web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Profil/ Genci Shehaj kandidat për deputet për Korçën, Partia Mundësia

17 Mars 2025, 15:00, Politikë CNA

Profil/ Genci Shehaj kandidat për deputet për Korçën,

Genci Shehaj, kandidat i Partisë Mundësia për Qarkun e Korçës, ka nisur rrugëtimin e tij politik që në moshë shumë të re. Ai është angazhuar në Forumin Rinor të Partisë Demokratike që në moshën 15-16-vjeçare dhe më pas ka shërbyer si anëtar i kryesisë së forumit.

Në një intervistë për CNA, Genci Shehaj ka treguar mbi karrierën e tij politike dhe vizionin e tij si kandidat për deputet në listën e Partisë Mundësia.

Sipas tij, pasioni për politikën lindi nga ndjekja e mediave europiane dhe njohja e disa gjuhëve të huaja, me ëndrrën që një ditë Shqipëria të arrijë nivelin e vendeve si Franca dhe Italia.

"Është e vërtetë se jam aktivizuar në politikë që në moshë shumë të re. Prej moshës 15-16-vjeçare kam qenë pjesë e Forumit Rinor të PD-së të Rrethit të Korçës. Më pas kam qenë anëtar kryesie i forumit rinor. E vetmja gjë që më ka shtyrë drejt politikës ka qenë se unë si i ri kam ndjekur shumë mediat europiane, jam poliglot në njëfarë forme, njoh shumë gjuhë të huaja. Jam rritur me televizionin francez dhe italian dhe ëndrra ime ka qenë që Shqipëria të bëhet një ditë e të arrijë nivelin e këtyre vendeve."

Shehaj thekson se nuk ka investuar në politikë për përfitime personale, por për pasionin që ndien për të ndihmuar bashkëqytetarët e tij. Ai është një sipërmarrës i suksesshëm në industrinë e përpunimit të xhamit, duke kontribuar në zhvillimin e kompanive shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

"Nuk është se kam investuar në politikë. Më shumë politika për mua është pasion, është brenda meje. Thellë e ndiej politikën, e dua, dua t'u shërbej bashkëvendësve të mi. Të njëjtin synim e kam pasur edhe në biznes, unë e kam një profil të biznesit që nuk është shumë fitimprurës, por u shërben të gjithëve. Kryesisht punoj në industrinë e përpunimit të xhamit, në makineritë, dhe jam një ndër të paktët në rajon që e bëj këtë punë. Me shërbimin tim u kam kontribuar edhe shumë kompanive të xhamit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kryesisht klientela ime janë shqiptarë dhe kam kontribuar që ata të zhvillohen."

Sipas Shehajt, Partia Mundësia është e vetmja forcë politike që ofron një program konkret për zhvillimin ekonomik. Ai mbështet taksën e sheshtë dhe ka propozuar disa ide personale që janë pranuar nga kryetari i partisë. Shehaj shprehet se në këtë parti, zëri i tij dëgjohet dhe mendimet e tij respektohen, ndryshe nga partitë e mëdha që, sipas tij, janë kthyer në “kryetarokraci”.

"Partia Mundësia është e vetmja parti në të cilën unë shoh një vizion, një program konkret. Parti të reja ka shumë sot, por e vetmja që ka një program konkret për zhvillim ekonomik është Partia Mundësia. Në kuadër të taksave, unë jam i djathtë dhe mbështes këtë program për një taksë të sheshtë, madje disa propozime të miat personale që kanë qenë, kanë kaluar dhe kanë marrë dakordësinë nga vetë kryetari. Kam gjetur veten këtu sepse këtu pranojnë mendimin tënd, edhe sugjerimet e mia janë pranuar dhe këtu kam mundësi ta shpreh mendimin tim dhe të dëgjohet zëri im. Ndërsa në partitë e mëdha sot është e pamundur, ato janë kthyer në kryetarokraci."

Shehaj deklaron se nuk do të bashkëpunojë me partitë e majta dhe do ta vendosë si kusht për çdo koalicion të djathtë realizimin e projekteve për përmirësimin e shëndetësisë në Korçë. Për Qarkun e Korçës, ai ka një program konkret, ku prioriteti kryesor është hapja e pavijonit të kirurgjisë kardiologjike në spitalin rajonal. Ai argumenton se për shkak të mungesës së këtij shërbimi, pacientët që pësojnë infarkt detyrohen të udhëtojnë për rreth 4 orë drejt Tiranës, duke rrezikuar jetën e tyre. Një tjetër propozim i tij është sigurimi i një helikopteri të emergjencës për spitalin rajonal, një investim që kushton nga 600 deri në 800 mijë euro, që sipas Shehajt, është i përballueshëm nga Ministria e Shëndetësisë.

