LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Nikola KEDHI/ Doktori, Dinjiteti dhe e Djathta

23 Shtator 2021, 10:03, Opinione CNA
Nga Nikola KEDHI/ Doktori, Dinjiteti dhe e Djathta

Madje shkoi përtej të folurës dhe denoncimit duke kërkuar një ndjesë publike. Sipas Sir Roger Scruton, filozofit konservator më të njohur të kohës sonë, në traditën e krishterë (por dhe asaj të djathtë) aktet kryesore të sakrificës janë rrëfimi dhe falja. Ata që rrëfejnë e kërkojnë falje, sakrifikojnë krenarinë e tyre, ndërsa ata që falin, sakrifikojnë pakënaqësinë, zhgënjimin apo inatin e tyre.

Është tejet e lehtë sot që të dyshosh në fjalën e zotit Berisha, apo të kujtosh gabimet e bëra përgjatë rrugëtimit të tij politik. Kategori të ndryshme shoqërore sot kanë pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjeve demokrate. Pronarët legjitim dhe të përndjekurit politik nuk kanë marrë drejtësinë e merituar dhe nuk kanë pasur rolin që do duhet të kishin. E djathta shqiptare në përgjithësi është tejet e dobësuar dhe e paorganizuar dhe vetë partia më e madhe e saj është e tejmbushur me individë pa asnjë lidhje me të djathtën. Komunizmi dhe krimet e tij, si dhe individët përgjegjës për këto krime nuk kanë marrë dënimin që meritonin.

Dhe me të drejtë, pasi për kritikat e vërteta që ata bënin u shpallën tradhtarë apo ju vendosën gjithfarë epitetesh nga shumica e atyre që kanë filluar të flasin sot vetëm pas ndërhyrjes së ish-kryeministrit, ndërkohë që heshtën për vite me radhë.

Por gjithsesi, në këto rrethana të krijuara një zgjidhje duhet gjetur për të djathtën. Unë jam i bindur se kushdo që dëshiron një të djathtë më të fortë, më meritokratike, më ideologjike dhe më të organizuar se kjo që kemi aktualisht, nuk mund të mohojë rrugën që ka hapur dhe mundësinë që  ka krijuar Doktori me aksionin e tij politik.

Fakti është që shanset sot për një ndryshim brenda Partisë Demokratike, për ta rikthyer atë në përfaqësuesen e vërtetë të konservatorizmit në Shqipëri janë shumë më të larta se para dy javësh.

Një aspekt i rëndësishëm i konservatorizmit që shton diçka në këtë debat të krijuar javët e fundit është teoria e realizmit të principtë, artikuluar për herë të parë nga  Presidenti George Washington dhe përdorur së fundmi nga Presidenti Donald Trump. E njëjta logjikë mund të na vlejë dhe në rastin në fjalë, kur të gjithë të interesuarit për një rikthim të së djathtës në Shqipëri mund të krijojnë ose mbështesin një aksion politik të rrënjosur në vlerat por dhe në interesa të përbashkëta.

Realizmi i principtë në politikë ? ashtu si në diplomaci ? kërkon një udhëheqje dhe vendimmarrje të disiplinuar, me një qëllim përfundimtar të përbashkët për të tërë palët e përfshira që do t?i shërbejë vlerave, parimeve dhe ideologjisë së përbashkët të individëve të përfshirë. Pra, është një rrugë e mesme, praktike dhe efikase ndërmjet pragmatizmit nga njëra anë dhe idealizmit nga ana tjetër. Është një kompromis realist mbi parime dhe interesa të përbashkëta.

