web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Afganistani si Shqipëria/ Dy popuj në zhgënjim dhe arrati

18 Gusht 2021, 09:19, Aktualitet CNA

Midis përgjigjeve të dhëna në konferencën për shtyp të Presidentit amerikan për atë që po ndodhte në Afganistan, ajo që shpjegon më shumë se gjithçka është fjalia:

“Ne nuk mund të luftojmë për të mbrojtur një popull që nuk është i gatshëm të luftojë për të mbrojtur veten e vet”.

Por a është e mundur që një popull të mos jetë i gatshëm të luftojë për të mbrojtur veten?

Me sa duket po! Populli afgan nuk ish i gatshëm të luftonte kundra një pale politike revanshiste, për të mbrojtur pushtetin e një pale tjetër në pushtet.

Lufta nuk do kish shërbyer për të mbrojtur veten. Sepse populli u ndodh midis dy të këqijave që prodhonin njësoj zhgënjim, mungesë shprese dhe arrati.

Vështirë të besosh që turmat që ishin të gatshme të vdisnin nën rrotat e avionëve nuk do pranonin të vdisnin në luftë kundra të keqes. Në Afganistan e keqja ishte në të dyja anët. Afganistani është shembulli.

Është shpjegimi i demotivimit të një populli që nuk lufton kur nga lufta e tij do fitojë gjithsesi e keqja. Është shojegimi i thirrjeve që gra afgane po i bejne komunitetit botëror, por asnjera nuk i bën thirrje burrave afganë që të luftojë kundra të keqes. As burrit dhe as djalit të vet.

Një popull që reagon kësisoj nuk është i pamençur! Është i pashpresë. Është ekzaktësisht ajo që ka ngërthyer sot shqiptarët. Demotivimi, mungesa e shpresës dhe arratia. Shqiptarët janë afganistanas.

Ata janë midis dy të këqijave të mëdha. Ndaj nuk janë të gatshëm të luftojnë.

Si ne Afganistan edhe në Shqipëri në pushtet është një grup njerëzish të korruptuar, të perfolur, të ndotur, hipokrit dhe te pabesë. Oh edhe te pasur sigurisht!

Në anën tjetër është një grumbull njerëzish po aq të korruptuar, të përfolur, të ndotur, të urryer dhe cinik.

Dhe te pasur sigurisht! Dhe parcelat e drogës janë në mes palësh. Ndaj nuk ka revoltë! Ndaj nuk ka ndëshkim! Ka vetëm ikje. Shqiptarët janë thjesht të neveritur.

Sepse per ta dhe në emer të tyre del dhe flet një president i kamur, që nuk ka prodhuar as nje faqe letër në gjithë jetën jetën. Por ka firmosur sigurisht!

Për shqiptarët flet një lider opozite, që jetën e vet e ja nisur si ministër pa prodhuar as një faqe letër shtetari. Por ka firmosur shumë letra sigurisht! Aq sa i kanë vënë përpara. Për shqiptarët dhe në emër të tyrë flasin të tërë.

Bilè edhe Edi Rama flet në emër të tyre, duke tundur votat e një populli në dëshpërim. Njësoj si në Afganistan populli në Shqipëri nuk ëshrë i gatshëm të luftoje për asnjë palë.

Ndaj i ka lënë të hanë kokat e njëri-tjetrit. Kjo është shprehja me të cilën Kryeministri është shprehur indiferent kur ai i referohej luftës mes bandave rivale.

Dhe si për ta bërë pamjen identike, ashtu si në Afganistan edhe këtu ka një faktor ndërkombëtar. Dhe ai faktor janë njësoj si në Afganistan, SHBA të përfaqësuara nga ambasadorja.

Njëjtë si në Afganistan! Presidenti Biden deklaroi se Amerika nuk është e gatshme të luftojë për një popull që nuk është i gatshëm të luftojë për veten e tij.

Po për shqiptarët sa kohë do jetë e gatshme të vazhdojë të luftojë Amerika?

Vështirë se mund të besohet që Kryeministri Rama si njeri me besë burri, po i del për zot një turme të dëshpëruar afganësh, që kanë ikur nga tmerri i dy forcave që për pushtet dhe parà po hanë kokat e njëra-tjetrës.

Sepse për shqiptarët ai është forca e korruptuar në pushtet. Dhe afganët po përdoren në këtë luftën shqiptare për pushtet, ku dy palë janë të gatshme të hanë kokat e njëra-tjetrës kur ju preken parcelat dhe prishen pazaret. Prandaj shqiptarët kanë zgjedhur! Kanë pushtuar Rinasin!/ CNA.al





Lajmet e fundit nga