"Për Korçën unë e kam një program konkret që në një rast hipotetik sikur Partia Mundësia të sigurojë një mandat në Korçë, ai do të jetë kusht për çdo lloj koalicioni. Ne koalicion me parti të majtë s'besoj se do të bëjmë, unë personalisht nuk e bëj këtë gjë. Do të jetë kusht për një koalicion të djathtë nëse ne fitojmë mandatin që spitali rajonal i Korçës të ketë pavijonin e kirurgjisë kardiologjike sepse ky është problemi më i madh në Korçë. Është një traumë e vërtetë, një person që pëson infarkt duhet të bëjë 4 orë deri në Tiranë. Supozojmë infarktin e miokardit që ti duhet të arrish brenda 40 minutave, ti do 4 orë të shkosh në Tiranë dhe nga kjo zemra vdes. Ky do të jetë një kusht që do ta kem unë se shëndetësia në Korçë vuan shumë dhe e dyta është, mund të duket pak qesharake, por Korça si spital rajonal me rëndësi shumë të madhe dhe largësi shumë të largët nga Tirana, duhet të ketë një helikopter gatishmërie. Nuk është ndonjë investim i madh, kushton nga 600 deri 800 mijë euro që Ministria e Shëndetësisë duhet ta bëjë patjetër këtë gjë."

Duke qenë se vjen nga Partia Demokratike, Shehaj ka zgjedhur të tregohet objektiv e të mos komentojë lidhur me këtë forcë politike. Ndër të tjera, ai kritikon listën e Partisë Socialiste, duke e cilësuar të dobët dhe të renditur gabimisht, ndërsa për partitë e tjera të reja shprehet se u mungon një program konkret.

"Unë për PD-në nuk dua të flas, duhet të tregohem objektiv pasi unë vij prej PD-së që në gjenezat e mia deri në 2013 kam qenë pjesë e saj. Kam qenë edhe votues i saj 1 ose 2 herë pas 2013-tës, i kam përkrahur. Për partinë tjetër, PS është një listë shumë e dobët dhe është bërë renditja e gabuar. Ata që duhet të ishin në listë të hapur janë në listë të mbyllur dhe kjo ka për t'i kushtuar shumë PS-së. Ndërsa për partitë e tjera të reja, për mendimin tim, nuk kanë program fare. Ata thjesht janë njerëz të mirë, kandidatët e tyre janë djem shumë të mirë, por nuk kanë asnjë lloj gjëje konkrete, nuk i shoh të japin mendime konkrete se si do ndryshojnë dhe do ta kushtëzojnë ata mandatin e tyre. Unë e kam lirinë nga kryetari që gjërat që unë i mendoj të arsyeshme do të m'i plotësojë dhe kam rënë dakord paraprakisht para se të hyja në garë."

Në përfundim, Shehaj u bën thirrje qytetarëve të Korçës dhe të ardhurve në këtë qytet të mbështesin Partinë Mundësia, e vetmja alternativë që sipas tij ofron zgjidhje konkrete për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, pa u ndikuar nga oligarkët. Ai beson se Partia Mundësia do të arrijë një mandat në Qarkun e Korçës dhe do të sjellë një pluralizëm të vërtetë politik, i munguar prej vitesh në këtë rajon.

"Partia Mundësia do ta marrë një mandat në Qarkun e Korçës, do të shohim dhe zhvillimet gjatë fushatës. Ajo është e sigurt. Mua më intereson shumë që këtu për herë të parë të ketë një pluralizëm të vërtetë politik që s'ka qenë kurrë në Qarkun e Korçës. Edhe tentativat e hershme që janë bërë, kanë qenë të komanduara ose nga partia e madhe e majtë osë nga partia e madhe e djathtë, por kësaj here mundësitë janë reale për të marrë mandatin e deputetit në Qarkun e Korçës."

"Unë do t'u bëj thirrje jo vetëm korçarëve, por edhe të ardhurve në Korçë sepse Korça është e të gjithëve, e të gjithë atyre që zgjohen në mëngjes këtu, dua t'u bëj thirrje të votojnë Partinë Mundësia sepse është e vetmja alternativë që ka diçka konkrete për ta. Ne jemi e vetmja parti që flasim për sipërmarrësit e vegjël e të mesëm, nuk flasim për oligarkët, nuk do të jemi në shërbim të asnjë oligarku në rast se sigurojmë mandatin. Do të jetë në shërbim të vëllezërve dhe motrave të mia, të atyre që zgjohen në mëngjes, bëjnë punën e tyre në heshtje dhe e çojnë përpara këtë vend."

Genci Shehaj është një nga të rinjtë potencialë që kandidon për deputet nga Partia Mundësia, pjesë e listës së hapur të saj. Përmes këtij kandidimi, Shehaj nxjerr në pah synimet dhe objektivat e tij për të çuar përpara Korçën dhe bashkëqytetarët e tij. Besimplotë dhe plot energji, Genci Shehaj pret mbështetjen e qytetarëve korçarë për të sjellë një ndryshim rrënjësor, që i duhet jo vetëm qytetit të Korçës, por gjithë Shqipërisë./CNA 





Lajmet e fundit nga