web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Moti i keq mbërthen vendin/ Si paraqitet situata në Sarandë, Durrës dhe Fier

22 Korrik 2026, 11:21, Aktualitet CNA

Moti i keq mbërthen vendin/ Si paraqitet situata në Sarandë,

Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

AKSET RRUGORE

Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve.

Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.

ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.

FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE

Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.

Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona.

OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.

RRJETI I TRANSMETIMIT

Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.

KASKADA E DRINIT

Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.

FURNIZIMI ME UJË

Sarandë

Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal.

Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.

Durrës

Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë-Krujë dhe Çermë.

Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.

Fier

Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit.

Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.

Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.

PORTET DHE AEROPORTI

Aeroporti i Tiranës

Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.

Porti i Durrësit

Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.

Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.

Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.

Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht./ CNA





Lajmet e fundit nga