web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Prokurimet e hapura dhe të qëndrueshme në Evropë/ Balluku: Shqipëria, vend i sigurt për investitorët

15 Qershor 2023, 14:15, Aktualitet CNA

Prokurimet e hapura dhe të qëndrueshme në Evropë/ Balluku:

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, në konferencën ndërkombëtare, organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e 26 vendeve, Prokurimet e hapura dhe të qëndrueshme në Evropë ka deklaruar se falë reformave të ndërmarra nga qeveria, Shqipëria është një vend i sigurt për investitorët.

Balluku thekosi se sipas raportit vjetor të vitit 2022 të Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik.

Sipas Ballukut me reformën e bërë në sistemin e prokurimeve dhe në klimën e biznesit duke krijuar konkurrencë të drejtë, duke krijuar transparencë në të gjitha proceset dhe duke shkurtuar kohët burokratike të proceseve përmes sistemeve të dixhitalizuara, Shqipëria është bërë një vend më atraktiv.

Deklarata e Belinda Ballukut:

Sipas raportit vjetor të vitit 2022 të Komisionit Evropian, Shqipëria ka bërë një përparim të mirë, veçanërisht sa i takon vijimit të procesit të miratimit të legjislacionit dytësor në zbatim të ligjit për prokurimin publik. Zhvillimin dhe implementimin e kurseve të trajnimit me certifikim për prokurimin publik. Publikimit të raportit të parë të monitorimit për strategjinë e prokurimit publik dhe vendosjen e të dhënave të hapura, Open Data, në kohë reale për procedurat e prokurimit dhe përfshirjen e risqeve të korrupsionit të lidhura me prokurimin në planet e integritetit të institucioneve.

Është një vlerësim domethënës ky në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pra siç shumë prej jush e dinë, ne kemi nisur negociatat me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian është një ëndërr e çdo shqiptari, pra ndoshta për ne si vend ka më shumë rëndësi se për çdo vend tjetër, prandaj kur marrim impute pozitive, të cilat vijnë si rrjedhojë e reformave që ne kemi bërë, për të thënë të drejtën motivimi është i lartë për të vazhduar përpara.

Pse do të ndalem te disa procedura, të cilat janë rastet konkrete, pasi ato tregojnë ecurinë dhe avancimin që si sistemi i prokurimeve ashtu edhe klima e biznesit ka pësuar në Shqipëri në vitet e fundit.

Do t'i referohem njërës prej kompanive franceze më të mëdha në fushën e energjisë, Voltalia, e cila prej vitesh studionte tregun shqiptar duke pasur edhe disa tentativa për pjesëmarrje deri në vitin 2018. Ndërkohë që me të gjithë reformën që ne kemi bërë në sistemin e prokurimeve apo siç thashë dhe me klimën e biznesit duke krijuar konkurrencë të drejtë, duke krijuar transparencë në të gjitha proceset tona dhe çfarë është më e rëndësishmja duke shkurtuar kohët burokratike të proceseve përmes sistemeve tona të dixhitalizuara, kemi bërë Shqipërinë që të jetë një vend atraktiv. Kështu që Voltalia, jo një herë, por dy herë ka qenë pjesëmarrëse në ankandet e ndërtimit të parqeve fotovoltaike, pra të energjisë së rinovueshme që është një nga qëllimet kryesore të tranzicionit të gjelbër në Europë dhe me ndihmën e BERZH ne kemi bërë dy procese, transparente të ankandeve të këtyre parqeve fotovoltaike duke pasur si pjesëmarrës disa dhjetëra kompani evropiane dhe ndërkombëtare me eksperiencë shumë të qenësishme në fushën e prodhimit të rinovueshëm të energjisë. Voltalia ka fituar dy nga këto ankande duke e rankuar Shqipërinë në listën e vendeve të preferuara nga kompanitë e mëdha, pikërisht për shkak të kritereve që unë përmenda më parë.

