web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Intervista/ Astrit Patozi: Flirti me LSI vetëvrasje për PD

1 Shkurt 2016, 09:09, Aktualitet CNA

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha në një intervistë për gazetën ?Panorama? se flirtimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim është do të ishte një vetëvrasje për Partinë Demokratike. Ai tha se koalicioni për 4 vite me LSI-në i ka dëmtuar rendë demokratët. Gjithasht, gjatë intervistës, Patozi ka folur edhe për drejtimin e Partisë nga Lulzim Basha dhe për mundësitë e opozitës për të zgjeruar koalicionin.

Intervista e plotë e Astrit Patozit
PD-ja ka ngritur prej kohësh tezën e zgjedhjeve të parakohshme me anë të qeverisë teknike, ndërkohë që kryetari Basha përpiqet t?i ndajë në akuza aleatët në qeverisje, duke qenë i kujdesshëm për akuzat ndaj Metës dhe duke i kujtuar Ramës se ka vetëm 64 vota. A duhet të mbajë përsëri shpresa PD-ja te LSI-ja pas asaj eksperience që keni pasur në 4 vitet e fundit të pushtetit?

Zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë një opsion, sa herë që ka një qeverisje në krizë dhe unë mendoj se ne e plotësojmë qartazi këtë kusht. Kjo nuk është shpikje e opozitës dhe as ndonjë ëndërr vere e zotit Basha. Është një realitet që gati e pranojnë të gjithë, duke përfshirë edhe vetë shefat e aleancës së koalicionit qeverisës. Para pak ditësh, vetë Kryeministri iu drejtua biznesit të huaj se nuk duhet të trembej nga raportet e këqija mes tij dhe Ilir Metës. Për ta ilustruar këtë kishte gjetur edhe një batutë, që martesat me leverdi janë më të mira apo më të qëndrueshme se ato me dashuri. Një pranim evident i krizës dhe i faktit që kjo qeveri po mbijeton për shkak të një pazari, por që nuk ka më asnjë grimë frymëzimi. E thënë kjo nga babai i “Rilindjes”, tingëllonte sa cinike, aq edhe kapitulluese.
A duhet të gëzohemi ne kaq shumë prej kësaj që po ndodh brenda gardhit të kundërshtarëve tanë? Në dukje të parë, ngjan se çdo opozite do t’i interesonte çarja e maxhorancës, sepse do ta faktorizonte më shumë atë vetë dhe do ta përshpejtonte rënien e qeverisë. A jemi ne ky rast?Qofsha i gabuar, por ngjan se një koalicion pazaresh e ka të vështirë të prishet përfundimisht sa kohë që i kujtohet se ka diçka për të ndarë. Ndaj këto ftohje-ngrohjet e Ilir Metës me Edi Ramën janë më shumë hakërrime dhe testim forcash në një rivalitet të egër politik brenda së majtës, ku PD-ja po përdoret si garniturë kërcënuese, por jo si një kërcënim për pushtetin vetë. Siç, në fakt, i takon të jetë.
Deri më sot nuk ka ndonjë deklarim publik të zotit Basha që e lë të hapur mundësinë për një koalicion të metaPD-së me LSI-në, ndaj edhe nuk e shoh të arsyeshme të komentoj për pyetjen e tuaj. Ndërkohë, unë e kam thënë edhe më parë dhe i qëndroj bindjes sime se çdo shkelje syri në distancë apo afërsi e jona me Ilir Metën, do të ketë pasoja të rënda në radhë të parë për vetë Partinë Demokratike. Kjo pasi do të rrisë perceptimin publik se LSI-ja është “e dënuar” për të qëndruar gjithmonë në pushtet, pavarësisht kë zgjedh si aleat dhe kjo do të zbehë dramatikisht pritshmërinë e njerëzve te forca kryesore e opozitës. Natyrisht që kjo mund të dëmtojë disi edhe Partinë Socialiste, por kjo nuk më thotë ndonjë gjë, sepse e vetmja gjë që më intereson është e ardhmja e Partisë Demokratike. E thënë më qartë, e konsideroj si vetëvrasje politike për PD-në, sepse mendoj se ne i kemi mundësitë, por edhe detyrimin që të bëjmë diferencën me një qeveri në degradim, e cila mbahet në këmbë edhe me patericën e LSI-së, dhe të vihemi në krye të një aleance fituese, si e vetmja shpresë. Sa herë që te njerëzit do të krijohet përshtypja se protagonistët politikë janë të gjithë njësoj, aq herë do të fitojë qeveria. Sepse, kur palët thjesht ndërrojnë karriget me njëra-tjetrën, por sillen njëlloj, njerëzit nuk kanë asnjë arsye pse të rrezikojnë duke iu kundërvënë pushtetit, por i bien shkurt, përshtaten me pushtetin. Dhe nuk mund t’i fajësosh për këtë. Është instinkt njerëzor i vetëmbrojtjes, po aq sa edhe pragmatizëm logjik. LSI-ja është një ndër gjymtyrët e kësaj qeverie dhe unë nuk kam ndonjë provë që ajo është gjysma më e mirë e saj. Në rast se dikush i ka, le të na i japë, se mbase nuk i dimë të gjitha…

