web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Viti i mbrapshtë i biznesit të HEC-eve

15 Maj 2016, 07:40, Aktualitet CNA

Bizneset e HEC?eve me koncesion pësuan rënie dyshifrore të të ardhurave në vitin 2015 prej rishikimit në ulje të çmimeve të shitjes së energjisë. Tregu i koncesionarëve u zgjerua edhe me tetë operatorë të rinj në 2015-n, duke zënë 24% të prodhimit neto. Politikat rregullore kanë rënduar klimën e bizneseve private, teksa kompanitë publike kanë zgjeruar të ardhurat. Bizneset, të acaruara: Është cenuar siguria juridike e kontratave

Blerina Hoxha

Vala e hidrocentraleve të vogla me koncesion ka nisur të prodhojë milionerët e parë. Por pas perspektivës së artë të tregut nga kërkesat gjithnjë e në rritje për energji të pastër me çmime të shtrenjta, biznesi vendas i këtij sektori e ka parë veten ngushtë vitin që shkoi.

Nën presionin e ndryshimit të politikës së çmimeve me ulje për energjinë që ata shesin, të ardhurat për bizneset e HEC-eve ranë me 1.3% në fund të vitit 2015, teksa prodhimi u rrit me 7.2%.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) analizon se prodhimi në rritje i dedikohet vënies në punë të 8 hidrocentraleve të reja më 2015, por bizneset e mëdha të sektorit kanë raportuar rënie të nivelit të të ardhurave nga shitjet në nivele dyshifrore.

Vit pas viti, prodhimi i energjisë nga privatët po zë një peshë të konsiderueshme në prodhimin vendas, pavarësisht se një pjesë e këtyre investimeve janë të debatueshme për efektet negative në mjedis. Prodhimi i përgjithshëm neto për vitin 2015 nga gjeneruesit privatë dhe me koncesion ishte 1 413 709 MWh ose 24.1% e prodhimit të përgjithshëm neto vendas gjatë 2015-s, nga rreth 22% që ishte më 2014.

Vlera e energjisë në treg e prodhuar nga HEC-et private arriti 57 milionë euro në 2015-n, duke u shtuar me 10 milionë euro në krahasim me vitin 2014. Por, nga ana tjetër, bizneset e sektorit kanë ulur dukshëm optimizmin për vitet në vijim, pasi qeveria ka ndryshuar në mes të rrugës rregullat e lojës të përcaktuara në kontratat fillestare. Çmimi i shitjes së energjisë nga këto HEC-e, me vendim të Entit Rregullator, është ulur me 27% që nga fillimi i vitit 2014. Rënia e të ardhurave nga kjo lëvizje e paparashikuar ka vënë në vështirësi financiare disa biznese të sektorit, të cilat i kanë kryer investimet me kredi bankare.

Kthimi i investimit me çmimet e reja është shtyrë me të paktën tetë vite -shprehet Bledar Mehmeti nga Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme, njëkohësisht administrator i HEC-it të Tërvolit. Të njëjtin shqetësim ka ngritur edhe Dalip Spahiu, i cili operon në këtë sektor që prej vitit 1996 me HEC-Gjancin. Ai tha se, referencat që ka marrë ERE për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë (ku përfshihet edhe çmimi i energjisë bërthamore në Bursën e Hungarisë) nuk përkojnë me cilësinë e produktit që japin HEC-et private në Shqipëri që është tërësisht energji e pastër.

