web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Jepini një medalje Guvernatorit!

15 Gusht 2014, 10:59, Ekonomi CNA

Nga Ilir Yzeiri

Është në logjikën e sendeve, që mesazhet apo efektet që prodhojnë ngjarje të ndryshme, nganjëherë kthehen në të kundërtën e tyre.

Ajo që deri dje mund të të bënte të ndjeheshe krenar, mund të të japë një efekt të kundërt.

Fjala vjen, sot të duket vetja qesharak kur ke besuar fjala vjen që atdheu është mbi të gjitha.

Ngjarja e djeshme na bindi edhe njëherë se jo gjithçka duhet lexuar ashtu siç na paraqitet neve.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë na hapën sytë dhe na treguan se Guvernatori ynë jo vetëm që nuk kishte asnjë përgjegjësi, por ai duhej dekoruar se e ka drejtuar Bankën me kompetencë.

Një mollë e kalbur në atë bankë, një njeri me vese, pra një gabim njerëzor si ai që solli vjedhjen e 700 e ca milionë lekëve, nuk duhet të na bëjë, ne shqiptarëve trutharë, që të humbasim toruan dhe të harrojmë njeriun që po e drejton Bankën e Shqipërisë me vetëmohim.

Deklarata e djeshme e Këshillit Mbikëqyrës pasoi vizitën e ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Arvizu.

Edhe ai, ashtu si në rastin e Berishës që pasi kishte vrarë katër njerëz në Bulevard, tha se ai është ?burrë shteti?, po dje edhe ai, ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, përfaqësuesi i Presidentit Obama në Shqipëri, na çeli sytë dhe na tha që ngjarja të mos politizohet, që ne shqiptarët trutharë duhet të mbyllim gojën.

Në fakt, unë, në atë çast po ndiqja presidentin Obama që me një përkushtim qiellor shpëtoi jetët e mijëra irakenëve në Irakun e Veriut dhe po mendoja si ka mundësi që presidenti Obama gjen kohë që ta udhëzojë ambasadorin e tij në Tiranë që të shkojë të vizitojë guvernatorin Fullani?

Punë të thella, thosha me vete.

Unë them ta dekorojmë guvernatorin Fullani në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që e kanë shpallur kauzën e islamit radikal si kauzën më të shenjtë dhe janë betuar të japin edhe jetën për të.  Ta dekorojmë guvernatorin Fullani edhe në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që nuk kanë lënë gjë pa vjedhur në shtetin e tyre; ta dekorojmë guvernatorin Fullani në emër të të gjithë spekulantëve me nam botëror që krijuan piramidat në Shqipëri, ta dekorojmë guvernatorin Fullani në emër të të gjithë shqiptarëve që kanë braktisur partitë politike çdo katër vjet dhe tani gjenden në punë të shtetit si përfaqësues të LSI-së.

Ta nderojmë guvernatorin Fullani edhe në emër të atij djalit që theri dashin në bythë të Bashkisë kur Lulzim Basha me votat e numëruara në kutitë e Arben Ristanit u bë kryetar bashkie.

Ta nderojmë me një çmim të posaçëm guvernatorin Fullani edhe në emër të të gjithë shqiptarëve që nuk paguajnë energji elektrike, që vjedhin makina, që shpërndajnë drogë.

Ta nderojmë guvernatorin Fullani edhe ne emër të të gjithë punonjësve të adminisratës publike, të prokurorisë apo të institucioneve të pavaruara që ngrihen në mëngjes dhe turren me vrap në punë që të bëjnë ndonjë lek për fëmijët dhe e kanë mendjen natë e ditë që ta vjedhin këtë vend ashtu siç ai e meriton.

Ta nderojmë guvernatorin Fullani në emër të të gjithë gjyqtarëve shqiptarë që kanë çmimet më të larta në Europë për të të bërë ëngjell dhe të pafajshëm kur ti vret dhe për të të zhdukur në burgjet e Rrogozhinës kur ti, nga halli, vjedh në ndonjë supermarket dhe ke moshën 14 deri 15 vjeç.

Më në fund, në emër të të gjithë shqiptarëve ku janë e ku nuk janë në trojet arbërore, në emër të atyre shqiptarëve që rrjedhin prej atyre stërgjyshërve, të cilët, në një kohë që Europa dëgjonte filozofët, ata mbushnin trurin me rrëfimet dhe hajmalitë e dervishëve, në një kohë që Europë ndërtonte opera apo biblioteka, ata, të frymëzuar nga rrëfimet e dervishëve shetitës, mblidheshin kutullaç në vatër dhe ndiznin zjarr, pastaj dilnin në oborr e dhisnin në gropën septike që kishin hapur që më parë.

Në emër të të të gjithë këtyre, ta dekorojmë guvernatorin Fullani që na hapi sytë dhe që, nën udhëheqjen e Këshillit Mbikëqyrës, na tregoi se kur vidhen 700 milionë e ca lekë në një Bankë, kjo nuk do të thotë se është bërë hataja.

Një gabim njerëzor, një i pafe dhe i pafytyrë nuk mund të dëmtojë një guvernator.

Ta nderojmë me një medalje Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës që më në fund ia mbyllën gojën këtij pis mileti që e bën qimen tra, që merret me disa milionë copa letrash që vidhen në një banke dhe nuk sheh shkëlqimin dhe udhën e ndritur ku po na çon modeli i guvernatorit.

Në këtë komision, unë do të propozoja që të ishte Sali Berisha, Aleksandër Arvizu, Dhori Kule, Lulzim Basha dhe Aldo Bumçi.

Aferim! Allahu qoftë me ju!





Lajmet e fundit nga