Nga ana tjetër, dy raste të tjera të cilat unë krenarisht i përmend shpesh janë Shell dhe ENI. Dy nga kompanitë e ekselencës evropiane për sa i përket naftës dhe gazit. Që të dyja tashmë operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe ne presim që në fund të kësaj vjeshte të kemi disa rezultate të shkëlqyera pasi informacioni që kemi marrë është i tillë për sa i përket nxjerrjes që këto dy kompani do të bëjnë në Republikën e Shqipërisë. Kanë ardhur këtu përmes garave konkurruese. Kanë ardhur këtu përmes një negociate shumë të gjatë për sa u përket kontratave të tyre dhe sot, ashtu si Voltalia, ENI dhe Shell janë brande të cilat nderojnë dhe e vendosin Shqipërinë në një stad ndërkombëtar se si kompani të këtij niveli vijnë në vendin tonë, konkurrojnë dhe më pas kthehen në motorë gjenerues të ekonomisë shqiptare.

Ndërkohë që në fushën e infrastrukturës ku kemi shumë shembuj, por për të mos u zgjatur do t'i referohesha një shembulli ekselent që ne kemi, që ka të bëjë me procedurën e përzgjedhjes të konsulentit për hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për portin e ri tregtar në Porto Romano, një vepër e cila nuk i përket vetëm Shqipërisë. Një vepër inxhinierike që i përket Shqipërisë, Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë se ky port i ri që do të ndërtohet në afërsi të Durrësit do të jetë i lidhur me dy porte të tjera të thata të vendosura në Strugë të Maqedonisë së Veriut dhe në Prishtinë të Kosovës.

Kemi bërë një garë e cila me të vërtetë ka qenë një garë model, pasi ishte edhe e broadcast-ur nga ana publike në një mënyrë të tillë për të qenë sa më atraktive dhe sa më transparente si për kompanitë pjesëmarrëse që ishin mbi 16 kompani në garë dhe si për publikun që kishte interes për ta ndjekur, pasi është një vepër shumë interesante. Nuk ndërtohen më porte nga e parë në ditët e sotme në Europë. Është shumë vështirë që të gjesh një vepër të tillë dhe nga ana tjetër ky port do të ketë, sipas të gjitha gjasave, edhe një bazë ushtarake moderne të NATO-s bashkëngjitur, kështu që interesi publik ishte shumë i lartë. Ndaj, gara është zhvilluar totalisht në sytë e publikut, një garë e hapur ku në fazën finale kanë ndaluar 5 kompani dhe fituesja është një nga kompanitë më të mëdha holandeze në fushën e industrisë detarë që quhet Royal Haskoning, një tjetër emër që brandon Shqipërinë tonë në mënyrën më të mirë, duke treguar se kushtet e konkurrencës së drejtë, kushtet e qëndrueshmërisë të proceseve, por patjetër edhe kushtet e transparencës e kanë bërë Shqipërinë pra që të presë dhe të akomodojë në zhvillimin e saj ekonomik kompani të këtij niveli.

Asgjë nuk është e rastësishme do të thoja unë, askush nuk vjen kot, sepse po të ishte kështu do të kishin ardhur vite më parë, por gjithçka është rrjedhim i drejtpërdrejtë i një reforme shumë të thellë që Shqipëria ka ndërmarrë dhe qeveria Rama po implementon prej vitesh.