Grafiku: Prodhimi total ne MW/h 2015, privat-publik

 

Bizneset e HEC-eve, të ardhurat në rënie pikiatë

 Të ardhurat e kompanisë Euron Energji, që është e dyta më e madhe në treg pas HEC-Ashtës, ranë me 26% në vitin 2015. Arkëtimet e kompanisë ishin 873 milionë lekë gjatë vitit të kaluar nga më shumë 1.2 miliardë lekë në vitin 2014. Rënie të të ardhurave me 27% përjetoi edhe HEC-i i Tërvolit. Rënia në nivele dyshifrore vijoi edhe për Albanian Green Energji me 26%, por tkurrjen më të madhe të të ardhurave e shënoi Balkan Green Energy me 46%. Të ardhurat e gjashtë operatorëve kryesorë në tregun privat të prodhimit të energjisë kanë rënë dukshëm në vitin 2015. Shkak kryesor është bërë ulja e çmimit në 7.6 lekë për kilovatorë nga 9.1 lekë që ishte niveli i çmimit më 2014. Por burimet nga tregu pohojnë se, përveç uljes së çmimit, një arsye tjetër ishte ulja e prodhimit individual nga HEC-et koncesionare.

Reshjet gjatë vitit 2015 kanë qenë të përqendruara në pjesën veriore të vendit, duke favorizuar më shumë prodhimin në HEC-et në pronësi të KESH?it (kompanisë publike të prodhimit të energjisë). Ndërsa koncesionarët e vegjël të përhapur kudo në Shqipëri, nuk kanë përfituar njësoj nga reshjet ndaj për shumicën e prej tyre, prodhimi ishte më i ulët në 2015.

Bledar Mehmeti, administrator i HEC-it të Tërvolit, thotë se pritshmëritë janë disi më pozitive për sa u përket reshjeve në vitin 2016. Ndërsa në lidhje me futjen e kapaciteteve të reja në sistemin prodhues nuk shprehet shumë optimist, sepse paqartësia e krijuar nga politikat e ndërmarra ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucioneve financiare në vend për të financuar, si dhe ka larguar investitorët nga sektori.

?Sado që retorikat politike mund të kundërshtojnë, ne shohim se në 2015 kemi shumë pak HEC-e të reja të përuruar, në ndryshim me vitet 2013 dhe 2014, ku pjesa më e madhe e HEC-eve ekzistues kanë filluar nga puna në këtë periudhë?, thotë Mehmeti.

Në lidhje me normën e fitimit është e qartë se ajo vjen çdo vit dhe më shumë në ulje, duke larguar investimet në sektor. Faktorët që ndikojnë, sipas Mehmetit, janë rritja e tatimfitimit nga 10-15%, gjithashtu referenca e çmimit të blerjes te Bursa e Hungarisë edhe për 2016 dhe më pas llogaritja e çmimit afatgjatë nga ERE midis të tjerash bazuar te kthyeshmëria e investimeve për një periudhë 15-vjeçare do t?i ulte të ardhurat në masën 20-30% krahasuar me 2014.

Futja e HEC-eve si subjekte të disbalancave do të rëndonte në kosto HEC-et duke ulur çmimin e blerjes në masën 15-20%, shpjegon zotëruesi i një prej HEC-eve më të mëdha në vend.

Për shkak të këtyre faktorëve, të ardhurat e HEC-eve do të uleshin në masën 45% dhe do të rriteshin për shkak të pritshmërive më të mira për reshjet gjatë 2016-s në masën 15%. Në neto, të ardhurat dhe për rrjedhojë norma e fitimit do të ulej në masën 30% krahasuar me vitin 2014, llogariti administratori i Tërvolit.

Duke marrë parasysh që prodhimi maksimal i vitit 2010, përveç rritjes së kapaciteteve të instaluara në një masë të madhe u ndikua nga kushtet shumë të favorshme hidrike, vihet re ritmi i lartë i rritjes së prodhimit nga HEC-et e dhënë me koncesion, veçanërisht gjatë periudhës 2008-2014. Një rritje e konsiderueshme u vërejt gjatë vitit 2013, ku prodhimi nga HEC-et e vogla ishte 2.5 herë më i madh në krahasim me vitin e mëparshëm. Kontribut të rëndësishëm në këtë rritje të prodhimit ka HEC-Ashta, i cili gjatë vitit 2013 prodhoi 211 GWh ose 28% të totalit të prodhimit nga këto HEC-e, sipas burimeve zyrtare nga ERE.

Grafiku: Te ardhurat e operatoreve me te medhenj

Fitimet, prodhuesit me sytë nga qielli

Prodhimi total i energjisë është zgjeruar vitin që shkoi me 24% dhe arsyeja themelore janë reshjet. Si rezultat i kësaj situate, prodhimi ka shënuar rritje si për HEC-et publike dhe për ato private. Sipas shifrave të përpunuara nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi nga HEC-et në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare është rritur me 30%, ndërsa nga prodhuesit privatë, me 7.2%. Zgjerimi i prodhimit nga HEC-et e vogla ka ulur ritmin vitin e kaluar, edhe pse tregu u shtua me operatorë të rinj.

Në total, prodhimi neto i energjisë shënoi 5,865,670 MW me një vlerë tregu 234 milionë euro, duke marrë në konsideratë çmimet mesatare të importit vitin që shkoi. Prodhimi i vitit 2015 ka qenë sipër mesatares së dekadës, por përveçse reshjeve, treguesi varet në një masë të madhe edhe nga administrimi i rezervës ujore. Një marrëveshje e vitit të kaluar ndërmjet KESH dhe OSHEE për shitjen e tepricave të prodhimit të KESH për mbulimin e humbjeve në sektorin e shpërndarjes (proces që nuk kishte qenë i lejuar më parë) ka rritur eficencën e prodhimit të energjisë në periudha reshjesh të mëdha.

Në totalin e të gjithë prodhimit, kompania publike KESH kontribuoi me 75.8%, HEC-et e vogla me koncesion me 17%, HEC-Ashta ma 4%, HEC-et e Kurum me 6% dhe HEC Peshqesh me 0.4%.

HEC-i i Peshqeshit është futur në prodhim në pranverë të vitit që shkoi dhe investimi ndodhet në zonën e Mirditës. Kjo vepër e re në pronësi të kompanisë turke AYEN AS ENERGJI kontribuon me 10% të prodhimit në tregun e HEC-eve të vogla. Por kompania nuk ka kontratë me KESH për shitjen e energjisë. Burimet pranë tregut pohojnë se ajo e shet prodhimin në tregun privat, sipas përcaktimit në kontratën që ka nënshkruar me qeverinë shqiptare për investimin. Me modelin e ri të tregut të energjisë, që pritet të miratohet këtë vit, edhe prodhuesit e vegjël do të kenë mundësi për të gjeneruar tregje të reja jashtë Shqipërisë për shitjen e energjisë, duke mos përdorur KESH si blerësin e vetëm.

Duke qenë se, prodhimi i energjisë nga HEC-et e vogla është në sasi më të mëdha se parashikimet, KESH është vënë në vështirësi për të kryer pagesat vjetore për energjinë e prodhuar nga koncesionarët. Nga analiza e historikut të prodhimit të energjisë elektrike të regjistruar në vend, viti 2015 ka shënuar një prodhim të energjisë elektrike nga burimet vendase mbi nivelin mesatar. Prodhimi maksimal mujor për vitin 2015, është shënuar në muajin mars me 717 226 MWh. Ky prodhim i lartë është realizuar kryesisht nga hidrocentralet në administrim të KESH sh.a. Prodhimi mujor minimal gjatë vitit 2015 është realizuar në muajin tetor me 237 419 MWh. Prodhimi për vitin 2015 është 5,866 GWh, pra një prodhim mbi mesataren shumëvjeçare 1985-2015 me rreth 1,243 GWh.