Nga ana e tij, Berisha po tregon se ka ende diçka për t?i dhënë shoqërisë shqiptare. Ai po tregon rëndësinë dhe peshën që dinjiteti duhet të ketë për çdo njeri. Dinjiteti i qytetarit shqiptar është nëpërkëmbur vazhdimisht nëpër shekuj. Madje, gjatë viteve të errëta të komunizmit dhe në kaosin e tranzicionit të pambarim, dinjiteti është përpjekur të zëvendësohet me servilizëm. Të paktë janë jo vetëm politikanët shqiptarë, por dhe njerëzit me shtyllë kurrizore që qëndrojnë për idetë e tyre.  Mund të mos e duash Doktorin, por nuk mund të mos e admirosh përpjekjen e tij për të luftuar për dinjitetin e vet. Le të shërbejë ky rast për të treguar rëndësinë e dinjitetit në një shoqëri. Ashtu siç ai po përpiqet të vendosë në vend dinjitetin e tij, edhe shqiptarët (dhe sidomos demokratët) duhet të ngrihen për dinjitetin e tyre.

Qytetari shqiptar, i lënë me një traumë të thelle nga komunizmi, i zhgënjyer nga 30 vjet politikë që i ka shërbyer vetvetes në më të shumtën e rasteve, është sot indiferent, i pafuqishëm dhe i drobitur. Diktatura komuniste u përpoq të shkatërronte dinjitetin dhe identitetin e individit duke kthyer servilizmin si mënyre jetese dhe kultin e individit si fe zyrtare ? plagë nga të cilat vuajmë dhe sot.

Një individ që dinjitetin e vet e ka të pacenueshëm e që familjen dhe pronën i ka të shenjta mund të luftojë kultin e individit, arrogancën dhe paligjshmërinë e kryetarit, rritjen e ndikimit të qeverive, servilizmin dhe nënshtrimin. Më tej, një individ me dinjitet dhe përgjegjësi individuale dhe familjare kërkon arsimim më të mirë dhe përfshirje më të madhe në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të vendit.

Rikthimi i debatit mbi dinjitetin njerëzor është një lajm i mirë për shoqërinë shqiptare. Dhe lufta për rikthimin e dinjitetit ne jetën e qytetarit shqiptar mund të vinte vetëm nga e djathta. Për këtë, ish-kryeministri Berisha është për t?u përshëndetur.

Siç e ka pranuar dhe ai vetë, kjo lëvizje shkon përtej kryetarit aktual në detyrë. Z. Berisha ka folur për respektim të statutit të partisë nga tani e tutje dhe rikthimin e peshës vendimmarrëse që i takon anëtarit të thjeshtë. Pra, demokratizim i partisë, që do të çonte në demokratizim të shoqërisë.

Si rrjedhojë, anëtari i partisë do të duhet të mësojë të votojë me ndërgjegjen, logjikën dhe arsyen e vetë dhe jo sipas urdhrit të kryetarit. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi vetëm nëse anëtarët, funksionarët dhe udhëheqësit e një partie respektojnë kushtetutën dhe rregullat e partisë e nuk ndjekin verbërisht kryetarin, ata do të jenë të aftë të ndjekin ligjet dhe Kushtetutën e vendit pavarësisht presioneve. Për më tepër, nëse partia është meritokratike dhe e hapur, ashtu do të jetë dhe qeverisja e vendit nën Kryeministrin e propozuar nga ajo parti.

Doktori foli dhe për anti-komunizëm, një tezë e harruar nga udhëheqja aktuale e PD-së, por e rëndësishme për shumicën e votuesve të asaj partie, që janë të përndjekurit dhe pronarët legjitim.

Bazuar mbi fushatën që bëri Harxhi, programin dhe idetë që shpalosi, si dhe deklaratat e saj dhe të pjesëtarëve të Grupit ditët e fundit mendoj se ky grupim mbetet organizimi më serioz, më i qartë dhe më me këmbë në tokë që ka Partia Demokratike sot, përtej aksionit politik dhe aktivitetit të Doktorit.

