web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush ka frikë nga analiza e zgjedhjeve në PD?

27 Tetor 2015, 18:11, Aktualitet CNA

*Elvi FUNDO

Partia Demokratike ka filluar analizën e rezultatit zgjedhor në degët e saj. Një rezultat që është në total më i ulët se në vitin 2013, ka një mungesë të theksuar organizimi nga strukturat e bazës, kuptohet në asnjë rast nuk mund të përjashtohen problematikat që vijnë nga represioni i qeverisë dhe partive në pushtet.

Në fakt më shumë sesa analizë duket se është një farsë për të kaluar rradhën. Dhe kjo me fakte konkrete.

Së pari, analiza sipas udhëzimit duhet të kishte shifra dhe konstatime konkrete. Në asnjë degë, dhe vula u vendos së fundi në Korçë, nuk është folur për shifra, për rezultat në cdo qv, për përgjegjësitë konkretë, arsyet, probematikën në degë e kështu me rradhë. Mjafton një copë letër me ca shifra përpara, që diku e nxjerrim dhe diku jo. Ku na shajnë shumica kryetarin themi poshtë kryetari, aty ku kryesinë e ka nën kontroll kryetari themi rroftë dashuria e kryetarit me kryesinë.

Në fakt ky është një banalitet, kjo për faktin se analiza nuk shikohet nga rezultati që prodhoi dhe nuk konstaton në thelb problemet që ka PD. Nuk nxjer në pah shqetësimet e bazës, indiferencën e saj dhe shkaqet e vërteta të një rezultati aq zhgënjyes. Dhe në këtë rast pacientin, PD-në e sëmurë me një sëmundje të rëndë, që ndoshta do kuruar me antibiotike i japim sodë buke apo paracetamol. Kjo i jep një shkatërrim final shëndetit të opozitës, duke e kthyer atë në pacient të pashërueshëm, në rast se mjekimi do t’i jepet me vonesë, vdekja është e paralajmëruar.

Berisha si doktor ja njihte problemet shëndetësore partisë së tij, por me infermier Basha në krye të saj do ende shumë kohë të bëhet doktor.  Më keq akoma, ai ka cuar në bazë disa kursantë që kur je me grip të bëjnë kimioterapi dhe kur je me kancer të japin paracetamol. Kjo për faktin e thjeshtë se nuk e njohin diagnozën e vërtetë, e cila në fakt fillon me simptomat e para në zgjedhjet e vitit 2013, vazhdon me zgjedhjet Basha-Olldashi, vazhdon me zgjedhjet në strukturat e PD-së dhe më tej në rezultatin e vitit 2015.

Viti 2013 i dha PD-së në goditje të fortë, dhe kërkohej nga shqiptarët të dilte në opozitë dhe të ndryshonte. Në fakt për gati një muaj i futi një palë zgjedhje në parti që ishin një farsë totale. Basha u zgjodh kryetar me 80% të votave, jo të bazës por të Berishës, që javën e fundit e mori si sfidë personale.

Basha në krye të PD-së në më shumë se dy vjet mezi bëri Kongresin, pas gati një viti dhe me zor zhvilloi zgjedhjet në degë. Theksoj me zor për faktin se shumë nga pazarxhinjtë dhe servilat që e ndihmuan në garën e tij, morën degët duke ju hequr rivalët. Zgjedhje ku strukturat e LSI-së votonin të preferuarit e Bashës, apo më keq njerëz që kishin drejtuar riktheheshin për të kapur stroflkullën e opozitës. Pra asnjë sinjal dhe shenjë për opinionin publik, njerëz servile, klientelistë dhe të korruptuar morën drejtimin në shumë degë të PD-së.

Një situatë alarmante çdo ditë. Në asnjë qytet nuk bëhej oponencë, e vetmja opozitë ishte në parlament e munguar 6 muaj dhe nga foltorja e PD-së. Berisha në parlament mbante gjallë ritmin e opozitës, dy protesta, një për Korçën dhe një për drogën, e para nga Fiks Fare e dyta nga Berisha. Deri tani asgjë nga stafi i Bashës, thua se ende janë duke ngrenë gjizë që të bëhen esëll. Përgjegjësitë për bojkotin e ndarjes territoriale dhe gafat opozitare i kanë ata për qendrën, dhe bazën e çoroditur janë bashkëpërgjegjës me degët.

Vijnë zgjedhjet lokale! Kandidatë të vonuar, qejf mbetje në bazë, Basha kërkon të ngrerë frymë, nuk mundet. Humbën zgjedhjet lokale, tre muaj heshtje pas shpalljes së fitores dhe sot në kulmin e analizës ku duhet të kishte debat dhe konstatim real të problemeve dhe zgjidhjen e tyre, kemi thjesht një farsë. Thua se PD kërkon të shërohet duke luajtur rolin e partisë së shëndetshme, kur sëmundja e mungesës së organizimit, braktisjes në bazë, kryetarëve fodullë dhe përçarës, servilave dhe mediokërve të paaftë po i merr shpirtin.

 

Nuk ka një analizë reale, nuk ka një analizë të vërtetë dhe këtë Lulzim Basha e di shumë mirë, e reflektojnë Ristani, Spaho e Paloka apo ata që i ndjekin nga pas, kudo që shkojnë. Por shqiptarët presin shumë nga Partia Demokratike, e kanë opozitën e tyre sot, jo pacientin që kurohet nga infermierë dhe kursantë të paaftë. Nuk kanë kohë të presin që ata të mësojnë, duan të shohin të veprojnë konkretisht, që nga qeliza më e vogël dhe deri në kupolë. Shqiptarët e dinë të vërtetën, demokratët po ashtu, duhet ta kuptojë Basha, me infermierë e kursantë që ka nga pas. Ajo do jetë dita kur do fillojë të shërohet opozita.

Kjo lloj analize që bëhet sot në degë tregon se në PD dikush ka frikë nga e vërteta. Në PD dikush ka frikë të lexojë realisht rezultatin. Në PD ka frikë për të vlerësuar çdo QV, cdo degë, cdo gabim, çdo përgjegjësi konkrete. Në PD kanë frikë nga analiza e vërtetë dhe problemet e brendshme, konstatojnë vetëm ato që vijnë nga kundërshtari, por asnjë ditë nuk nxorën asnjë fakt. Dhe në rast se do vazhdojë kështu 2017-ta mund të jetë edhe më e rrezikshme. Sot përgjegjësia është në bazë, nesër do jetë në qendër. Nuk kërkohet fajtor pa faj, por përgjegjësi për zgjidhjet e problemeve kjo është analiza e vërtetë, jo farsa që po vazhdon në çdo degë. Problemet nuk i zgjidh frika por e vërteta.*citynews





Lajmet e fundit nga