web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Industria e sigurimeve përballë pandemisë

9 Maj 2020, 06:21, Ekonomi CNA

Efekti domino në ekonomi, i shkaktuar nga koronavirusi, ka bërë të pasigurta edhe ato industri që në gjenezë janë të destinuara të ofrojnë siguri si kompanitë e sigurimit. Këto të fundit pohojnë se kufizimi i qarkullimit dhe izolimi kanë ndikuar tek ulja e shitjeve.
Në afatgjatë, për vetë paqartësinë e situatës, pritet që të ketë tkurrje në disa segmente të tregut si sigurimi vullnetar apo policat kufitare e kartoni jeshil. Nga ana tjetër, më 1 prill duhet të kishte nisur zbatimi i Bonus-Malus, por kjo nuk ka ndodhur. Kompanive iu është lënë ky hap në mënyrë vullnetare. Sigurimi tjetër i ndërtimeve me një prim 10-vjeçar si një produkt i ri duket se po shoqërohet me pikëpyetje sa i takon risigurimit dhe kërkon më shumë maturi nga kompanitë e tregut për portofolin e akumuluar të përgjegjësive.

Nga Nertila Maho

Të bësh sot llogaritë për dëmet e shkaktuara nga koronavirusi në ekonomi është si të firmosësh qorrazi një çek të bardhë, pasi askush ende nuk di të thotë se ku jemi, apo kur do të mbarojë e gjithë kjo. Sektorët janë prekur të gjithë në një efekt domino të transmetuar njëri pas tjetrit, deri në qelizën e fundit që është ekonomia familjare. Askush nuk është imun ndaj kësaj situate të re, madje as industria që paguhet për sigurim.

Kjo e fundit raporton, ashtu si shumica e bizneseve, humbje të theksuara të lidhura me masat e ndërmarra në funksion të mospërhapjes së koronavirusit, por më problematike cilësohet e ardhmja e paqartë. Kompanitë e tregut ndodheshin në një moment të rëndësishëm lidhur me fillimin e zbatimit të sistemit Bonus-Malus nga data 1 prill e këtij viti, diçka që ka mbetur në letër pasi sigurimi motorik në fuqi sot është ai me sistemin e vjetër. Nën masat kufizuese të qarkullimit si të mjeteve edhe të qytetarëve, shitjet e kompanive të sigurimit kanë qenë në rënie të lirë, sidomos gjatë marsit, por edhe në prill. Në afat të gjatë, ato parashikojnë ndikim më të gjerë edhe tek sigurimet vullnetare.

COVID-19, si po preket industria e sigurimeve, segmentet me më shumë ndikim

Për një periudhë kohe, si një masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u vendos kufizim i lëvizjes me automjete private, përveçse në disa raste përjashtuese. Gjithashtu u mbyllën pikat e kontrollit teknik. Në këto kushte, edhe shitjet e policave të sigurimit motorik të detyrueshëm (TPL) shënuan rënie. Kompanitë e tregut pohojnë se një situatë e tillë vazhdon të mbetet evidente dhe kjo ka ushtruar presion mbi likuiditetin e kompanive.

?Sikurse jeni në dijeni, portofoli i produkteve në tregun shqiptar të sigurimeve është i përqendruar në produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Për rrjedhojë, pezullimi i aktivitetit dhe lëvizjeve përkthehet direkt në reduktim të ardhurash për shoqëritë e sigurimit. Ky ishte efekti i menjëhershëm, por ndikimi nuk mbaron këtu. Paqartësia se si situata do të konturohet në të ardhmen dhe tkurrja e përgjithshme e ekonomisë, do të jenë faktorët kryesorë që do të rrezikojnë më tej të ardhurat në tregun e sigurimeve? ? pohon Edlir Ruka, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë ANSIG.

Ai nënvizon se në këtë situatë, kompanitë duhet të tregohen të matura dhe të mos synojnë rikuperimin në afatshkurtë përmes primeve nën nivelet e riskut, një precedent jo i pahasur në tregun shqiptar pasi kjo do të cenonte shëndetin financiar të tregut. Ruka thotë se edhe segmenti vullnetar pritet të ketë tkurrje.

Kadri Morina, president i Eurosig dhe INSIG, shprehet se kufizimi i qarkullimit jashtë territorit do të japë ndikim të dukshëm edhe te polica kufitare apo kartoni jeshil. ?Sa u takon segmenteve, mendoj se luhatja më e madhe do të vijë nga sigurimet vullnetare, pasi kjo ka qenë pikë e dobët edhe në kohën kur gjërat ishin normale pa koronavirusin. Njëkohësisht do të ndikojë edhe në policën kufitare dhe kartonin jeshil, pasi sikurse po kuptohet, lëvizja do të jetë e kufizuar dhe për 6 muaj apo 1 vit, do të jetë e pamundur që të qarkullohet jashtë në mënyrë të lirshme? ? nënvizon Morina.

Bonus-Malus dhe sigurimi i ndërtimeve mbeten mes problemesh

Nga data 1 prill e këtij viti, kompanitë e sigurimit në bazë të historikut njëvjeçar do të duhet të penalizonin me prime më të larta shkaktarët e aksidenteve apo të stimulonin me prime më të mira ata që kanë qenë shembullorë në ?timon?, por kjo nuk ndodhi. I cilësuar si një nga projektet më ambiciozë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sërish sistemi Bonus-Malus ka mbetur i pazbatuar. Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, thotë se modeli i sotëm i Bonus-Malus është i pazbatueshëm.

?AMF hartoi një ide dhe mori një vendim me një skemë shkatërruese të tregut dhe natyrisht të pazbatueshme, sepse në tregun e sigurimeve është një ligj që ndalon të punojë në AMF dikush që ka punuar në sigurime. Mbikëqyrësi mund të jetë nga çdo fushë, por jo nga sigurimet, kur duhet të ishte e kundërta. Ja për shembull te Banka e Shqipërisë, kusht për Guvernatorin është që duhet të ketë përvojë në banka. Në këto rrethana ku jemi ne me Bonus-Malus, as stimulojmë dot ata që nuk kanë aksidente dhe as i penalizojmë ata që mund të kenë bërë jo një, por disa aksidente? ? thekson Ponari.

Edhe Edlir Ruka nga ANSIG pohon se në parim, kompanitë janë shprehur se mirëpresin zbatimin e Bonus-Malus, por duhet që modalitetet të jenë të përcaktuara mirë me ligj dhe me akte përkatëse, duke lënë njëkohësisht hapësira dhe për tregun të zbatojë variablat e veta. ?Ndërkohë, zbatimi vullnetar mund të ketë problematikën e vet, pasi TPL është produkt i ndjeshëm ndaj çmimit, që do të thotë, klientët kryesisht do të tentojnë të përzgjedhin çmimet më të ulëta. Kjo do ta bënte praktikisht të pazbatueshëm sistemin Bonus-Malus? nënvizon ai.

Një tjetër element i rëndësishëm i tregut ka qenë edhe sigurimi i ndërtimeve të reja me prim 10 vjet, si përgjegjësi ndaj palëve të treta dhe që siguron problemet që mund të ketë terreni (kjo jo e lidhur me tërmetin). Mënyra sesi është ndërtuar sot kjo policë shfaq problemet e veta dhe AMF është detyruar të bëjë ndryshime disa herë nga variant fillestar.

Pavarësisht se nisma cilësohet si pozitive nga të gjithë aktorët e tregut, ajo që theksohet është kujdesi për portofolin e përgjegjësisë që akumulohet nga ky lloj sigurimi, si dhe transferimi i tij te risiguruesit. Sipas Ponarit, kompanitë shqiptare mund të transferojnë përgjegjësi deri në miliarda në tregjet e risigurimit, ndërsa për Rukën, Shqipëria është ende e re në këtë lloj produkti dhe duhet më shumë vëmendje.

?Nisur nga mungesa e përvojës së tregut tonë në këtë produkt, është e vështirë të vlerësohet, por dhe në këtë pikë, risiguruesit mund të ofrojnë ndihmë me ekspertizën dhe njohuritë që ata kanë në tarifimin e këtyre produkteve komplekse.

Siç e përmenda më sipër, pavarësisht nëse çmimi rezulton i mjaftueshëm apo jo, është e rëndësishme të respektohet nga të gjithë operatorët e tregut, në të kundërt një produkt me rrezik kaq të lartë, do të kthehej në një mekanizëm që do të cenojë shëndetin financiar dhe rrjedhimisht, reputacionin e tregut? nënvizon ai.

Sigurimet, ?karantina? uli me 50 për qind numrin e kontratave në mars 2020

Tregu i sigurimeve u tkurr me 41.66 për qind në muajin mars 2020 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë si rezultat i situatës së krijuar në vend për shkak të pandemisë. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë se volumi i primeve të shkruara bruto është ulur me 666,7 milionë lekë duke u ndalur në nivelin 933,6 milionë lekë.

?Numri i kontratave arriti në 48,668 duke shënuar një ulje me 50.62 % krahasuar me mars 2019. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 837,230 mijë lekë duke shënuar një ulje në masën 41.78% krahasuar me mars 2019. Numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 41,151 duke shënuar një ulje në masën 52.49% krahasuar me mars 2019. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 96,467 mijë lekë duke shënuar një ulje në masën 24.33 % krahasuar me mars 2019

Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 7,517 duke shënuar një ulje në masën 37.02% krahasuar me mars2019. Gjatë muajit mars 2020, janë paguar gjithsej 506,069 mijë lekë dëme ose 17.15% më pak se gjatë muajit mars 2019. Numri i dëmeve të paguara në mars 2020 është ulur me 1,383 dhe arriti shifrën 3,037 nga të cilat 2,981 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 56 nga shoqëritë e sigurimit të Jetës? vlerëson AMF.

Bonus-Malus, AMF: Në kushtet aktuale zbatimi mbetet në vullnet të shoqërive

 Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare vlerëson se pa u miratuar ndryshimet ligjore për të bërë të zbatueshëm me detyrim një sistem si Bonus-Malus, zbatimi për momentin mbetet në vullnet të shoqërive. Po kështu AMF sqaron sesi është qëndron situata lidhur me primin e sigurimit të ndërtimeve të reja për një afat 10 vjeccar sipas kuadrit ligjor.

  Në 1 prill duhet të kishte filluar zbatimi i bonus-malus në tregun e sigurimeve. A ka ndikuar situata aktuale në moszbatimin e ketij sistemi? Cfarë nuk po funksionon që sot kemi sërish formulën e vjetër tek primet e sigurimit dhe bonus-malus do jete vullnetar apo i detyrueshem për tregun?

Më 27.03.2019, Bordi i Autoritetit miratoi Udhëzimin nr.63 ?Mbi zbatimin e sistemit Bonus-Malus në sigurimin MTPL e brendshme?. Udhëzimi synonte parapërgatitjen e tregut të sigurimeve, deri në miratimin e ndryshimeve në ligjin ?Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit?, që do ta bënin këtë udhëzim të zbatueshëm.

Megjithë konsultimet e vazhdueshme mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë së Financave, ndryshimet ligjore mbeten ende të pamiratuara. Në këto kushte, në legjislacionin aktual përfshirja e Bonus-Malus mbetet në zgjedhje të shoqërive të sigurimit.

Me miratimin e ndryshimeve ligjore krijohet baza për një metodologji të harmonizuar të elementeve të Bonus-Malus në përllogaritjen e primeve të sigurimit.

Qeveria vendosi që ndërtimet e reja të sigurohen me një prim për 10 vite e lidhur kjo ngushtë me përgjegjsinë ndaj palëve të treta për probleme që mund të shfaqë terreni apo disa aspekte të tjera jo të lidhura këto me tërmetin. Kjo policë ka ndryshuar disa herë, që prej fillimit te saj. Këtu lindin disa pyetje:

(i) Ne legjislacionin e sigurimeve tendenca ka qene per liberalizim te produkteve ne drejtim te çmimeve duke ia lene kete pergjegjesi tregut. Në rastin konkret çmimi ështe i fiksuar tek kjo kontratë, në 1% ne 10 vjet. Pse kjo praktike dhe çfarë synon të arrihet. Kemi pare që dhe kur TPL ka qenë me çmim të miratuar nga AMF nuk është zbatuar në treg. Si do e garantojë AMF zbatimin e çmimit?

Bazuar në ndryshimet e vitit 2011, në përputhje me praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara në fushën e sigurimeve, në Ligjin nr. 10076, datë 12.2.2009 ?Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit?, shoqëritë e sigurimit përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, dhe fillojnë t?i zbatojnë ato, pasi njoftojnë zyrtarisht AMF.

Në vijim, ju sqarojmë se VKM nr. 650, datë 02.10.2019 ?Për sigurimin e ndërtimeve?, përcakton që tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1% e shumës së sigurimit/limitit të përgjegjësisë. Pra, në VKM është përcaktuar kufiri minimal dhe jo një tarifë fikse. Kjo shërben si një masë për të ruajtur shoqëritë e sigurimit, e ngjashme me primin e riskut në siguracionin TPL. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me anë të Vendimit të Bordit Nr. 207, datë 22.11.2019 ka miratuar ?Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm në ndërtim?.

(ii)  Duke qenë se në vendin tonë ky është produkt i ri, dhe nuk ka shumë të dhëna, si është përcaktuar ky çmim? Pasi rreziku i ketij produkti mund të jetë i lartë për kapacitetet e tregut tonë. Keni bërë vlerësime konkrete dhe a mund të ndani diçka me ne në këtë drejtim?

Për të parashikuar koston e ardhshme të dëmeve që mund të ndodhin në të ardhmen për një produkt sigurimi si dhe primin e çdo produkti, shoqëritë e sigurimit përdorin teknika aktuariale ku baza në të cilat mbështeten përbëhet nga statistikat në lidhje me numrin e dëmeve të ndodhura dhe kostot e tyre për një portofol të caktuar që ka në përbërje risqe të siguruara me karakteristika të ngjashme.

Në rastin konkret, duke qenë se bëhej fjalë për një produkt të ri, grupi i punës i ngritur për hartimin e VKM nr. 650, datë 02.10.2019 ?Për sigurimin e ndërtimeve? ka shqyrtuar dhe ka marrë në konsideratë:

Në vijim të sa më sipër, në linjë me tarifat e aplikuara në vendet me një treg të zhvilluar në sigurime, grupi i punës ka rekomanduar që tarifa vjetore e primit të sigurimit të mos jetë më e ulët se 0.1 për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë. Ky kufizim gjykohet i nevojshëm pasi duke qenë një produkt i detyrueshëm ekziston mundësia e nënvlerësimit dhe e marrjes në sigurim të risqeve me prime shumë të ulëta. Kjo praktikë, në rast të ndodhjes së ngjarjes së siguruar, do të çonte shoqëritë e sigurimit në pamjaftueshmëri të aktiveve në mbulim të provigjoneve teknike dhe pamjaftueshmëri të kapitalit.

Gjithashtu, për këtë produkt, për shumë sigurimi/limit përgjegjësie mbi 10% të aftësisë paguese të shoqërisë së sigurimit, kërkohet mbulimi me risigurim, në përputhje me Rregulloren nr. 85/1, datë 30.09.2015 ?Për kriteret e risigurimit?, të ndryshuar./ Monitor





Lajmet e fundit nga