web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Marrëveshja për emigrantët/ Gjokutaj: Protokolli, një përpjekje politike pa bazë të fortë ligjore

19 Tetor 2024, 15:31, Politikë CNA
Marrëveshja për emigrantët/ Gjokutaj: Protokolli, një
Avokati Genc Gjokutaj

Avokati Genc Gjokutaj ka analizuar marrëveshjen e fundit të bashkëpunimit midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për trajtimin e emigrantëve.

Gjokutaj nënvizoi se ky protokoll, i cili pretendon të ofrojë një zgjidhje për krizën e emigracionit, ka zbuluar një mungesë të dukshme interesi për një qasje të ligjshme dhe humane në këtë çështje delikate.

Sipas Gjokutajt kjo marrëveshje është një përpjekje e shpejtë dhe e papërgatitur, që e anashkalon nevojën për diskutime të gjera dhe përfshirëse midis ekspertëve dhe institucioneve përkatëse.

Duke e shqyrtuar marrëveshjen në kontekstin e dinamikave politike mes dy vendeve, ai ngriti shqetësime në lidhje me legjitimitetin dhe efektet afatgjata të saj mbi të drejtat e njeriut.

Gjokutaj përfundoi duke u fokusuar në interesin elektoral që ndikon në politikat e emigracionit, duke sugjeruar se qeveritë duhet të vendosin parimet e drejtësisë dhe të humanizmit mbi përfitimet politike.

“Në fakt, ky quhet protokoll i bashkëpunimit të qeverisë italiane me qeverinë shqiptare në lidhje me trajtimin e emigrantëve.

Por, siç rezultoi në konceptimin dhe më pas në implementimin e këtij protokolli, aty nuk ka pasur interes, ose më saktë, bërja e një protokolli të saktë në përputhje me parametrat ligjorë dhe human për të zgjidhur, në fakt, ligjërisht, problemin e emigracionit. Ky është një problem që prek të gjithë Europën, por për shkak të diferencave midis shteteve të BE-së dhe atyre që nuk janë pjesë e BE-së, këtu fillon një debat nga i cili ka origjinën edhe debati për të cilin po flasim sot.

Zoti Rama ftoi zonjën Meloni; ajo erdhi për pushime 4 ditë, dhe ne vetëm pas asaj e morëm vesh se çfarë ishte gatuar në ato 4 ditë. Morëm vesh që, me një vendim nominal të zotit Rama, u vendos menjëherë që kjo marrëveshje të nënshkruhej me Italinë dhe më tej të implementohej.

Në praktikën botërore, këto marrëveshje janë shumë delikate, sepse lidhen me të drejtat themelore të njeriut, lidhen me marrëdhënie juridiksionale midis shteteve, dhe sigurisht që kësaj marrëveshjeje duhet t’i paraprinte së pari një diskutim në rang specialistësh.

Italjanët janë treguar shumë të kujdesshëm, pavarësisht se Meloni nxitoi duke anashkaluar gjykatën dhe nxitoi të përshpejtojë gjykimin e asaj çështjeje, por ju e dini që gjykatat europiane kanë afatet e tyre që nuk mund të shtyhen ose të afrohen, siç ndodh për shembull në Shqipëri.

Qeveria italiane kishte hartuar një listë prej 22 shtetesh që i konsideronte të sigurta, ndërkohë që gjykata europiane, gjykata e BE-së, konsideron se këto shtete nuk janë të sigurta. Duke mos qenë shteti i origjinës i sigurtë, ndalimi, trajtimi dhe përpunimi i procedurës së azilimit apo kërkimit të azilit në një vend europian duhej bërë vetëm në territorin e një vendi europian dhe në asnjë vend tjetër.

Tani, çfarë ka gatuar çifti Rama – Meloni në Vlorë dhe sesi e kanë hallin të shmangin këtë standard të ligjit për emigrantët e BE-së, unë nuk e di, por sigurisht që nga pala italiane është një interes i pastër elektoral, sepse çështja e emigrantëve për Melonin ka qenë gur themeli i fushatës së saj elektorale, dhe në fund të fundit, italianët janë më pak të prekur se ne që i presim ata emigrantë”, u shpreh Gjokutaj./ CNA





Lajmet e fundit nga