web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Javë "zjarri" në Superiore, trajnerët ndezin kampionatin

14 Shkurt 2025, 18:52, Sport CNA

Javë "zjarri" në Superiore, trajnerët ndezin

Java e 25-të e Superiores do të zhvillohet këtë fundjavë, ndërsa rezervon përballje spektakolare, mes pretendenteve dhe skuadrave që luftojnë për mbijetesë.

Këtë të shtunë, dy pretendentët kryesorë, Egnatia dhe Partizani përballen mes tyre në Rrogozhinë.

Në prag të kësaj përballje, trajneri Edlir Tetova, deklaroi se pret vazhdimësi dhe ecuri me fitore nga skuadra e Egnatias.

"Shumë ndeshje iu ka rënë lojtarëve kryesore, nuk kemi pasur shumë mundësi për të bërë ndryshime ne formacion, por çunat që janë të gatshëm do të shtrëngojnë dhëmbët për këtë ndeshje. Nuk mendoj hakmarrjen, por duam vazhdimësinë dhe mos humbasim ritmin që kemi pasur këtë vit. Mendoj që shumë e rëndësishme është të jetë fitorja prezente, duhet të jemi më të kujdesshëm në vijim që të mos pësojmë gola. Është një mini “Final Four” pasi ne përballemi me Partizanin dhe Dinamo me Vllazninë dhe sigurisht që kjo përbën një element pasi luajën 4 skuadrat më të mira momentalisht."

Në krahun tjetër, trajneri i Partizanit, Veselinoviç vlerësoi Egnatian, por theksoi se në fushë do të jetë ekipi më i mirë i javëve të fundit.

Përballje spektakolare do të jetë edhe ajo mes Dinamos dhe Vllaznisë. Trajneri i kryeqytetasve, Ilir Daja, pranoi se shkodranët vijnë në një moment shumë të mirë, por shtoi se skuadra e tij futet për të marrë triumfin.

“Këtë javë përplasen katër skuadrat e para me njëra-tjetrën, ne me Vllazninë dhe Egnatia me Partizanin, por do edhe shumë javë të shkojmë te ‘Final 4’. Është një ndeshje shumë e vështirë kjo me Vllazninë, sepse nuk vijmë në të njëjtat pozita, jo për shkak të pikëve, sepse diferenca është e vogël.

Vllaznia është më mirë psikologjikisht, vjen pas disa ndeshjesh pozitive, ndërsa kemi pasur oshilacione në drejtim të rezultateve për shkak të problematikave tona. Ndeshjet tona me Vllazninë janë të bukura, jemi dy ekipet që kanë shënuar më shumë gola.

Kundrejt Vllaznisë spektakli nuk ka munguar, por këtë herë duhet të mos shohim këtë pjesë. Na duhet të jemi pragmatistë. E dimë që përballë kemi një Vllazni në një moment shumë të mirë.

Na kanë munguar disa titullarë, duke nisur nga kapiteni Dita. Dhe këto mungesa kanë bërë që të mos jemi në formën më të mirë. Në futboll diferencën e bëjnë lojtarët kualitativë dhe ekipit tonë i kanë munguar 5-6 lojtarë këto javë. Prandaj kemi pasur oshilacione, që i kalojnë të gjitha ekipet. Jemi munduar të fokusohemi te lojtarët që kemi pasur në dispozicion, kështu do të bëjmë edhe këtë herë.

Na janë shtuar në stërvitje 2-3 lojtarë të tjerë, por që nuk kanë formën e tyre optimale. Të gjitha këto nuk janë justifikime që të mos nisemi si të barabartë me Vllazninë. Kemi bërë një kampionat po aq të mirë sa Vllaznia.

Besoj që ndeshja nuk i ngjan ndeshjes, atë që kemi bërë në dy faza është arkivuar, fokusohemi te sfida e nesërme. Dy ekipet luajnë futboll të hapur dhe kjo na pëlqen në thonjëza edhe neve, ashtu siç i pëlqen Vllaznisë. Shpresoj të kemi rikuperuar energji nga ndeshja me Teutën. Nuk kemi rrugë tjetër, do të futemi në fushë vetëm për të marrë fitoren”.

I bindur për një rezultat pozitiv ishte edhe trajneri i Vllaznisë Tomas Bërdaric. Tekniku kuqeblu u shpreh se skuadra shkodrane ka objektiv marrjen e 3 pikëve.

Këto dy përballje do të luhen të shtunën, së bashku me përballjen mes Bylisit dhe Elbasanit, në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit.

Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 25-të. Laçi do të presë Teutën në orën 13:30, ndërsa Tirana dhe Skënderbeu do të përballen në “Elbasan Arena” në orën 16:30.





Lajmet e fundit nga