web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sipërmarrjet e mëdha: “Shthuret” biznesi vogël, nuk kërkon fatura, bien shitjet dhe konsumi

28 Mars 2016, 11:19, Ekonomi CNA

Heqja e taksave për bizneset e  vogla deri në 5 mln lekë po bën që prodhuesit të gjenden para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë, por edhe për të blerë (edhe FMN e kishte paralajmëruar këtë). Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra një biznes objekt taksash?

Disa shifra të fundit mbi ekonominë i vënë vulën një fenomeni aspak të këndshëm, ndonëse jo të jashtëzakonshëm: konsumi i ulët është bërë një gangrenë për qeverinë, sipërmarrjet dhe bashkëjeton ngushtësisht veçanërisht me familjet e varfra. Por, që konsumi po qëndron gati në vendnumëro, nuk përbën lajm. Si për faktin se kjo po ndodh edhe në shumë vende europiane, por edhe se prej vitesh, sipërmarrjet vendase raportojnë ecuri të shitjeve gjithnjë e më të ulëta. Kjo shihet te prodhuesit e brumërave, mishit, pijeve joalkoolike, e më keq akoma, industria e perimeve të konservuara. Adi Haxhiymeri, importues i grurit dhe sipërmarrës i Bloja sh.a., dhe fabrikës së makaronave Prima, është një prej sipërmarrësve që më shumë se pesë vite raporton shitje në ulje. Por, viti i fundit, duket se është më drastik në uljen e shitjeve. ?Vetëm krahasuar me një vit më parë, niveli i konsumit ka rënë rreth 15%. Nuk ka tërheqje nga tregu?, thotë Haxhiymeri. Sikur të mos mungojë ulja e konsumit, importuesit e grurit, të cilët e bluajnë në vend, thonë se po konkurrohen padrejtësisht nga importet nga Serbia. Importuesit pretendojnë se cilësia e mallit të futur nga Serbia është e dobët, e rrjedhimisht me çmim më të ulët. ?Mielli nga Serbia dhe vende të tjera fqinje, është jashtë standardit dhe nuk po kontrollohet?, vërejnë tregtarët. Kjo ka thelluar më tej uljen e prodhuesve të miellit. Mes konsumit dhe problemeve të tregtisë, industria e blojës po përballet me një rënie prej 30% të shitjeve krahasuar me vetëm një vit më parë.

Kur rënia e konsumit, ka prekur prodhimet bazë të shqiptarit (si buka e brumëra të tjera), birra apo pije të tjera nuk hanë diskutim. Stefan Pinguli flet për një presion të shtuar në aktivitetin e tij, për shkak të vështirësive që ka për të shitur. Kjo ulje që nuk duket se lidhet tërësisht me kërkesën për konsum, po shfaqet si kambanë alarmi për shkurtimet e vendeve të punës.

Pas kompanive të naftës dhe minierat, edhe sipërmarrje të industrisë ushqimore paralajmërojnë shkurtime të punëtorëve. Haxhiymeri ka 200 të punësuar aktualisht dhe thotë se është i detyruar të mos punojë më me tre turne, duke rrezikuar largimin e disa punëtorëve. Edhe pse nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, me kushtet aktuale të shitjeve thotë se do të duhej të çonte në shtëpi 50 punëtorë, ose një të katërtën e stafit.

Të braktisur në fatin e tyre tashmë për shkak të uljes së konsumit, por edhe problemeve të tjera në treg, e ardhmja duket se varet nga puna e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sipërmarrësit e blojës e prodhues makaronash po presin, vendimin e këtij autoriteti lidhur me importin e miellit nga veriu. Një vendim i drejtë sipas tyre do të bëjë që efektin negativ të uljes së konsumit ta amortizojnë në normat e tyre të fitimit.

Por nuk është vetëm konsumi, biznesi vogël nuk merr fatura

Edhe pse rreziku i largimeve nga puna mbetet po njësoj me uljen e shitjeve të sipërmarrjeve prodhuese, konsumi nuk është e vetmja arsye. Një ?thyerje? drastike e tregut të konsumit duket se ka ndodhur pikërisht pas aksionit antiiformalitet i nisur në shtator dhe vendimit të qeverisë për të lehtësuar biznesin e vogël në muajin nëntor. Heqja e taksave dhe vendosja e kufijve të xhiros (edhe pse të rritur) po bën që prodhuesit të gjenden para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë. (Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra një biznes objekt taksash). Kjo është një nga arsyet kryesore që kanë rënë shitjet sipas sipërmarrësit Stefan Pinguli. Duke e konsideruar një hap mbrapa këtë tërheqje të qeverisë, z. Pinguli thotë se industritë prodhuese po vendosen gjithnjë e më shumë para presionit për të shitur pa faturë. Ju do të pyesni, pse ky shqetësim i madh, kur edhe deri dje, sipërmarrjet e vogla tregtare nuk merrnin faturë për mallrat e blera?! Ndryshimi gjendet po ashtu te formalizimi (i drejtë dhe i padiskutueshëm për rëndësinë e tij). Sipërmarrjet e mëdha janë formalizuar plotësisht duke rritur nivelin e deklarimeve, ndërsa kjo nuk reflektohet te partnerët e tyre tregtarë. Duke thelluar hendekun mes prodhuesit e tregtarit, bizneset e vogla zgjedhin më mirë të shesin më pak mall të siguruar pa faturë, se të shtojnë xhiron ?de facto? e ?de jure?.

Shqetësimin e luftës ?së munguar? ndaj informalitetit e hasin edhe sipërmarrje që po rriten. Sipërmarrësi Luan Leka thotë se ka pasur ecuri të mirë uji ?Qafë Shtama? duke rritur shitjet me 43% në dy muajt e parë. ?Parashikimi është që të rritet 35-40% këtë vit. Do të ketë punësime në prodhim dhe në rrjetin e tregtimit. Tek fabrika e sallamit ?EHW?, Leka pret që aktiviteti të rritet rreth 5%. Rrjeti i supermarketeve ?Conad? parashikon rritje rreth 8-9%. Dhe pritet hapja e 4 supermarketeve të reja. ?Theksoj se një faktor i rëndësishëm që ndikon në performancën e këtyre ndërmarrjeve është qëndrimi i qeverisë ndaj ekonomisë informale, ndaj subjekteve që nuk marrin fatura, që nuk japin kuponët e kasës e që nuk paguajnë taksa. Lufta ndaj ekonomisë informale ndihmon të rritemi ne që paguajmë taksat?, thotë z. Leka. Ai vëren se, në katër muajt e fundit të vitit të kaluar u bë mjaft, por tërheqja që u bë ndaj biznesit të vogël ishte e dëmshme dhe inkurajoi fenomenin e mosmarrjes së faturave për të mos kaluar kufirin e 5 milionë lekëve.

FMN paralajmëroi (pasi qeveria vendosi të heqë taksën e biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit për xhiron deri në 5 milionë lekë) se kjo do të kishte efekt negativ në luftën ndaj informalitetit, pasi nxitja për evazion masiv do të jetë më e madhe dhe shumë biznese do të tentojnë të qëndrojnë në këtë nivel, ndërsa të tjera do tentojnë të ndahen që të zbresin në kufirin ku nuk paguhen taksa.

Albana MUÇAJ/monitor.al





Lajmet e fundit nga