 

Grafiku: Ndarja e tregut privat te energjise sipas operatoreve

Të ardhurat e bizneseve, në varësi të Bursës së Hungarisë

Të paktën 100 biznese të HEC-eve janë të ekspozuara ndaj ndryshimeve të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, sidomos ndaj Bursës së Hungarisë, e cila është marrë si referencë nga Enti Rregullator i Energjisë për të përcaktuar tarifat vjetore, me të cilat këto HEC-e duhet të shesin energjinë. Kjo metodë i shkon logjikës së ekonomisë së tregut, por nga ana tjetër është në shkelje flagrante të kontratave fillestare që bizneset e HEC-eve kishin me qeverinë, pohojnë operatorët. Në këmbim të rritjes së investimeve në sektorin e energjisë, ish-qeveria Berisha detyroi kompaninë publike KESH që të blinte energjinë nga prodhuesit e vegjël, me një çmim 9.1 lekë. Mirëpo duke qenë se investimet në HEC-e përparuan shumë shpejt, prodhimi i tyre kaloi parashikimet e KESH, duke e bërë të pamundur blerjen e të gjithë sasisë së ofruar. Për rrjedhojë, KESH akumuloi detyrime të prapambetura në vlerën e më shumë se 30 milionë eurove më 2014. Në këtë situatë, autoritetet publike vunë në lëvizje Entin Rregullator të Energjisë, i cili në fillim të vitit 2015 rishikoi me ulje çmimin me të cilin koncensionarët shisnin energjinë ndaj KESH, nga 9,1 lekë në 7.6 lekë.

Tarifa do të rishikohet çdo vit. Për këtë kategori prodhuesish, përcaktimi i tarifës së prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet për vitin 2016 u kushtëzua nga publikimi i raportit vjetor të Bursës së Hungarisë. Pas publikimit të raportit, ERE procedoi me përcaktimin e tarifave fikse të energjisë që do t?u paguhen prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet, e cila është 7.4 lekë ose 0.2% më e ulët se vitin e kaluar.

Sipas ERE, çmimi 7.448 leke/kWh i miratuar me Vendimin e Bordit të ERE-s nr. 13, datë 16.02.2016, do të jetë çmimi me të cilin prodhuesit e energjisë nga hidrocentralet do të shesin energjinë e prodhuar prej tyre përgjatë vitit 2016.

Ky çmim rezultoi i përafërt me atë të vitit 2015 (7.636 lekë/kWh), duke mos krijuar luhatje të mëdha të kostove për Furnizuesin Publik me Shumicë, kosto e cila është e transferueshme te konsumatorët tariforë. Për investitorët, këto vendime të Entit Rregullator janë në shkelje të hapur të kontratave dhe kanë cenuar rëndë sigurinë juridike.

AREA (Shoqata e Prodhuesve nga Energjitë e Rinovueshme, nëpërmjet padisë së ngritur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë pretendon se Vendimi i ERE është marrë në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi dhe cenon të drejtat e prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike të parashikuara nga Ligji për Burimet e Rinovueshme dhe nga kontratat koncesionare mes të licencuarve dhe Ministrisë përgjegjëse për Energjinë. Aktualisht, lidhur me këtë padi, gjykata pranoi kërkesën e ERE për shpalljen e mos juridiksionit dhe si e tillë kjo çështje është kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit Administrativ.

 

 

HEC-et në ndërtim, zgjerojnë kapacitetet me 22%

 

Me gjithë klimën e vështirësuar të biznesit për shkak të rritjes së taksave dhe mosrespektimit të kontratave, prodhimi i energjisë është i vetmi sektor që po afron investitorë vendas dhe të huaj. Prej investimeve të reja, kapacitetet e prodhimit të energjisë do të jenë 426 MW, sipas ERE.

Duke marrë parasysh edhe fuqinë e përgjithshme të instaluar të prodhuesve privatë të energjisë elektrike prej 447 MW, fuqia e përgjithshme e instaluar (e licencuar) në vendin tonë rezulton 1 895 MW në fund të 2015-s. Por me investimet e reja, këto kapacitete pritet të shtohen me 22%.

