web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Patozi: NE PD ESHTE MENJANUAR PJESA E SAJ NATYRORE

8 Dhjetor 2014, 12:00, Aktualitet CNA

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar e sheh kryesinë e re të PD-së të zgjedhur pak ditë më parë jo përfaqësuese të të gjitha vlerave të kësaj partie. Në një intervistë për ?Panorama?, Patozi thotë se PD po kërkon të kopjojë modelin Rama duke lënë në hije grupin parlamentar.

Partia Demokratike ka mbyllur etapën e zgjedhjeve në lidershipin e saj me zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, sekretarëve funksionalë dhe krerët e departamenteve. Cili është vlerësimi juaj për fituesit e këtyre zgjedhjeve dhe Kryesinë e re të PD-së?

Për shkak se jam jashtë çdo konflikti interesi, sepse nuk kam kandiduar për asgjë në udhëheqjen e re, e kam më të lehtë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk më ka pëlqyer kurrë të komentoj për emrat dhe nuk kam ndërmend ta bëj tani. Secilit prej të zgjedhurve i uroj punë të mbarë dhe suksese, sepse mirëkuptoj ambicien dhe dëshirën e tyre për të bërë përpara në karrierën politike. Është gjëja më normale dhe më e natyrshme. Ata janë në të drejtën e tyre të tregojnë në të ardhmen se e kanë merituar detyrën që u është besuar. Tek e fundit, ata nuk kanë asgjë përgjegjësi për procesin, i cili, sipas meje, ishte shumë larg asaj që pritej nga Partia Demokratike.
Ndaj nuk shoh asnjë arsye për t’u krenuar e aq më pak për të thënë se ky është gati revolucion, nga i cili të tjerët duhet të marrin shembull. Nga dorëheqja e Berishës e deri sa u zgjodh kryesia e re, ne jemi endur nëpër shtigje të pashkelura, duke shpikur norma dhe procedura jo vetëm jashtëstatutore, por edhe që shpesh-herë binin ndesh me njëra-tjetrën, derisa e mbyllëm në mënyrën më të palavdishme të dielën e shkuar. E them këtë me keqardhje, por me bindje të plotë, të paktën si një njohës nga brenda i disa zgjedhjeve të brendshme të Partisë Demokratike.
Mjafton të kujtojmë se janë përdorur tri mënyra të ndryshme votimi për të zgjedhur të njëjtën trupë politike, Kryesinë e re të partisë. Sepse është votuar ndryshe për nënkryetarët dhe drejtuesit e Grupit Parlamentar, ndryshe për sekretarin e përgjithshëm, dhe ndryshe për sekretarët e tjerë dhe drejtuesit e departamenteve. Të parët u votuan me ngritje dore (hera e parë që ndodh në PD), për Sekretarin e Përgjithshëm askush nuk e dinte se zgjidhej ai që merrte më shumë vota (kryetaret e degëve ishin zgjedhur me 50+1), ndërsa vetëm për sekretarët e tjerë u respektua rigorozisht statuti dhe tradita e Partisë Demokratike. Le më pastaj që shumica e aplikantëve e morën vesh në sallë, që nuk do të kandidonin, kur deri në darkë e dinin se ishte vendosur të respektohej dëshira e tyre dhe vetëm vota do ta ndante fituesin. Ishte një poshtërim i panevojshëm, që mund edhe të kursehej. Do të mjaftonte kaq, që të paktën të mos kishim arsye për t’u mburrur. Le ta themi troç, Berisha nuk kishte guxuar kurrë t’i bënte gjëra të kësaj natyre.
Por a mbaron këtu? Fatkeqësisht jo. Ne themi se sot kemi një parti me letra, por nuk e kuptoj se kujt duhet t’ia tundim ato kur kjo gjë nuk shërben për të vendosur rregulla të ndershme loje. Ne nuk arritëm të krijojmë modelin e një partie moderne, e cila vendos një standard të ri për një garë luajale dhe një mekanizëm karriere, që bazohet te vlerat dhe kontributet reale të anëtarëve të vet.
Jam i bindur se shumica e zig-zageve dhe piruetave për të ardhur deri në zgjedhjen e Kryesisë së re janë bërë për të goditur një pjesë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, tek e cila është konstatuar papërputhshmëri me ?vizionin? e kryetarit. Dhe, nëse doni mendimin tim me një fjali, Basha arriti të zgjidhte fiks Kryesinë që donte, por ajo, sipas meje, nuk i përfaqëson të gjitha vlerat e PD.
Kisha dëgjuar para disa muajsh disa nga anëtaret e rinj të Kryesisë, që flisnin për ?rithemelim? të PD dhe për ?parti të re? dhe mendova se e kanë nga papjekuria. Aq më tepër kur disa prej tyre edhe siglën i kishin vjedhur në të shkuarën jo fort të largët PD-së, që ajo të humbte zgjedhjet.
Por sot është e lehtë të konstatosh se në PD është mënjanuar, për të mos thënë përzënë, pjesa më natyrore dhe më e qëndrueshme e saj në vite. Dhe kjo është shumë për një parti konservatore dhe tradicionale, e cila për më tepër sapo ka dalë nga një humbje e thellë në zgjedhje. Unë nuk mendoj se PD e ka luksin të humbë, qoftë edhe një anëtar të vetëm, e jo me një fluks njerëzish me kontribute të spikatura, të cilëve po u vihet etiketa e pakuptimtë në politikë ?të vjetër?. Por në finale, jam shumë dakord me zotin Alibeaj, i cili menjëherë pasi nuk u zgjodh, tha se ky është ekipi i zotit Basha dhe është përgjegjësi e tij çdo rezultat në zgjedhjet e radhës.
Më shqetëson shumë fakti që në gjithë sjelljen tonë pas humbjes, përpiqemi të imitojmë Partinë Socialiste, ose më mirë të themi Edi Ramën. Por, ç?është edhe më e keqja, jemi një kopje e keqe e tij. Sepse Edi Rama nuk e çoi kurrë aq thellë bisturinë për rrënjët, nuk e zhbëri për asnjë ditë Grupin Parlamentar, dhe kur kërkoi falje, e kishte fjalën për Fatos Nanon e jo për drejtorët e komunales. Është një imitim që e bazon suksesin te pritja (do më vijë radha) dhe jo te frymëzimi që shkakton aksioni energjik dhe i përditshëm.
Me fjalë të tjera, është një film që e kemi parë një herë, i cili ka në themel devizën ?më mirë një kioskë, që është e gjitha imja, sesa një qendër tregtare, që mund të mos e kontrolloj të gjithën?. Për mua, ky është mentalitet humbësi dhe jo fituesi. Dhe ky është regres i madh, pasi nuk është aplikuar ndonjëherë nga Sali Berisha, edhe në ditët më të këqija të PD.

Ku partia nuk konsiderohet si një shoqëri aksionere, ku çdo anëtar ka peshën dhe rolin e vet në përputhje me aftësitë dhe kontributet, por si një ndërmarrje me pronar të vetëm, ku gjithë të tjerët janë rrogëtarë. Unë nuk mendoj se ky lloj koncepti i bën mirë Partisë Demokratike. Qofsha i gabuar!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi pak ditë më parë se ju dhe zonja Topalli dhatë vetë dorëheqjen nga pozicionet e nënkryetarit e kjo ishte një nga arsyet përse nuk u zgjodhët në Kryesinë e re. Cila është përgjigjja juaj?

Më vjen mirë që zoti Basha e paska ende të freskët kujtesën, pasi unë e kam deklaruar diçka të tillë më 25 korrik 2013, vetëm dy ditë pasi ai ishte shpallur kryetar i Partisë Demokratike. Kam thënë se nuk do të kandidoj për asnjë funksion ekzekutiv të Partisë Demokratike, duke veçuar Kryesinë, e cila është përfaqësi e pastër politike. Atëherë nuk kisha si ta dija që kryetari do ta ndryshonte statutin që në Kryesi të mos kishte njeri mundësi të hynte me zgjedhje direkte. Gjithsesi, nuk dua të mendoj se kjo është bërë vetëm për shkakun tim. Por është po kaq e vërtetë se institucionet funksionojnë me letra dhe unë nuk kam depozituar kurrë ndonjë dorëheqje, që t?i lija mundësi zotit Basha të nxitohej e të fliste për mua.
Natyrisht që ai duhet të qetësohet, sepse unë i qëndroj çdo fjale që kam thënë atëherë dhe në çdo kohë, ngaqë kjo është pjesë e formimit tim. Gjate kësaj kohe nuk kam pasur as më të voglin tundim për të ndryshuar qëndrimin tim të shprehur qartë dhe prerë.
Jo thjesht se nuk mund t’i lejoja vetes kapërdirjen e procedurës poshtëruese të aplikimit (edhe kjo ndodh për herë të parë në PD), por në asnjë rast nuk e kam çuar ndërmend të kandidoj për të qenë pjesë e ekipit Basha. Sepse, jam po kaq i qartë sa ne verë të vitit 2013 për arsyet e vendimit tim.

Në cilësinë edhe të njërit prej organizatorëve të ceremonisë së 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit, përse nuk ishin të ftuar Lulzim Basha dhe Sali Berisha?

Ka pasur shumë spekulime për këtë çështje dhe unë nuk dua të ushqej telenovelat. Isha thjesht dhe vetëm një ndër 500-600 burrat dhe gratë që morën pjesë në atë aktivitet përkujtimor. Ne ishim shume të ndryshëm në atë sallë, por i vetmi kriter që na bashkonte të gjithëve, ishte një lloj raporti miqësor personal me Sokol Olldashin. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me politikën.

Kryetari i PD-së deklaroi se askush nuk duhet ta përdorë Sokol Olldashin për qëllime personale. A po e përdorni ju dhe disa deputetë të tjerë të PD-së emrin e Olldashit?

Nuk di për kë e ka pasur fjalën zoti Basha, por në përgjithësi njerëzit përdorin rrethana qe mund t’u shërbejnë për mirë dhe jo gjëra që mund t?u prishin punë. Ndaj edhe bie argumenti që mund të jem unë apo disa te tjerë ata që po e përdorkan emrin e Olldashit. Sepse, e them pa asnjë mëdyshje, që nga vera e 2013 e deri më sot është goditur çdo anëtar i PD, që është identifikuar si mbështetës i tij, dhe kjo është e turpshme. Kjo është staliniste. Dhe është përgjegjësi e kryetarit të partisë që ta ndalë një ditë e më parë këtë kryqëzatë të shpifur. Sepse në PD janë pranuar dhe kanë hyrë e kanë dalë disa herë edhe njerëz që kanë mbështetur hapur dhe publikisht Partine Socialiste, por nuk u falkan kurrë ata që në zgjedhjet tona votuan për alternativën tjetër të kryetarit.
Natyrisht, mund të ketë njerëz që nuk duan as ta dëgjojnë të përmendet emri i Sokol Olldashit, por kjo dëshirë nuk do t’u plotësohet asnjëherë. Do ta bëjmë këtë, jo thjesht se e kemi pasur mik, por se gjykojmë që e ka merituar për sa bëri dhe tha aq sa jetoi, si një nga figurat më përfaqësuese të Partisë Demokratike. Kaq.

Nëse opozita do të vijojë bojkotin politik, rrezikon që deputetët të djegin mandatet parlamentare. Ju do t?i qëndroni deri në fund vendimit të opozitës apo nuk do ta digjni mandatin?

