web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sabit Brokaj: Rama të largojë “kuajt e ngordhur” nga qeveria/Politika e prishi drejtësinë

20 Tetor 2015, 08:24, Aktualitet CNA

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, gjatë një interviste për gazetën ?SOT?, ka komentuar raportet mes dy drejtuesve të koalicionit në pushtet, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Brokaj mendon se Ramën dhe Metën nuk i mban të bashkuar ndonjë betim i madh, por të qenurit në pushtet. Sipas tij, raportet mes Metës dhe Ramës janë të kushtëzuara për të qëndruar në pushtet.

I pyetur mbi debatin për ndryshimet në qeveri, Brokaj e këshillon kryeministrin Edi Rama që të ndjekë shembullin e De Biazit, trajnerit të kombëtares. Sipas tij, Rama po reziston për të mos e ndryshuar qeverinë, pasi mendon se i prishet uniteti. Ish-ministri i Mbrojtjes komenton dhe rolin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas Brokajt, qeveria është ende në hapat e parë, edhe pse premtoi që në fillim se do të ndëshkonte korrupsionin. Por, në fakt nuk ka asnjë të ndëshkuar. Dhe sipas Brokajt, gabimi më i madh është se nuk është ndëshkuar korrupsioni i pararendësve. Dhe sigurisht Brokaj këtu i referohet qeverisë ?Berisha?, si emblema e korrupsionit në Shqipëri. Pa ndëshkuar korrupsionin e djeshëm, nuk do të luftohet kurrë, thotë Brokaj.

-Tre muajt e fundit ka patur një thashethemnajë për një krisje të koalicionit qeverisës. Si i shihni ju raportet mes Ramës dhe Metës?

Raportet mes tyre janë të kushtëzuara, pasi të dyja palët duan të qëndrojnë në pushtet. Dy palë nuk mund të jenë uniformë në gjithçka, dhe vetvetiu mund të ketë lëvizje të ndryshme në raportet mes tyre. Ata i mban lidhur jo ndonjë betim i madh, por morali i të qenurit në pushtet. Në këtë situatë që ndodhet Shqipëria, me ata kundërshtarë që ata kanë, këtu nuk ka asnjë mundësi që cilado lëvizje të prodhojë një pushtet tjetër, pra, këta të dy bashkë do qëndrojnë në pushtet.

-A rrezikon e majta të përsërisë gabimet e së kaluarës, ku për shkak të konflikteve të brendshme ka mundësuar rikthimin e Berishës?  

Për mendimin tim, disa gabime të së majtës po përsëriten në lidhje me ushtrimin e pushtetit. Së pari, përpjekjet për të goditur korrupsionin, janë sëmundja bazë në shoqërinë shqiptare. Është krejt ndryshe të flasim për ndalimin e një vjedhësi të vogël, dhe është krejt ndryshe të flasësh për ata që po e shkatërrojnë ekonominë e vendit. Premtimi i parë i qeverisë ishte pikërisht ndëshkueshmëria e korrupsionit të pararendësve, të atyre që shkatërruan Shqipërinë, dhe këtë nuk e ka treguar në asnjë rast deri tani. Gjithsesi, mbetet një përpjekje shumë e mirë që ta imponojë qytetarin të respektojë shtetin. Kjo është e pamjaftueshme në qoftë se kjo nuk ecën njëkohësisht me të gjitha drejtimet. Dhe gabimi tjetër i qeverisë janë politikat ekonomike. Nuk po duken produktive. Ka mbetur po ajo humnerë e kohës së Berishës. Ne e dimë sa e vështirë është, por fakti që nuk është goditur korrupsioni i madh, ai prej të cilit mblidhen paratë, tregon se nuk jemi në rrugë të mbarë. Ekonomia nuk mund të ngrihet vetëm me deklarata dhe me lojëra. Partia Socialiste është akoma në vetëpëlqimin e deklaratave dhe jo të produktit të punës së vet. Unë do të preferoja që në PS të kishte më shumë demokraci, në mënyrë që uniteti i tij të mos jetë vetëm nga shtrëngimi, por nga të gjithë elementët që e përbëjnë atë. Megjithatë, PS mbetet partia më demokratike në vend. Por, ajo duhet të mbijetojë nëse krijohet një frymë e plotë demokracie. Fryma e unitetit nuk ka pse të jetë mes PS dhe LSI, por bashkëpunimi dhe qëndrueshmëria mes tyre është e rëndësishme për jetëgjatësinë e koalicionit. LSI e sheh me shumë interes koalicionin me PS, sesa të lëvizë nga koalicioni.

