web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Parashikimet e biznesit: Vit gri për industrinë

26 Janar 2015, 10:14, Ekonomi CNA

Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve nuk janë optimiste se do të rrisin aktivitetin e tyre këtë vit. Shumë pak prej tyre njoftojnë për investime të reja, ndërsa në disa industri raportohen biznese të mbyllura. Mes një kërkese të ulët e mundësi të pakta investimi, biznesmenët duhet të organizohen këtë vit, të paguajnë më shumë taksa. Prej vitit të kaluar, sipërmarrja shqiptare kishte filluar të parashikonte përballjet me këtë vit, por së fundi, kur taksat shtesë janë të shkruara e zezë mbi të bardhë dhe mesazhet nga konsumatorët i kanë negative, pritshmëritë e tyre për ecurinë e këtij viti nuk duken optimiste.

Përfaqësuesit e biznesit të agropërpunimit e industrisë së riciklimit raportojnë rritje të kostove të prodhimit, falë rritjes së çmimit të energjisë. Sipas prodhuesit të ?Everest Ie?, kostoja e prodhimit ka arritur në 20% më shumë me çmimin e ri të energjisë. Sipërmarrësit po i shqetëson gjerësisht rritja me 50% e dividendit. Prodhuesit e veshje-këpucëve bëjnë të ditur se një hap i tillë nuk do të motivojë investitorët e huaj të vijnë, kur edhe informaliteti është i lartë.

Problemet për sipërmarrjet duket se vetëm janë shtuar, pasi industri të tilla si ndërtimi e riciklimi, përveç taksave të rritura, u duhet të përballen edhe me pengesa të tilla si ndalim importi për riciklimin e pezullim i lejeve të ndërtimit.

Një barrë tjetër e rëndë shtesë nga 1 janari është taksa e pronësisë dhe tarifat e qirave. Për to ankohen gjerësisht, tregtarët e mëdhenj, ndërtuesit e sipërmarrësit e fabrikave. Të gjithë këta nuk kanë në plan të investojnë më shumë, apo të shtojnë numër të punësuarish.

Industria nxjerrëse duket se po bën të gjitha përpjekjet për ta parë me optimizëm të ardhmen, ndonëse para saj paraqiten sfidues çmimet e ulëta të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Si prodhuesit e kromit edhe të bakrit, raportojnë rritje të investimeve.

Kompanitë eksportuese u druhen pasigurive që po shfaqin tregjet europiane, e në veçanti Italia e Greqia. Në të njëjtën kohë, ankesa e sipërmarrësve se po shesin shumë pak brenda vendit, merr konfirmim me nivelin e ulët të inflacionit. Sipas Institutit të Statistikave, në muajin dhjetor ai arriti në 0.7%, ndërsa në Europë, kaloi në vlera negative.

Ky është treguesi më i mirë që sipërmarrjet do të gjenden përballë sfidës për të shitur produkte. Nuk duhet në asnjë mënyrë të mendojnë për rritje të çmimit. Investimet mund t?i bëjnë vetëm në rast se gjejnë bashkëpunëtorë të huaj, siç po ndodh në industrinë nxjerrëse apo atë të bimëve mjekësore.

E përveç kësaj, bizneset duhet të sigurohen të paguajnë më shumë taksa, ose më saktë aq sa po u kërkon administrata shtetërore. Në këto kushte, qeverisë do t?i duhet të paktën të luftojë informalitetin për të siguruar një tregti më të drejtë, ndërsa shpresa e sipërmarrjes do të mbetet rritja e konsumit.

Ndërtimi pezull

Këtë vit, sektori i ndërtimit nuk pritet të jetë dinamik. Lajmi i dhënë në ditët e para të janarit se do të lejohen ndërtimet për arsye banimi, nuk e ka rritur aspak entuziazmin e ndërtuesve, e për më tepër nuk ka kompensuar efektin negativ që dha vendimi i gjashtë muajve më parë për të pezulluar të gjitha lejet e ndërtimit.

Sipas Hajredin Fratarit, vetë sipërmarrësit nuk janë të interesuat të investojnë në ngritjen e pallateve të banimit për sa kohë kanë stoqet, të cilat vetëm në Tiranë arrijnë në 20 mijë apartamente.

Sipas ndërtuesve, nga 1 janari në këtë sektor rëndon më tepër taksa mbi pasuritë e paluajtshme, e cila për sa kohë nuk realizohet akti i shitjes, paguhet nga pronari ndërtues. Kjo taksë në fakt, kontestohet edhe nga prodhuesit e veshje?këpucëve, tregtarët e mëdhenj dhe agropërpunuesit, të cilët kanë fabrika të tëra, që u taksohen në bazë të sipërfaqes.

Një sektor si ndërtimi, i cili synon të orientohet nga kërkesa (synon, pasi deri tani nuk ia ka arritur siç duhet) pritet të gjejë hapësira këtë vit në ndërtimin e kapanoneve dhe stallave për fermat blegtorale. Sipas Fratarit, ky është interesi aktual për të cilin ka një rritje kërkese.

Industria nxjerrëse nuk dorëzohet

Nuk do të mund të ruajnë ritmet e rritjes së vitit të kaluar, por do të eksportojnë më shumë se vjet, pavarësisht çmimeve më të ulëta. Dy kompanitë kryesore në krom e bakër lajmërojnë investime prej dhjetëra miliona eurosh?

Në një ?luftë? me shitjet do të jetë këtë vit industria e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve. Çmimet e ulura që gjatë vitit të kaluar, i kanë përgatitur ato për një vit më të vështirë në shitje dhe eksporte, ndonëse përfaqësuesit e kompanive kryesore në këta sektorë tregojnë se nuk do të dorëzohen. Të tillë janë AlbChrome, kompania më e madhe e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit, dhe ajo Beralb, në produktin e bakrit. Këto kompani raportojnë plane të mëdha investimesh, të marra ndoshta para se të ulej çmimi, por që u qëndrojnë besnike strategjive afatgjata, pavarësisht luhatjeve në çmim. Që prej vitit 2013, koncesioni i AlbChrome është nën menaxhimin e plotë të Grupit Balfin. Në vijim të vitit 2014, me gjithë luhatjet negative në tregun ndërkombëtar, sipas Luan Saliajt, drejtues i AlbChrome, kompania do të synojë të mbajë prirjen rritëse të eksporteve dhe rrjedhimisht edhe të të ardhurave. ?Sasia e prodhimit të ferrokromit gjatë vitit 2015 pritet të rritet me rreth 20% në krahasim me vitin 2014, si pasojë edhe e aktivizimit të uzinës së ferrokromit në Burrel dhe investimeve të kryera në uzinën e ferrokromit në Elbasan?, thekson Saliaj. Rrjedhimisht, edhe shitjet pritet të jenë 20% më të larta se në vitin 2014. Gjatë vitit të kaluar, eksportet e ferrokromit u rritën rreth 29% në sasi dhe rreth 40% në vlerë.

Sipas drejtuesit të saj, në planin e investimeve, AlbChrome futet këtë vit në një fazë vendimtare. Investimet e filluara në 2014-n do të vijojnë me një fazë po aq të rëndësishme, atë të implementimit. Objektivi kryesor është hapja e thellësisë në Minierën e Bulqizës, thonë përfaqësuesit e kompanisë. Po këtë vit, pritet të realizohet pjesa më e madhe e projektit të hapjes së pusit numër 09. Ky projekt kap vlerën e 25 milionë dollarëve dhe do t?i zgjasë jetëgjatësinë minierës së kromit të AlbChrome në Bulqizë. Me interes shihet edhe riaktivizimi i rezervave minerare në sektorin e Qafës së Buallit, pas 24 vitesh ndalesë, si dhe kryerja e investimeve të tjera në përmirësimin e kushteve të punës.

Edhe për përpunim pritet të ketë investime të tjera. ?Një tjetër projekt i rëndësishëm, i cili do të implementohet gjatë 2015-s është kthimi i furrave të Uzinës së Ferrokromit në Elbasan në Dopio Nivel?, thotë për ?Monitor? Luan Saliaj. Vlera e investimit pritet të jetë 2 milionë dollarë, çka do të përmirësojë procesin teknologjik në uzinë dhe do të rrisë me 10% prodhimin.

Rihapja e një furre prodhimi në Uzinën e Ferrokromit në Burrel gjatë 2014-s si dhe prodhimi i ferrokromit të një cilësie të lartë kanë nxitur ambicien e kompanisë për të vënë në punë një furrë të re në këtë njësi. Pjesa më e madhe e investimit pritet të realizohet gjatë këtij viti. Investime shtesë planifikohen edhe në impiantin e seleksionimit në Klos, ku kompania pret të trefishojë përpunimin e mineralit në impiant.

BERALB, shpresa te minierat e reja

Prej gati një vit, Beralb ka të mbyllur një prej galerive të saj, atë të Lakroshit. Administratori i kompanisë, Nazmi Kumanova, tregon se me çmimet e ulura që asokohe, nuk kishte më vlerë nxjerrja e mineralit të ?larguar? tashmë në thellësi të tokës. Për këtë arsye, dhjetëra punonjës prej një viti, kompania vendosi t?i dërgojë në shtëpi, ndërsa i paguan 25 mijë lekë në muaj.

Çmimi i koncentratit të bakrit ka zbritur aktualisht në 1050 dollarë për ton, ndërsa minerali i varfër i Lakroshit kishte kosto të lartë. Me këtë hap, niveli i kapaciteteve përpunuese u ul në 40% e po kaq ranë eksportet krahasuar me vitin 2013.

Por, pavarësisht kësaj, drejtuesit e kompanisë së bakrit janë optimistë për këtë vit. Specialistët e saj po bëjnë shpime për të verifikuar rezervat, dhe brenda tremujorit të parë të vitit do të hapen minierat në Palucë e Qafë Bar.

Kumanova njofton edhe fillimin e aktivitetit në minierën e Tuçit, ku pritet të investohen 2 milionë dollarë për katër objekte.

Ndërkohë ka filluar hapja e minierës Karmë, për 3500 metra me një pjerrësi prej 50%. Tashmë kompania turke, e blerë 50% nga sipërmarrës kinezë, ka planifikuar që në tre vitet e ardhshme të investojë 5.5 milionë dollarë në këtë minierë që do të nxjerrë mineralin nga thellësia. Në minierën e Munellës do të hapet traverbangu fundor në kuotën 580 metër, me gjatësi 2500 metër. Investimet në këtë minierë parashikohen 2.2 milionë dollarë.

Planet e investimeve vijnë pas shitjes së gjysmës së aksioneve kompanisë kineze dhe miratimit të disa lejeve të zgjerimit të aktivitetit. Drejtuesit e kompanisë vërejnë se, nëse do të ketë rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, do të rrisin prodhimin, përndryshe eksportet do të mbeten në nivelin e vitit të kaluar.

Çmimi i ulët i naftës, Bankers nuk do rrisë prodhimin këtë vit

Kompania e nxjerrjes së naftës, Bankers Petrolium do të mbajë prodhimin në nivele të kontrolluara këtë vit për shkak të çmimeve të ulta të naftës në tregjet ndërkombëtare, por plani i investimeve prej 64 milionë dollarësh nuk do të ndryshojë.

Bankers ka shënuar një rritje prej 14% në vitin 2014 me një prodhim mesatar prej 20.687 fuçi në ditë kundrejt 18.169 fuçi në ditë në vitin 2013. Për tremujorin e katërt 2014, prodhimi mesatar nga fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ishte 20.324 fuçi në ditë.

Plani i investimeve për vitin 2015 do të vijojë të përqendrohet në tre drejtime kryesore strategjike: zbatimi i programit primar horizontal të shpimit, përshpejtimi i programit dytësor të zhvillimit dhe investime për përmirësimin e operacioneve me qëllim uljen e kostove dhe garantimin e infrastrukturës dhe faciliteteve të nevojshme që mbështesin rritjen e kompanisë.

Bankers parashikon të shesë naftën e prodhuar me një çmim prej 82% të Brent-it, duke përfshirë kontratat për eksport, por edhe ato për shitje në tregun vendas. Kompania ka planifikuar që 55% të volumit të naftës bruto të prodhuar gjatë vitit të ardhshëm ta eksportojë në Mesdhe dhe në Shtetet e Bashkuara. Një çmim prej 79-80% të Brentit është parashikuar në termat e kontratave për të gjitha volumet e eksporteve.

Bankers gjithashtu ka një marrëveshje për të shitur 45% të volumit të prodhimit në tregun vendas me një çmim mesatar rreth 74% të Brentit.

Pjesa më e madhe e planit të investimit për vitin 2015, 118 milionë dollarë, do të shpenzohen për planin primar të zhvillimit duke operuar me 3 sonda për hapjen e rreth 85-90 puseve të reja. Këto puse të reja janë një vazhdësimësi e zhvillimit e fushës së Patos-Marinzës.

?Vitin e ardhshëm ne do të shënojmë një zhvendosje nga një projekt pilot i zhvilluar në fazat fillestare drejt një program komercial zhvillimi-Zgjerimi i Programit të Prodhimit (EOR). Ne ikurajohemi nga performanca pozitive që kemi deri tani dhe do planifikojmë të investojmë 36 milionë dollarë në zgjerimin e programit EOR gjatë vitit 2015, me planin për të konvertuar 25-30 puse ekzistuese prodhimi në puse injektimi polimeri përgjatë gjithë vitit. Rreth 70% e buxhetit për EOR do të shpenzohet për përmirësimin e infrastukturës dhe faciliteteve ndërsa pjesa tjetër, rreth 30%, do të shpenzohet për kthimin e puseve të prodhimit në puse injektimi. Ky program shënon një rritje prej 41% krahasuar me buxhetin e EOR për vitin 2014 ose 22 milionë dollarë më shumë se dyfishi i puseve të kthyera me injektim?, pohojnë burimet e Bankers.

Një total prej 64 milionë dollarë nga plani i investimeve për vitin 2015 do të investohet për ngritjen e infrastrukturës dhe faciliteteve që sjellin përmirësime dhe ulin kostot e operimit. Duke marrë parasysh se, çmimi i naftës në tregjet botërore po shënon rënie gjatë kësaj periudhe, Bankers ka parashikuar një nivel prodhimi të naftës të përafërt me nivelet e këtij viti.

Fasoni, në rrugëtim të pasigurt

Sipërmarrësve të veshjeve dhe këpucëve u duhet të ecin me barrën më të rëndë të taksave e pasiguritë e shumta që ofrojnë tregjet me të cilat punojnë?

Nuk do të vuajnë për porosi këtë vit kompanitë e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve. Një rimëkëmbje e vazhdueshme e kërkesës në gati dy vitet e fundit u ka dhënë fabrikave shqiptare ritmin e viteve të kaluara të punës. Por, sipërmarrjet që vlerësohet të kenë zënë me punë mbi 100 mijë persona, nuk janë më në kushtet e mëparshme. Për të fituar, atyre u duhet të punojnë më shumë. E për këtë janë të bindur tashmë kur po mbushet gati një vit nga miratimi i paketës mbështetëse për fasonin.

Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë së prodhimit të veshjeve ?Kler?, pohon se industria e fasonit po rëndohet nga taksat e larta. Edhe pse ishte parashikuar rikthimi 5% i tatimfitimit në formën e fondeve për punësim, sipërmarrjet duket se nuk kanë përfituar nga këto fonde. Pavarësisht kundërshtive, tatimfitimi i tyre u rrit nga 10% në 15% vitin e kaluar. E kur skema e kompensimit nuk ka funksionuar këta muaj, pak shpresa ka mes tyre që mund të përfitojnë këtë vit.

Edhe prodhuesit e këpucëve e të veshjeve të punës, të cilët duket se janë pozicionuar më mirë në treg, pohojnë se këtë vit do t?u duhet të punojnë më tepër për të ruajtur të njëjtin nivel të fitimeve të 2014-s. Donika Mici, prodhuese dhe eksportuese e këpucëve, tregon se ka plane për të zgjeruar aktivitetin, ashtu si edhe sipërmarrës të tjerë të sektorit.

Ndonëse shumë kolegë të saj vërejnë se nuk janë të motivuar të investojnë në rritjen e fitimeve e, mbi të gjitha, e kanë më të vështirë të gjejnë partnerë të huaj që mund të investojnë, për shkak të taksave të rritura.

Prej këtij viti, ata kujtojnë se përballen me rritje të dividendit nga 10 në 15%, çka nënkupton më pak para në xhepat e tyre. E nëse u kujtojmë se kjo mbetet një taksë e ulët krahasuar me atë që përdoret në tregun fqinj, ata e kanë ?në majë të gjuhës? përgjigjen, pse dividendi, apo tatimfitimi prej 15%, është i lartë për tregun shqiptar. Krahasimi bëhet mes raportit taksa dhe gjoba (informale). Sipas tyre, edhe nëse në Itali, tatimfitimi arrin në 40% për disa kompani, sipërmarrjet atje janë të sigurta se nuk kanë kosto shtesë. Kurse në tregun tonë, kujtojmë se rritja e taksës nuk po shoqërohet me ndonjë ulje të dukshme të barrës që shkakton informaliteti.

Për më tepër, klientët që operojnë me tregun italian, po përballen me një tjetër fenomen konkurrues. Fokusi i tregjeve italiane duket ?made in Italia?, teksa këto prodhime janë shumë të kërkuara në tregjet amerikane e aziatike. Çmimet e prodhimeve të tilla janë disa herë më të larta se ato që kompanitë italiane realizojnë në vende të tjera. E për më tepër, efekti krizë ka siguruar një qasje fituese sipërmarrje-qeverisje. Qeveria italiane aktualisht po ofron shumë lehtësi për sipërmarrjet e vogla, veçanërisht në punësimin e të rinjve.

Kështu që, përballë një tregu informal me taksa në rritje, këto sipërmarrje të vogla përtej detit janë bërë konkurrentë të disa fabrikave në vendin tonë.

Duke krahasuar fillimin e këtij viti me një vit më parë, sipërmarrësit pranojnë se ka një rritje të aktivitetit në rreth 5-10%, por ata kujtojnë kushtet e larta të pasigurisë ku po operojnë. Kërkesat në tregjet italiane e greke filluan të rimëkëmben, por si Greqia, edhe Italia, paraqesin brishtësi të fortë, ndaj siguria në treg, konsiderohet një fjalë e tepërt.

Eksportet e veshjeve dhe këpucëve iu rikthyen rritjes dyshifrore në vitin 2013, kur u rritën 12%. Kjo rritje u përforcua vitin kaluar. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në periudhën janar-nëntor, eksportet u rritën gati 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në gati 79.5 miliardë lekë. Pas efekteve të krizës financiare, fabrikat rikthehen të forcuara. Por, nëse kthejmë pas kokën 24 vite më parë, shohim një industri që vazhdon të mbetet prapa, larg ciklit të mbyllur të prodhimit, sidomos industria tekstile.

Bujqësia dhe agropërpunimi, në kahe të kundërta

Nuk është vetëm ndërtimi që kërkon të gjejë ?strehë? në bujqësi. Si promovimi nga ana e qeverisë, edhe shterimi i burimeve nga sektorë të tjerë, po bëjnë që toka të shihet me më shumë interes nga sipërmarrës, por edhe politikanë e punonjës të administratës shtetërore. Ka nga ata që kanë blerë disa hektarë tokë bujqësore për të zhvilluar agroturizmin.

Edhe ?besnikët? e bujqësisë, fermerët, kanë shtuar interesin për të mbjellë më shumë. Sipas Ruzhdi Konit, prodhues i fidanëve të perimeve dhe një prej furnizuesve kryesorë në Shqipërinë e Mesme, muajt e parë të këtij viti pritet të mbyllen me rritje të shitjes së fidanëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në nivelin 10%. Në këtë rast, flitet për prodhimin e perimeve në sera, ndërsa fidanët për prodhime fushe po kultivohen masivisht në fusha, me teknikat e reja të kultivimit.

Planin për të mbjellë më shumë produkte bujqësore e konfirmojnë edhe drejtuesit e Këshillit të Agrobiznesit. Sipas presidentit të Këshillit, Enver Ferizaj, viti 2014 ishte i mbarë për prodhimet bujqësore dhe planet e prodhimit (përjashtuar ndonjë ?shaka? të motit) janë për të rritur sasitë. Sipas tij, ?shumë sipërmarrës i janë kthyer tokës bujqësore, e kjo po ndikon në mbjelljen e më shumë sipërfaqeve?. Në favor të këtyre produkteve duket edhe mundësia për eksporte. Rrugët e shtruara, veçanërisht drejt vendeve të ftohta të Europës Lindore, krijojnë pritshmëri pozitive te tregtarët e mëdhenj të fruta-perimeve.

Entuziazmi i fermerëve, jo nga qeveria

Në vitin e kaluar, vlerësohet të mos jetë realizuar buxheti i premtuar për bujqësinë. Me rishikimin e buxhetit në fund të muajit shtator, 30% e fondit i kaloi sërish qeverisë për t?u rialokuar në sektorë të tjerë. Në të njëjtën kohë, mbi 80% e skemave është e orientuar te tregtarët e frutave dhe perimeve. Sipas shoqatave të fermerëve, kjo formë mbështetje nuk e nxit drejtpërdrejt fermerin të prodhojë më shumë.

Edhe heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në paketën fiskale, sipas tyre, është bërë vetëm për tregtarët e grumbulluesit dhe jo fermerët. Drejtuesit e Këshillit të Agrobiznesit kanë kërkuar që TVSH t?i shkojë direkt fermerit, sepse kështu çmimi do të jetë po ai dhe është i pakontrollueshëm në 350 mijë fermerë, ose 75% e produkteve që dalin në treg. E njëjta gjë, sipas tyre, pritet të ndodhë me naftën pa akcizë.

Kjo politikë mbështetëse do të vijojë edhe këtë vit, ndaj motivimi i fermerëve nga subvencionet rrezikon të jetë shumë i ulët.

Agroindustria, mes taksave të rritura e kërkesës së dobët

E nëse pritet të shohim më shumë tokë të kultivuar këtë vit, po të udhëtojmë në Shqipëri, nuk do të jetë e njëjta panoramë po të vizitojmë fabrikat e përpunimit të tyre. Agropërpunuesit tregojnë se prej vitesh po përballen me ulje të shitjeve. Ndryshe nga fermerët e tregtarët, agropërpunuesit nuk e kanë çarë ende ?rrugën? e eksportit për shkak të certifikatave të shumta të cilësisë e sigurisë ushqimore që nuk arrijnë t?i sigurojnë plotësisht. Në të njëjtën kohë, konkurrenca në tregun rajonal, e më saktë në Kosovë, duket e fortë me prodhimet serbe tashmë të mirëpozicionuara. Vitin e kaluar, edhe në këtë treg, prodhuesit e birrës, qumështit e produkteve të tjera të bulmetit kanë hasur probleme të shumta në eksporte. Sipërmarrësit e përpunimit të mishit vënë në dukje njëkohësisht se tregu i brendshëm, është i vogël, kërkesa ka rënë dhe është orientuar më shumë drejt produkteve të papërpunuara, ndërsa sipërmarrësit nuk hezitojnë të investojnë. Fenomeni po vërehet te përpunimi i qumështit.

Ekspertët paralajmërojnë mbyllje të disa prej këtyre aktiviteteve, pasi po punojnë nën potencialet e tyre, ndërsa tashmë sektori i konservave të perimeve ka filluar t?i ndiejë dhimbjet e krizës së konsumit.

Përfaqësuesit e Këshillit të Agropërpunimit bëjnë të ditur se përpunimi i fruta-perimeve po shkon drejt ?zeros?. Ata raportojnë se disa punishte në Kavajë, Lushnjë e Fier, e kanë mbyllur tërësisht aktivitetin e përpunimit.

Por, nëse kjo industri është gjunjëzuar gradualisht nga kërkesa e në ulje, të gjithë agropërpunuesit tregojnë se nuk kanë pritshmëri pozitive për këtë vit, krahasuar me 2014-n. Ata kujtojnë se, fitimet e tyre të pakësuara nga shitjet e kufizuara dhe pamundësia e rritjes së çmimit, do të taksohen 50% më shumë në vlerën e dividendit. Për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, kostot në agropërpunim pritet të rriten mesatarisht 15% sipas sipërmarrësve.

Bimët mjekësore OPTIMISTE

Xhavit Hysenaj është shumë më optimist për aktivitetin tregtar të esencave eterovajore këtë vit. Burim i këtij optimizmi vjen nga jashtë, pasi kompania e tij është bashkuar me një kompani amerikane. Kjo e fundit do të investojë për të rritur 30% kapacitetin përpunues të prodhimit të esencave vajore.

Tregjet ndërkombëtare në vetvete nuk janë favorizuese, pasi çmimet e bimëve mjekësore dhe esencave të tyre kanë pësuar rënie të lehtë. Por hapësirat e mëdha në treg dhe kontratat e realizuara tashmë i japin Hysenajt më shumë siguri. Këtë vit, eksportet e realizuara prej tij, pritet të rrisin destinacionin përtej Oqeanit Atlantik. Por, ai nuk do të ?tradhtojë? tregun europian.

Kompanitë që e filluan me grumbullim dhe eksport të bimëve të egra mjekësore, të papërpunuara, tashmë i kanë bërë disa hapa dhe sektori është futur në rrugën e industrializimit. Por është ende në fazat fillestare të saj. Ky hap ka sjellë njëkohësisht edhe zhvillimin e kultivimit të bimëve mjekësore. Por, pikërisht kur nis zhvillimi, fillon të shfaqet edhe rreziku i ?vetëshkatërrimit? të vlerave që mund ta çojnë përpara këtë industri. Bimët jo vetëm po kultivohen, por po përdoren kimikate apo fidanë jo autoktonë për të realizuar prodhimin. Kështu shprehen përfaqësuesit e industrisë, si një kundërpërgjigje kjo ndaj ankesës së fermerëve se prodhimi u ka mbetur pa shitur.

Sipas Hysenajt, vitin e kaluar prodhimi nuk mungoi, por ka rënë cilësia e prodhimit.

?Ne stimulojmë prodhimin në ferma, por me farëra autoktone e pa kimikate?, thotë Hysenaj, njëkohësisht drejtues i Shoqatës së Grumbulluesve, Përpunuesve dhe Eksportuesve të Bimëve Eterovajore.

Call Center, mundësi punësimi

Nëse ka një sektor që hap dyert për punë, është ai i shërbimeve call center. I filluar me aktivitet në apartamente të vogla, sot është zgjeruar duke konkurruar me një tjetër sektor historik fason, atë të veshje-këpucëve. Numri i të punësuarve në këtë sektor i kalon 10 mijë, ndërsa duhet të kemi parasysh që ka shumë të rinj që angazhohen në periudha sezonale, si në verë. Përfaqësuesit e Intercom Data Services bëjnë të ditur se kanë në plan të punësojnë qindra të rinj shtesë në bazë të kontratave që kanë aktualisht. Ecuria e mirë e kërkesave bën që edhe Tregi Marketing, e cila aktualisht punëson rreth 1800 veta, të sigurojë mundësi të reja pune.

Por, nëse drejtuesit e këtij sektori janë entuziastë për vitin që kanë para, efektet në ekonomi nuk janë të mëdha apo me vlerë të shtuar. Së pari, sektori ofron mundësi për të rinj, pjesa më e madhe studentë, ndërsa shqetësimi i papunësisë është i madh mes grupmoshës 30-40 vjeç.

Së dyti, vlera e këtij sektori mbetet në shfrytëzimin e punës, e pa ndonjë vlerë të shtuar që të mbetet në ekonomi.

Konfindustria, barra e qeverisë e tepërt, na mjafton problemi i çmimeve të ulëta

Për përfaqësuesit e biznesit, 2015-a do të ishte një vit i vështirë dhe këtë e parashikuan ndërsa qeveria planifikonte të ndërmerrte hapin e dytë në një vit për të rritur sërish taksat.

Konfindustria nuk ka tashmë hije dyshimi mbi mbarëvajtjen e sipërmarrjeve, anëtarë të saj.

Mbështetur në të dhënat e mbërritura pranë Konfindustrisë nga industri të sektorëve të ndryshëm, përgjithësisht parashikimet janë për një vit të vështirë edhe krahasimisht me 2014-n. Natyrisht edhe planet e zhvillimit të operatorëve janë konservatore.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë, pohon për ?Monitor? se ?nëse në periudhën e gjashtë viteve nga fillimi i krizës financiare botërore, u godit kryesisht grupi i industrive që prodhojnë mallra e shërbime për tregun vendor, si pasojë e uljes së vazhdueshme të kërkesës së brendshme, tashmë janë në vështirësi edhe shumë industri, të cilat prodhojnë për tregjet e huaja?. Me këtë, Buxhuku ka parasysh industri të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Është industria e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit, bakrit, naftës, etj., që janë prekur ashpër nga rënia e kërkesës dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, ?këta faktorë flasin për një vit 2015 të vështirë dhe domosdoshmërinë për të mos e rënduar gjendjen me politika ekonomike qeveritare të pamenduara, sikurse fatkeqësisht ka ndodhur?/monitor.al

 





Lajmet e fundit nga