web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rusia është ekonomikisht shumë e vogël për ta fituar luftën në Ukrainë

23 Mars 2022, 08:46, Kosova & Bota CNA

Nga Paul De Grauwe ?Project Syndicate?

Kur sheh hartën, Rusia, e shtrirë gjeografikisht në 11 zona kohore, mund të duket si e destinuar që të dërrmojë fqinjen e saj shumë më të vogël, Ukrainën. Por, siç e ka parë bota gjatë javëve të fundit, lufta nuk është aq e lehtë sa mund të ketë supozuar më gjasë presidenti rus Vladimir Putin.

Në fakt, ka shumë arsye të mendohet se në fund Rusia do ta humbasë luftën që ka nisur Putin. Dhe kjo kryesisht sepse nga pikëpamja ekonomike, Rusia nuk është aspak një vend i madh. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, PBB-ja e këtij vendit arriti në 1.7 trilion dollarë në vitin 2021.

Kjo shifër nuk është as sa 10 për qind e PBB-së së përbashkët të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ose afërsisht sa PBB-ja e përbashkët e Belgjikës (620 miliardë dollarë), dhe Holandës (1.1 trilion dollarë).

Me një ekonomi kaq të vogël, Rusia vështirë se është e pajisur si duhet për të fituar një luftë kundër një vendi që po lufton me të gjitha forcat, dhe lëre më pastaj për ta pushtuar atë vend, vetëm për t?u përballur më pas një kryengritje të vendosur guerile për një periudhë shumë më të gjatë.

Rusia sot shpenzon rreth 62 miliardë dollarë në vit (rreth 4 për qind e PBB-së së saj) për ushtrinë e saj. Kjo shumë është sërish vetëm 8 për qind e asaj që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara, dhe jo aq sa duhet për të mbështetur një fushatë ushtarake intensive dhe të gjatë.

Por rritja e shpenzimeve ushtarake nuk është një opsion i mirë për Rusinë, për shkak se shpenzime të tilla nuk janë produktive në aspektin ekonomik. Blerja e tankeve dhe avionëve luftarakë nuk do të çojë asnjë rubël shtesë në PBB-në e vendit në të ardhmen, madje ka të ngjarë që të pengojë investimet produktive, si për shembull në makineri.

Sa më shumë që Rusia shpenzon për luftën e saj, aq më e vogël ka të ngjarë të jetë ekonomia ruse në të ardhmen. Këtu nuk ndihmon aspak edhe fakti që ekonomia ruse është gjithashtu e pazhvilluar, me një strukturë që ka shumë gjasa ta gjesh në botën në zhvillim dhe jo atë të zhvilluar.

Mallrat e prodhuara – makineri, pajisje transporti, elektronikë, kimikate dhe farmaceutikë – përbëjnë 2/3 e importeve të Rusisë, ndërsa lëndët e para dhe energjia (gazi dhe nafta e papërpunuar) përbëjnë 80 për qind të eksporteve të saj.

Për shkak se të ardhurat nga eksportet e mallrave luhaten shumë, kjo e lë Rusinë në një pozicion shumë të cënueshëm në aspektin ekonomik. është e vërtetë, që përpara pushtimit, çmimet e larta të energjisë dhe të mallrave, i dhanë mundësi Rusisë të grumbullonte më shumë se 600 miliardë dollarë rezerva ndërkombëtare (në dollarë amerikanë, euro, paund britanikë dhe ar), si dhe i rritën të ardhurat buxhetore të qeverisë.

Por çmimet do të bien sërish, duke e reduktuar ndjeshëm buxhetin e Rusisë. Ndërkohë, vendet perëndimore kanë ngrirë rreth gjysmën e rezervave ndërkombëtare të Rusisë. Kjo zbulon edhe një burim tjetër të brishtësisë ekonomike ruse:SHBA dhe Evropa, që nuk janë  ekonomi të pazhvilluara si Rusia, kontrollojnë sistemin financiar global.

Rrjedhimisht, rezervat që supozohej të furnizonin luftën e Putinit, janë bllokuar. Sigurisht, qeveria ruse mund të çlirojë burime të tjera për shpenzimet ushtarake, duke pakësuar shpenzimet në fusha të tjera. Por shumica e rusëve jetojnë tashmë në një varfëri relative.

Tek e fundit, duke pasur parasysh popullsinë shumë më të madhe të Rusisë, PBB-ja për frymë është vetëm rreth 1/5 e nivelit të Belgjikës dhe Holandës. Në rast se Putini i zhyt rusët edhe më tej në varfëri, në ndjekje të ambicieve të tij perandorake, ndjenjat popullore mund t`i kthehen kundër, duke e dobësuar diktaturën e tij.

Sanksionet perëndimore kanë filluar që të dëmtojnë jetesën e rusëve të zakonshëm. Dhe në kushtet e sasive të pamjaftueshme të mallrave të konsumit, inflacioni pritet që të rritet ndjeshëm, duke e rritur tundimin për të vendosur kontrollin shtetëror të çmimeve.

Por rezultati i një lëvizjeje të tillë do të ishte mungesa dhe racionimi, një tipar i jetës së përditshme në kohën e Bashkimin Sovjetik, të cilin Putin nuk ka interes ta ringjallë. Ndërsa Rusia është një ekonomi e vogël, e pazhvilluar dhe e brishtë, ajo ruan dy burime të rëndësishme të fuqisë.

Të njëjtat eksporte të hidrokarbureve dhe mallrave, që e lënë buxhetin rus të pambrojtur ndaj rënies së çmimeve, i japin këtij vendi një levë të rëndësishme politike mbi vendet importuese, përfshirë vendet në të gjithë Evropën.

Nëse Rusia do të ndërpriste sot dërgesat e gazit në Evropë, disa vende do të vuanin jo pak në një periudhë afatshkurtër. Për shembull, gazi rus përbënte rreth 65 për qind të të gjithë importeve të gazit të Gjermanisë dhe 45 për qind të importeve të Italisë në vitin 2020.

Megjithatë në planin afatgjatë, do të ishte Rusia ajo që do të vuante më së shumti nga një veprim i tillë. Lufta në Ukrainë e ka nxitur tashmë BE-në që të hartojë një plan për t?i dhënë fund varësisë së saj nga gazi rus, si duke gjetur burime të reja importi, po ashtu edhe duke e avancuar tranzicionin drejt përdorimit të energjisë së pastër.

Prandaj burimi kryesor i të ardhurave të huaja për Rusinë do të zvogëlohet në mënyrë drastike. Burimi i dytë i fuqisë ruse është sigurisht arsenali më i madh i armëve bërthamore në botë. Këto të fundit nuk do t?i jepnin fitoren në një luftë konvencionale, por ato mund ta shkatërrojnë një vend sa hap e mbyll sytë. Dhe kjo na çon tek një pyetje e tmerrshme:çfarë do të bëjë Putini, kur të kuptojë se nuk mund ta fitojë luftën e tij në Ukrainë me mjete konvencionale?

Shënim:Paul De Grauwe, drejtues i Programit të Ekonomisë Politike Evropiane në Institutin Evropian në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga