web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Parcelat me drogë, vendorët përgjegjës për mosdenoncimet/Pse hesht LSI për Shqipërinë kanabiste?

15 Gusht 2016, 14:33, Aktualitet CNA

Qeveria Berisha ka miratuar një vendim, i cili është ende në fuqi, sipas të cilit përfaqësuesit vendorë duhet të denoncojnë rastet kur në territorin që ato mbulojnë mbillen lëndë narkotike.

Vendimi në atë kohë ngarkonte drejtuesit e komunave apo kryepleqtë e fshatrave me përgjegjësi ligjore nëse nuk denonconin parcelat me kanabis. Nëse i referohemi ndarjes së sotme, kur komunat janë shkrirë dhe kemi vetëm bashki, vendimi i atëhershëm ngarkon me përgjegjësi administratorët që emërohen nga Kryebashkiakët.

Por në kushtet aktuale kur ka një shtrirje të gjerë të mbjelljes së kanabisit në pothuajse të gjithë vendin, apo në 363 zona, sikundër theksohet në një raport të agjensive ligjzbatuese shqiptare dhe të huaja, dhe kur policia raporton çdo ditë për djegien apo shkatërrimin e dhjetra parcelave me bimë narkotike, nuk ka asnjë rast që të procedohen ligjërisht përfaqësuesit vendorë, të cilët me vendimin e Qeverisë Berisha i ngarkon ligji me përgjegjësi.

Por çfarë po ndodh me parcelat e kanabisit, për të cilin shërbimet sekrete të të dy vendeve partnere, raportojnë se prodhimi mund të shkojë në mbi 1 mijë tonë në vit dhe përtej çdo parashikimi?

Sot kemi denoncime vetëm nga Partia Demokratike, e cila përgjatë ditëve të fundit ka denoncuar me emra drejtuesit e policisë në qarqe të cilët janë vendosur nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lidhjet me kultivimin dhe trafikun e lëndës narkotike. PD akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm për gjithë situatën e krijuar përsa i takon kultivimit të kanabisit.

Në anën tjetër Policia e Shtetit ka reaguar duke i cilësuar akuzat si sulme ndaj policisë sa herë ajo është në krye të detyrës. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ministri i Brendshëm apo Kryeministri, ndërsa LSI e drejtuar nga Ilir Meta nuk ka dhënë asnjë reagim.

Po njëkohësisht LSI e drejtuar nga Meta, edhe pse pjesë e një Qeverie, e cila ka për detyrë kryesorë të mbrojë territorin nga çdo aktivitet i paligjshëm, ku përfshihet edhe kultivimi i bimëve narkotike, duke se ëhstë përjashtuar nga çdo përgjegjësi, qoftë edhe politike. Akuzat e PD, ashtu si edhe në rastet e tjera, drejtohen vetëm mbi pjesën socialiste të Qeverisë, duke shmangur përgjegjësinë për aleatin e saj kryesor.

Nëse partia e drejtuar nga Meta do të ishte distancuar qartazi nga një situatë e tillë, ku siç shprehet opozita po ndërtohet Shqipëria kanabiste, ndoshta do të ishte një tjetër situatë. Në raportin sekret të agjensive ligjzbatuese mes zonave që cilësohen me intensitet të lartë të mbjelljes së kanabisit janë edhe Skrapari dhe Berati, krahas shumë të tjerave në veri dhe jug. Nëse LSI do të ishte e rreshtuar qartazi kundër një fenomeni të tillë, atëherë minimalisht në zonat ku ajo ka një influencë pothuajse absolute, sikundër është Skrapari, kjo situatë do të ishte në minimumin e saj. Mjafton që përfaqësuesit e saj vendorë të zbatonin vendimin e Qeverisë Berisha, pjesë e së cilës ka qenë edhe LSI, kur ishte në aleancë me PD-në.

Por heshtja e LSI përballë kësaj situate nuk e përjashton atë nga përgjegjësia, edhe sikur ajo në heshtje të kundërshtojë paaftësinë e Qeverisë ku bën pjesë, në rastin më të mirë për të kontrolluar territorin. Heshtja e bën njëlloj bashkëpërgjegjëse mbi atë që quhet Shqipëria kanabiste, dhe ku sipas raportit të shërbimeve sekrete, paguhet deri në 10 euro për çdo rrënjë bimë narkotike tek policia.

Në anën tjetër është i pakuptimtë qëndrimi i mbajtur publikisht nga PD ku gjithë këtë situatë, e cila evidentohet edhe nga shërbimet sekrete të të paktën dy vendeve partnere,  ku akuzat fragmentohen vetëm në një pjesë të Qeverisë, edhe pse përgjegjësia e tyre mund të jetë më e madhe në krahasim me pjesën tjetër.

Por heshtja e aleatit kryesor të Ramës mund të shpjegohet vetëm me dy arsye: e para që ajo të jetë po aq bashkëpërgjegjëse dhe po aq bashkëpërfituese sa ato që akuzon PD dhe e dyta, që kjo situatë mos i bëjë aspak përshtypje dhe të vijojë mbajtjen e të njëjtit qëndrim përsa kohë sa publikisht ajo nuk konsiderohet bashkëfajtore dhe bashkëpërgjegjëse për Shqipërinë kanabiste. /citynews/





Lajmet e fundit nga