuk ka si Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama: Më kujtove një bisedë. Në përpjekjen për të sjellë njerëz që të investojnë në Shqipëri, në turizëm sidomos, që ka qenë diçka shumë e mundimshme deri para 4-5 vitesh se edhe kur të dëgjonin, e kuptoj që nuk vinin. Ka shumë, por një nga ata që kisha takuar para 4 vitesh dhe i kisha thënë shikoje se Shqipëria kështu e ashtu. Më priti shumë mirë, më dëgjoi dhe më tha jam shumë i zënë, nuk kam mundësinë të fus Shqipërinë në planet e mia. Më merr në telefon këtë verë dhe më thotë, dua të vij në Shqipëri. Të shoh, se është bërë e pamundur, ngado që kthehesh, kudo që hapen biseda për këto kufijtë e rinj të turizmit është Shqipëria. I thashë, po kur të duash. Jo tha, nuk dua të vij në Shqipëri për pushime, dua të vij në Shqipëri se dua të shoh çfarë mund të bëj në Shqipëri. Por a nuk je i zënë i thashë unë? Tha, unë i zënë jam, por dua të vij para se Shqipëria të jetë e zënë për mua. Dhe besoj shumë që të gjithë shqiptarët që vënë këtë bast për Shqipërinë sot, sidomos në fushën e turizmit e të agroturizmit e sidomos ata që kanë këtë mundësi nëpër zona që thashë që duken si ta paarritshme por që janë shumë të arritshme pikërisht sepse janë të paarritshme, është një bast pa risk. Është e sigurt që është një bast fitues dhe kur të kthejnë kokën do thonë, bëra mirë që u kujtova. Të falendeorj shumë për punën, për të gjitha. Nuk e di si mund të të ndihmojmë e çfarë mund të bëjmë. Edhe për këtë pjesën e mbështetjes së të rinjve kemi bërë çfarë kemi mundur. Më shumë duhet gjithmonë por është përtej kësaj. Ti kur je kthyer nuk ke pyetur a ka shtete apo nuk ka shtet dhe a do t’ia dijë shteti që ekzistoj.

Marjana: Janë nevoja që lindin rrugës. Gjej hapësirën për të thënë që është shumë e rëndësishme dhe pjesa e legalizimit të pronave në zonat tona. Të jetosh në një kullë shumëvjeçare që është ndërtuar me breza e të ndihesh e pasigurt për të investuar.

Kryeministri Edi Rama: Ndoshta nuk të ka ardhur informacioni atje, por këtë e kemi tejkaluar dhe  tani janë procese që bashkitë po i bëjnë. Ka vështirësi sepse duke pasur parasysh që në disa nga zonat e veriut, por ka dhe në pika të tjera që nuk e kanë pranuar 7501, se nuk i është dashur se kanë pasur mirëkuptimin që kjo është toka ime, kjo është toka jote dhe harroje 7501 dhe kanë mbetur zona që janë ndarë më përpara dhe nuk ka njeri aty për shembull që vjen konteston pronën e babait tënd, por njëkohësisht nuk janë të regjistruara sepse nuk i kap asnjë ligj. Kemi bërë këtë ligjin  e ri, i cili sidoqoftë ka disa parakushte që kanë të bëjnë me pranimin, jo më pranimin me sy, por pranimin me dokument të të gjithë fqinjëve që po, ky e ka këtu, unë e kam këtu dhe kjo po na krijon disa vështirësi sepse një  pjesë janë jashtë, një pjesë fillojnë shmangen. Por në rastin e pronës tënde është lehtësisht e bëshme sepse ti je një zonë që nuk jeni një komunitet i madh, jeni një komunitet i vogël dhe është lehtësisht e bëshme dhe më mirë që ma the se mund ta bësh pastaj dhe një temë të blogut që të thuash si e bëre e si duhet ta bëjnë të tjerët, se kur flet qeveria, gjithmonë shihet me syrin që, bukur e tha, por ka diçka këtu. Kurse kur e thotë dëshmitar, mund ta gjykojnë që hë se kjo doli te podkasti apo tek facebook-u i këtij e tani u bë patronazhiste, megjithatë ndryshe kur e thua ti, ndryshe kur e them unë.

Marjana:Gjithsesi të presim të përjetosh këtë eksperiencën me yje, si turist.

Kryeministri Edi Rama: Unë është e sigurt që do vij, sa jam i sigurt që nuk keni aty një krevat për gjatësinë time, por nuk ka problem sepse e di unë si bëhet, se vihet te krevati një stol dhe 2-3 qilima të mbledhur ose jastëk e kështu nuk kam problem. Se kështu kam kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës që kur u zgjata e nuk kishte më mundësi aty në shtëpi aty ku flija unë se flija një divan dhe vihej një stol aty.

Marjana: Nuk e kemi problem se gjatësia është karakteristikë fizike e malësoreve të Dukagjinit.

Kryeministri Edi Rama: Kam parë malësorë të Dukagjinit që janë më të vegjël se ty. Se më duket se kjo puna e gjatësisë është pak si mit, por gjithsesi rrugën e Dukagjinit do ta bëjmë patjetër, është një nga këto çekanët më të fortë që më kanë rënë në kokë sa herë që kaloj andej, por gjithsesi si test dashuri apo besimi, ose si test përfilljeje që ky nuk na do ne, prandaj nuk e bën, mirëpo kur jen në këtë punë, të gjithë janë në të drejtën e tyre të kërkojnë gjithçka e ti je në pamundësinë për t’i bërë të gjitha. Po i erdhi rradha edhe rrugës së Dukagjinit, falë edhe Benetit me thënë të drejtën, sepse më kujtohet kur i thashë për të kandiduar në Shkodër, sepse ishte një bast shumë i vështirë, më i vështirë se sa të kthehesh e të investosh kursimet në agroturizëm. E më tha 2-3 gjëra, e më tha më jep fjalën, se e di që kur unë jap fjalën e mbaj. Më jep fjalën tha për rrugën e Dukagjinit sepse përndryshe është e kotë e mbi të gjitha nuk do doja kurrë që ta thoja dhe pastaj të ngrija duart lartë se mund ti them që shiko se kështu më tha ai i gjati, por puna është se atje më marrin mua për budalla më tha, nuk të marrin ty që më fute, e pastaj nuk e bën.

Mund të vazhdojmë të flasim gjatë me sa kuptoj sepse kemi një sinergji natyrale, por unë do vij atje.

Marjana: Të presim.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Kjo ishte neo malësorja, studiuesja e shkencave politike, e apasionuar pas antropologjisë, e diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare, që vendosi të bëjë një xhiro të botës e të ndalet aty nga u nis, për të nxjerrë arin nën këmbët e saj, pasi ndër shekuj askush nuk pati mundësinë ta shihte ose nuk e pa dhe u largua. Gjithë të mirat!/ CNA





Lajmet e fundit nga