Unë nuk hyj tek ata që thonë fjalën e fundit të parën dhe jam përgjithësisht i kujdesshëm në terminologjinë që përdor në qëndrimet dhe opinionet e mia. Nuk e kam shqiptuar kurrë dhe e them hapur që nuk më pëlqen fare si togfjalësh shprehja “aleanca e qelbësirave”, por di që në gjenezën e vet, ajo ka pasur parasysh kryesisht LSI-në dhe Ilir Metën. Por shijet e mia nuk kanë asnjë rëndësi, ndërkohë që për gati dy vjet ajo ka qenë kryefjalë e çdo fjalimi për shumë përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike. Mendoj se nuk është e lehtë për t’u thënë njerëzve tani se ka “qelbësira të mira” dhe “qelbësira të këqija”, aq më tepër kur të dy palët na rrinë mbi kokë si xhebrailë njësoj, qoftë edhe në kushtet e martesës me leverdi, siç e quan Edi Rama. Po kështu, edhe qëndrimi ynë për bllokun e Ilir Metës nuk mund të jetë ndryshe, kur e kishim brenda maxhorancës sonë, ndryshe në kohën e qeverisë Rama-Meta dhe ndryshe tani që po flasim, kur kjo dyshe është fshirë nga fjalori, ndonëse nuk kemi edi-ramapasur zgjedhje. Sepse i bie që të mos kemi ndonjë dallim me Edi Ramën, që mendonte ndryshe për Ilir Metën më 21 janar dhe krejtësisht ndryshe më 1 prill. Gjithçka shpreh sot për LSI-në, nuk ka të bëjë fare me eksperiencën tonë 4-vjeçare në një koalicion të përbashkët, sepse nuk them dot se ajo na ka shkaktuar vuajtje kaq të mëdha, si kur na erdhi, ashtu edhe kur na la. Thjesht përpiqem në mënyrë modeste të bëj një lexim realist të asaj që po ndodh sot me politikën në Shqipëri. Sepse, as historia e LSI-së dhe aq më pak ajo e Shqipërisë, nuk nisi kur ajo ishte në aleancë me Partinë Demokratike. Por ajo është e tillë sa të na ndihmojë për t’i nxjerrë ca mësime, në rast se duam të mbetemi realisht ashtu siç na përket, lokomotivë politike në këtë vend. Unë nuk e pranoj dot faktin që partia ime të kthehet në vagon të dikujt tjetër, qoftë ky edhe i klasit të parë.

Krerët e maxhorancës Rama-Meta kanë dhënë sinjalet se koalicioni nuk është shumë i qëndrueshëm, megjithatë numrat e maxhorancës në Parlament sa vijnë dhe rriten. A ka PD-ja një strategji të vetën për të arritur qeverinë teknike dhe zgjedhjet e parakohshme pa u varur nga humori i marrëdhënieve Rama-Meta? Pse ndaluan protestat që nisën në dhjetor?

Për ironi të fatit, numrat e maxhorancës në Parlament janë rritur kurdoherë në funksion të LSI-së dhe kjo nuk është ndonjë gjë për t’u krenuar, por një shfaqje brutale e korrupsionit politik në nivelet më të larta. Për këtë mund të ketë pasur ose jo një marrëveshje të Ramës me Metën ose jo, por është e sigurt se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht. Çdo deputet që ka ikur prej opozitës, është ulur në prehrin e LSI-së dhe unë mendoj se edhe kjo është një arsye, ndonëse jo kryesorja, se pse PD-ja nuk mund dhe nuk duhet ta gjejë zgjidhjen te një flirt me Ilir Metën.
Por ne duhet ta pranojmë se zgjedhjet e parakohshme jashtë Parlamentit mund t’i shkaktojë vetëm një lëvizje agresive dhe masive popullore. Dhe në kushtet që opozita nuk shpreson dhe nuk ka mundësi të përmbysë numrat në Kuvend, ajo mbetet e vetmja rrugë…
Në qoftë se do të më pyesni nëse jemi larg apo afër kësaj mundësie, nuk e kam të lehtë përgjigjen. Jo se nuk ka klimë antiqeveritare, sepse Edi Rama po punon çdo ditë pa u lodhur për t’ua sjellë në majë të hundës sa më shumë shqiptarëve. Dhe mendoj që njerëzit në Shqipëri kanë gjithnjë e më tepër arsye për ta përmbysur këtë qeveri. Por që të gjithë ata të ngrihen nuk mjafton vetëm refuzimi. Ata duhet të shpresojmë dhe besojnë te ndryshimi, i cili vjen vetëm në rast se ne do t’i bëjmë të besojnë te rënia e një modeli të shpifur, që për fat të keq po merr çdo ditë e më shumë terren dhe pushtet në Shqipëri. Dhe unë nuk mendoj se ne e ndihmojnë këtë zgjim qytetar nëse u themi njerëzve se këtë model të korrupsionit, jo vetëm politik e përfaqëson vetëm Edi Rama, ndërsa Ilir Meta nuk është si ai. Do të na bënte minimumi të pabesueshëm dhe kjo sjell pashmangshmërisht në ngurrimin e natyrshëm të gjithkujt për ta kërkuar ndryshimin duke sakrifikuar nën flamurin e opozitës.

Si e vlerësoni protagonizmin e ish-kryetarit Berisha në Parlament dhe rrjetet sociale? A ndikon kjo negativisht për lidershipin e Bashës dhe në perceptimin e publikut mbi dualitetin e drejtimit të opozitës?

Unë hyj te njerëzit që besoj se politika është një sport që luhet gjithmonë në ekip, pa mohuar asnjëherë rolin e kapitenit. Por nëse ju mendoni se protagonizmi i Berishës është i ekzagjeruar, kjo nuk mund të justifikojë kurrsesi aktivizimin e pakët apo të munguar të dikujt tjetër. Është njësoj si dikush në futboll sali berishatë lërë fare lojën, sepse njëri nga shokët e skuadrës mban shumë topin. Ndërkohë që, secili ka peshën dhe rolin e vet në humbjen apo fitoren e ekipit që përfaqëson. Unë nuk mendoj se PD-ja sot vuan më shumë abuzimin më fjalën sesa abuzimin me heshtjen apo apatinë. Fjala vjen, asnjë drejtues i ri apo qoftë edhe ish-drejtues i PD-së nuk mund ta lidhë mungesën e tij në tregun e ideve me faktin që e ka gjetur fushën e zënë, sepse ky nuk është argument. Nuk di që ?FACEBOOK? të ketë kufizime dhe që denduria e qëndrimeve apo publikimeve të lidhet me funksionin apo ish-funksionin në një parti të caktuar. Po ashtu, nuk di që një deputet apo një drejtues tjetër politik të mos e gjejë një mikrofon apo një hapësirë gazete apo portali, kur ka një gjë për të thënë.