-A duhet të ndryshojë qeveria ?Rama? dhe cilët janë ?kuajt e lodhur? të kësaj qeverie?  

Meqenëse Rama e do shumë De Biazin, le të marrë mësim prej tij. Ekipi në tërësi apo individët veç e veç mund të cilësohen apo jo ?kuajt e lodhur?, këtë duhet ta vendosë kryeministri. Megjithatë, të betohesh se nuk paska nevojë për ndryshime qoftë dhe nga vetë Edi Rama, mendoj se do ishte gabim. Ndoshta Rama ka frikë se i prishet uniteti. Uniteti mbi një terren të rrëshqitshëm, nuk do ishte i sigurt.     -Dy vjet pas largimit të Berishës, në Partinë Demokratike ka nisur një përplasje mes elitës së vjetër dhe drejtuesve të rinj. Si e shihni ju rebelimin e ish-ministrave ndaj Lulzim Bashës?   Atje nuk po ndodh asnjë ngjarje. Të gjitha këto cic-micet janë gjëra të vogla, pasi atje ka vetëm një komandant, i cili PD e ka patur një korparmatë, korpus, divizion dhe brigadë, tashmë e ka batalion, do ta ketë kompani, e më pas skuadër. Lojërat dhe cic-micet e tyre nuk kanë asnjë perspektivë. Berisha ua lëshon litarët ish-ministrave dhe deputetëve, që të gërthasin pak me Bashën dhe të krijohet një debat, e më pas ua mbledh shkurt si frerët e kalit të kalorësit. Mos prisni ndonjë gjë sa Berisha të jetë atje! Ai po mban peng PD dhe Shqipërinë. Mazhoranca e sotme po bën shumë gabime, sepse nuk ka opozitë që ta konkurrojë.

  -Ka shumë sinjale negative nga ndërkombëtarët për luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Si e shihni ju rolin e qeverisë ndaj këtyre dy fenomeneve?   

Nëse korrupsioni nuk ndëshkohet, nuk mund të pretendojmë se po luftohet. Nuk luftohet korrupsioni me fjalime, deklarata e burgje! Gabimi më i madh i PS është pikërisht mosndëshkueshmëria e krimit të madh pararendës. Kjo është paaftësi e madhe e PS. Iniciativën për dekriminalizimin e politikës e mori pjesa më e kriminalizuar. Lëshimi i terrenit atyre, tregon një dështim të madh të PS. Korrupsioni fillon nga koka dhe po u dënuan dy-tre të parët e vendit, ju siguroj se korrupsion nuk bën as kamerieri, as vjedhësi i xhepave. Realisht, Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin. Të gjitha janë poza, veprime krejt të shkëputura, jo në sistem, jo në rrënjë dhe jo në kokë. Prandaj është kaq i përhapur. Ky është emri më i keq që i kemi dhënë ne Shqipërisë, jashtë. Janë fare të qarta se cilat janë këto koka. Janë radhazi. Kush ka firmosur për qindra milionët e rrugës Durrës-Kukës? Kush ka firmosur dhe në cilën qeveri, kur hapësira detare iu fal Greqisë? Është tradhti e lartë dhe nuk do kishte kryeministër apo ministër në botë që nuk do të ishte në burg? Në botë, kryeministri apo ministri, do të kalbej në burg. Ata që janë në opozitë tallen me qeverisjen shqiptare. 21 Janari, Gërdeci, natyrisht duhen dënuar. Gërdeci ishte korrupsion që shkoi në vrasje të njerëzve. Pra, përgjegjësit dihen, i kanë emrat. Nëse do të dënoheshin ata, edhe pala tjetër nuk do merrej më me korrupsion. Në Shqipëri, njëra qeveri duke mos luftuar korrupsionin e qeverisë tjetër, ka kultivuar korrupsionin e vetes. Kjo ka ndodhur. Vonesa e pajustifikueshme e reformës në drejtësi dhe mospërmendja e rregullimit në themel të Kodit Zgjedhor, kanë sjellë këtë situatë. Është e papranueshme që një parti që vjen në pushtet pas 8 vjetësh, ku fletoret, defterët ku do të kishte programet e saj, nuk i paska pasur plotësisht gati. Opozita është e shushatur nga humbja. Të gjitha shkeljet e tyre nuk janë asgjë para shkeljeve që ka bërë Berisha me të tijtë. Të njolloset Shqipëria pikërisht me ata që me termat e Berishës janë megakrimi në Shqipëri, kjo tregon paaftësinë e PS! Kur PS humbi në 2005, iniciativën kundër korrupsionit e mori Saliu në dorë. Populli harroi se çfarë i bëri Saliu Shqipërisë deri në ?97 dhe përsëri mori vota.

