web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Teatri Kombëtar, te ai i kukullave dhe biblioteka/ Berisha numëron “bëmat” e Veliajt

27 Mars 2024, 20:35, Politikë CNA
Nga Teatri Kombëtar, te ai i kukullave dhe biblioteka/ Berisha numëron
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në protestën e përnatshme hodhi akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Protestën, Berisha ia kushtoi Teatrit Kombëtar, ndërsa tha se Të mos harrojmë se beteja për të është betejë për dinjitet kombëtar.

“Të dashur miq, sot kjo protestë nuk mund të ketë simbol, shenjë më të shenjtë se sa qëndresën e pashembullt në historinë e Europës të një grupi artistësh për teatrin e kombit. Beteja e tyre për teatrin e kombit në të vërtetë është betejë e çdo shqiptari që e ndjen veten shqiptar. Është betejë e çdo qytetari që e ndjen veten qytetar. Është betejë e të gjithë atyre që besojnë se kultura dhe identiteti janë shpirti i kombit, janë shpirti i shoqërisë dhe i vendit.

Qëndresa e tyre më e jashtëzakonshmja e regjistruar ndonjëherë është një betejë të cilën ne kurrë nuk mund dhe nuk duhet ta humbasim. Teatri dhe kultura janë flamujtë për të cilët luftohet, sakrifikohet çdo gjë për fitoren e tyre.

Miqtë e mi, Tirana është sot kryeqyteti i vetëm dhe Shqipëria është sot shteti i vetëm pa një teatër kombëtar, sepse një shpirtrrënuar, pseudoartist, duke parë veten e tij të pakrahasueshëm me artistët e vërtetë, bëri një betejë të egër çnjerëzore se si e si t’i shfaroste ata.

Beteja kundër teatrit është beteja e pseudoartistit kundër artistëve të vërtetë. Por beteja kundër teatrit nuk është vetëm kaq. Është beteja e korrupsionit, e drogës kundër kulturës dhe teatrit tonë. Në qoftë se e shohim me gjakftohtësi, droga, korrupsioni rrafshoi teatrin, gjë të cilën nuk e bënë as pushtimet më barbare”, u shpreh ai.

Berisha i përmendi Veliajt edhe Bibliotekën Kombëtare, për të cilën tha se nuk shërben më, pasi është djegur dhe mbytur nga korrupsioni.

“Miqtë e mi, mos harroni se Edi Rama, Erion Veliaj, nuk kanë lënë kryeqytetin vetëm pa teatër. Jo, jo. Sot nuk kemi bibliotekë kombëtare. Shkoni pak në bibliotekë. Aty nuk shërbehet më. Aty dikush, një dorë e zezë, i futi zjarrin bibliotekës. Donte të digjte bibliotekën e kombit. Dhe sot e kësaj dite nuk ka një inventar se sa mijëra vëllime, dokumente jetike kombëtare u dogjën nën flakët e zjarrvënësit barbar. Por nuk mjaftoi zjarri kundër saj.

U mbyt biblioteka, që nuk kishte ndodhur kurrë në histori. E mbyti korrupsioni i Erion Veliajt. Biblioteka ka punonjës të mrekullueshëm, ju them unë ju.  Kam kaluar shumë vite të jetës sime në atë bibliotekë pasditeve duke studiuar. Ka njerëz të përkushtuar, të apasionuar, shërbëtorë të vërtetë të librit dhe lexuesit. Ajo nuk funksionon më dhe askush nuk flet. I vetmi moment ishte dyllosja, politizimi i saj.

Edhe ajo nga qendër e fuqishme e librit dhe kulturës, është shndërruar në një shtëpi harresë, që nuk flitet më për të. Që nuk shërbehet më. Nga qendër e fuqishme e zhvillimit intelektual, ajo sot numëron rrënimet, pasojat e tmerrshme të zjarrit, të përmbytjes. Për muaj e muaj me radhë, me tharëse flokësh, thanin faqet e librave që i përmbysi Erion Veliaj. Askush nuk flet!”, deklaroi ish-kryeministri.

Më tej, kryetari i PD-së u ndal edhe te Teatri i Kukullave. Ai ngriti akuzat se teatrin e kukullave e ka marrë korrupsioni.

“Të dashur miq, ishte diktaturë, në kohën më të zezë, por prapë Tirana kishte një teatër kukullash, një teatër për fëmijë. Dhe fëmijët prisnin të shtunën dhe të dielën të ndiqnin aty shfaqjen. Edhe teatrin e kukullave e ka marrë korrupsioni. Sot pra Tirana është qytet pa institucione kulturore. Është qytet i zhveshur nga qendrat e mëdha që rrezatonin dritë dhe kulturë.

Çfarë ndodh me shqiptarët?

Kjo është një fushë, por është një fushë shumë sensitive, është një fushë shumë e rëndësishme, nga më të rëndësishmet. Prodhoheshin filma, artistët tanë grupoheshin, bashkoheshin në skenarë filmash, interpretonin, dëshmonin talentin e tyre. Sot nuk ka më një film të këtyre njerëzve të talentuar sepse gjithçka është zëvendësuar me zhgarravinat e një hajduti të shpifur, e një hajduti të neveritshëm, që me Ismailin e tij qarkon zhgarravinat, të cilat me shumë të drejtë kritikët i artit i vlerësuan si krijesa të adoleshentit të droguar”, nënvizoi Berisha./ CNA





Lajmet e fundit nga