LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Samiti për Ukrainën, gjetje e mençur dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë

27 Shkurt 2024, 15:38, Opinione Piro Ahmetaj
Samiti për Ukrainën, gjetje e mençur dhe sfidë serioze e
Piro Ahmetaj

Siç është gjerësisht e njohur, dy ditët në vijim (28-29 shkurt) në Tiranë do të zhvillohet “Samiti për Ukrainën”, ku do të marrin pjesë Presidenti Zelensky si dhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, vëndeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore.

Si çdo ngjarje madhore që mbart interesa kombëtare, sigurisht po e ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi shtesë. Ndërsa jo vetëm në këtë rast, kam zgjedhur të mos jap “opinione të nxituara” ndaj interesimit të mediave kryesore brenda dhe jashtë vendit, pasi me vetëdije kam refuzuar: “për të mos u bërë as pjesë dhe as palë e shpërdorimit politik dhe tallavasë bollshevike që fatëkeqësisht i shoqëron edhe këto ngarje madhore”. 

Gjithsesi, për shkak të peshës gjeopolitike jo vetëm për Tiranën zyrtare që mbart kjo ngjarje madhore, në vijim po adresoj disa këndvështrime dhe pikëpyetje paraprake: 

Në krye të herës, dëshiroj ta nënvizoj fort se “organizimin e këtij Samiti në Tiranë” e çmoj si: “gjetje të mençur, ambicie/kurajë serioze si dhe sfidë që i bën nder Shqipërisë”.

Kjo: “jo vetëm për distancën me Ukrainën (2214 km) dhe pozicionin gjeografik, por edhe për peshën gjeopolitike që gjithsesi tejkalon mundësitë që mund të mbajnë shpatullat e një vendi relativisht të vogël, si RSh”.

Me fjalë të tjera, për shkak të këtij Samiti, Tirana do të vendoset në “top-news” të medias, Kancelarive globale, institucioneve, ekspertëve/kolegëve në Washington, Bruksel, Berlin, etj., si dhe opinionit publik përtej vendeve të Evropës Juglindore.

Prandaj, përsa ky Samit mbart vëmendje gjeopolitike si dhe promovon interesat kombëtare, patjetër duhet përshëndetur pa asnjë hezitim edhe kurajë, edhe gjetja, edhe sfida veçmas, edhe të gjitha së bashku, pra thjesht dhe vetëm pasi ngjarja e madhe i bën nder flamurit tonë kombëtar, apo jo?

Së dyti, zhvillimi i këtij Samiti në Tiranë, faktikisht e konfirmon Shqipërinë si anëtare serioze dhe të denjë të NATO-s, pasi “RSh demostron kohezion dhe mbështetje të pakushtëzuar ndaj të gjitha angazhimeve dhe projekteve të Aleancës Euroatlantike në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5) por edhe në mbështetje pa asnjë kompromis deri në fitoren e Ukrainës, ndaj të keqes së përbashket, Rusisë – Putiniste”.

Uroj të jem gabim, por ndoshta duhet riqartësuar edhe riciklimi i një pikëpyetjeje “naive, në mos cinike” = A ekspozohet, apo më qartë = A/sa rrezikon Shqipëria nga organizimi i këtij Samiti në Tiranë?

Përtej mendjeve të ndryshkura, 15 vjet pas anëtarësinit shpresoj të kemi zhvilluar një vetëdije mbarëkombëtare se: “NATO nuk është kurrsesi një organizatë bamirësie që dhuron falas ndihma, para apo mbështetje politike”. Në të kundërt, ajo ka mbijetuar në treg si Aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit, për shkak te fuqisë së pamposhtur ushtarake që gjenerohet proporcionalisht nga vendet anëtare.

Prandaj e ritheksoj se nga 2009 kur Shqipëria iu bashkua sigurisë kolektive (artikullit 5), bashkë me përfitimet mbart edhe barrën e rreziqeve dhe përgjegjësive që burojnë nga anëtarësimi. E thënë më qartë, çdo kërcënim ndaj tërësisë territoriale të 31 vendeve të Aleancës është edhe kërcënim ndaj RSh. Pra nëse/përsa ky Samit mbart kërcënime për Aleancën, sigurisht përfshin dhe Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa për “ekspozimin e RSh në mbështetjen pa kopromis deri në fitoren ndaj Rusisë – Putiniste”, theksoj se Shqipëria sigurisht ka interesa gjeopolitike shtesë, përtej atyre të 31 vendeve të NATO-s. E kundërta, pra një “fitore e Rusisë në Ukrainë”, do të ishte fatale për rendin Global, Aleancën Euroatlantike “por edhe më tragjike për interesat kombëtare të RSh në Ballkan, Mesdhe dhe në Adriatik”!

Së treti, organizimi i kësaj ngjarjeje madhore në Tiranë e “promovon fort rolin edhe peshën që mban RSh në paqen, stabilitetin demokratik dhe agjendën e integrimit Euroatlatik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor” si dhe në forcimin e partneritetit strategjik me ShBA/NATO-n.

Nga ana tjetër e kthen Tiranën në qëndrën e gravitetit për zhvillimin e projekteve ekonomike të përbashkëta si dhe ndaj kërcënimeve asimetrike, si “terrorizmit, mbrojtjes kibernetike, emergjencave, ekstremizmit, krimit të organizuar, etj.”!