-Të dy partitë politike në thelb janë dakord që të realizohet procesi i dekriminalizimit. Ju shpresoni në dekriminalizimin e politikës kur vetë kryetarët e partive e kanë në dorë të mos pranojnë në lista individë me të shkuar kriminale?

Ligjet mund të mos jenë të përkryera, por ama zbatuesit e ligjeve janë hallka kryesore që mund të bëjë histori suksesi. Kështu është edhe puna e dekriminalizimit. Kjo përbërje Parlamenti nuk krijon mundësi për të bërë punë të mira. Vetë Meta e tha se ky është Parlamenti më i keq i këtyre 25 vjetëve. Dhe është për të ardhur keq që Parlamenti ku hyri për herë të parë liri para 25 vjetëve, ishte më i mirë nga ky i tanishmi. Kur isha me LSI-në, me një grup juristësh ku bënin pjesë Mustafa Muçi, Sokol Nako e të tjerë, hartuam një Kod Zgjedhor dhe kërkuam që ai të miratohej në Parlament, në vend të atyre ndryshimeve që ndodhën në 2008-n. Ne kërkonim që Parlamenti ynë të bëhej nga 100 deputetë, s?ka nevojë Shqipëria për më shumë. Dhe për të shmangur futjen e figurave të dorës së dytë apo të tretë, siç është mbushur tani Parlamenti, kërkonim sistemin proporcional kombëtar, që në rast se një personalitet nuk njihet për kontribute politike, profesionale, shkencore apo shoqërore në Shkodër, në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, Elbasan apo Korçë, nuk do të votohej. Kjo do t?i ?digjte? listën kryetarit. Lista duhet të jetë e hapur, siç e ka Parlamenti i Kosovës, pra të vendosë kryetari në listë, madje në krye, në dhjetëshen apo pesëshen e parë, por është populli, është zgjedhësi ai që vendos se kush duhet të dalë deputet. Vetëm kështu mund të bëhet dekriminalizimi. Po këtë nuk mund ta bëjnë ata që e kanë gatuar vetë një kod të mbrapshtë.

  -Besoni te reformimi i sistemit të drejtësisë?  

Unë mendoj se politika e prishi drejtësinë. Drejtësia, pastaj, ndihmon në prishjen e politikës. Këto janë të ndërlidhura. Unë fola më shumë për politikën, sepse ajo është parësore për të gjitha hallkat e tjera. Ne, mjerisht, nuk kemi juristë të kapacitetit të Di Pietros, që bëri një revolucion në shoqërinë italiane, shkatërroi dy parti të mëdha, demokristianët dhe socialistët. Ne nuk e kemi këtë fat. Unë thashë se politika e prishi drejtësinë. Ja po tregoj një shembull. Politika arriti deri aty sa Profesori Sali Berisha dha diploma gjashtë mujorëshe. Si mund të pranohet që një profesor që ka marrë një diplomë pas 5 apo 6 vjetësh, të pranojë të shpërndajë diploma për juristë me kurse gjashtë mujore? Pra, si mund të bëhesh mjek me gjashtë muaj, të bëhesh agronom me gjashtë muaj, të bëhesh arkitekt me gjashtë muaj!? Por është fakt se në drejtësi ata u bënë në gjashtë muaj. Berisha kështu e shkatërroi drejtësinë për hir të pushtetit të tij. Vetëm ai mund ta bënte këtë. Por edhe socialistët që erdhën më pas në pushtet e gëlltitën këtë, në vend që në mënyrë kategorike, të prerë, të mos e pranonin. Me heshtjen e tyre, socialistët u bënë pjesë e këtij shkatërrimi, u molepsën, ndaj dhe sot janë të kontraktuar dhe hezitues. Kështu është ndihmuar procesi i shkatërrimit të gjyqësorit. Po ç?mund të ndodhë tani me reformën duke pasur parasysh trupën e juristëve? Unë e kam thënë dhe e them, se juristët edhe në vendimet e gabuara që marrin shikojnë në beben e syrit politikanin.