Ky fakt duhet të na japë shprese se e djathta ka kapacitet dhe vizion të mjaftueshëm për t?u ri-themeluar, nëse aksioni i Doktorit për kthimin në normalitet të PD-së dhe hapjes së rrugës drejt zgjedhjeve të lira në parti funksionon. Me betejën për të çliruar partinë që ka bashkë-themeluar nga ata që e kanë marrë peng, unë mendoj se Sali Berisha është duke kryer ndoshta misionin e fundit, por me siguri më fisnikun e jetës së tij. Po korrigjon një gabim së paku tetë vjeçar e ndoshta në disa aspekte dhe tridhjetë vjeçar, duke i hapur rrugën rithemelimit të një djathte të vërtetë, më të hapur, më ideologjike e më të fortë ? nëse i shkon deri në fund.

Nuk mendoj se z. Berisha ka ndonjë plan për drejtimin e kësaj force politike, përtej aksionit që ka ndërmarrë. Do t?u takojë demokratëve si ata që përmenda më sipër e qindra e mijëra të tjerëve, për të punuar për forcimin, organizimin dhe drejtimin e kësaj të djathte.

Nëse Doktori nuk del i suksesshëm, e djathta do arrijë mbase të manifestohet te një forcë e re politike. Por, në këtë moment që flasim, misioni i Doktor Berishës, në analizën time i ka të gjitha mundësitë që të rezultojë i suksesshëm me ndihmën e grupimeve të ndryshme të së djathtës së vërtet, cilado të jetë rruga statutore dhe institucionale që ai do të ndjekë. Suksesi i këtij aksioni për çlirimin e PD-së nga peng-marrja shumëvjeçare (i cili duhet të jetë një fakt i pakundërshtueshëm tashmë) dhe demokratizimin e saj si dhe e ardhmja e të djathtës janë dhe thelbi i kësaj çështje.

Me një organizim të mire, me një udhëheqje të re jo të shitur, të pakorruptuar dhe të pakorruptueshme, me një rilidhje me bazën, me një ri-fokusim te parimet konservatore, me një besueshmëri të rinovuar te aleatët strategjik dhe te votuesit blu e gri, e djathta vjen shumë shpejt në pushtet, siç ka ndodhur në Austri me Kancelarin Kurtz, me Republikanët në Amerikë e në shumë raste të tjerë. Por, përtej motiveve pse ndodhi, veprimi i Doktorit ishte i nevojshëm për të krijuar një shkundje dhe ndërgjegjësim te anëtarësia e gjerë dhe për të shkaktuar një ortek ndryshimesh. Kur moçali trazohet është përherë diçka e mire. Dhe, pavarësisht opinioneve personale, na duhet ta pranojmë se vetëm ai kishte forcën e duhur për ta nisur këtë shkundje.

Vetëm një parti e djathtë me këto vlera, e rikthyer në shina ideologjike dhe meritokratike mund të zëvendësojë sharlatanizmin anti-Perëndimor dhe anti-shqiptar që e ka zaptuar, të përfaqësojë elektoratin e vet me kokën lartë, e të bisedojë si e barabartë me këdo aleat të huaj apo kundërshtar të brendshëm. Aksioni i Doktorit dhe mandej rithemelimi i PD-së pikërisht këtu duhet të synojnë të shkojnë.

Duke i hapur rrugë rikthimit të këtyre vlerave në udhëheqjen e Partisë Demokratike, Doktori do të sigurojë vendin e vetë në anën e drejtë të historisë së këtij kombi duke shlyer dhe disa prej gabimeve të tij, ndërsa e djathta do të ofrojë më në fund një alternativë serioze dhe të nevojshme për ringritjen e atdheut.  Të djathtët e vërtetë janë besimplotë në këtë aksion. Nuk duhen zhgënjyer! Godspeed and good luck Doctor!

Nikola është konsulent financiar dhe kontribuues në disa media në Shqipëri, SHBA dhe Europë. Ky artikull pasqyron vetëm mendimet e autorit./CNA.al

Lajmet e fundit nga