web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përgjimet - një lojë e pistë politike

11 Tetor 2014, 22:00, Politikë CNA

Nga Astrit PATOZI

Së pari, nuk ka asnjë element të besueshëm që raporti i hartuar është serioz. Që nga mënyra si u ngrit komisioni, mu si kontroll punëtor, nga paragjykimet e njohura publike të qeverisë që u reflektuan në të, mënyra si rrodhi informacioni, gjoja tepër sekret, e deri te debati i stisur, që po shoqëron të ashtuquajturat gjetje të tij në arkivat e SHSH. Duket pak a shumë si gjyqet e diktaturës, kur në fillim caktohej dhe arrestohej personi, pastaj kërkoheshin dhe ?gjendeshin? provat. Për t?i vënë kapakun të gjithave, deputetët që kanë kontrolluar dhe hartuar raportin i përkasin të gjithë maxhorancës, e cila e ka shpallur që në ditët e para të pushtetit të vet synimin për të vënë nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror.
Kjo do të mjaftonte që ta konsideroje si një histori banale, tipike shqiptare e kësaj epoke, kur politika përzihet dhe luan pistë, dhe për shkak të paaftësisë së aktorëve, era e kërmës ndihet qindra kilometra larg. Ndaj kam pasur një mëdyshje të madhe, nëse ia vlente ose jo të jepje një shpjegim për këtë çështje, meqë emri im ishte një ndër të lakuarit e atyre që sipas raporti qenkëshin përgjuar.

Vendosa të them diçka thjesht dhe vetëm për ndihmuar sadopak publikun për të kuptuar se në historinë e këtyre 23 vjetëve zakonisht tema të tilla hapen për të mbuluar gjëra të tjera më të rënda dhe më të rrezikshme, se ajo që gjoja ka ndodhur dhe që serviret si e tillë.
Më ngjason pak me ato fushatat politike për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, të cilat në fakt kanë pasur për qëllim mbylljen e tyre, natyrisht duke përbaltur disa emra, në varësi të rrethanave dhe interesave të politikës së ditës, të cilët zakonisht, ose kanë qenë vulnerabël, ose nuk kanë pasur mundësi dhe zotësi të mbrohen nga thashethemet e fabrikuara nga një teknologji tashmë e njohur dhe e diskretituar.
A kam unë një shqetësim personal për këtë çështje? Zero shqetësim. E di që ka politikanë apo njerëz të tjerë publikë, që rrudhen dhe zverdhen sa herë hapet dhe rihapet debati për letrat e para vitit 1990. Ka të tjerë që thartohen dhe skuqen për dokumentet e viteve të pasdiktaturës, kryesisht kur kanë mbajtur poste të rëndësishme. Ka edhe një pakicë, që shqetësohen për të dyja kohët bashkë. Këta janë më të rrallë, por gjithsesi ekzistojnë.
Unë për vete jam shumë i qetë, dhe jam gati t?u vë në dispozicion të gjithëve çdo letër dhe çdo bisedë timen, çdo veprim apo mosveprim timin, që nga certifikata e lindjes e deri në ditën që po flasim.

Kam pasur të njëjtin numër telefoni, që nga viti 1996, dhe do të kem po këtë, derisa të kem frymë dhe të mbaj një celular në dorë. Dhe nuk e kam fare problem që të deklaroj se autorizoj çdo shërbim inteligjent ose jo të Republikës së Shqipërisë që të përgjojë tani edhe në të ardhmen, në rast se ka dëshirë, bisedat e mia, sepse nuk kam asgjë për të fshehur. Me këtë rast i çliroj nga përgjegjësia ligjore, në raport me mua, të gjithë ata që mund të më kenë përgjuar ose mund të më përgjojnë në të ardhmen, qofshin këta të krahut tim apo kundërshtarë politikë.
Kjo nuk do të thotë aspak se të jesh i përgjuar është ndonjë kënaqësi. Përkundrazi. Edhe kur nuk ke asgjë për të mbuluar, mjafton që dikush qëndron pas veshit dhe zërit tënd, është, sa fyese, aq edhe bezdisëse. Është njësoj si të të thyejnë shtëpinë, edhe kur nuk të vjedhin asgjë me vlerë brenda. Por, tek e fundit, kjo është për fat të keq ende Shqipëria, ku abuzimet dhe zullumet më të mëdha nuk bëhen duke e shkelur ligjin fshehtas, por duke e masakruar atë hapur, mu në mes të publikut, i cili hutohet pastaj kur i hedh ndonjë kockë si kjo historia e pështirë e përgjimeve.

