web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bullizmi në shkolla, gjithnjë e në rritje/ Sociologu Kalemaj: Emergjencë kombëtare në shoqëri

20 Maj 2025, 14:25, Sociale CNA

Bullizmi në shkolla, gjithnjë e në rritje/ Sociologu Kalemaj:

Sociologu Eriseld Kalemaj ka ngritur një thirrje alarmi mbi përmasat shqetësuese që ka marrë bullizmi në shkollat shqiptare, duke e cilësuar atë si një emergjencë kombëtare.

Në një deklaratë të fortë për median, Kalemaj theksoi se fenomeni i talljes, përçmimit dhe poshtërimit mes të rinjve është bërë gjithnjë e më i përhapur dhe shpeshherë përshkallëzohet në vepra penale, ashtu si rasti i fundit mes dy adoleshentëve në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku njëri prej tyre u plagos me thikë. Kalemaj nënvizoi nevojën për politika mbështetëse konkrete.

"Bullizmi në shoqërinë tonë, për mendimin tim, është emergjencë kombëtare. Pra, tallja, përqeshja, përçmimi, poshtërimi te të rinjtë, është një fenomen shumë i përhapur dhe problematik, tepër shqetësues. Ne duhet të rikonceptojmë të rinjtë, brezin e sotëm, mendësitë e tyre dhe përjetimet e tyre të cilat ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe frenetike. Shpesh brezat e mesëm, më të rritur, nuk i kuptojnë dhe ne duhet të punojmë sidomos në fushën e arsimit dhe të familjes. Duhet të ketë politika konkrete mbështetëse për të rinjtë, të jenë pranë tyre dhe të trajtohen në mënyrën më dinjitoze."

Sipas tij, arsimi ka nevojë për një reformë të thellë, jo vetëm në aspektin mësimor, por edhe në drejtim të shërbimeve sociale. Ai kërkon rritjen e numrit të profesionistëve të fushës së psikologjisë nëpër shkolla dhe një vëmendje më të madhe ndaj situatave problematike që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Duke analizuar ndikimin e teknologjisë, Kalemaj theksoi se të rinjtë sot jetojnë në dy botë dhe shpesh përdorimi abuziv i teknologjisë përshpejton format e dhunës dhe agresivitetit.

"Jam i mendimit që arsimi duhet të bëjë një reformë rrënjësore, qoftë sa i përket aspektit didaktik dhe mësimor, por edhe sa i përket shërbimit social brenda këtyre institucioneve. Duhet të rriten profesionistët e fushave të psikologjisë, duhet të ketë një vëmendje të shtuar gjatë situatave që gjithmonë po bëhen më problematike. Ne si shoqëri duhet të jemi më të shqetësuar duke përfshirë institucionet, median, universitetet, shoqërinë civile dhe të shqetësohemi për situatën në të cilën ndodhemi. Duke filluar që nga fëmijët, por edhe të rinjtë, po shohim forma të larta të agresivitetit, dhunës, të cilat teknologjia po i përshpejton. Të rinjtë sot jetojnë në dy botë, atë virtuale dhe atë reale. Bota e përparuar po e përdor teknologjinë në funksion të përmirësimit të jetës, jo në mënyrë abuzive apo ta keqpërdorin."

Ai shpreh keqardhjen se një pjesë e madhe e adoleshentëve janë “të mpirë emocionalisht” dhe kjo, sipas tij, është pasojë e një shoqërie që po përjeton një ndryshim të frikshëm të marrëdhënieve njerëzore.

"Nuk është problemi se ku ndodhin ngjarjet, por te përjetimet e të rinjve. Me keqardhje them që një pjesë e madhe e adoleshentëve janë pa ndjenja, janë të mpirë nga emocionet. Jetojmë në një situatë të frikshme në gjykimin tim dhe duhet të reagojmë menjëherë për t'i kthyer te njerëzorja. Ne po ndryshojmë të gjitha konceptet e marrëdhënieve njerëzore, ndaj shoqëria ndodhet në një shok sa i përket kësaj gjenerate."

Kalemaj thekson se ligji është vetëm një ndërhyrje emergjente, por jo zgjidhja përfundimtare. Sipas tij, fokusi duhet të jetë tek arsimi dhe familja, si edhe tek edukimi i vetë prindërve, të cilët shpesh nuk janë të pajisur me aftësitë për të kuptuar ose ndihmuar fëmijët e tyre. Ndër të tjera, sociologu propozon që në shkolla të rritet ndjeshëm numri i psikologëve dhe të zvogëlohet numri i nxënësve nën mbikëqyrjen e tyre, për të siguruar një kujdes më individual dhe efikas për secilin të ri.

"Ligji është një mënyrë për t'i edukuar, një formë ose ndërhyrje emergjente, por s'është zgjidhja përfundimtare. Vëmendja dhe shqetësimi duhet të jetë tek arsimi dhe familja. Na duhet të edukojmë edhe prindërit për fat të keq. Cilësia e mësuesve ka të bëjë shumë, shërbimi psikologjik ka detyrën e vet, por edhe fryma shoqërore duhet t'i orientojë këta individë drejt vlerave të qëndrueshme."

"Unë mendoj se duhet rritur numri i psikologëve nëpër shkolla dhe kontrolli i tyre të jetë gati individual për secilin të ri. Numri i lartë i nxënësve në syrin e psikologut është një punë joefikase në këtë rast, ndaj na duhet një vëmendje profesionale dhe një numër sa më i vogël nxënësish që të jenë nën survejimin e psikologut."

Kjo thirrje vjen në një kohë kur raportet për raste të bullizmit dhe dhunës në shkolla janë në rritje, duke reflektuar një krizë të thellë sociale që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga të gjitha hallkat e shoqërisë./ CNA





Lajmet e fundit nga