web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lagjja 10-të e Korçës, e lënë në harresë/ Banorët ankohen për mungesën e investimeve

6 Shtator 2024, 09:35, Sociale CNA

Një pjesë e lagjes nr. 10 të qytetit të Korçës duket e shkëputur totalisht nga realiteti. E rrethuar nga dhjetëra pallate, në mes të kësaj lagje, pikërisht në zonën e konvikteve të universitetit të Korçës, rreth 10 familje të komunitetit rom dhe egjiptian vuajnë mungesën e investimeve dhe ujit të pijshëm. 

Në një vëzhgim të kryer nga CNA, në këtë zonë nuk ka një rrugë që të lidhë lagjen e brendshme me rrugën kryesore të parkut apo edhe me kompleksin sportiv, i cili është ndërtuar në afërsi të saj.

Në një kohë kur të gjitha investimet janë kryer në çdo lagje të qytetit, kjo zonë e lagjes nr. 10 sjell një panoramë të shëmtuar, me banesa të rrënuara, me mungesë të ujit të pijshëm, pa rrugë, pa kënd lojërash për fëmijë.

Përmes intervistave, banorët e kësaj zone tregojnë vështirësitë që hasin në përditshmëri, ndërsa kanë më tepër se 30 vite që jetojnë në të njëjtat kushte dhe nuk e kanë njohur kurrë dorën e investimeve.

Namik Adili është një i moshuar 69-vjeçar, i cili prej 30 vitesh jeton në një banesë të dhënë nga ndërmarrja e pyjores, si ish-punonjës i saj. Me lekët e pensionit dhe me një kredi të marrë në bankë, ai ka mundur të ndërhyjë në ambientet e banesës, duke suvatuar muret e duke rregulluar çatinë, por siç duket edhe në pamje, gjendja e banesës është e mjerueshme.

"Kam 30 vjet që kam hyrë në këtë banesë. Kushtet s'janë të mira, s'kanë qenë të mira as më parë, por arrita që i bëra vetë. Suvatova, ua prisha ato anësoret, bëra dhe çatinë me lekët e mia, madje kam marrë në bankë kredi. E mora për dy vjet, gati 2 milionë e ca dhe po e laj avash-avash. Jetojmë me pensionin tim, 204 mijë lekë të vjetër. Kam punuar edhe vetë nga pak. Jetoj me zonjën, djalin, edhe djalin e madh", u shpreh ai. 

Namik Adili tregon se nga bashkia kanë shkuar për të parë gjendjen aktuale të këtyre banesave e familjeve, por asnjëherë nuk kanë ofruar qoftë një ndihmë të vogël për ta. Adili pas 30 vitesh shpresën e vetme e ka te legalizimi i banesës, në mënyrë që të mbledhë lekë dhe të nisë rregullimin e mëtejshëm të saj.

"Nga bashkia kanë ardhur dhe kanë ikur. Nuk thonë asgjë. Kam shkuar tek Aluizni dhe u kam kërkuar legalizim, por nuk ma bëjnë. Banesa është e shtetit, por e kam marrë nga Ndërmarrja e Pyjores. I kam paguar ujë e drita, kam e pak të prapambetura, jo për fajin tim, por të të tjerëve. Bëhen 8 a 9 familje këtu. Shtetit i kërkoj të ma legalizojë këtë banesë, mos të më sjellë vërdallë", u shpreh ai. 

Një tjetër banore e kësaj zone është edhe Mimoza Paravani, nënë e 4 fëmijëve, me bashkëshortin e sëmurë. Ajo shihet teksa sjell bidonat e mbushur me ujë, pasi ky është një nga problemet më të mëdha të zonës. Mimoza me lot në sy, thotë se prej 10 vitesh, mbush ujë në parku i qytetit.

"S'kam ujë, kam 10 vjet pa ujë. Kam që në 1995 e pastrehë. Jam në një kasolle që ç'bie jashtë, hyn brenda. Punoj, sfilitem, mbërthej dërrasa që si e si të mos pikojë brenda. Burrin pa punë, djalin po ashtu, pa asistencë, pa kemp, pa bukë. Burri del me një daulle që bën lekë për bukë. Imagjinoje, të shkoj të mbush ujë te parku unë, njeriu ka nevojë të hajë bukë e të pijë e një gotë ujë", u shpreh ajo.

Kërkesa e vetme që ka Mimoza është t'i zhvendosin në një konvikt, duke qenë të gatshëm të paguajnë edhe një kuotë mujore. 

"Dritat i kam me kontratë, kam edhe kontratën e ujit, por erdhën ma prenë e kam 10 vjet që ngarkoj ujë me bidon. Jemi 3 familje këtu, kanë ardhur e na kanë thënë që do t'ju heqim e do t'ju japim vend tjetër. Të paktën të na heqin, të na sigurojnë në një konvikt që të jetojmë si të gjithë të tjerët. Ne na pikon shiu brenda në krevat. Të vuash edhe kaq, kjo është katastrofë. Sot nuk ka shtet", tha ajo. 

Lagjja nr. 10 e qytetit është një nga lagjet më të populluara ku janë bërë ndërtime të shumta dhe ndërhyrje në infrastrukturë, por faktet tregojnë se një pjesë e saj është lënë totalisht në harresë./CNA 





Lajmet e fundit nga