web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

DAP bllokon statusin e nëpunësit civil për mijëra specialistë në periudhën e provës

29 Maj 2015, 06:04, Aktualitet CNA

Një furtunë e re po shfaqet në horizont për të gjithë piramidën e administratës publike, duke nisur nga drejtuesit më të lartë tek nivelet më të ulta. Çështë e vërteta, pas zgjedhjeve të 21 Qershorit, procesi i analizës, ritestimit, bilancit, ndarjes së përgjegjësive, marrjes së përgjegjësive, lëvizjeve dhe shkarkimeve do të përfshijë të gjitha strukturat drejtuese të Partisë Socialiste dhe vetë qeverinë ?Rama?, por shënjestra kryesore e këtij procesi do të jetë administrata shtetërore.

Jo vetëm drejtorët e rëndësishëm të Partisë Socialiste, por çdo punonjës i administratës publike, i emëruar pas formatimit të qeverisë së re, janë të gjithë në provë dhe të ekspozuar ndaj planeve për ndryshime pas zgjedhjeve. Rezultati i shumicës në pushtet në zgjedhjet e 21 Qershorit do të jetë vendimtar për fatin e drejtorëve, specialistëve dhe punonjësve të niveleve të ndryshme të administratës publike. Por, cili do të jetë mekanizimi dhe hileja proceduriale për ndryshimet e pritshme në administratë dhe si do të shmanget kostoja e përballjeve në gjykatat administratave? Departamenti i Administratës Publike ka bllokuar dhënien e statusit të nëpunësit civil për qindra nëpunës, shefa sektori dhe drejtorë të lartë, të cilët kanë kaluar periudhën e provës, por që mbahen peng nga DAP.

Departamenti i Administratës Publike ka bllokuar procesin në mënyrë të qëllimshme, duke pritur mbarimin e zgjedhjeve lokale, ku priten ndryshime në qeveri dhe spastrime në administratë.    Nëpunësit pa status    Punonjësit e emëruar për herë të parë në administratën publike, i nënshtrohen një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit. Aktet nënligjore të ligjit bazë nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, parashikon disa trajnime, programe dhe vlerësime të detyrueshme për punonjësit në provë. Çfarë ka ndodhur? Punonjës të kategorive të ndryshme ekzekutuese dhe drejtuese, pavarësisht se kanë konsumuar periudhën e provës prej një vitit, nuk kanë marrë dot statusin e nëpunësit civil dhe vlerësimet e domosdoshme nga eprorët, siç edhe e parashikon ligji.

Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA. Ky vlerësim i rezultateve individuale në punë bëhet sipas procedurave të përcaktuara. Me qindra punonjës dhe drejtorë nuk kanë marrë vlerësimin, për të fituar statusin e nënpunësit civil.    Si do të largohen punonjësit    Fitimi i statusit e bën punonjësin më të sigurt dhe imun ndaj tentativa politike për ta larguar nga administrata. Në këto, kushte kategoritë dhe grupi i punonjës, të emëruar kryesisht pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, që nuk kanë fituar statusin e nënpunësit civil, do të jenë objekt i lëvizjeve dhe ndryshimeve në administratë pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Vendim nr. 243, datë 18.3.2015 “për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, ka një pikë që rrezikon punonjësit në periudhë prove, të mos konfirmohen si punonjës të përhershëm të administratës dhe të largohen nga puna. Është një pikë që flet për trajnimin e detyrueshëm në ASPA, kusht për të kaluar provën. Kështu, ata punonjës në periudhë prove, të cilët nuk realizojnë objektivat në mbledhjen e zgjedhjeve, pritet të moskonfirmohen nëpunës civilë, për shkak të mos kalimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm.

Drejtorët në provë

Kryeministri Edi Rama ka informuar nëpërmjet deputetëve se të gjithë drejtorët e Partisë Socialiste janë në provë. Kryeministri ka pohuar se prova për drejtorët do të jetë rezultati në zgjedhjet e 21 Qershorit. Çdo drejtor do të marrë në patronazh kuti të caktuara dhe nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv, ai duhet të lërë vendin e punës. Ashpërsimi i gjuhës së kryeministrit Edi Rama ka ardhur pas pakënaqësisë në rritje të bazës së Partisë Socialiste. Kjo pakënaqësi, e lidhur kryesisht me drejtorët, mund të përkthehet në votë kundra në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Periudha e provës në administratën publike

1. Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit.

2. Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë: a) programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s; b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur.

3. Nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove.

4. Nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove.

5. Eprori direkt, në rast largimi apo pamundësie të ushtrimit të detyrës nga nëpunësi më i vjetër në detyrë, merr masa për zëvendësimin e tij me nëpunësin e dytë më të vjetër në detyrë brenda së njëjtës njësi organizative.

6. Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në: a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA; b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë, i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore.   7. Bazuar në vlerësimet eprori direkt është i detyruar të vendosë: a) konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën ?kënaqshëm?; b) zgjatjen një herë të vetme deri në 6 muaj të periudhës së provës, në rast të mospërfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në ASPA, pamundësisë së vlerësimit të plotë të nëpunësit, në rast se eprorit i nevojitet më shumë kohë për të vlerësuar nëpunësin, në rastet e mungesës në detyrë të nëpunësit për shkak të trajnimit afatgjatë, raportit mjekësor afatgjatë dhe në raste të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të cilat rregullojnë mungesën në detyrë të nëpunësit; c) moskonfirmimin e nëpunësit civil. Në këtë rast nëpunësi lirohet nga shërbimi civil.

8. Mosrealizimi i procedurës së përcaktuar në pikën 7, të kreut VI, të këtij vendimi, brenda një afati 15 ditë kalendarike, konsiderohet ?mospërmbushje detyre? nga eprori direkt.

9. Në rast se gjatë periudhës së provës eprori direkt apo nëpunësi më i vjetër largohet nga ai pozicion pune apo ndodhet në pamundësi të vazhdimit të mëtejshëm të detyrës, ai është i detyruar të bëjë një vlerësim paraprak për nëpunësin në periudhë prove.

10. Vlerësimi paraprak merret si bazë nga nëpunësi zëvendësues në vlerësimin e tij përfundimtar.

11. Në rast se marrja e vlerësimit paraprak është e pamundur, nëpunësi zëvendësues bazohet në  vlerësimet e herëpashershme.

 

 





Lajmet e fundit nga