Operatori i Transmetimit të Energjisë, OST, parashikon të lidhë në rrjet 426 MW për periudhën në vijim, nisur nga të dhënat që ka marrë nga investimet në proces. Nga kaskada e lumit Devoll do të prodhohen 171 MW nga HEC-i Kalivaç, 100 MW, nga HEC Fang, 72 MW, nga HEC Gostime 21.5 MW, nga HEC Qarrishtë 37 MW, nga HEC Terrnovë 9.35 MW dhe nga HEC Rapun 3-4 dhe 9 MW.

 

Kompanitë publike dalin nga gropa

Me largimin e kompanisë CEZ nga administrimi i OSHEE dhe ndërtimin e një skeme agresive për grumbullimin e faturimeve të energjisë, kompanitë publike OSHEE, KESH dhe OST kanë hyrë në vitin e dytë të rikuperimit, kur gropa e borxheve nuk po thellohet, por ka nisur të mbushet.

OSHEE ka arkëtuar në total për vitin 2015 shumën prej 65,7 miliardë lekësh ndërsa në vitin 2014 ishin arkëtuar 49,7 miliardë lekë dhe në vitin 2013 vetëm 38,3 miliardë. Niveli i humbjeve për vitin 2015 u ul në 31.3%. Një vit më parë, ato ishin 37.8%, ndërsa në vitin 2013, arrinin në 45%. Operatori i Shpërndarjes, për herë të parë, del me një rezultat financiar pozitiv. Në vitin 2013, rezultati financiar ishte negativ, 27 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2014, negativ, 4,5 miliardë lekë. Nga të dhënat paraprake, bilanci i OSHEE për vitin 2015 del pozitiv me 14,9 miliardë lekë.

Një situatë pozitive ka qenë edhe kompania publike e prodhimit të energjisë KESH. Një menaxhim më i mirë i reshjeve, e kanë ndihmuar Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare të ketë bilanc më të përmirësuar për vitin që shkoi. Të ardhurat nga shitjet ishin mbi 19 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë ato u rritën 77%. Në ndarjen mes shitjeve në tregun e rregulluar, (kryesisht familjarët) dhe tregun e parregulluar, duket se prodhimi i kaskadave të KESH-it po shkon gjithnjë e më shumë për tregun e rregulluar. Me gati 14 miliardë lekë, mbi tre të katërtat e së gjithë energjisë së shitur e ka dërguar te familjet. Në tregun e parregulluar, edhe pse sasia e shitur është rritur shumë më tepër se një vit më parë, në fakt mbetet i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Por kompanitë publike të energjisë, KESH dhe OSHEE, kanë akumuluar borxhe në bilance që aktualisht janë në mbi 800 milionë dollarë.

 

Konsumi, prodhimi vendas nuk plotëson nevojat

Me gjithë zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga investimet e reja dhe reshjet e mbara, sërish prodhimi vendas nuk i plotëson nevojat e konsumit. Deficiti ndërmjet prodhimit dhe konsumit në vitin 2015 ishte 20%. Nga 7,265,525 MW/h, prodhimi vendas ishte 5,865,670 MW/orë ose 20% më pak. E gjithë sasia tjetër është importuar nga kompanitë publike.

Energjia elektrike rezulton të jetë konsumuar më pak gjatë vitit 2015 sipas Entit Rregullator të Energjisë dhe kjo për arsye të miradministrimit më të madh të përdorimit të produktit nga konsumatorët dhe për shkak të dimrit të butë. Konsumi total energjisë ishte 7,265,525 MWh nga 7,793,434 MWh që ishte më 2014.

Konsumi i energjisë po ndjek trajektoren e zhvillimit të ekonomisë dhe konsumit të mallrave të tjera. Treguesi shënoi rënie për dy vite radhazi ndërkohë që nga 1995 deri në vitin 2008, llogaritet se ka pasur një rritje mesatare vjetore mbi 6%.