Tashmë vendi ynë ka një legjislacion modern me standarde evropiane në fushën e prokurimit publik. Ligji i ri për prokurimin publik i miratuar në vitin 2020, si dhe aktet e tjera nënligjore janë përafruar me 4 direktivat e Bashkimit Evropian. Kuadri ligjor pasqyron parimet themelore të traktatit të Bashkimit Europian për transparencën, trajtimin e barabartë, mosdiskrimimin, si dhe vlerën e parasë, ndërkohë padyshim konkurrencën e lirë, njohjen reciproke dhe proporcionalitetin. Sistemi i prokurimit në Shqipëri përfshin mundësi zhvillimi të procedurave të prokurimit në rrugë dixhitale. Shqipëria prej disa kohësh, duke nisur nga viti 2019, qeveria shqiptare, ka vendosur si një nga qëllimet e saj kryesore vizionin e zhvillimit të një sistemi dixhitalizimi për ofrimin e shërbimeve publike dhe rasti i Komisionit të Prokurimit Publik është një nga rastet ekselente që ne kemi.

Gjithashtu duke kaluar nga front desku me operatorë në një operim digjital, ne kemi synim që në të ardhmen të përdorim edhe inteligjencën artificiale. Sigurisht synimi ynë ka qenë padyshim që të rrisim transparencën, që të ulim riskun e korrupsionit dhe shmangien e gabimeve njerëzore të cilat ndodhin në të gjithë sektorët ku operatorët operojnë.

Gjatë 2 viteve të fundit Komisioni i Prokurimit Publik me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe padyshim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka kryer reformën më të thellë të 10 viteve të fundit në dixhitalizmin e këtyre shërbimeve. Një analizë e realizuar nga komisioni publik tregon se kjo reformë i kursen çdo vit operatorëve ekonomikë mbi 50 mijë euro dhe ajo që është më e rëndësishme i kursen 6 mijë kilometra rrugë për dorëzimin e dokumenteve. Tashmë gjithçka mund të kryhet online. Në vitin 2023 mbi 50% e ankimuesve kanë zgjedhur të dorëzojnë ankesat online në krahasim me 40% që kishim në vitin e kaluar, pra në 2022 duke pasur parasysh që nuk është një detyrim ligjor, pra është një zgjedhje midis dorëzimit dixhital apo dorëzimit fizik.

Sistemi është ndërtuar duke dëgjuar zërin e komunitetit të biznesit dhe unionit të dhomave të tregtisë. Në qeverinë shqiptarë ne kemi një parim që çdo vendim që ne marrim i cili afekton direkt grupet e interesit, këto grupe të interesit dëgjohen para çdo procesi dhe shqetësimet apo sugjerimet e tyre adresohen në të gjitha rastet.

Ndërkohë Komisioni i Prokurimit Publik ka përshpejtuar kohën e shqyrtimit të ankesave për vitin 2022, duke ulur ndjeshëm treguesin e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit në drejtim të qëndrueshmërisë dhe vendimmarrjes mjafton të përmend numrin e padive të ngritura në gjykatë për vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2022. Ai është më i ulët se numri i padive të ngritura 2 vite më përpara, konkretisht 5.5% kundrejt 9.8% që ka qenë në vitin 2020. Pra 50% më pak.

Të gjitha këto zhvillime dhe arritje në një fushë kaq të rëndësishme siç është ajo e prokurimit publik kanë marrë vlerësime dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë çka na bën të jemi besimplotë se jemi në rrugën e duhur për të ngritur një sistem të prokurimit publik të hapur, transparent dhe të qëndrueshëm, që prodhon konkurrencë të drejtë dhe të shtuar mes kompanive garuese nga një anë dhe siguron ofertën më cilësore për shtetin nga ana tjetër. Jemi të ndërgjegjshëm për punët që kemi përpara, por ne sfidat i marrim me optimizëm dhe kemi besim që do ta garantojmë gjithçka që ne kemi premtuar, sidomos përsa i përket prokurimit publik me standardet më të mira ndërkombëtare.

Ju duhet të kini parasysh që për Shqipërinë një sistem i qëndrueshëm dhe transparent i prokurimit publik është një sistem i cili kontribuon direkt në ekonominë e një vendi që ka dëshirë të rritet, që ka dëshirë të akomodohet dhe të trajtohet si një vend i barabartë me të gjitha vendet e tjera evropiane.





Lajmet e fundit nga