web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përpjekjet për menaxhimin e situatave të zjarreve/ Cara: Terreni i vështirë krijon pamundësi

23 Korrik 2025, 17:33, Aktualitet CNA

Përpjekjet për menaxhimin e situatave të zjarreve/ Cara: Terreni

Në vijim të përpjekjeve për menaxhimin e situatave të zjarreve, u zhvillua një tjetër takim me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, në qytetin e Korçës, ku mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.

Sipas tij, reagimi i bashkive nuk vjen për shkak të mungesës së mjeteve apo pajisjeve, por për shkak të terrenit të vështirë, që shpeshherë e bën të pamundur depërtimin e automjeteve zjarrfikëse në vatrat e zjarrit. Ai theksoi se në rastet kur është bërë i mundur aksesi me mjete, ndërhyrja ka qenë efikase dhe zjarret janë menaxhuar në një kohë të shkurtër.

“Takimi i sotëm vjen në vazhdën e takimit që u zhvillua me komitetin drejtues të drejtuar nga zv. Kryeministria shqiptare dhe nga gjitha ministrat, prefektët dhe kryetarët e bashkive të zonave më të rriskuara. Këto takime do të zhvillohen në të gjitha bashkitë ku do të vazhdohet të kërkohet angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të pasur nje vëmendje më të shtuar, duke marrë shkas dhe nga temperaturat më të larta që ne kemi në ditët në vijim”,-tha Cara.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe hapja e rrugëve malore, një detyrim ligjor i bashkive sipas ligjit nr. 152/2015. Cara bëri me dije se disa bashki kanë ndërmarrë hapa konkretë, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjen e flotës zjarrfikëse, por në disa raste buxhetet mbeten të pamjaftueshme, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet qendrore.

Në lidhje me ndërhyrjen nga ajri në zonat malore të paaksesueshme, ai sqaroi se reagimi bëhet gjithmonë në bazë të vlerësimit të situatës nga strukturat vendore dhe qendrore. Kur kërkohet ndërhyrje ajrore, avionët dhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes vihet në dispozicion, ndërkohë që është aktivizuar edhe mekanizmi europian i mbrojtjes civile, në raste kur situata tejkalon kapacitetet vendase.

“Nuk është pamjaftueshmëria e mjeteve, e paisjeve por është terreni i thyer që e bën të pamundur aksesimin e automjeteve për të menaxhuar vatrat e zjarrit. Gjithmonë flasim për rrugë, për automjete zjarrfikëse. Në cdo rast ku automjetet zjarrfikëse jane aksesuar, zjarret kanë qenë të menaxhuara në një kohë shumë të shkurtër”,-tha Cara.

Cara iu përgjigj edhe çështjes së ndërhyrjeve nga ajri në zonën e juglindjes.

“Nuk ka ndërhyrje me vonesë nga ajri, por ka ndërhyrje sipas vlerësimit që i bëhet situatës. Në çdo rast situatat vlerësohen në bazë të rriskut që zjarri ka në ato momente dhe që sjell në atë territor. Në cdo rast ndërhyrja me mjete nga ajri ka qenë nga agjensia kombëtare e mbrojtjes civile sipas rastir dhe vlerësimit qe është bërë nga nivelet vendore e ato qëndrore. Prefekti i qarkut në cdo rast që ka bërë kërkesën avionër dhe helikopterët e ministrisë së mbrojtjes kanë ardhur në ndihmë. Është vënë në lëvizje dhe mekanizmi europian ku është parë e arsyeshme që situata është kritike dhe nuk është mundur të menaxhohet dot nga shteti shqiptar dhe në këtë rast cdo gjë është normale që të punojme me ndihmë nga mekanizmi pasi të njëjtën gjë e bëjmë edhe ne, e japim këtë ndihmë nëse është e nevojshme në shtetet fqinje”,-tha Cara.

Përgjatë takimeve në të gjitha bashkitë me rrezikshmëri të lartë, po kërkohet angazhim maksimal i strukturave për të qenë në gatishmëri ndaj temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut të zjarreve gjatë ditëve në vijim./CNA

 

 





Lajmet e fundit nga