Ulja më e madhe ka ndodhur në konsumin e energjisë nga familjarët. Në vendin tonë, konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për konsumatorët tariforë për vitin 2015 përbën rreth 49.6%, duke shfaqur ulje prej 8.4% në krahasim me vitin 2014. Konsumatorët privatë zënë 37.8% të faturimit total të OSHEE, duke shfaqur rritje me 6.8% krahasuar me vitin 2014. Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë edhe konsumatorët buxhetorë dhe jobuxhetorë, të cilët zënë 12.6% të faturimit total të OSHEE me një rritje prej 1.6% nga viti i kaluar.

Nga studimi i profilit vjetor të konsumit të energjisë elektrike, tipari karakteristik i këtij profili është simetria thuajse e plotë e konsumit dimër ? verë, analizon Enti Rregullator, duke vënë në dukje se edhe këtë vit vërehet i njëjti fenomen, përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje. Çdo ndryshim i temperaturës së mjedisit reflektohet menjëherë në konsumin ditor të energjisë elektrike, pikërisht të efektit nga përdorimi ose mospërdorimi i ngrohjes elektrike të banesës.

Gjatë stinës së verës, në muajt korrik dhe gusht, tendenca e pikut është në rritje, i cili nga viti në vit po bëhet më evident dhe lidhet me përdorimin gjithnjë e në shkallë më të gjerë të pajisjeve klimatizuese.

Për periudhën 1998-2015, me përjashtim të vitit 2010, vendi ynë rezulton të jetë një importues neto i energjisë elektrike.

 

Grafiku: KONSUMI TOTAL I ENERGJISE ELEKTRIKE NE SHQIPERI 2002-2015 (MWh

 

 

Biznesi i energjisë, zgjerohen alternativat

 

Tregu i energjisë po zgjerohet gjithnjë e më shumë si në drejtim të prodhimit, por edhe në sektorin e tregtimit. Edhe pse ligji i ri i energjisë që liberalizon më tej furnizimin me energji nuk është bërë ende funksional, shumë biznese i drejtohen Entit Rregullator për leje në fushën e tregtimit. ERE pohon se, për vitin 2015 ka pasur rritje të aplikimeve për licencim, të paraqitura në ERE nga subjektet e ndryshme. Nga 64 aplikime të paraqitura nga subjektet gjatë vitit 2014, për vitin 2015 janë paraqitur 73 të tilla. Janë rritur aplikimet e paraqitura për aktivitetet e prodhimit, tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike, si dhe në aktivitetet e gazit natyror. Ka një ulje në aplikimet e subjekteve për modifikimin e licencave, ndërsa aplikimet e paraqitura për rinovim apo transferim licence janë në të njëjtin nivel me vitin 2014. Nga 73 aplikimet e paraqitura në ERE, gjatë vitit 2015, nga subjektet e ndryshme, për 61 prej tyre, Bordi i ERE-s ka vendosur licencimin e tyre, ndërsa 12 aplikime të tjera janë në proces dhe licencimi i tyre do të finalizohet gjatë vitit 2016. Ndërsa këtë vit kanë vërshuar të tjera kërkesa, sidomos për leje prodhimi dhe tregtimi.

Hyrja në fuqi e ligjit të ri për energjinë në vitin 2018 duhet t?i gjejë të gjitha bizneset në tregun privat të energjisë, ndërsa që nga qershori i 2016, klientët e tensionit të mesëm të furnizohen nga privatët dhe jo OSHEE. Projektmodeli i tregut të energjisë që është për diskutim në grupet e interesit bazohet në një model të avancuar të mekanizmit financiar për të cilën tregu shqiptar nuk i ka njohuritë e nevojshme dhe madje është skeptik. Por Entela Cipa, këshilltare për Energjinë në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës, pohon faktin se modeli që është zgjedhur për të zhvilluar tregun e energjisë në Shqipëri është një nga më të avancuarit në Europë, por se adoptimi i tij nuk është i pamundur. Cipa kujton se në treg operojnë kompani me zë nga Europa të tilla si, austriakët e Ashtës dhe norvegjezët e Statkfrat të Devollit, dhe nga ana tjetër ka operatorë në pjesën e tregtimit që kanë mundësi dhe kapacitetet teknike për të zhvilluar tregun e energjisë nëpërmjet Bursës.