Në foltoren e Kuvendit jeni ndër zërat më të fortë të opozitës, ndërkohë që në mbledhjet e Grupit Parlamentar, edhe pse keni pasur në gjithë këto vite pozita drejtuese, preferoni të uleni në rreshtat e fundit. Është ky pozicioni që e ndieni më mirë veten apo ju mungojnë pozitat e dikurshme për një tjetër frymë në grupin e PD-së?

Nuk e mendoj fare këtë që thoni ju. Për asnjë sekondë. Së pari, sepse unë nuk jam nostalgjik dhe e marr jetën dhe karrierën ashtu si më vjen, duke jetuar të tashmen dhe duke menduar për të ardhmen. Jo me kokën nga e shkuara, qoftë kjo edhe e suksesshme (ndonëse e di që edhe suksesi është një koncept shumë relativ). Por mbi të gjitha, sepse kjo është zgjedhja ime me bindje të plotë dhe pa asnjë mëdyshje. Unë kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksionet e dikurshme dhe nuk më ka shkarkuar njeri. Vendim të cilit i qëndroj, sepse edhe një mijë herë po të kthehem pas, do të bëja të njëjtën gjë. Megjithatë, kjo nuk më pengon aspak të ndihem mirë me veten, pasi i kam të gjithë mundësitë që të shpreh sa herë e gjykoj të udhës mendimet dhe qëndrimet e mia aty ku duhet. Nëse dikujt i duket më rrallë se dikur, kjo nuk ndodh se nuk kam pasur gjë për të thënë, por thjesht se përpiqem të ketë një raport të drejtë mes funksionit dhe daljeve të mia publike. Sigurisht, kjo vlen vetëm për sasinë. Për cilësinë përpiqem të mos ndryshoj shumë. Nuk jam rob i ambicies dhe e kam provuar këtë gjatë gjithë jetës sime, por edhe gjatë karrierës politike. Po ashtu, nuk besoj se vetëm funksioni është ai që e bën diferencën, pasi kam parë shpesh individë pa asnjë ofiq të kenë një ndikim të paimagjinueshëm, por edhe funksionarë tepër të lartë që nuk ia vërshëllen njeri fare.

Aleati në koalicion, Fatmir Mediu, i ka kërkuar Lulzim Bashës të krijojë një konfederatë të së djathtës, ndërkohë që vetë kreu i PD-së është duke zhvilluar takime që mund të përkthen në aleanca të mundshme me Vangjel Dulen e Kreshnik Spahiun. Cili është opsioni juaj për koalicionin e ri të opozitës?

Konfederata është thjesht një ide, e cila nuk ka ndonjë gjë për t’u sharë apo për t’u mburrur, po të merret jashtë kontekstit. Sepse është njëra nga format mbi të cilat mund të organizohet opozita në të ardhmen. Nuk mund të them apriori nëse është më e mira apo më e keqja, por e di me siguri që nuk është formati i organizimit ai që do ta vendosë suksesin apo dështimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se ne kemi nevojë për një koalicion sa më të gjerë opozitar, ku të përfshihet çdo qytetar që ndihet i tradhtuar, i harruar, apo i mënjanuar nga kjo qeveri, dhe unë kam bindjen se ata janë maxhorancë e pastër në Shqipëri. Kjo duhet bërë pa asnjë paragjykim mbi këdo individ apo forcë politike, por edhe me një parimësi farmaceutike dhe me vendosmëri për mbështetjen fort në disa vlera, të cilat duhet të jenë të pacenueshme dhe të panegociueshme dhe për të cilat ia vlen të paguash çfarëdo lloj çmimi. Mendoj se duhet punuar çdo ditë në funksion të këtij qëllimi dhe se defektet objektive dhe subjektive që u vërejtën në zgjedhjet lokale të 2015-ës, duhet të shërbejnë për korrigjimin e nevojshëm të shënjestrës, që në sfidën e radhës ne mund të kemi koalicionin më gjerë dhe më frymëzues, të gatshëm për të marrë në dorë fatet e vendit.

Pavarësisht se, edhe për shkak të rolit tuaj si opozitar, ju jeni shprehur skeptik për drejtimin e qeverisë nga Rama. A ka pasur në këto 3 vite qeverisje ndonjë akt që është për t?u përshëndetur nga qeverisja e tij?