Me këtë rast sjell në memorien strategjike edhe rolin aktiv të Shqipërisë, jo vetëm për organizimin e këtij Samiti, por dhe performancën dinjitoze në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; për solidaritetin e pakushtëzuar ndaj vendimmarrjeve dhe angazhimeve të USA/NATO-s; mbështetjen për refugjatët si dhe kontributeve ushtarake më shumë se modeste që MM/RSh vijon t'i japë Ukrainës martire.

Së katërti, thënë sa më siper, sigurisht për këto ngjarje me peshë gjeopolitike dhe interesa të larta kombëtare, KURRSESI nuk vlejnë as ekzagjerimet  bolshevike, as privatizimi i agjendës euroatlantike, as i dashurisë për mëmëdheun, por as gajasja cinike me “oponentët e pushtetit, qoftë dhe me opozitën vulëhumbur” si dhe as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si infermieri (pa) shërimi nga sëmundja ballkanike e mbipushtetit, POR: “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vizioni dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demokratike si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-s dhe BE”. Përtej humorit, ky Samit sigurisht nuk ka si të ketë lidhje me oshilacionet (50 milionë € ndihmë ushtarake për FS.Kosovës) të ish/Kryetarit-aguridhe, ose “gjeneralit të ushtrisë së vdekur si dhe as me një grusht egocentrikësh të sëmurë rreth tij”!

Në të kundërt duke përshëndetur organizatorët e këtij Samiti në Tiranë si dhe rreshtimin e Shqipërisë në listën e mbi 20 vendeve të NATO-s që arritën 2% të GDP-së në 2024, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, etj., në krye të agjendës kombëtare, do duhet të mbetet: “përditësimi i mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat e pushteteve dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit”. 

Së pesti, gjetjet e Samitit në ditën e dytë do të shërbejnë si mesazhe Euroatlantike ndaj 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: “për të mos u (sh) përdoruar për interesat e Putinizmit; të mos frymëzojnë radikalët e tipit Dodik në Bosnjë; as agjendën e pushtetarëve të korruptuar dhe grupeve kriminale; si dhe të mos të kërcënojë ushtarakisht status-quo-në gjeopolitike dhe investimin e USA/NATO për paqen e rajonit”! 

Me këtë rast do të sillja në kujtesë se: “historitë e pas-luftërave na tregojnë, se marrëveshjet për paqe të qëndrueshme, nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar si themele një paketë masash të mirëbesimit reciprok mes popujve. Krimea, mbetet një mësim i madh, mbasi marrëveshja e Minsk/2015, jo vetëm që nuk “polli” paqe, por po shpaguhet me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë”!

Prandaj, në statusin “Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-n”, do risugjeroja miqësisht aktorët zyrtarë, faktorët relevantë dhe kolegët në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që perspektivën e paqes në rajon do duhet ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy Masave bazë të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave vendet:  (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake, deri në nivelin që të mos kërcënojnë reciprokisht integritetin territorial; (2) të mos vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore/5km tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë. Më tej këto dy kushte bazë do të duhen të monitohen nga USA/NATO/BE, të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Në shtesë, në kontekstin e kohës/momentit, ky Samit mbahet 2 javë mbas Konferencës së Sigurisë në Mynihut, dhe do t’u bashkohet mesazheve: “për të forcuar më tej kohezionin mes vlerave duke mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake në mbrojtje të paqes, vlerave Euroatlantike dhe interesave gjeopolitike të USA/NATO-s/BE-se në rajon”!

Po ashtu, ky Samit mbahet vetëm 4 ditë pas 2-vjetorit të dështimit turpërues të Luftës neo-naziste të Rusisë - Putiniste, e cila jo vetëm nuk e pushtoi dot as me lule dhe valle për dy muaj, dhe as me tanke, raketa dhe bajoneta as për 2 vjet Ukrainën. Por mbas 730 ditë/netë luftime po zvarritet si terroristët e Hamasit në llogoret e Zaporizhias, Oblastes, Bakhmutit, Khersonit, etj., duke lënë në fushëbetejë mbi 320 mijë të vrarë, duke humbur mbi 50% të territoreve të pushtuara dhe iniciativën strategjike të luftës si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin, vlerat dhe fuqinë ushtarake të aleancës transatlantike.

Së fundmi, duke i uruar mirëseardhjen Presidentit Zelensky si dhe suksese pjesëmarrësve, besoj se gjetjet e këtij Samiti do të shërbejnë për të zgjuar dhe zhvilluar një lidership të fortë, me vizion dhe përgjegjshmëri të lartë, vullnet, solidaritet, projekte, si dhe mbështetje financiare për modernizimin e aftësive ushtarake për t'u përballur me rreziqet konvencionale, si dhe kërcënimet ndaj sigurisë, paqes, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik përfshi/përtej hapësirës së Evropës Juglindore. 

Po ashtu, shpresoj që mesazhet e këtij Samiti nga Tirana do t’u shërbejnë elitave mendjehapura në kryeqytetet e Evropës Juglindore se: “paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm” në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, prosperitetit të qytetarëve si dhe perspektivën Euroatlantike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. 

* Piro Ahmetaj

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut;

ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

09:31 Opinione Artan Fuga

Gestapo

Dëgjoja një ditë administratorin bullafiq të një gjoja uni...

15:02 Opinione Lutfi Dervishi

Sot nuk ka lajme…

Ajo që sot mendohet e pa imagjinueshme, - një ditë pa lajm...

Lajmet e fundit nga