Grafiku: Ballanca Import/Eksport 1985-2015 (GWh)

TEC?i Vlorës dergjet nga defekti

 

Termocentrali i Vlorës është sot dëshmia e gjallë e dështimit të politikave të qeverisë dhe donatorëve në sektorin e energjisë. TEC, i cili është ndërtuar me një kredi 90 milionë euro ka katër vite që rri në konservim. Por edhe sikur defekti të mos ekzistonte, TEC po të vihej në punë, prodhon energji me kosto më të larta se importi, thonë ekspertët brenda sektorit.

Edhe gjatë vitit 2015 nuk është prodhuar energji elektrike nga TEC Vlora. Ky TEC ishte parashikuar të vihej në punë gjatë vitit 2011, por për shkak të problemeve teknike të konstatuara gjatë testimeve, ende nuk është mundësuar vënia në punë e TEC-Vlora.

KESH sh.a. dhe kontraktori i ndërtimit të TEC-it janë në proces gjyqësor për zgjidhjen e kundërshtive lidhur me defektin në sistemin e ftohjes dhe mbylljen e njëanshme të kontratës nga TCM (nga kompania e kontraktuar) që në vitin 2012.

Pritet që një kompani e specializuar konsulence të përfundojë projektin e riparimit të defektit në sistemin e ftohjes në TEC-Vlora. Mendohet nga KESH që të përgatitet një studim pre-fizibiliteti ku do të analizohet në mënyrë krahasuese kosto e përdorimit të gazit natyror në prodhimin e energjisë elektrike nga TEC Vlora.

 

Projekti TAP, si po e nxit tregun

 

Gazsjellësi TAP përveçse pritet të zgjidhë nevojat afatgjatë të vendit me gaz për ngrohje dhe me çmime ekonomike, po shihet si nxitës për zgjerimin e mëtejshëm të tregut të energjisë në vend. Qeveria shqiptare synon të nxisë ndërtimin e TEC-eve në zonën nga kalon tubi i gazsjellësit, gjithashtu ndërtimi i rrjetit të shpërndarjes brenda vendit dhe transiti nëpërmjet degëzimit TAP do të zgjerojnë frontet e punës për biznesin e energjisë.

Projekti TAP-AG po shikohet si një projekt që krijon unazën (Ring) në Europë, kjo do të bëjë që të ketë diversitet furnizimi me gaz natyror, por njëkohësisht lidhja në të ardhmen e afërt me Projektin IAP, do të bëjë vendin tonë një nyje lidhëse në drejtim të Malit të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Kroaci.

Në lidhje me projektin IAP, qeveria ka aplikuar për financime të projektit pranë Komisionit Europian, dhe po punohet ngushtësisht me qeveritë e dy shteteve të tjera ku kalon ky projekt, Malit të Zi dhe Kroacisë për sigurimin e këtyre fondeve e duke shkuar drejt realizimit të këtij projekti. Njëkohësisht projekti IAP, duke kaluar në drejtim të Veriut, përshkon ne mënyrë gjatësore territoret e vendit tonë, dhe për rrjedhojë do të shërbejë si një magjistral, rrjet transmetimi i presionit të lartë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm afatgjatë me gaz.

Ky projekt do të bëjë lidhjen me projektin TAP-AG, nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi do të përfundojë në Kroaci, dhe nga ky projekt do të përfitojë, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina. Gjatësia e këtij tubacioni do të jetë 511 km, do të transportojë 5 bcm/vit dhe përfituesit nga kjo sasi gazi do të jenë Shqipëria me 1bcm/vit, Mali i Zi me 0,5 bcm/vit, Bosnjë-Hercegovina 1bcm.vit, Kroacia me 2.5 bcm/vit. Kosova do të marrë gaz nëpërmjet Shqipërisë./monitor.al





Lajmet e fundit nga