Një qeveri nuk gjykohet kurrë për aspekte dhe vepra të veçuara, por për bilancin e saj. Sepse, edhe më e mira në botë bën gabime, por edhe më e keqja mund të lërë pas vepra të mira. Problemi i kabinetit Rama është se ka një raport të shpërpjesëtuar negativ mes asaj që ka katranosur dhe punëve normale të saj. Zakonisht, nuk i takon opozitës që të tregojë aktet e mira të qeverisë, pasi detyra e saj është pikërisht e kundërta. Por meqë ju këmbëngulni dhe meqë unë nuk e kam kompleks, po përmend dy prej tyre. qeveria1Investimin për qendrat e qyteteve kryesore të vendit e konsideroj si një nismë pozitive, sepse i qëndroj pikëpamjes që përdorimi i parave publike duhet të ndjekë disa prioritete. Kurrë nuk kam për ta kuptuar se pse qeveritë tona e kanë shumë kollaj të hedhin miliona euro nëpër cepa të harruar të Shqipërisë, dhe ndrydhen e përdridhen kur vjen fjala për Tiranën dhe qendrat e tjera të mëdha urbane. Aq më tepër kur kjo vjen edhe për meskinitete dhe bizanrinizma të tilla, si p.sh. nuk ia japim lekët kundërshtarit kur qëllon që nuk përputhen kampet politike të Kryeministrit me kryetarin e Bashkisë. Mendoj se investimet duhet të jenë proporcionale në raport me numrin e njerëzve që përfitojnë prej tyre dhe ku më shumë se në qendrat e qyteteve kryesore paratë e shtetit takojnë më shumë taksapagues? Natyrisht, kam rezervat e mia për mënyrën se si është aplikuar dhe më pas shitur ky aksion, i cili më shumë është trajtuar në konceptin e Ramës për fasado-politikën, sesa në këndvështrimin tim për veprat publike.Po ashtu, edhe për mbylljen e mbledhjeve të qeverisë. Nuk më kanë pëlqyer mbledhjet e hapura, sepse jam i konceptit që qeveria nuk duhet ta thotë që po punon, por duhet ta bëjë atë pa e thënë. Dhe se Shqipëria ka nevojë që të ketë sa më shpejt një qeveri të tillë, e cila është gjëja me e zakonshme për vendet e Perëndimit, ku udhëheqësit politikë nuk e trajtojnë veten si sundues apo shpëtimtarë, por si administratorë të përkohshëm. Kur Edi Rama e ndryshoi këtë praktikë, u tremba sepse mendova për një çast se ai kishte vendosur të dilte rrallë në publik, dhe druhesha se kjo ishte një lëvizje e mençur, prej së cilës mund të fitonte pikë edhe pa bërë ndonjë punë të madhe. Isha frikësuar kot, sepse ai u lëshua mbi ekrane, në seminare e aktivitete, nga më të rëndësishmet deri te më banalet, nga mëngjesi deri në darkë, duke bezdisur e tmerruar dynjanë. Dhe jo thjesht që të mos duket se kam ndonjë gjë personale me LSI-në, por më shumë për të qenë realist, nuk mund të them të njëjtën gjë për Ilir Metën, i cili për hir të së vërtetës nuk e ka këtë ves. Kjo, natyrisht që e bëri krejtësisht të paefektshme mbylljen e mbledhjes së qeverisë. Për të mos thënë të kundërtën. Sepse kur ti u del edhe në ëndërr kalamajve, sepse u shfaqesh gjithë ditën në TV, edhe për festën e balonave, nuk mund të thuash se po u kursen kohën dhe nervat njeriu kur nuk i tregon live vetëm mbledhjen me ministrat e tu. Mund të ketë edhe ndonjë përpjekje tjetër mbase, por nuk po marr më kohë për një punë që nuk më takon si kundërshtar i kësaj qeverie, të cilën prej shumë kohësh e konsideroj si të rrëzuar, jo vetëm moralisht, por edhe nga pikëpamja funksionale.





Lajmet e fundit nga