Në këtë kuptim, zhvlerësoj në themel përfshirjen e emrit tim në listën e të përgjuarve, sipas citimeve, që i bëhen raportit ?top sekret?, por që e ka marrë vesh i madh e i vogël në Shqipëri. Do të bëja të njëjtën gjë, edhe sikur të isha i bindur se raporti ishte serioz. (Është shumë qesharak fakti që unë jam anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvend dhe nuk kam asnjë dijeni për raportin që e kanë hartuar kolegët e mi, por më shumë se unë di çdo shqiptar, i prirur për të dëgjuar dhe lexuar histori konspirative, si kjo e përgjimeve). Jo se prisja ndonjë gjë prej tij, por dje u përpoqa të lidhem në telefon me Spartak Brahon, kryetarin e Komisionit të Sigurisë, por nuk arrita të flas. Me sa duket, Spartaku është duke shijuar kënaqësinë që i jep të qenit deputeti i 70 apo i 71, në rastin hipotetik të zgjerimit të koalicionit qeverisës. Sepse ka pakicë të artë, siç ishte LSI kur qeverisi bashkë me ne në vitet 2009-2014, por mesa duket paska edhe deputetë të artë.

Natyrisht, unë nuk jam aq naiv sa të besoj se të gjitha shërbimet dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri janë superkorrekte në zbatimin e detyrave të tyre. E di që ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen zelltarë të pafre në abuzime dhe shkelje flagrante të normave ligjore dhe të apasionuar që do të kërkojnë të dinë për të tjerët shumë më tepër se sa u lejon detyra e tyre. Por, kjo më shqetëson më pak sesa tendenca për t?i kapur, përdorur dhe keqpërdorur politikisht institucionet, të cilave kur u shtohet pastaj edhe paaftësia, dalin totalisht jashtë shërbimi.

Po ju tregoj një ngjarje shumë personale për ta ilustruar. Gjatë kohës që ushtroja detyrën e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, një ushtarak, që nuk punonte në Shërbimet Sekrete, vjen e rrëfehet për një gjë shumë të pazakontë. Meqë banonte në një pallat me mua, ai kishte marrë porosi që të survejonte dhe të raportonte për të gjithë personat që hynin dhe dilnin në shtëpinë time dhe kjo e kishte nxjerrë nga takti, ndaj edhe nuk e mbajti gjatë, por e dekonspiroi. Porositësi ishte një përfaqësues i lartë i maxhorancës, i cili, në fakt, nuk kishte fare lidhje me Ekzekutivin. Kjo e bënte edhe më enigmatike ?detyrën? për ushtarakun e shkretë. Problemi ishte se e gjithë kjo ?rrufe? shfaqej në një periudhë shumë të qetë për Partinë Demokratike dhe për maxhorancën e saj, kur pothuajse nuk ndodhte asgjë për të prishur humorin apo shijet e dikujt. Dhe kjo e kishte trashur fare ushtarakun.

Mbaj mend se në fillim turfullova dhe u bëra keq, por shumë shpejt u qetësova. Sepse unë e di që në këtë vend ka dhe do të ketë plot paranojakë, që kanë një keqkuptim të madh për pushtetin dhe për ushtrimin e tij. Ata mendojnë se të dish sa më shumë për kundërshtarin, rivalët, kolegët, madje edhe për njerëzit e shtëpisë, t?u hysh atyre në oborr, në shtëpi, madje edhe në dhomën e gjumit, të bën ty më të fortë dhe dobëson të tjerët. Është keqkuptim i madh ky dhe historia ka qenë e pamëshirshme për ta treguar dhe ritreguar. Unë kam vetëm neveri dhe keqardhje për këtë soj njerëzish.
Por, le të kthehemi tek përgjimet. Si të mos mjaftojë përlyerja deri në grykë e politikës në këtë histori, debatin e nxisin edhe disa protagonistë të tjerë, të cilët janë më pasionantë edhe se vetë deputetët, që mund të kenë marrë detyrën.

Jo të gjithë e dinë që në Shqipëri ka edhe mitomanë dhe delirantë gjithfarësh, që e kanë mani prej vitesh që të tregohen se janë të përgjuar. E kanë si biçim statusi për të amplifikuar rëndësinë e tyre në shoqëri. Në ndonjë rast, e përdorim edhe si justifikim për të përligjur qëndrime të caktuara politike, pro apo kundër një kampi të caktuar. Dhe këta zakonisht i hedhin benzinë këtij zjarri sa herë që dikush e hap temën e përgjimeve. Më ka rënë rasti të njoh shumë të tillë dhe tani sigurisht që kanë kohën për t?u shfaqur.

Sot janë gati të zihen për vërtetësinë e listës, kur disa ndihen të prekur pse nuk janë edhe ata, por vetëm emrat e ca të tjerëve. Këtyre të mërziturve jam gati t?ua fal vendin tim të listës, sepse mua nuk më duhet për asgjë. Kurse atyre mund t?u shërbejë, ndërkohë që përfituesin më të madh nga kjo punë nuk e di pse e gjej në Kryeministri. Edi Rama thjesht ka dhënë një porosi. Shpresoj të ketë inteligjencën për ta kuptuar se e kanë zbatuar dhe po vijojnë ta zbatojnë tmerrësisht trashë, tmerrësisht keq.





Lajmet e fundit nga