-Si e vlerësoni paketën e masave kundër informalitetit të biznesit?  

Unë po të kisha 3-4 milionë euro do isha dakord të shkoja në burg…(qesh). Ka dy anormalitete esenciale: E para, tronditja e biznesit të vogël në kuptimin që kushdo duhet të respektojë shtetin, ndërsa nga ana tjetër, ka qindra biznese të mëdha dhe asnjë nuk është prekur. Kjo në thelb nuk është luftë kundër korrupsionit. E para, nuk është politikë sociale dhe së dyti, nuk e ringjall ekonominë . Vetëm 5 për qind e të ardhurave vijnë nga biznesi i vogël, ndërsa të ardhurat më të mëdha vijnë nga biznesi i madh. Suksesi i qeverisë është që të gjallërojë biznesin. Nuk zgjidhet problemi me burg, madje termi burg-burg nuk e di nëse përmendet në ndonjë vend demokratik të botës. Edhe Fullani që konsumoi gjithë ato para, nuk e di nëse kishte hedhur firmë apo jo, por vështirë të dalin paratë nga banka pa firmën e Guvernatorit. Edhe po të humbiste ekipi jonë, De Biazi do kishte ikur diku gjetkë. Kurse këtu dënohet Këshilli dhe kryetari mbetet. Nuk besoj se gjyqi i Fullanit ka zgjatur më shumë se gjyqi i Ballist Morinës…! Janë këto dukuri qesharake, skandaloze që baltosin Shqipërinë. Ata që kanë shkatërruar ekonominë e vendit mbeten të pandëshkuar, ndërsa një qytetar i thjeshtë që shet paketa në rrugë i kërkohet që të largohet ose e gjobisin. Kjo tregon që këtu nuk respektohet asnjë ligj. Ndërsa opozita nga ana e saj ka vetëm qëllim, të dëmtojë PS. Gjithashtu situata ekonomike nuk është atje ku duhet. Punësimi vijon të mbetet problemi kryesor që shqetëson njerëzit. Është folur vazhdimisht dhe dihet nga të gjithë se Shqipëria ka resurse të jashtëzakonshme natyrore dhe minerare që, po të menaxhohen mirë, ofrojnë mundësi të mëdha e të shpejta zhvillimi. Mirëpo këto pasuri të mëdha që kemi shfrytëzohen barbarisht kryesisht nga të huajt si të ishim një vend kolonial dhe, në vend që të na ofrohen mundësitë e zhvillimit dhe të rritjes së mirëqenies, ndodh e kundërta: zhduken qindra miliona dollarë të ardhura çdo vit, nuk ofrohen vende pune dhe për pasojë, njerëzit tanë shikojnë ikjen nga vendi si mundësi të vetme mbijetese. Kjo është vërtet për të ardhur keq. Ku janë vendet e punës të premtuara?

  -Heshtja dhe trishtimi për humbjen me Serbinë zgjati vetëm tre ditë. Si e shihni ju këtë kualifikim historik?

Është e lehtë të flasësh tani që ne kualifikohemi për herë të parë në historinë e futbollit. Është një leksion shumë i mirë, sidomos për ata që qeverisin, që krijojnë ekipe, që drejton cilindo segment të shoqërisë, se si duhet të veprojnë ekipe të suksesshme. Është folur gjatë për trajnerin italian, De Biazi, i cili dha një leksion të shkëlqyer se çdo të thotë të zgjedhësh njerëzit produktiv, të suksesshëm dhe të realizosh atë që ne e përfytyronim para pak kohësh.  SOT/ Intervistoi: Eneida Jaçaj





Lajmet e fundit nga