Me shumë se djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, mua më shqetëson raporti i kryetarit të Partisë Demokratike me Grupin e saj Parlamentar. Nuk dua të ekzagjeroj, por më duket jo vetëm i papranueshëm, por gati përçmues trajtimi që u bëhet deputetëve të PD. Nuk është ndonjë gjë e re dhe është i njohur botërisht fakti që ne nuk mblidhemi që prej shtatorit. Qoftë edhe për t’i pyetur njerëzit në janë gjallë apo si i kanë nga shtëpia. Duket qartë se ka një synim të pastër për ta defaktorizuar grupin, ndaj edhe kam arsye të dyshoj se edhe vetë bojkoti ka qenë në funksion të këtij qëllimi.
Në fillim, deputetëve u tha se nuk duhet të përziheshin me zgjedhjet në parti, sepse me to do të merreshin koordinatorët (edhe kjo një shpikje e re). Ju vazhdoni betejën në Parlament. Besoj se është e para herë që ndodh që nga koha e Aristotelit që përfaqësuesve më të lartë politike u kërkohet që të qëndrojnë jashtë zgjedhjeve në partinë e tyre. Dhe, megjithëse nuk u erdhi mirë, deputetët e pranuan fatin e tyre dhe iu bindën kryetarit (atëherë nuk kishte asnjë forum tjetër). E lanë mënjanë partinë e vet dhe u përqendruan në ?punë? (Kuvend).
Por pikërisht atëherë kur zgjedhjet në parti po përfundonin, iu tha se duhet të linin edhe Parlamentin. Dhe ata dolën, por mendoj se edhe fantazia më e sëmurë nuk do ta përfytyronte se që prej asaj dite grupi nuk do të thirrej as edhe një herë të vetme. Mendoj se jo vetëm për mua, kjo ishte e tepërt.
Gjatë kohës që ishim në pushtet, ne kemi akuzuar me të drejtë Edi Ramën se e urrente Parlamentin, ngaqë nuk ishte vetë deputet. Në fakt, edhe në ditët e veta më të këqija, ai nuk guxoi kurrë ta injoronte Grupin e vet Parlamentar. Sepse edhe gjatë stinës së bojkotit (shtator 2009 e tutje) i drejtohej të paktën një herë në javë publikut përmes mbledhjes së Grupit të PS. Por ndërsa Edi Rama nuk kishte qenë deri atëherë asnjëherë deputet dhe mund t’i falej ky kompleks, kryetari ynë nuk e ka këtë problem, sepse ka ardhur nga avioni dhe është futur direkt në Parlament. Dhe doli prej atje pas gjashtë vjetësh, jo për hall, por me dëshirën e vet, sepse iu ofrua një funksion më i lartë.
Natyrisht, unë nuk jam kaq naiv sa të mendoj se zoti Basha ka të njëjtën mënyrë sjelljeje me të gjithë deputetët. Por është fare evidente se, për shkak të një pjese të konsiderueshme, që ai e do jashtë politikës, po sakrifikohen edhe të tjerët. Dhe, pas kaq muajsh të papërfillur, edhe në vetë po mësohemi me faktin që Grupi Parlamentar edhe mund të mos ekzistojë. Dhe kjo është jashtë çdo logjike normale.
Unë nuk di asnjë parti në një vend të lirë që të këtë asgjësuar trupën e vet më përfaqësuese politike. Kam pritur që mandatin tonë mund ta “digjte” Edi Rama me Ilir Metën, siç bëmë fjala vjen ne me Ilir Beqen, por jo që ta na e hiqte atë me koshiencë të plotë kryetari i Partisë Demokratike. Dhe këtu nuk e kam fjalën për debatin e njohur kur skadon dhe kur nuk skadon mandati, por faktin që për sa kohë grupi është “shkrirë” dhe nuk konsiderohet, mandati është i pavlefshëm politikisht.

A besoni te protesta si mjet demokratik për ringritjen e opozitës dhe ardhjen e saj në pushtet?

Natyrisht që po. Por gjithmonë nëse beteja e ?rrugës? ndërthuret apo alternohet me debatin parlamentar dhe institucional. Edhe vetë historia e PD e ilustron më së miri këtë. Ne arritëm të rikthehemi në pushtet në vitin 2005, vetëm pasi rivlerësuam rolin dhe peshën tonë në Parlament. Ndaj edhe nuk e kuptoj këtë raport të deformuar të zotit Basha me Grupin Parlamentar. Unë termin betejë ballore e kuptoj në të gjitha frontet dhe frëngjitë, ku asnjë aksion politik nuk përjashton tjetrin.
PD organizoi një protestë shumë të mirë më 22 nëntor dhe ky është një sinjal pozitiv. Por unë nuk shoh vend për eufori pas kësaj, e aq më pak për arrogancë. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë kur flasim në emër të protestës, sepse ende nuk jemi në lartësinë e saj. Ajo ishte dinjitoze, por askush nuk ka ardhur në pushtet me protesta dhe mitingje, sepse po të ishte për to, ne do të kishim fituar gjithmonë, sepse i bëjmë më të mira dhe më të mëdha se PS. Duhet të pranojmë se në të kishte edhe njerëz, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës qeveria, por nuk janë ende të gatshëm të mbështesin Partinë Demokratike. Kjo duhet të na shërbejë të reflektojmë dhe të reagojmë më shpejt, në mënyrë që herën tjetër ne të jemi shpresa dhe besimi i vetëm i shqiptarëve në protestë.
Por pas protestës kam parë edhe personazhe që e kanë trashur më shumë seç duhet zërin, duke treguar gishtin me hakërrim tek ata që mund të dalin nga rreshti, duke keqkuptuar gjithçka.

Është rasti konkret i Mesila Dodës. Ajo ka deklaruar se do të shkojë në Parlament të mbrojë ligjin e dosjeve. Por më parë Edi Paloka dhe më pas Basha thanë se kjo do të sillte përjashtimin e saj. Cili është mendimi yt për këtë?

Është shfaqje tipike e një mentaliteti të vjetruar, për të mos thënë më shumë. E para, një kryetar grupi nuk flet kurrë i pari, kur një deputet mban një qëndrim, edhe sikur ai vërtet ta ketë gabim. Për arsyen e thjeshtë se ai është përgjegjësi kryesor për kohezionin e grupit. Por mbi të gjitha në kushtet kur grupi nuk thirret asnjëherë, asnjë deputet nuk mund të konsiderohet përgjegjës për qëndrime apo nisma, të cilat ai i konsideron si pozitive.
Besoj se zoti Basha e ka gabim nëse mendon se tani që ka edhe forume të reja, mund ta ketë më të lehtë për të kërcënuar deputetët, sepse këtë përshtypje më la atë ditë. Me gjithë respektin që kam për djemtë dhe vajzat e reja që kanë hyrë tani në Kryesi, prania e tyre nuk mund të trembë askënd në PD, e jo më deputetë me një barrë të madhe eksperience politike mbi supe.
Ndoshta edhe unë kam optikë krejt tjetër për kauzën që mbron zonja Doda, por kjo nuk është arsye për ta shpallur “armike” një studente të Dhjetorit në ditën e përvjetorit të asaj lëvizjeje të fuqishme, që themeloi vetë Partinë Demokratike.

Bëtë një panoramë të zymtë të situatës në PD pas zgjedhjeve. Si e shikoni perspektivën e saj?

A shpresoj unë ende në ringritjen e PD dhe në të ardhmen e saj? Natyrisht që po. Madje edhe këto që po them sot, janë në funksion të kësaj shprese, si një shqetësim i një njeriu që kërkon të përmirësojë shtëpinë e vet. Gjithçka mund të arrihet, nëse shënjestra korrigjohet përmes ndryshimit. Mendoj që sot, më tepër se kurrë, PD ka nevojë për një debat të brendshëm, po aq sa edhe për solidaritet, që është aq i nevojshëm në opozitë. Por kjo nuk zgjidhet duke i tundur gishtin njëri-tjetrit dhe as duke shpenzuar aq shumë kohë dhe energji për të mënjanuar disa “të padëshiruar”. Të jeni të sigurt se ka shumë njerëz që e mendojnë kështu perspektivën e PD dhe kanë të njëjtat shqetësime si të miat. Nëse ata heshtin, kjo nuk është për t’u krenuar. Përkundrazi.





Lajmet e fundit nga